08/10/2024

MARTIRI I LIRISË SË SHQIPTARËVE…

0

Nga Dorian Koçi

Shteti kombëtar shqiptar lindi shumë i dobët në vitin 1912-1913. Nëse do perifrazonim një shprehje të njohur diplomatike, do të përshkruhej përmes saj se ai lindi si një “fëmijë i gjallë por i mekur”. Vështirësitë që hasi shteti i porsalindur shqiptar nuk kishin të bënin vetëm me vështirësitë e njohura të qeverisjes administrative dhe të sundimit të ligjit por kryesisht me mbijetesën e tij.

Territoret shqiptare u kthyen në një teatër luftimesh të luftërave ballkanike në 1912-1913 në vigjilje të lindjes së shtetit shqiptar dhe gjatë viteve tëLuftës së Parë Botërore(1914-1918), çka e vështirësoi shumë mbijetesën e pikëpamjes politike të vazhdimësisë së shtetit shqiptar në kufijtë e përcaktuar në Konferencën e Londrës.

Pikërisht në këtë kohë, përpjekjet e patriotëve shqiptarë të shpërndarë nga zjarri i Luftës së Madhe nëpër kolonitë shqiptare në Europë dhe SH.B.A për të krijuar vazhdimësinë juridike të shtetit shqiptar dhe njohjen e tij nga aleancat e ndryshme që ishin krijuar gjatë Luftës së Parë Botërore, janë përpjekje epike që meritojnë një vëmendje të veçantë nga ana e studimeve historike.

Krahina autonome e Korçës dhe figura e Themistokli Gërmenjit, arkitektit të krijimit të këtij enti të veçantë shtetformues, përbëjnë një histori politike dhe sociale të admirueshme, efektet e së cilave u ndjenë të ishin pak vite më vonë përcaktuese për fatin politik të Shqipërisë dhe për vazhdimësinë kulturore të lidhjeve të Shqipërisë me Perëndimin.

Korça është djepi i nacionalizmit shqiptar dhe qyteti ku u mbrujtën idetë e mëdha të krijimit të shtetit të ardhshëm të shqiptarëve. Kjo ngjizje e ideve kombëtare në Korçë dhe rrethinat e saj nuk ishte e rastësishme. Krahina e Korçës përmbushi shumë më herët se krahinat e tjera shqiptare kushtet për një urbanizim të shpejtë nëpërmjet rritjes së volumit të tregtisë mes krahinave të Epirit dhe Maqedonisë duke shfrytëzuar shumë mirë portin e Selanikut, si dhe nëpërmjet emigracionit të suksesshëm në shumë qendra urbane të Evropës Lindore si Bukuresht, Athinë, Sofje apo dhe deri në Afrikë, në Kajro, Aleksandri dhe Ismailia.

Në këto qendra urbane, kryesisht në Bukuresht e Kajro u mbrujtën dhe u formuan dy breza veprimtarësh të Lëvizjes Kombëtare, ku mes tyre spikat dhe Themistokli Gërmenji. Patrioti shqiptar Themistokli Gërmenji është një nga figurat kombëtare, jeta dhe aktiviteti i të cilit ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën kolektive shqiptare. I shkolluar si shumica e patriotëve shqiptarë në një shkollë greke në qytetin e Korçës, ashtu si shumë figura të tjera në historinë e kombeve të tjerë, zgjimin kombëtar e përfiton përmes gjuhës së shkruar. Një letër e ardhur nga Bukureshti nga i ati i tij emigrant në gjuhën shqipe, shërbeu si shkëndija për të kuptuar identitetin e vet gjuhësor e kombëtar përkarshi identiteve të tjerë fetarë dhe imagjinar që i mbivendoseshin nga arsimimi i tij. Historia e tij personale në fakt u kthye në një histori të përgjithshme të komunitetit të tij që arsimohej në shkolla greqisht por frymonte dhe gjallonte shqip në jetën e përditshme. Ndarja tejet e prapambetur e popullsisësipas modelit të mileteve në Perandorinë Otomane kishte krijuar keqkuptime të mëdha që mundoheshin të plotësoheshin nga nacionalizmat agresivë të fqinjëve.

“Kultura islamike e Perandorisë Osmane i kishte mëshuar identifikimit të besimit fetar me kombin, duke sheshuar dallimin midis shqiptarëve e myslimanëve të tjerë nga njëra anë dhe duke nxjerrë më në pah, nga ana tjetër, atë midis islamikëve dhe të krishterëve gjithfarësojësh. Në një shoqëri shumëkombëshe, siç ishte ajo e Perandorisë Osmane, jeta e nënshtetasve të saj, ç’është e vërteta, ishte organizuar rreth besimit, të cilit, ata i përkisnin: domethënë, vija ndarëse ndërmjet të qeverisurve dhe qeverisësve – ose, thënë më shkoqur, popullsisë hegjemone – ishte religjioni dhe jo kombësia, ku padyshim, ashtu si në të gjithë perandorinë, myslimanët përftonin një pozicion të priveligjuar, gjë që, në rastin e Shqipërisë qe shndërruar e kishte përbërë një pengesë objektive për të arritur bashkimin kombëtar të myslimanëve me të krishterët, qofshin ata ortodoksë apo katolikë .

Themistokli Gërmenji do të ishte në ballë të zgjimit të komunitetit të vet shqiptaro-ortodoks për të rikomfirmuar identitetin kombëtar dhe do të shndrohej në një tribun dhe udhëheqës të popullsisë së vet. Ai do të ishte dhe njeri i aksionit pasi në krahinën e Korçës, çeta e tij patriotike do të ishte nga të parat që do të ngrinte flamurin e lirisë. Kjo trashëgimi politike dhe kulturore e personalitetit të tij do të ishin faktorë vendimtarë që në vitin 1916 do të bënte të mundur themelimin e Krahinës Autonome të Korçës nën flamurin francez. Zona e pushtimit francez ishte më e vogël se zona e pushtimit austro-hungarez dhe ajo italiane gjatë Luftës së Parë Botërore në Shqipëri. Megjithatë në këtë zonë ndodhej një nga qytetet me të rëndësishme të Shqipërisë, Korça. Para ardhjes së francezëve, Korça ishte në duart e ushtrisë greke e cila e pushtoi zyrtarisht qytetin më 27 tetor 1914.

Menjëherë sa vendosën pushtimin e tyre në këtë rajon për realizimin e synimeve aneksioniste, vendosën në të gjitha postet kryesore funksionarë grek. Regjimi i egër i pushtimit grek dhe si dhe synimet e kahershme ndaj qytetit të Korçës dhe krahinave përreth tij, shkaktuan pakënaqsi në rradhët e popullsisë shqiptare. Në këto kushte sapo ushtria franceze vendoset në qytet, një komision korçarësh, në emër të popullsisë së krahinës u kërkoi atyre largimin e menjëhershëm të trupave greke dhe ngritjen e një administrate shqiptare. Komanda franceze jo vetëm nuk i mori parasysh këto kërkesa, por e kaloi administratën e qytetit nga duart e grekëve kostandinistë në duart e aleatëve të vetë, grekëve venizelistë . Në rrethana të tilla patriotët shqiptarë i drejtuan armët e tyre edhe ndaj pushtuesve francezë. Robert Voutres, gazetari zvicerina i dërguar me mision në Shqipëri për të raportuar për revisten “L’Illustration” në artikujt e botuar shkruan se Franca, në fillim të dhjetorit, kishte në Korçë çeta të dobëta të destinuara për të ruajtur qetësinë në vend, për të parandaluar spiunazhin dhe kontrabandën dhe për të mbuluar krahun ekstrem të majtë të ushtrive aleate që vepronin në zonën Follorinë – Manastir. Në sytë e nacionalistëve shqiptarë, Franca ishte e njohur vetëm si filohelene. Kur një oficer francez bisedonte me Sali Butkën, duke i kërkuar atij pse luftonte kundër nesh, shefi i komitëve u përgjigj: “Franca, në Konferencën e Londrës, ishte armiqësore ndaj vendit tim. Ajo kërkon t’i japë Greqisë më shumë se ç’është e mundur në Shqipërinë Jugore. Austria, nga ana tjetër, mbështet të drejtat tona, kjo është arsyeja pse ne jemi austrofilë”. Kjo atmosferë e mosbesimit të ndërsjelltë do të reflektohej dhe në ballafaqimin e forcave ushtarake në terren. Forcat e organizuara patriotike shqiptare filluan të përbëjnë jë problem të vërtetë për komandën franceze çka vërtetohet dhe nga reportazhet e Voutre që pasqyrojnë frymën e kohës. Ndërkohë, komitat rrethuan Korçën me një brez bajonetash. Vetëm rruga e Bilishtit ishte e jona. Të gjitha kodrat përreth në lindje, jug dhe perëndim, ishin në dorë të shqiptarëve, që ishin të ndarë në dy çeta: Ajo e Themistokli Gërmenjit, një i krishterë ortodoks nacionalist i bindur se kishte grupuar nën komandën e tij të gjithë të krishterët shqiptarë dhe ajo e Sali Butkës që kishte të rekrutuar në mesin e muslimanëve. Postat e batalioneve tona indo-kineze ishin në dalje të qytetit, dhe, në fillim të dhjetorit, situata dukej kritike. Për të mundur komitët duheshin kontingjente të mëdha ushtarësh, të angazhuar në këtë kohë në një pjesë tjetër të frontit, dhe (Korça-shënimi im) ishte në dorë të një sulmi të disa mijërave ushtarëve të çrregullt me pushkë gjermane dhe të paguar me ar austriak. Shqipëria nuk ishte në luftë me Francën, atëherë pse ushtarët tanë rrezikonin çdo herë që dilnin jashtë qytetit dhe goditeshin? “Nëse Franca, – tha Themistokli Gërmenji, – do me të vërtetë të shpallë pavarësinë tonë duke vazhduar të na mbrojë ushtarakisht, ajo duhet të jetë e sigurt se paqja do të mbizotërojë së shpejti në vend.”

Kjo lëvizje patriotike i detyroi autoritetet ushtarake franceze dhe përfaqësuesit e qytetit të nënshkruanin marrëveshjen e 10 dhjetorit 1916 për shpalljen e “Krahinës Autonome të Korçës”, e cila zgjati deri më 16 shkurt 1917. Repoteri Robert Voutre përshkruan entuziazmin dhe optimizmin e popullsisë së Korçës në momentin e shpalljes së autonomisë së krahinës nën protektoratin francez. Më 10 dhjetor, para një turme të madhe, flamuri kombëtar shqiptar, i kuq, me shqiponjën e zezë dykrenore në mes, flamuri i vjetër të Skënderbeut që luftoi kundër turqve, u ngrit në ballkonin e kolonelit francez që komandonte territorin dhe bashkinë e qytetit. Një këshill administrativ, që shërben në të njëjtën kohë si parlament dhe qeveri, u zgjodh nga populli. Ai përfshin katërmbëdhjetë anëtarë, shtatë myslimanë dhe shtatë të krishterë, dhe një delegat nga Bilishti. Ky këshill përgjigjet për administrimin e brendshëm të qytetit që numëron më shumë se njëqind mijë njerëz. Protokolli i 10 dhjetorit ishte i përbërë prej 9 nenesh me një përfaqësi prej 14 vetash nga Korça, ku bënin pjesë (7 ortodoksë e 7 myslimanë), të cilët arritën të nënshkruanin me komandantin e forcave franceze të Korçës, me kolonelin Hanri Dekuan. Administrimi i krahinës iu besua një këshilli administrativ i quajtur ndryshe këshilli qeveritar, i përbërë po nga ato figura politike shqiptare, që kishin nënshkruar dokumentin.

Ky këshill do kishte nën urdhrat e veta xhandarmërinë dhe njëkohësisht do të krijoheshin edhe repartet lëvizëse shqiptare për të ruajtuar “pavarësinë e territorit dhe lirinë e banorëve”. Ky protokoll mbyllej me dy pika të ndjehme për shqiptarët, ku gjuha zyrtare do të ishte shqipja, ndërsa flamuri i krahinës autonome të Korçës do të ishte “flamuri tradicional i Skënderbeut me shiritat trengjyrësh të flamurit francez” . Shpallja e autonomisë me emrin “Republikë” u bë në një mbledhje solemne, ku u mbajtën fjalime nga Themistokli Gërmenji dhe koloneli Dekuan. Me emrin e “Republikës” u shtypën pulla poste dhe u vunë në qarkullim monedha 1 fr. dhe 0.5 fr .Shpallja e autonomisë së krahinës së Korçës zgjoi energji të fjetura te popullsia shqiptare në rajon. “Shqipëria shqiptarëve”shkruan Voutre, kjo është motoja e njerëzve të të gjitha komuniteteve të kësaj pllaje të pasur të Korçës, ku toka është shumë pjellore, nëntoka e pasur me bakër dhe mineral hekuri. Qymyri është në nivelin e tokës dhe në ditët e fundit këshilli administrativ filloi shfytëzimin. Ky qymyrgur shitet nën kujdestarinë franceze për nevojat e trupave tona. Republika e Korçës është ndoshta aktualisht shteti i vetëm në Evropë që balancon buxhetin e tij dhe nuk ka defiçit. Nga taksat, të dhjetat dhe detyrimet raportohet në të vërtetë 46.000 franga në muaj, 35.000 prej të cilave shërbejnë për të përforcuar xhandarmërinë e qytetit. Të pajisur mjaft mirë, me një uniformë kaki dhe një tegel kuq e zi, dy ngjyrat kombëtare, policia ka një pamje të bukur. Ata formojnë dy organe të veçanta: xhandarmërinë e policisë dhe xhandarmërinë e lëvizshme (kufitare). E para mban rendin në qytet, e dyta është përgjegjëse, në përputhje me kushtetutën e shtetit të ri, për të mbrojtur integritetin territorial dhe pavarësinë e Shqipërisë. 350 xhandarët erdhën për të luftuar me ne kundër bandave të çrregullta që i shërbenin Austrisë. Shkollat ne Korçë janë siguruar finaciarisht nga emigrantët shqiptarë në Amerikë dhe Egjipt në shuma të mëdha deri në disa milionë franga, të cilat rritën kështu buxhetin vendor. Sapo vendosëm në program mësimin e gjuhës franceze. Në Korçë po botohen shumë gazeta. Kryesorja, “Gazeta e Korçës”, del në katër faqe në shqip, frëngjisht dhe greqisht. Një rend i përsosur mbizotëron tani në territorin e qytetit me trupat tona austriake, bullgare dhe greke. Për dy muaj nuk ka pasur asnjë krim, fakt i veçantë në historinë e Shqipërisë. Pulla të shtypura ose të gdhendura duke përdorur burimet lokale dhe duke mbajtur shqiponjë me dy koka dhe mbishkrimin «Korçë (emrin shqiptar i Koritza), Shqipëria e pavarur,» zëvendësojnë aktualisht pullat e vjetra greke apo epirote. Kartëmonedha 1 Franga dhe 50 qindarka janë krijuar për të plotësuar pamjaftueshmërinë e monedhës të vogël. Franca, për nga traditat e saj liberale, dhe me frymën e vetëmohimit me të cilat ajo kishte të bënte me qytetin e Korçës, është vlerësuar sidomos nga shqiptarët si fuqi mbrojtëse. Çka bëjmë, nuk është e mërzitshme, nuk ka asnjë synim territorial në Shqipëri dhe gëzon nga ana tjetër, një autoritetit të padiskutueshëm moral në Ballkan.

Stadi më evolues i Krahinës Autonome të Korçës, në Republikën e Korçës është frut i drejtë për së drejtë i aksionit politik të Themistokli Gërmenjit që në atmosferën e krijuar në Korçën e zbrasur nga ushtritë greke por ende me grekomanë shqiptarë brenda, diti të luajë një Real Politikë të vërtetë duke plotësuar qëllimet e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare por edhe interesat e francezëve në rajon. Ishte pikërisht arritja e këtij qëllimi të lartë shkaku i fundit tragjik të Themistokli Gërmenjit. Patrioti shqiptar u vra dhe nuk u pushkatua ligjërisht nga organet e sigurisë franceze sepse pikërisht ishte njeri që me aktivitetin e tij prishi të gjitha skemat e pista të rregullimit të territoreve të pasluftës.

Në vitin 1916-1917, Greqia po përjetonte një dilemë të madhe politike për të hyrë apo jo në Luftën e Parë Botërore përkrah Antantës, vendet e të cilave tradicionalisht kishin sponsorizuar nacionalizmin agresiv grek po të qëndronte neutral për të ndihmuar Fuqitë Qendrore pasi ishte e lidhur kulturalisht dhe politikisht nëpërmjet origjinës së Dinastisë së vet mbretërore.

Në krye të fraksionit pro Antantës qëndronte politikani i rafinuar grek Venizellos, ndjekësit të Megali Idesë dhe hartuesi i politikës së jashme greke të tre deteve dhe dy kontinenteve, ku krahina e Vorio-Epirit (Epirit të Veriut) zinte një vend qendror në mëtimet territoriale greke ndaj Shqipërisë. Për t’i shpëtuar presionit politik të ruajalistëve grekë ai ishte shpërngulur në Selanik ku ishte vendosur dhe Armata Franceze e Lindjes. Republika e Korçës dhe aktet administrative të ngritjes së flamurit shqiptar, hapjes së shkollave shqip dhe pjesëmarrjes së shqiptarëve të dy besimeve fetare në administratën franceze-shqiptare ishin veprime politike që kishin ç’bërë gjithë politikën ekspansioniste greke të më së 30 vjetëve në rajon. Rolin destabiliyues të Greqisë e ka kuptuar dhe një vëzhgues i jashtëm si shte reporteri e gazetari Robert Voutre. Mbërrita në Korçë-shkruan ai- dy muaj pasi ishte shpallur Republika dhe nga të gjitha anët, në mes muslimanëve e ortodoksëve, kam dëgjuar vetëm mirënjohje për Francën. Kuptohet qartë pasiguria e kësaj popullate të vuajtur të Korçës këto katër vitet e fundit. Prej dy muajsh shqiptarët dëshmojnë se ata janë në gjendje të jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin. Mosmarrëveshjet fetare nuk ekzistojnë për arsyen e thjeshtë se nuk ka se kush t’i nxisë. Venizellosi dhe përkrahësit e tij ishin kundërshtarë të rreptë të asaj se çkish ndodhur në Korçë dhe statusit që kishin fituar patriotët shqiptarë në krahinë.

Në Selanik ishte vendosur dhe Esat Pashë Toptani sëbashku me 500 trupa të tij shqiptare që mëtonte se përfaqësonte Shqipërinë dhe ishte rreshtuar përkrah Antantës. Edhe ai ishte një kundërshtar i rreptë i çdo përpekje që delegjitimizonte aksionte e tij politike. Dokumentet historike të shqyrtuara dhe të njohura deri më tash nuk na lejojnë të flasim me siguri për përfshirjen e këtyre dy personazheve në pushkatimin e Themistokli Gërmenjit, por një analizë shkak pasojë na bën të mundur që të sugjerojmë se edhe Venizellosi si dhe Pashai tiranas mund të jetë përfshirë në intrigën politike kundër Themistokli Gërmenjit.

Esat Pasha gjendej vetëm, pa përkrahje nga pothuajse e gjithë klasa dhe elita politike shqiptare dhe kërkonte me ngulm një territor shqiptar ku mund të hynte sërish me luftëtarët e vet dhe prej andej të shpallte qeverinë e vet. Pjesa veriore dhe qendrore e Shqipërisë ishte nën administrimin austriak pas dërrmimit të Serbisë dhe zona jugore shqiptare ishte nën Italinë.

Me të dy këto fuqi ai tashmë nuk kishte më marrëdhenie të mira për ta lejuar që të rikthehej në Shqipëri dhe i vetmi territor ku ai mund të kthehej ishte terriori i Korçës dhe rrethinave të saj ku ishin trupat franceze. Esat Pasha ishte në marrrëdhënie shumë të mira me gjeneralin francez Sarrej dhe aksioni i tij politik përkonte shumë mirë me synimet politike franceze në rajon. Reduktimi i statusit të Krahinës Autonome të Korçës menjëherë pas vrasjes së Themistokli Gërmenjit dhe hyrjes së Greqisë në Luftën e Parë Botërore përkrah Antantës dëshmon se interesat greke dhe franceze përputheshin në rajon.

Sigurisht që fjala e fundit i mbetet shqyrtimit të dosjes së plotë hetimore, të dëshmitarëve për fat të keq shqiptarë në gjyqin me dyer të mbyllura ndaj Themistokli Gërmenjit që duhet të shqyrtohet dhe shikohet nga historianët dhe penalistët. Por një gjë është e sigurtë se Themistokli Gërmenji nuk u pushkatua sepse tradhëtoi për interes të një fuqie tjetër të huaj idealet e mëdha të Republikës Franceze, Liri-Barazi-Vëllazëri por sepse me patriotizmin e tij për Shqipërinë dhe aksionin politik të krijimit të Republikës së Korçës prishi planet politike të Greqisë dhe tutorëve të saj politikë në rajon. 102 vjet pas vrasjes së tij, çështja e Themistokli Gërmenjit duhet sqaruar plotësisht para opinionit publik shqiptar në mënyrë të tillë që organizatorët të mos i shpëtojnë gjyqit të historisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok