06/11/2024

Masakra e harruar dhe studenti i Sorbonës

0

Nga Blerim Latifi

Po kaloja sot nëpër fshatrat e Klinës. Kur hyra në rrugën kryesore të Gjurgjevikut, nga larg e pashë një përmendore të ngritur buzë rrugës. Thash me vete: duhet të jetë e ndonjë dëshmori të luftës së fundit. Kur iu afruam i thash vëllaut tim të ndalonte makinën. Doja të shihja nga afër se ne kujtim të kujt ishte ngritur ajo përmendore. Nuk doli ajo që mendoja. Përmendorja kujtonte në ngjarje të ndodhur 80 vjet para luftës së UÇK- së. Në atë vend, në vjeshtën e vonë të vitit 1918, ushtria serbe kishte ekzekutuar 22 anëtarë të familjes së Isuf Dushit. Askush nuk ishte kursyer, nga plaku 85 vjeçar, deri tek foshnjat tri vjeçare. Mbishkrimi në pllakë tregonte se eshtrat e të masakruarve qëndronin të varrosura në atë vend. Ndonëse binte shi, nuk mund të largohesha pa i lexuar emrat e tyre në pllakë. Qëndrova në heshtje para saj për pak minuta. Bashkë me pamjen e zymtë dimërore të natyrës rreth e rrotull, trishtimit tim për atë vend tragjik, peshën ia shtonte edhe një fakt tjetër që më erdhi në mendje në ato momente: sa e sa krime të tilla kanë ndodhur anë e kënd Kosovës nga viti 1912 dhe kujtesa për to tanimë pothuajse është zhdukur. Harrimi i krimeve, siç ka thënë dikush, është falje e heshtur e kriminelëve.

E preka pllakën e ftohtë në shenjë nderimi për atë familje të shuar mizorisht nga pushtuesit serbë dhe hyra në makinë. U nisëm rrugës përpjetë për të dalë tek Rrasat e Gllarevës. Jo larg nga vendi ku ishte masakruar familja Dushi, në oborrin e një shkolle ndodhej një pllakë tjetër. Në të ishte gdhendur portreti i Ymer Berishës, nacionalistit shqiptar të lindur në këtë fshat, në vitin 1912. E pyeta vëllaun tim në e kishte dëgjuar më parë këtë emër. Jo, më tha shkurt.

Ymer Berisha, me siguri, ka qenë njeriu më i shkolluar në Kosovën e atyre viteve. Pasi kishte mbaruar studimet për histori e gjeografi në Firence të Italisë, kishte vazhduar për filologji në Sorbonë, Paris. Me shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore ishte kthyer në Shqipëri për t’u angazhuar në grupet nacionaliste. Për një kohë kishte dhënë mësim në gjimnazin “Sami Frashëri” të Prishtinës. Mbase ky gjimnaz, në krejt historinë e tij, nuk ka pasur kurrë një mësimdhënës më të kualifikuar se Ymer Berishën.

Ai ishte ndër intelektualët e paktë shqiptarë të asaj kohe që mendonte për një front antifashist mbi bazën e lidhjeve me aleatët perëndimorë. I vetmuar në vizionin e tij, ai e kishte të qartë dështimin, por nuk pranoi të dorëzohej. Kur komunistët e morën pushtetin, studenti i Sorbonës mbeti maleve në përpjekje për të organizuar një rezistencë antikomuniste, derisa ra në një pritë të organizuar nga OZNA dhe argatët e saj shqipfolës. Do të duhej të vinte fundi i Shekullit XX që vizioni i tij politik të bëhej realitet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok