Duke lexuar librin “Zot i fatit tim” të Viron Konës

Nga Fran GJOKA

Kohët e fundit Viron Kona ka dalë me një libër të ri që titullohet “Zot i fatit tim”. Përmban 99 epigrame, vargje të shkurtër me natyrë proverbiale dhe satirike, që përcjellin te lexuesi mesazhe të shkurtër, të shkruar me gjuhë lakonike dhe të mprehtë. Ky libër me epigrame, është i dyti i këtij lloji i Konës, pas librit “I zemëruari” (2019), për të cilin kam shkruar dikur një artikull të veçantë e vlerësues.

Origjinal dhe i veçantë

Them me bindje se ky vëllim është një hap edhe më përpara, është nga ata lloje librash që e tërheqin menjëherë lexuesin që dëshiron të lexojë gjëra të shkurtëra e me vlerë, që përcjellin mesazhe bashkëkohore dhe që i vlejnë, si për pasurimin e kulturës së tij, ashtu dhe në përditshmërinë kaotike e problemore që kalojmë. Nënvizojë gjithashtu se “Zot i fatit tim”, me vlerën e tij utilitare, është nga ata libra që i dëshirojmë dhe i zgjedhim në rrafte bibliotekash kur duam të qetësojmë shpirtin dhe të ngushëllohemi për një gjendje të caktuar shpirtërore, mund të them në mënyrë figurative se është nga ata lloje që na shërbejnë si “freskueset”, që i kemi të nevojshmë në kohët e nxehta, si “zjarrin” që e dëshirojmë në netët e ftohta të dimrit.

Balsam për qetësim, nxitje për veprime të  dobishme

Parapëlqeva të përcjellë te lexuesi disa prej epigrameve, duke nënvizuar veçanërisht mesazhet mbresëlënëse që ato sjellin dhe që të mbeten në mendje, teksa si lexues ndjejë dëshirën t`i përmendë ato në biseda të lira me shokë e miq, pse jo, të vlejnë ashtu sikurse fjalët e urta popullore, që jemi të dëshiruar t`i dëgjojmë  kur na i ofrojnë miqtë e njohur dhe të sinqertë në situata të pafavorshme, tronditëse apo në udhëkryqe. Mund të them pa e tepëruar se ato na shërbejnë  si balsam, për qetësim të shpirtit apo si nxitje për veprime të  dobishme.

Objekt artistik, problemi i pronës dhe i ndarjes së saj

Problemet bashëkohore që na preokupojnë ne shqiptarëve janë të shumta dhe të llojllojshme, madje ato pushtojnë  të gjitha fushat e jetës, ndaj dhe përballemi shpesh herë me situata të ndërlikuara, teksa ndjejmë edhe vështirësitë për të gjetur shtigje dhe rrugëdalje të përshtatëshme. Veçanërisht problemi i pronës dhe i ndarjes së saj, deri brenda një familjeje, sot është preokupantë për shumë njerëz. Te ky vëllim, Kona e ofron këtë problematikë për lexuesit në mënyrë figuartive e tërheqëse, duke satirizuar fort përmes krahasimeve të gjetura dhe metaforave mbresëlënëse. Tek epigrami “Ca grurë dhe ca egjër”, ai shkruan: “I dija se ishin të gjithë engjëj,/Vija për ta dorën në zjarr e në zemër,/Por, kur nisën të ndaheshin pronat,/Ca dolën grurë dhe ca dolën egjër!” Kurse tek epigrami “Si në pasqyrë”, ai nënvizon: ”Ndarja e pronës i nxori njerëzit në pasqyrë,/i nxori siç nuk i kemi njohur kurrë më parë,/nxori fare hapur hipokrizinë dhe pabesinë,/nxori lakminë e vëllait për vëllanë!” Madje, idenë e pangopshmërisë së disa njerëzve për t`u pasuruar pa kufijë, autori figurativisht e çon deri në ekstrem, sidomos tek epigrami “Babëzi”, ku ai shkruan:  “Për nga lakmia, grabitja dhe babëzia,/disa njerëz ua kalojnë dhe peshkaqenëve në dete,/madje janë aq të pangopur për pasuri dhe prona,/saqë duan të kenë edhe planetët për vete!”

Nderim i njeriut të punës

Nderimi i njerëzve të punës ka qenë gjithnjë një preokupim artistik i Viron Konës, të cilën ai e ka shprehur edhe në tregimet, novelat dhe romanet e tij, por kësaj here ai provon që ta sjellë këtë nderim edhe nëpërmjet epigrameve, me një gjuhë të bukur dhe të këndshme arti e plot freski. Ai shkruan:”Respektoje një xixëllonjë,/jetën ajo nuk e çon dëm,/kur natën fluturon,/një dritëz e bën.” Në vazhdim me një ironi filozofike frojdiane ai shigjeton ata që mburren dhe kërkojnë të abuzojnë apo përfitojnë nga puna dhe modestia e tjetrit. Ja se çfarë shkruan ai tek epigrami “Miza mburravece”: ”Kalorësi fshikullon dendur dhe ajri përreth dridhet,/kali nxjerrë shkumë, karroca me shpejtësi fluturon,/Eh, jam unë, që po e tërheq kaq shpej karrocën!,/mburret një mizë kali, që në kokën e tij po qëndron!”

Veset e liga, shënjestër e shkrimtarit

Interesante janë epigramet që goditin veset në jetën dhe në veprimtaritë e disa njerëzve. Kona mban qëndrim ndaj tyre, i satirizon me humorin e hollë dhe gjuhën e tij të mprehtë dhe na kujton se ndaj veseve që mbart herë-herë natyra njerëzore, duhet të jemi syhapur, të mos tregohemi naiv se, befas, ndodhemi “si peshku në rrjetë”, pa e kuptuar as vet sesi ramë në atë kurth të mashtruesve. Tek epigrami “Gënjeshtra”, ai shkruan: ”Ngado që ta kthesh,/gënjeshtra s`ndryshon,/ rrumbullake si iriqi,/me gjemba ajo të shpon!” Kurse tek epigrami “Një ditë”, ai godet dhe paralajmëron gënjeshtarin se:”Sado dinak të jesh,/të keqen të mbulosh,/një ditë ç`ke bërë do dalë,/s`mbulohet dielli me shoshë!”

Politika si art drejtimi, të mos lejojmë që të kthehet në “art” mashtrimi

Politikën dhe politikanët, shkrimtari Kona i ndriçon si me një projektor drite edhe në këtë vëllim. Në epigramin e titulluar: “Si delet”, ai veçon: ”Ata duan pareshtur pushtet,/tek ne vijnë dhe  e kërkojnë,/herë i shajmë, herë i mallkojmë,/por si delet pas bariut shkojmë.” Kurse tek epigrami ”Nga shërbëtor u bëre zot”, godet fort egoizmin, kultin e individit, njeriun që shfaq natyrë mashtruese pasi realizon qëllimin e tij për t`u vënë në krye të njerëzve: ”Në fillim the “jam shërbëtori juaj”,/të zgjodhën përsëri the:”ma paskan nevojën!”/për herë të tretë, the:”si unë s`paska tjetër njeri”,/aq duhej, u ngrite mbi popullin dhe u bëre zot i tij!”

Duke kërkuar të ndriçojë përherë konceptet demokratike, Viron Kona përpiqet që në krijimtari ta thellojë parreshtur edhe në mënyrë figurative konceptin demokratik, duke e shfaqur hapur dhe pa zbukurime idenë e tij, por dhe duke i demaskuar dhe satirizuar fort ata politikanë që kompromentojnë thellësisht politikën dhe, me sjelljen e qëndrimet e tyre krijojnë idenë se politikanët janë vetëm njerëz negativ,abuzues,”shushunja” për shoqërinë. Tek epigrami “Politikanët”, autori i portretizon ironikisht ata me vargjet: ”Janë tipa që kanë “lindur” për burra shteti,/shfaqin veten si heronj dhe udhëheqin parti,/ndërrojnë pushtetin me radhë dhe me lezet,/fronin ku ulen e kanë me vulë dhe me tapi!” Në vazhdim autori përcjellë zhgënjimin që ndjen njeriu i thjeshtë kur sheh se ajo që dinte “flori”, doli “qymyr i zi’, kur sheh se nën maskën “e engjëllit fshihet djalli”, e në këtë rast zhgënjimi e vret dhe e dërmon shpirtërisht rëndë njeriun e ndershëm, e plogështon dhe i gjymton shpresat dhe besimin për të ardhmen, teksa shpreh dufin dhe zemërimin, siç shpërthen tek epigrami “Liderët” ku shkrimtari Kona, shkruan:”Njerëzit pas tyre vërshuan me brohori,/u thurën himne sikur të ishin perëndi,/por shpejt kuptuan se ishin mashtruar,/ata s`ishin perëndi, por djaj të maskuar!”

Demaskimi me art i antivlerave

Vlerat morale janë preokupime të shumë krijuesve dhe ato shfaqen në të gjitha gjinitë: në prozë, në vargje, në publicistikë. Njerëzit kanë dëshirë të shprehen për vlerat e vërteta morale, por edhe për tjetërsimin e njeriut, dukuri kjo që po shfaqet dukshëm në shoqërinë tonë, duke devijuar nga vlerat morale të shqiptarëve në shekuj dhe nga traditat shekullore të moralit të lartë.

Viron Kona nuk ngurron ta bëj hapur demaskimin e antivlerave. Epigramet e tij ai i sheh si armë me efekt dobiprurës, ato godasin edhe drejtpërdrejtë, edhe shkarazi, gjithnjë në mënyrë të mprehtë e shigjetuese, që të mbetet në mendje, edhe të duash t`i harrosh, nuk i harron dot. E shohim  këtë mesazh veçanërisht tek epigrami “Kur…”. Autori shkruan: ”Kur për interesat e tua vetjake, tradhton shokët dhe vendin tënd,/të gjithë do të zbojnë me neveri,/si një akrep që u lëvrin nën këmbë!” Ose te epigrami   “Harrojmë veten tonë” ai nënvizon: ”Kur bëjmë bilancin e jetës,/dhe “thesin” e shohim bosh,/s`lëmë askënd pa fajësuar,/përveç vetes sonë!” Interesant, i thjeshtë dhe goditës është epigrami: “Ke para s`ke para”,  ku shkrimtari  shigjeton moralin e dyshimtë, duke demaskuar rëndë dhe duke tallur ata njerëz që mendojnë se kanë para dhe mund të bëjnë çfarë të duan dhe si të duan. Sarkazma e Konës këtu është e thellë, ai pasqyron një realitet që duhet doemos të demaskohet, pasi e tjetërson krejt njeriun duke i barazuar vlerat e tij me sasinë e parave që ka, me mjetet moderne që ai përdor, me sendet apo gjënë e gjallë që ai e ka pronë të tij, etj: ”Ke para,je dijetar,/ke para, gjithnjë fiton,/ke para,të drejta ke,/ke para,botën sundon”/S`ke para,je budalla,/s`ke para,asgjë ti s`di,/s`ke para,kot ekziston,/s`ke para,s`ta var njeri.”

Shpresë dhe besim në të ardhmen

Libri ”Zot i fatit tim” çelë artistikisht edhe shtigje shprese dhe besimi për të ardhmen, ai, krahas goditjes së veseve, zakoneve, tjetërsimit dhe abuzimeve etj, e bën njeriun  më realist për jetën, duke i hapur sytë që të mos gënjehet, të mos mashtrohet, por të hedhi sytë tek e bukura e jetës, te vlerat e saj të vërteta, tek e ardhmja dhe shpresa për një jetë më të mirë dhe më të bukur. Ecim përpara duka pasur më shumë besim edhe te mjedisi shoqëror, te njeriu i mirë, që punon dhe sakrifikon, tek ai që provohet në zjarr dhe në vështirësi. Me shokë e miq të mirë, ti mund të zgjidhësh shumë probleme, të kryesh detyrat e tua individuale, familjare dhe shoqërore, t`i shërbesh edhe vendit e shoqërisë në tërësi, madje të bëhesh edhe “dikush” në jetë. Tek epigrami: ”Besoj” ai shkruan:”Besoj atë që ka vuajtur në jetë,/duke hapur vetë një rrugë të re,/besoj zemërbukurin e çiltër,/që sytë i qeshin,kur më sheh./Besoj atë që kur premton besnikëri,/nuk e bën kurrë fjalën dy,/i besoj shpirtit të pastër që dashuron,/kapitenit që drejton anijen në stuhi.”

Mesazhet që përcjellë Kona janë të shumta, njëri më mbresëlënës se tjetri. Trajtojnë ato, edhe vlera morale, edhe veti të lavdërueshme; këshillojnë me takt letrar për vigjilencë më të lartë, për përpjekje më të mëdha, për ta nisur kritikën për të metat dhe dobësitë nga vetja, për të guxuar në jetë, për t`u orientuar drejt dhe për të mos pranuar të keqen, por duke afirmuar të mirën dhe të bukurën, të shmangim indiferentizmin sepse ajo e keqe që i ndodh njërit mund t`i ndodh edhe tjetrit, jemi të zbuluar nga të gjitha anët dhe gjithçka ndodh në jetë. Ndërkaq, dëshiroj ta mbyllë këtë analizë të librit me vlera të spikatura të shkruara nga i mirënjohuri Viron Kona me vlerat që përcjellë epigrami “Me njëri-tjetrin” ku autori shkruan: “Ledhatojmë njëri-tjetrin,/dashurojmë njëri-tjetrin, i zemërohemi njëri-tjetrit,/xhelozohemi ndaj njëri-tjetrit,/urrejmë njëri-tjetrin,/mallkojmë njëri-tjetrin,/por s`mund të jetojmë dot,/pa njëri-tjetrin…!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok