21/12/2024

Mbrenda një takimi me dyer të mbyllura

0
Blerim-Rrecaj

Nga Blerim Rrecaj

Papritur i erdhi një kujtim, trokiti në derë të tij. I hapi derën. E pranoi. Dhe folën për ndodhinë e pothuajse dy dekadave më parë. Ballëpërballë e këmbëkryq me kujtimin. Jetë, o jetë, tha, ndërsa dëgjonte kujtimin që filloi t’i fliste, për një ngjarje, për një ndodhi, që iu duk se ia vlente të dëgjonte e të përshkruante atë që ai ia diktonte. Ishte kohë e një viti, e një muaji, e një dite pranverore. Kur atëbotë, sapo kishte filluar të punonte te një gazetë e përditshme, me seli e zyrë në qendër të qytetit, në sheshin kryesor të saj. Ishte një kohë e turbullt, e paqartë, pas çlirimit, një lloj tranzicioni i rëndë, me plot zig-zage,  kur pakënaqësitë dhe dëshirat për ndryshime thelbësore vlonin, qofshin këto të brendshme a të jashtme, ku përmendeshin statuset para statusit, e çështje të tilla të mprehta.

Se mos është ndryshe sot, pyeti e nëpërmendi rrjedhën e gjërave, proceseve, e për mos u lodh u hodh te ajo çfarë kishte ndodh e për çfarë ishte duke folë.

Pra, mëngjes më mëngjes mblidhej me kolegët në zyrë, ku pas mbledhjeve që mbaheshin, shpërndaheshin për të mbledhur informatat, për marrë deklaratat, e materialet e nevojshme rrugëve, kafeneve, konferencave, takimeve,  vetë, o të shoqëruar nga shoferët a fotoreporterët, për artikujt e kronikat që do të ktheheshin për t’i shkruar nëpër kompjuterët varg e vijë vënë mbi tavolina.

Një ditë prej ditësh së bashku me një koleg u dërguan në Ministrinë e Rinisë, Kulturës e Sportit për të përcjellur një aktivitet, për ndarjen e ca shpërblimeve, që do t’u ndaheshin ca nxënësve të shkollave të mesme që kanë punuar e shkruar për temën që ka të bëjë për përmirësimin e kultivimin  e marrëdhënieve me popullsisë shumicë shqiptare të Kosovës dhe komuniteteve të tjera joshumicë. Shpërblimet do të jepeshin nga ministri i kulturës dhe një diplomati të lartë amerikan.

U nisën këmbë, pasi nuk e kishin larg, koha e mirë e me diell, e gjatë rrugës nëpër atë tollovi lëvizjesh, binin në sy edhe kafenetë e mbushura, shitësit ambulantë, lypësit, hapësirat publike të nxëna prej reklamash të lloj lloj veprimtarie biznesore, e ndonjë kulturore, shtyllat dritëmbajtëse në të cilat kacavireshin pjesë të mëdha katërkëndshe që mbanin emra bankash, grafite të shumta nëpër mure ndërtesash, që shprehnin ndonjë revoltë a pakënaqësi. Ngadalë-ngadalë mbërritën me kolegun para objektit të ministrisë. Hapën dyert hijerënda, u përshëndetën me portierin e u ngjitën shkallëve lart. Mbërritën para zyrës së ministrit. Aty përpara plot kolegë të medieve tjera, me blloqe shënimesh, lapsa, regjistrues zëri e kamera që prisnin, e prisnin.

Më në fund erdh ministri e diplomati shoqëruar me stafin e tyre, u përshëndetën e u bënë gati të hyjnë brenda. Morëm vesh që kanë një takim brenda zyrës mes vete pa praninë e medieve, e pastaj do të dilnin për të dhënë shpërblimet e për t’u deklaruar e u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Me kolegun ecën pas stafit të ministrit, e bashkë me ta hyjmë brenda. Nuk i ndaloi kush, mbase se ti, i tha kolegu kolegut, duke qeshur, që kë këtë fytyrë paksa  “aziatike” e përngjan me diplomatin amerikan me prejardhje prej atyre vendeve. Nuk e ke keq, i tha kolegu, se unë i takoj komunitetit çerkez. Sidoqoftë, rrinin pip në këmbë mes personave të dy delegacioneve, ndërsa të tjerët kishin zënë karriget. Diplomati ballëpërballë ministrit. Përkthyesi në mes. Ne bënin se shkruanim diç nëpër fletoret tona.

Flitej për gjendjen, për raportet, punën, sfidat e vështirësitë, bashkëpunimin mes ministrive, medieve, organizatat joqeveritare, bashkësive fetare e një mori tjerë aktorësh e faktorësh duke përmendur dhe të ashtuquajturën Ministri për Kthim dhe Komunitete.

Diplomati me mjaft vite mbi supe dukej mjaft i informuar e me përvojë dhe interesohej për rolin e ministrit në këtë fushë.

-Cila është pikëpamja juaj për të tashmen e të ardhmen, sa i përket bashkëpunimit, tolerancës, harmonisë mes komuniteteve, pyeti diplomati.

-Po, shiko, iu drejtua ministri përkthyesit, duke i thënë, përcjellja porosinë mikut .-Se është meritë e kryetarit të Kosovës që unë jam në këtë pozitë, se kryetari po na jep hapësirë ne të rinjve duke na vënë në pozita të rëndësishme,  bile në një pozitë ministri është edhe një koleg imi, po kaq i ri, dhe që i takon partisë që unë i takoj.

-Mirë, tha diplomati,-dhe cilat janë pikat kryesore për përmirësimin e jetesës mes qytetarëve në vendin tuaj.

-Pika jonë kryesore është të jemi në miqësi të përhershme së pari me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastaj me të gjithë aleatët tanë. Kjo është parësore e thelbësore, pastaj po punojmë fuqishëm për çdo kë të ndihet mirë e i barabartë.

Diplomati herë-herë nënqeshte lehtë e pavërejtshëm, ndërsa ndokujt nga stafi buzëqeshja i dilte më transparente.

Ministri paksa u bë nervoz, e i thonte përkthyesit, përktheja mirë, këto që po t’i them mikut tonë të shquar, duke e bërë ndërmjetësuesin gjuhësor paksa të skuqet e të ndihej në siklet.

Pak a shumë ky takim kështu përfundoi mes ca pyetjeve konkrete të diplomatit dhe ca përgjigjjeve përgjithësuese të ministrit.

Dolëm bashkë me ta, gazetarët morën deklaratat e zakonshme për sfidat, bashkëpunimin, ndihmën, gjendjen e përpjekjet që po bëhen në terren.

U ftuan nxënësit fatlumë për të marrë mirënjohjet e çmimet.

Nga selia e ministrisë erdhëm drejt e në seli të redaksisë, ku endej stres i nevojshëm, e i panevojshëm nga puna, a nga mospuna, nga ndonjë zënkë mes kolegësh e mes redaktorësh, ose nga ndonjë relacion tjetër grindjeje a shtyrje bërrylash. Pak ose aspak dallime nëpër zyre ministrish e redaksish seç doli një konstatim i vetvetimshëm.

Në fillim nuk u kuptua pyetja se çfarë artikulli kanë dëshirë ta shohin brenda faqeve të gazetës, atë të dyerve të mbyllura, apo atë të dyerve të hapura.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok