14/12/2024

REKUIEM PER MIKUN E PAHARRUAR ZEQIR LUSHAJ

0
Zeqir-Lushaj

(REQUIEM AETERNAM DONNA EIS DOMINE)

Nga Lutfi ALIA

Ka kaluar një vit nga 10 nëntori 2021, nga ajo ditë e zymtë e mizore, kur miku ynë i paharruar Zeqir Lushaj mori Pegasin dhe u ngjit në amëshim drejt Parajsës, ku e prisnin bashkëshortja fisnike Sabria, nëna dhe i ati sojnik i Malësisë së Gjakovës Sadik Selmani. Ky ishte emigrimi i dytë i Zeqirit, por ky tashmë ishte ikje në përjetësi, duke lënë pas peshën e rëndë të dhimbjes dhe një boshllëk mundues familjes, të afërmëve dhe shoqërisë.

Në vitin e mbrapshtë 2021, Zeqiri u infektua nga virusi agresiv Covid-19, virusi mizor që ia drobiti trupin dhe pas përpjekjeve mes jetës e vdekjes, sëmundja e mposhti fizikisht Zeqirin, e detyroi të kalojë në botën tjetër. Kumti i kobshëm i mpiu Lulin me bashkëshorten e fëmijët, vëllezërit dhe motrën, që u pushtuan nga dhimbja dhe nga lotët e hidhërimit, i trishtoi shpirtërisht të gjithë të afërmit, miqtë, dashamirësit dhe dhjetramijëra lexues të portalit ZemraShqiptare, që lexonin dhe përjetonin me entusiazëm shkrimet e tij të admirueshme.

Zeqiri, miku im fisnik i kahershëm, miku im elitar, miku i mirë dhe bujar, i dashur e i respektushëm, më mungon fizikisht, por e kam në mëndje dhe në zemër përherë të pranishëm, me vlerat e tij intelektuale dhe shoqërore, me krijimtarinë letrare, publicistike dhe si personalitet publik i shquar, model i shqiptarit të ndershëm dhe patriot. Të gjithë ne rikujtojmë fjalët e tij të ëmbëla, këshillat miqësore, dashamirësinë dhe respektin për të gjithë ata që njohu dhe bashkëpunoi, kujtojmë veprat tij të shumta, krijimtarinë e admirueshme poetike, kujtojnë dhe nderojnë personalitetin e intelektualit dinjitoz dhe trim.

Ikja në amëshim e Zeqirit, ndodhi një vit më pas ndarjes parakohe nga jeta më 14 shtator 2020, të Sabrie Lushaj, të bashkëshortes së tij shumë të dashur dhe zonjës fisnike, një humbje e dhimbëshme, që e shoqëroi Zeqirin gjatë atyre muajve me ujvarë lotësh dhe pikallim të thellë, një humbje që kurrë nuk e ngushëlloi.

Zeqiri Lushaj, gazetari, poeti, studiuesi, shkrimtari dhe veprimtari i mirënjohur shqiptaro-amerikan, malësori trim nga Malësia e Gjakovës, për tre dekada shërbeu me detyra e funksione të larta në Tiranë; për dy dekada të tjera punoi familjarisht në Nju Xhersi të Amerikës, me pasaportë të nënshtetësisë amerikane, por me zemër, me shpirt dhe me krenari shqiptari, derisa u kthye përgjithnjë në atdheun e tij të dashur Shqipëri, me banesë në Shëngjinin bregdetar të Lezhës, ndërsa prej të enjtes të 11 nëntorit 2021, prehet përjetësisht në trojet e vendlindjes së tij, në Gri të Krasniqes të Malësisë së Gjakovës.

Zeqiri u lind më 8 të marsit 1949 në fshatin Gri të Krasniqes të rrethit të Tropojës. Ishte një ndër tre djemtë e fisnikut dhe sojnikut Sadik Selmani i Grisë, “Qytetar Nderi i Nikaj – Mërturit” të Tropojës.

Fshati i tij i lindjes, me vrritë dhe bjeshkët, me lisat monumentale, njihet me “Lisin e Grisë” në bjeshkë, njihet dhe me “Blinin e Grisë”, bash në oborrin e kullës të Sadik Selmanit, por edhe vet Zeqir Lushaj ishte, është e do të mbetet përjetë një lis i madh njerëzor, lis i çmuar i vendlindjes së vet, lisi i fisnikërisë, lis madhështor i miqëve të shumtë dhe i kombit shqiptar, lis hyjnor. Lisi Zeqir Lushaj është një emër i nderuar, ishte institucion, që i mbetet kohës dhe Botës Shqiptare.

Të shkruash për Zeqir Lushën sa është e lehta, po aq është e vështirë, sepse jeta dhe veprimtaria e tij është aq shumë e pasur, sa nuk mund të përshkruhet në një artikull të vetëm, do të duhen disa vëllime me libra.

Zeqiri, shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, 7 vjeçaren në Geghysenin fqinjë, të mesmen pedagogjike në Shkodër në vitin 1967, që e afirmoi të punojë në tre vite mësues në shkollën e fshatit Geghysen.

Dëshira për arsismim dhe formimin profesional e nxiti të vazhdojë studimet e larta. Në vitin 1970 filloi studimet në Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi” (aktualisht Akademia e Sporteve të Tiranës). Pas stazhit një vjeçar pasuniversitar në shkollën e mesme të Tropojës, më 10 Maj 1974 mbrojti diplomën me rezultate të shkëlqyera (i vetmi student me vlerësim maksimal me notën 10 i atij viti akademik) dhe në qershor të viti 1974, e emëruan redaktor në gazetën “Zëri i Rinisë” (organ i BRPSH) në Tiranë.

Megjithë impenjimet zyrtare, Zeqir Lushaj, duke studiuar pa shkëputje nga puna shtetërore, diplomohet në arsimin e lartë politik në Tiranë dhe në vazhdim, për formatin e tij të madh njerëzor dhe intelektual, emërohet në disa detyra e funksione të kohës si instruktor në aparatin e Komitetit Qendror të Rinisë (1977-‘84); instruktor në Këshillin e Përgjithshëm të FDSH (1984 – 1990); Sekretar i Përgjithshëm i FDSH (1991-1993).

Krijimtarinë publicistike e filloi në vitin 1967, me botime artikujsh në gazetën “Zëri i Rinisë”, kur ende ishte maturant i shkollës pedagogjike në Shkodër, një debutim i suksesshëm, që në vitet e më pasme e vazhdoi  me artikuj, me skica, me komente e reportazhe të shumta, ku spikati talenti i tij si gazetar dhe shkrimtar.

Zeqir Lushaj, për 55 vite vazhdoi krijimtarinë pa ndërpreje, pavarësisht nga detyrat dhe funksionet që i kishin ngarkuar, pavarësisht nga vendbanimi përhershëm apo i përkohshëm në Tropojë, në Tiranë, në Nju Xhersi të USA, në Shëngjin të Lezhës. Për asnjë çast nuk reshti të shkruante publicistikë, tregime dhe poezi, mbeti gjithnjë një mik i ngushtë i shtypit, një bashkëpuntor produktiv i papërtuar dhe cilësor, i admiruar nga dhjetramijëra lexues. Pra, më shumë se nëpunës, Zeqir Lushaj ishte gazetari, ishte shkrimtari, ishte poeti i admirushëm!

Publicistika është art, është shkencë dhe krijimtari letrare-artistike, pra kërkon formim profesional dhe kulturor me nivel të lartë, andaj jo kushdo mund të shkruaj artikuj, skica, apo komente. Të gjitha këto kritere, i plotësonte më aftësi dhe me talentin letrar miku jonë i shquar Zeqir Lushaj. Këto potenciale krijuese, Zeqiri i manifestoi në aktivitetet shumëvjeçare si gazetar-redaktor i periodikut “Zëri i Rinisë” (1974-1977, në Tiranë); në gazetën e përditëshme “Bashkimi”, si bashkëbotues i gazetës periodike të përkohëshme “Paqja” (Tiranë, kur ishte ndër drejtuesit e LSHMP), si Redaktor i Përgjithshëm në portalin-revistën kulturore-artistike “ZemraShqiptare” (Mbretëri e Bashkuar në Londër); si bashkëpuntori i përhershëm i portalit “Voal.Ch” (Zvicër) dhe i portalit “Limit.Al” (Tiranë); si Anëtar i Bordit Botues i “Gazeta e Alpeve” (gazetë Rajonale PanShqiptare, Ndër-Ballkanike (Shqipëri, Kosovë, Mali i Zi, Luginë e Preshevës, Sanxhaku dhe Maqedonia Veriore).

Krahas këtyre aktiviteteve, Zeqiri nuk mungoi, por vazhdoi të shkruaj dhe të prezantohet autor i qindra shkrimeve me mijëra faqe në shumë organe të masmedia shqiptare në Ballkan, në Europë dhe në USA, ku jetoi e punoj për 20 vite, me impenjim e me dinjitetin shembullor të malësorit krenar.

Një aktivitet i veçantë, pak i njohur, por me shumë vlera krijuese dhe shoqërore, është fakti se Zeqir Lushaj është autori i shumë tekste këngësh, të kënduara nga këngëtarë të Shqipërisë Londineze e të Kosovës Dardane, janë tekste hymni patriotik dhe kushtrimi për Kosovën drejt Lirisë e Pavarësisë së saj të sotme, ishin e mbeten ndër hitet e këngëve popullore shqiptare.

Zeqir Lushaj, ishte personaliteti që të gjithë jetën ia dedikoi shërbimit për vëndin e tij, paqes shoqërore,  zhvillimeve demokratike dhe prosperitetit të kombit, kudo ku ishte, në Shqipëri dhe në USA dhe në të gjitha kohërat, duke ruajtur dinjitetin dhe pastërtinë e tij intelektuale dhe vlerat e familjes dhe vendlindjes së tij. Të gjitha këto aktivitete janë përshkruar në librat me poezi, në reportazhet, në shkrime gazetareske, folkloristike ku shprehet për ruajtjen e traditave, dokeve, veshjeve kombëtare shqiptare janë vlera që i japin krenari kombit.

Në fillimet dhe zhvillimet e proçeseve demokratike në Shqipëri, Zeqir Lushaj si intelektual dinjitoz dhe patriot, u rradhit me demokratët, për prosperitetin dhe progresin e shoqërisë shqiptare. Në përpjekjet për të realizuar shndërrimet demokratike në Shqipëri, Zeqir Lushaj, së bashku me një grup intelektualësh të pavarur, personalitete të kohës, krijuan Shoqatën “Bashkimi Kombëtar Shqiptar”, që pas një viti emërtohet: “Lëvizja Shqiptare për Mirëkuptim dhe Paqe”, e cila u pranua antare me të drejta të plota në Këshillin Botëror për Paqe. Kryesia e shoqatës LSHMP, bazuar në kontributet intelektuale dhe në aktivitetet si demokrat, e zgjodhën Zeqir Lushaj me detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të shoqatës.

Kontributet e Zeqirit për demokracinë shqiptare, nuk u vlerësuan nga pseudodemokratët, të cilët ia mbyllën dyert e në këto rrethana mohimi dhe ostraçizmi, e detyruan të emigrojë në Nju Xhersi të USA. Jetesa si ikanak nuk e dekurajoi, përkundrazi Ai u integrua shpejt, duke kryer punë të thjeshta dinjitoze, sa fitoi respektin dhe nderimin nga administrata shtetërore, duke i akorduar nënshtetësinë amerikane. Edhe pse i impenjuar në punë dhe si qytetar amerikan, Zeqiri nuk e ndërpreu krijimtarinë letrarë dhe publicistikën, madje përgjithësoi dhe publicizoi përvojën e re të shqiptarëve ikanakë në USA, duke botuar reportazhe, skica e portrete shqiptarësh që jetonin dhe punonin në këtë shtet, botime qe krijojnë një fushë të re në historinë e gazetarisë dhe të letërsisë shqiptare. Faqet e portalit ZemraShqiptare u mbushën me shkrime të Zeqirit për jetesën, punët dhe aktivitetet e ikanakëve shqiptarë në USA.

Një ndër virtytet e rralla të mikut tim Zeqir Lusha ishte respekti për miqtë e tij, Ai ishte institucion i miqësisë si një vlerë e përbashkët në një shoqëri që e sheh të ardhmen në zhvillimin e çdo individi dhe këmbimi me të tjerët është një pasuri reciproke. Zeqir Lushaj ishte istitucion i bujarisë dhe i mikpritjes dhe kush ishte mik i tij ishte edhe mik i miqve të tij, sepse e dinte që vlerat që i bashkonte ata ishin virtytet e shqiptarit, që e don dhe e respekton tjetrin në idetë dhe në bindjet e tij të ndryshme, me të vetmin kusht që busulla e orjentimit të secilit të jetë e mira e shqiptarit dhe e kombit shqiptar në të gjitha trevat ku jetojnë ata, madje dhe sidomos në emigrim, karakteristika ma thelbësore e bashkimit dhe identitetit të atyre që e duan vendin si gjënë ma të shtrenjtë.

Miqësia e sinqertë dhe e kaherëshme me mikun tim Zeqir Lushaj, mbeti e solide dhe në vitet kur të dy ishim në mergimin e hidhur, madje u forcua edhe me shumë dhe unë isha më i favorizuar ndërmjet miqëve të tij, isha  më i privelgjuari, sepse Zeqiri më ka dhuruar të gjitha librat e tij, që ka botuar gjatë krijimtarisë letrare. Librat e Zeqir Lushës, jo vetem më kanë pasuruar dhe zbukuruar bibliotekën, por mbi të gjitha më kanë pasuruar intelektualisht dhe shpirtërisht, i kam lexuar e vazhdoj t’i rilexoj, duke përjetuar ato ndjenja delikate dhe kulturë krijuese, që ka shprehur në krijimtarinë e tij të admirueshme shumëvjeçare.

Zeqir Lushaj, në 60 vjetorin e lindjes (2009) botoi 6 vepra: ”Hija e vendlindjes” (vjersha); “Lisi i shkruar” (vjersha); “Vdekja e varreve” (vjersha); “Dyqani i mendjes” (shkrime publicistike); “Pengjet” (vjershërime); “Fjala mbi tel” (tekste këngësh popullore).

Deri në vitin 2016, botoi dhe 6 libra të tjerë: “Si n’kurbet, bre vëlla” (vjersha); “Zbehje e heroizmit” (shkri-me publicistike); “Duhama e Valbonës” (vjersha); “Piedestali” (vjersha), “Rrokada” (vjershërime politike), si dhe “Sportit i mbeta borxh” (reportazhe, portrete, kujtime).

Kjo krijimtari është pasuria dhe trashëgimia që na la miku i ynë Zeqir Lushaj, ne dhe brezave që do të vijnë, krijimtari që i jep përjetësinë e tij si personalitet i përmasave dhe vlerave mbarëkombëtare, që do të kujtohet tanë jetën tonë, si ndër më të mirët shqiptarë, që kemi pasur fatin dhe nderin ta njihnim e të bashkëpunojmë. Si më kishte konfiduar me entusiazëm, kishte në dorë libra të tjerë, që dëshironte të botonte gjatë viteve 2021 – 2022, por për fatin e tij të keq dhe tonin, sëmundja iu rëndua dhe padrejtësisht e mizorisht e ndërpreu para kohe jetën, që ai aq shumë dëshironte ta jetonte me bukuritë dhe gëzimet familjare. Besoj se djali i tij Luli, do t’i botojë dorëshkrimet e Zeqirit, ato që kanë mbetur në sirtaret e tavolinës së tij, ku kalonte orët e gjata duke shkruar.

Krijimtaria letrare e Zeqir Lushës, librat poetikë dhe ato publicistikë, janë vlerësuar nga lexuesit, janë interpretuar në skena të veprimtarive artsistike, në studio radio-televizive, janë botuar në gazeta e revista dhe në shumë portale online, janë të pëlqyera nga lexuesit e shumtë e të përhershëm. Shkrimet e tij, të shkruara në rreth 55 vite, si: reportazhet, studimet, analizat e komentet, portretet, ravijëzimet, skicat, poezitë, poemat etj, të botuara në gazeta e revista, në portale, në tre librat publicistik të viteve të fundit, janë një kontribut i çmuar në shërbim të kombit tonë, janë maja arritjesh të tij, janë pjesë e çmuar e fondit të madh të shtypit shqiptar, për të cilat Zeqir Lushaj është vlerësuar me çmime të ndryshme, ndër ato po veçoj “Çmimi i Karierës” nga ”Takimi i Shkodrës në vitin 2021”.

Zeqir Lushaj, kudo ku ka punuar, në çdo detyrë që i kanë ngarkuar, në të dy kontinentet, në kohë të bukura e në kohë të vështira, në çdo kohë-moshë të tij, ishte dhe mbeti Njeri i Mirë, Njeri i Besës, Njeriu i Fjalës së Mirë, Njeriu i Penës së Mirë, Njeriu i Shoqërisë dhe i Miqësisë së Mirë.

Veprimtaria e tij në fushën e Shoqërisë Civile, si me BRPSH, FDSH, “Bashkimin Kombëtar Shqiptar”, “Lëvizjen Shqiptare për Mirëkuptim dhe Paqe”, angazhimet dhe bashkëpunimet e tij me Shoqatën “Tropoja”, me Klubin e Shkrimtarëve e Artistëve të Tropojës, me “Gazeta e Alpeve” (si pjesë e stafit të saj), me Qëndren Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike (ACABS), si një shqiptaro-amerikan dinjitar i përjetshëm, kanë pasë gjithmonë prirje e ecje drejt së mirës së përbashkët e të përbotshme, me përkushtime kombëtare shqiptare, me veprime e qëndrime njerëzore, qytetare, elitare.

Zeqir Lushaj si kishte qenë në jetën reale, mbetet dhe në botën hyjnore një njeri me zemër të madhe, me shpirt të pastër, një shqiptar patriot i vërtetë; gjithandej e gjithkund i rrethuar nga shoqëria dhe me rrezatime mirësie, i bekuar si “Njeri i Mirë”;  me arritje të suksesshme në të gjitha fushat ku kontribuoi; i dashur dhe i admirushëm si bashkëshort, si prind dhe si gjysh model; një ndër njerëzit emblematik të kohës dhe të botës shqiptare. Ky ishte, është dhe do të jetë Zeqir Lushaj, trimi i mençur i Malësisë së Gjakovës, gazetari, publicisti, poeti, shkrimtari, folkloristi, personalitet publik, atdhetari i flakët i çështjes kombëtare.

U nda parakohe nga jeta dhe shkoi të pushoi në Gri, pranë Blinit të Grisë, aty ku mori zanafillë jeta e tij, aty ku hodhi hapat e para dhe shqiptoi fjalët e para, u kthye pranë Sadik Selmanit fisnik, bujar dhe të mençur, që e rriti me të gjitha vlerat dhe virtytet malësore.

Si shprehet me dhimbje të thellë Fritz Radovani: “Buzqeshja e Zeqirit nën ato thinja fisnikërie, do t’jetë sa t’jetë jeta: E paharrueshme për të gjithë ne, e freskët, e kandëshme, joshëse, e dashtun, e nderueme, ashtu si ishe Ti, o Zeqir Lushaj!”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok