MBI LIBRIN E YLL RUGOVËS “TIPOGRAFIA SHQIPTARE, 1555-1912”

0

Momente nga promovimi i sotëm i librit “Tipografia shqipe 1555-1912” të Yll Rugovës, studiues i gjuhësisë së përgjithshme, tipograf dhe dizenjues informacioni!

Nga Jahja Drançolli

Sot në Evropë dhe në botë bëhen shumë diskutime dhe shkruhen shumë studime për problemin e tipografisë. Përballë një problemi multidisiplinar nga shkencat humane dhe artet, si historia, historia e artit, artet, gjuha, letërsia, filozofia, feja, etj., studiuesit në përgjithësi dhe veçanërisht studiuesit ballkanikë kanë hasur në vështirësi shtesë. Në këtë kuadër, monografia që po promovojmë sot si e para e këtij lloji te ne, ofron risi me vlerë të veçantë dhe hap shtigje të reja kërkimi në shumë fusha shkencore jo vetëm albanologjike.

Problemi qendror që trajtohet në librin që kemi në dorë është tipografia arbërore-shqiptare. Tipografia është një shkencë e cila në terminologjinë shpjegohet si një kompozitë e përbërë nga fjala typos-vulë, shenjë dhe fjala grafien-për të shkruar. Përkufizohet ndryshe edhe si shkenca e shkronjave, arti i përdorimit të shkronjave tipografike, aftësia për të rregulluar, krijuar, formësuar dhe përdorur në mënyrë funksionale shkronjat. Shkurt, është fjala për shkencën e shkronjave, e krahasueshme me paleografinë dhe epigrafinë. Për të shpjeguar më hollësisht këtë term dhe objektin e këtij studimi, autori Yll Rugova ka shfrytëzuar burime të ndryshme historike të ruajtura në arkiva e biblioteka të Europës, si dhe literaturë relavante, fjalorë, enciklopedi, leksikone, etj.

Kur flasim për tipografinë, është e pashmangshme të përmendim zhvillimin e saj historik, një histori që ruan një vertikale të gjatë kronologjike që nga koha kur njeriu i parë primitiv mori një copë qymyr dhe filloi të vizatonte në muret e shpellës. Që nga kjo kohë u desh të kalonin periudha të gjata historike, siç ishin llojet e shkrimeve të zhvilluara në Lindjen e Lashtë, periudhën antike, atë mesjetare për të arritur deri te shtypshkronja e Gutenbergut në vitin 1452, përkatësisht në botimin e “Masharit” të Gjon Buzukut, libri i parë i botuar në gjuhën arbërore në vitin 1555 e deri te “Kalendari Kombiar i Kristo Luarasit” (1897).

Gjatë periudhës në fjalë historike, ndryshe prej një pjesë të vendeve të Europës kur librat bëhen të disponueshme për një numër më të gjerë njerëzish dhe fillojnë të shfaqen edhe mjeshtrit e parë të tipografisë, arbrit, përkatësisht shqiptarët duke gjendur nën sundimin osman nuk kanë pasur mundësi të zhvillojnë tipografinë në atdhe por kryesisht atë e zhvilluan jashtë atdheut siç është rasti i Buzukut (“Meshari”, 1555), Matrëngës (“E mbsuame e krështerë”, 1592), Budit (“Doktrina e Krishtenë”, 1618), Bardhit (Fjalori latinisht–shqip, 1635), Bogdanit (“Çeta e Profeteve”, 1685), Veqilharxhi, (“Ëvetari” i vitit 1845), e ndonjë tjetër.

Kjo monografi  e jashtëzakonshme dhe e rrallë për nga rezultatet e saj shkencore e kulturore është konceptuar në tri pjesë kryesore të radhitura kronologjikisht, të cilat vijojnë nga parafjala që ofron shpjegime paraprake lidhur me problemin që trajton.

Pjesa e parë ofron njoftime duke filluar me shtypshkronjat e para ndër shqiptare, tipologjinë e shkrimeve dhe influenca latine, venete, greke dhe sllave, duke spikatur gotikën e Italisë Veriore, rotundën venete, rotunda e Mesharit, germat e veçanta, inicialet, si dhe botimet e realizuara në vitet 1592-1824. Duke iu drejtuar sytheve të përmendura më sipër, autori Yll Rugova duke përdorur burime arkivore të dorës së parë të proveniencës venete, sidomos të Venedikut dhe të Padovës, të trajtuara në mbështetje të metodave të avancuara shkencore, veçanërisht, të metodave të analizës dhe sintezës, komparacionit, induksionit dhe të deduksionit, si dhe shpjegimeve shtesë në fund të pjesës të kësaj pjese të librit, ai do të bëhet një udhërrëfyes për studiuesit jo vetëm të fushave albanologjike, por edhe të shkencave humane dhe shoqërore.

Pjesa e dytë e librit i sillet njoftimeve të detajizuara lidhur me germat ekskluzivisht shqip duke u ndalur edhe në raste konkrete specifike, siç janë “Shtypi i Evetareve”, “Gdhendja e alfabetit te Vithkuqit”, “Gdhendja e germave në Rumani”, etj.

Pjesa e tretë përfshin njoftime historike për tipografinë në periudhën e  Rilindjes Kombëtare Shqiptare, njoftime të cilat plotësojnë në mënyrën më domethënëse temën qendrore të kësaj pjese, që është tipografia e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe periudha e Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë kontekst, duhet përmendur se shekulli XIX, veçanërisht gjysma e dytë e këtij shekulli, konsiderohet një periudhë historike e intensifikimit të botimeve në Europë, kjo prirje padyshim ka reflektuar edhe në zhvillimin e tipografisë shqiptare në përgjithësi siç konkludon me të drejtë autori Rugova. Më tej, ofrohen të dhëna të detajuara jo vetëm për shtypin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare në përgjithësi, por edhe për shtypshkronjat e veçanta dhe tipografët e parë shqiptarë. Pluhuri shekullor mbi institucione dhe personalitete të tilla po i hiqet pikërisht në saje të punës këmbëngulëse të autorit të monografisë që jemi duke e promovuar.

Nëpërmjet metodologjisë më të re të kërkimit shkencor, interpretimeve origjinale të autorit, të shoqëruar me ilustrime të sistemuara, që nuk i kemi parë në studime të këtij lloji tek ne, kjo vepër mund t’u shërbejë jo vetëm studiuesve të albanologjisë, historisë, kulturës dhe arteve, por edhe një rrethi shumë më të gjerë të lexuesve.

Me gjithë lëshimet e mundshme qofshin ato profesionale ose teknike, ndryshe nga shumë libra të botuara në dekada të fundit, libri në fjalë do të jeton ca më gjatë.

Në këtë kohë krizash të llojllojshme, botimi i një vepre si kjo me titull “Tipografia shqiptare 1555-1912” vjen si kthimi i shpresës në libër. Jetë të gjatë Yll Rugova, ke shumë punë për të bërë për kombin, kulturën dhe shkencën!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok