22/12/2024

MARTIN CAMAJ: VRASJA E POETIT DHE GJAKIMI E KËRKIMI PËR LIRI KRIJUESE

0
Buzhala-Camaj

(Lexim interpretues poezisë “Vrasja e poetit” të Martin Camajt)

Nga Prend BUZHALA

MARTIN CAMAJ:

VRASJA E POETIT

Liria e fshehun mbas vargjeve

të poezisë

nuk ishte vetëm:

para tyne rrishin galuc roje

shpend mishngranës

me fytyrë njerëzore.

E ti ishe për ta nji bletë

tue u rropatë kah drita në qelq,

andej kufijve të botës

njerëzore.

Përfytyrojeni këtë skenë-imazh si në një film: poeti i burgosur pas grilave; ose të skenës së poetit të vrarë apo skenës para pushkatimit në regjimet e diktaturave totalitare të tipit rus, aty roja që rri galuc, kurse kufijtë janë “përtej botës”… Në paradigmën tematike të kësaj poezie ne vetëm mund ta kapim si në një ekran. A thua, a flitet për personazhin lirik, poetin, që gjendet para pushkatimit, apo ai tashmë është i vrarë?!

  1. Skenat e hapjes së vrasjes së poetit dhe konteksti kohor

Te poezia e Camajt, ku gjithçka thuhet dendurisht me pak fjalë, nuk ka skena të vrasjes, por ato i lexuam nga teksti i mësipërm.

Po, kur poeti Maertin Camaj bisedon me poetin e burgosur, ose para pushkatimit, ky tekst na thotë se po ndodh një ngjarje tejet e rëndë: përshkruhet një “ngjarje”, mu aty ku liria dhe shpirti i fshehur pas poezisë janë të vdekur. Poeti është përshkruar si një “personazh” që qëndron në një skenë makabre: “nji galuc roje”,  me imazhet e qenieve njerëzore që ngjajnë në një SHPEND MISHNGRANËS ME FYTYRË NJERËZORE. Mbase, roja galuc qëndron pranë kufomës, kurse “mishngrënësit” fërkojnë duart të kënaqur për prenë.

Aty, në kontrast të thellë gjendjesh e skenash, vjen përshkrimi i një blete “tue u rropatë kah drita në qelq” (bleta si simbol kërkimi, dhurimi që e do lirinë e thithjes së luleve), dhe kërkon të shpëtojë nga kufijtë si kthetra grabitqarësh të botës njerëzore, si shprehje e lirisë dhe kërkim për vlera më të larta pune e prodhimi., Ndjesia e strukur, e fshehur, e thënies poetike, përmes  bletës, poetit, qelqit, skenës së një ngjarjeje makabre, – këtu aspiron një realitet më të lartë dhe më të lirë.

Liria e fshehun mbas vargjeve

të poezisë

nuk ishte vetëm:

Konteksti i kësaj lirie në këtë poezi, mund të kuptohet si ide dhe ndjesi e lirisë që ngulitet në brendinë e shpirtin e vargjeve në kohën (historike) të diktaturës.

  1. Përdorimi i imazheve: liria krijuese e fshehur nëpër vargje

Cila na qenka ajo liri e fshehur pas vargjeve?

“Liria e fshehur mbas vargjeve” në këtë kontekst mund të kuptohet si një ide apo ndjenjë e lirisë që ngulitet thellë në shpirtin e vargjeve të poezisë,  kaq e padukshme aty. Ekziston një LIRI TJETËR, e cila përndiqet e vritet në emër të lirisë (sugjerimi semantik i titullit, si vrasje e poetit).  A nuk ishte mjaft poetë të letrave shqipe, të asaj kohe, që arrinin ta strehonin lirinë e tyre brenda krijimtarisë poetike?!

Kjo liri e fshehur nëpër krijesat lirike, nuk mund të shprehet drejtpërdrejt para skenës së vrasjes. Madje, as të përmendet ajo skenë. Ndjesia është e thellë, por është e vështirë e komunikueshme dhe e identifikueshme. Kjo liri tjetër, e brendshme në vargje, ekziston si thesar i fshehur e që mund ta zbulojnë vetëm lexuesit. Dikush e ka përndjekur këtë liri dhe këtë e sugjerojnë skenat e imazheve (roja galuc, skena para pushkatimit dhe qelqi që reflekton dritën. Përdorimi i imazheve të tilla figurative, është unik, i papërsëritshëm, Rrezatimet e ndjesive, emocioneve dhe ideve janë të pasura. E fshehta provokon kërkimin, siç është liria! Së këndejmi kërkohet angazhimi i lexuesit me përvojat e tij të pasura të leximit, për ta përvetësuar pasurinë kuptimore e figurative të vargut, prandaj edhe përjetimi është më i thellë dhe më i larmishëm.

Përshkrimi i një skene metaforike=krahasuese të personazhit lirik (poetit para vrasjes apo tashmë të vrarë- këtë le ta përfytyrojë vetë lexuesi),

Përshkrimi i vargjeve (mbase i lexuesit ose o ndjesive tjera aspiruese) si një bletë që ecën drejt dritës në qelq, sugjeron se ekziston  një kërkim i vërtetë (bleta) për ta arritur atë ndriçim që depërton përmes qelqit në ato hapësira burgu a diktature. Bleta është krijesë e vogël, por ajo simbolizon PËRKUSHTIMIN (“i vyeshëm si bleta” thotë populli). Ndriçimi i dijes, krijimit, shpirtërores, vijn nëpërmes ditës së qelqit. Një shtegtim drejt atij qelqi, asaj drite, është shtegtim i kërkimit  të pandalshëm. Dikush ësht duke e shpërndarë atë dritë, që gjendet andej qelqit; lexuesi mund ta përfytyrojë se gjithçka është e dukshme si një kështjellë prej qelqi, sado izolim të ketë. Mbase, ky lexim poetik i vargut që fsheh lirinë, është ajo dritë.

  1. Imazhi i rojave të diktaturës dhe atmosfera e mbyllur e diktaturës

Mirëpo, lexuesit nuk i shqitet pamja e një “galuc roje”. Mos ai krahasohet me shpendin mishngrënës. Mos është vetëm njëri nga ata mishngrënës “me fytyrë njerëzore”? Përse poeti nuk thotë “roja galuc”, por e vë përpara ndajfoljen që paraqet një gjendje? “Galuc roje” mund të interpretohet si një formë e rojës që e rrethon poezinë (vargun që fsheh lirinë) apo poetin e vrarë!

Shpendi mishngrënës ka karakteristikat si të njerëzve. Dhe aty qëndron roja e ulur. Meqë shpendi mishngrënës është simbol i i-grabitjes, që na e sjell pamjen e nj qëndrimi gjuetie në gjaun e vet, atëherë mos ndoshta ajo roje përcjell poetin në banesën e  tij dhe pret “për ta gjahtuar” (vrarë, përcjellë, burgosur)? Nëse zogjtë dhe bletët sipas kulturave antike, janë lajmëtarë të perëndive dhe shpirtrave, si simbole të lirisë për fillime të reja; atëherë kah na shpie simbolika e zogut grabitqar mishngrënës që fluturojnë të lirë dhe kanl shikim të ,mprehtë mbi prenë? Kujt i drejtohet i shikim i prehët i grabitqarit? Poeti Martin Camaj gati sa nuk na vë përpara një simbolike postmoderniste të një “shpendi mishngranës”.

Në këtë poeti gjithçka është nën këtë vëzhgim mishngrënësish, edhe vargu poetik, edhe liria, edhe drita, edhe poeti i vrarë a që pritet të vritet. Gjithçka jep atmosferën e mbyllur nën roje. Liria e shprehjes është e kufizuar, e censuruar.

Lexuesi vetëm mund të përfytyrojë vuajtjen tantaliane që i shkaktohet Tjetrit (poetit që vritet) nga qenie njerëzore që ngjajnë në ara shpendë të tmerrshme. Vuajtja për kërkimin e lirisë përballet me pengesat drejt rrugës, shtegtimit. A thua, është vetë poeti që survejohej për t’u vrarë dhe kishte arritur të largohej?! Rruga drejt qelqit që reflekton dritën “përtej kufjve”, mund të lexohet si rrugë e heronjve legjendarë që kapërcejnë njëmijë vështirësi. Dhe këtë poeti e thotë me pak fjalë, me dy a tri vargje. Martin Camaj ishte vetë  KËRKUES I LIRISË.

  1. Përmasat semantike e metaforike të titullit të poezisë: “Vrasja e poetit”

Titulli “Vrasja e poetit” në kontekstin e kësaj poezie, na sugjeron  një tjetër përmasë tensionesh emocionale e dramatike. Sugjeron një humbje, një humbje a një shpëtim!? Aty qëndron sfida që vetëm sa ndjehet, e të cilën e përjeton personazhi lirik i kësaj poezie. A është kjo një ndarje apo humbje, nj mposhtje, një nënshtrim? Porse humbja është e thellë, sepse akti i vrasje është i kryer. Titulli i apelon lexuesit e vëmendjes së tij: se liria është nën sulm nga mishngrënësit kundër qenies së pafajshme, të pambrojtur. Elementët poetikë na e vënë imazhin e një portretizimi të thellë dhe tejet të pasur me përjetime të shprehjes artistike nën kontrollin e censurës nga persekutimi që i bëhet lirisë. Le ta lexojmë edhe si ftesë të poetit për ndërgjegjësim ndaj kërcënimit të lirisë, shprehjes së lirë dhe një kombi të tërë. Titulli “Vrasja e poetit” mund të lexohet edhe si metaforë që shënjon një situatë: poezia e liria janë në rrezik nga sulmet e rojave gjuetare, përcjellëse, mishngrënëse. Ndarja është dramatike me përmasa tragjike: fort nuk është e rëndësishme se a vërtet aty gjendet i vrari apo i ikur.  “Vrasja” lexohet edhe si simbol i humbjes së lirisë ,krijuese: po deshe ta vrasësh për së gjalli poetin, atëherë vritja lirinë e krijimit e të shprehjes! Është, vdekje për së gjalli! Pjesëmarrës në këtë vrasje të lirisë poetike  janë censura, persekutimi shtetëror, përndjekja. Gjithandej rrezatimet semantike e shpërndajnë drejt nesh revoltën, trishtimin,. Sa i rëndë është përjetimi i mohimit të këtyre vlerave: lirisë krijuese dhe lirisë së shprehjes!  I mohimit të lirisë së shprehjes së fjalës, mendimeve dhe ndjesive. Gjithsesi, metafora e titullin zgjerohet me përmasën tjetër, atë të ftesës për ndërgjegjësim për rëndësinë e kësaj lirie aq të gjakuar e që kërcënohet nga qarqe politike, shoqërore a shtetërore.  Lexuesi tashmë e ndien se sa e rëndësishme është kjo liri krijuese, pa të cilën poeti nuk mund të jetojë. Poeti ecën bashkë me lexuesin në këtë rrugëtim drejt dritës, pasi përmasa e tillë emocionale gjendet jashtë fjalëve të tekstit. Ky lexues tashmë bëhet pjesë e kësaj përvoje shpirtërore. Metafora e “vrasjes” (një fjalë kjo me përdorim bizar, të ashpër), vetvetiu shkakton ndjesinë e trishtimit dhe të revoltës. Referenca e titullit shkon përtej tekstit, shkon kah shtigjet e ndjesive e mendimeve të thella të lexuesit, si pjesëmarrës në këtë shtegtim.

  1. Simbolika e shpendit mishngrënës

A është fytyra njerëzore e shpendit mishngrënës si lidhje midis natyrës dhe njeriut, si ndërthurje botësh? A kanë bashkëveprim? Imazhi i këtij shpendi me fytyrë jashtë vetvetes së natyrshme:

shpend mishngranës

me fytyrë njerëzore.

Pamja me këta dy rreshta lexohet në shumë mënyra, meqë sugjeron shumëkuptimësinë. A janë ata mishngrënës rojat e burgut, politikanët, përcjellësit, spiunët e diktaturës? Gjithsesi, vargu ngërthen edhe përmasën e kritikës ndaj sistemit të diktaturës, kritikë kundër rendit, me evokimet e mbikëqyrjes tejet të rreptë. Aty lexuesi i përfytyron edhe padrejtësitë e gjyqeve e ato të institucioneve. Këto përmenden në kontekstin kohor të diktaturës. Mund të duken gjakftohtë e të qetë këta politikanë me fytyrë njerëzore, por thelbi është tjetër me veprimet që ata i bëjnë, me anë të krimeve kundër lirisë dhe me anë të vrasjeve.  Potencialet e pushtetit abuzues me kërcënimet për drejtësinë e lirinë, janë të përmasave të përbindshme “mishngrënëse”, njeringrënëse.  Autoritarizmi i kohës mbulohet më kot me pamje njerëzore, me fasadën humane! Aty, këto dy vargje, ngërthejnë edhe theksimin e frikës, mbylljes, censurës nën sistemin e tillë. Janë anët  më të errëta të një kohe dhe tashmë poezia na e rikujton atë mot të lig me vuajtjet, po edhe me sakrificat e të burgosurve, të të vrarëve për lirinë e shprehjes e lirinë njerëzore përgjithësisht. Gjakimi për liri nuk shuhet asnjëherë.

  1. Tekst i kondensuar poetik: katarsisi i lexuesit, simbolika e bletës dhe e dritës

Teksti poetik i kësaj poezie ngërthen një poetikë të thënies së kondensuar. Figurat e imazhet krijojnë një thellësi tekstuale, me aq sasi informacioni në një hapësirë aq të pakët vargjesh! Mu ashtu siç është hapësira e burgut dhe e dritës së pakët që depërton përmes qelqit. Gjithçka që ndodh, jepet me gjuhë poetike në  mënyrë të thellë. Teksti ndërlidhet me kontekstin historik (diktatura, burgoja, vuajtjet e vrasja e poetëve të shumtë)  e kontekst biografik (ikja e poetit për shkak të përndjekjeve politike), e shtyn në kontekstin e përtashëm kohor lexuesin të reflektojë mbi këtë histori, mbi këto ngjarje  për të gjithë ata që sakrifikuan e luftuan për lirinë.

Poezia na e shqipton këtë mundësi përmes dres mjeshtërore krijuese të Martin Camajt: gjakimin  krijues për të shkaktuar katarsis te lexuesi, për të shkaktuar refleksione e  ndjesi të thella për përvojat njerëzore e nacionale dhe mbi ngjarjet historike: liria mbrohet me çdo kusht. Krijimi letrar bëhet mjet i jashtëzakonshëm  për të shprehur ndjenja e përjetime, dhe për ta dokumentuar në  mënyrën e vet realitetin bizar politik të kohës. Edhe kjo poezi është një dritare shpirtërore që shpreh e shqipton ato përvoja.

Poezia mund të dekodohet në këto përmasa kontekstuale, pra.

E ti ishe për ta nji bletë

tue u rropatë kah drita në qelq,

andej kufijve të botës

njerëzore.

“Ti ishe” i drejtohet folësi poetik (autori) folësit lirik (protagonistit apo poetit të vrarë apo të përndjekur). Këta dy folës nuk bën të ngatërrohen, sepse shkrimtari është autor i tekstit, kurse poeti është  “i vrari”. Kurse bleta, simbol përkushtimi e punëtoreje të vyeshme, shërben si këpujë poetike, si lidhje me mundimet e veprimtarinë krijuese. Autori na e jep një tjetër imazh të bletës “tue u rropatë kah drita në qelq”: një imazh në lëvizje, në kërkim të dritës.  Kërkim për dije, liri, për kuptimin e jetë jashtë asaj kornize të mbyllur. Lëvizja është përpjekja e poetit që po përpiqet për lirinë e krijimtarisë. Poeti u vu në lëvizje! Drita me qelq! Sa simbol i gjetur! Kurse vargu i fundit “andej kufijve të botës njerëzore”, shqipton gjithë atë tmerr kufizimesh e mohimesh që e kan çerdhen te sistemi diktatorial. Si të shpëtosh nga këta kufij të këtij realiteti që shënjohet si mbyllje e vrasje poetësh? Qenkan, pra, dy vetje, dy persona shënjues: poeti i vrarë dhe tjetri që “merr mësim” nga i pari!

Poeti portretizohet si krijesë e vogël, si nj bletë! Mirëpo, përkushtimi i tij është si i bletës. Ai është gjakues i lirisë dhe kërkues i lirisë, i dritës së lirisë që depërton përmes qelqit.

Përpara, pra, kemi tashmë tjetër pamje: atë të poetit që rropatet kah drita, për ta përçuar si mesazh kërkimin e dritës dhe lirisë.  Kjo dritë depërtuese a nuk është dhe prirje e aftësi e poetit për të përhapur edhe dritë e ndriçim nëpër mundime e vuajtje, apo që shënjon shpresën për liri e përkushtim!?  Imazhet e tilla poetike e shton dhe e fuqizon shtresimet e mesazhit poetik. Besimi për fuqinë e lirisë dhe poezisë është tejet thelbësor. Lëvizja drejt dritës: a nuk është edhe mbrojtje e lirisë? A nuk e ushtron këtë ndikim në ato ambiente të mbyllura?! E, pra, vizioni poetik është ai i shpresëdhënies, optimizmit për ndryshimin e një gjendjeje.

Diçka ndodh “andej kufijve të botës njerëzore”. Ndodh shkëputja pas një vrasjeje. Është gjakimi për kërkime përtej atyre kufijve, kërkim për përvoja të lira, për shpëtim, për krijimtari, për qasje të hapur kundër mbylljes,  pasi t’i ketë refuzuar kufizimet e diktaturës. Vetëm jashtë atyre kufijve folësi poetik mund ta shprehë vetveten.

Kurse poezia është mjeti për ta shpëtuar vetveten nga nga ai realitet i  zymtë e të ngirtë, të akullt,  e nga ato kufizimet që ta zënë frymën.

Poezia lexohet si një proces i lirimit të mendjes nga ato kufizime e nga ajo dhunë e shfrenuar “mishngrënëse”, i proces i lirimit të brendshëm shpirtëror dhe si proces i fitimit të lirisë. Është rruga e ndryshimeve jo vetëm personale, po edhe shoqërore. Kurse lexuesi është ilirë në reflektime dhe komentime! Liria qëndron e mbjellë si farë brenda vetë aktit të saj krijues.

  1. Poeti i akuzuar sot: përse nuk qenka vrarë!

Porse shpifjet kundër poetit nuk prajnë as sot, pas vdekjes së tij e pas shumë rravgimeve në jetë: i akuzuar përse nuk është vrarë as burgosur, përse ka shpëtuar dhe përse ka mbetur gjallë!!!  Njësoj me atë që dikur thoshin skllavopronarët për indianët: “Vetëm një indian i vdekur a i vrarë është i mirë”!

Shpifjet e djeshme aq vrastare për poetët, shndërrohen në armë të së sotmes, si një regres frenues  gllabërues historik! Është një si taktikë e morbide për të diskredituar dhe përjashtuar zërat kritikë për të djeshmen makabre e për të sotmen me aq shumë probleme.

Për shkak se dje krijuesit persekutoheshin pse nuk përshtateshin me verat e tyre me regjimin,  sot, kundër tyre, pas vdekjes, përpiqet të bëhet një vrasje e dytë, me mendjen e ligë plor ta zhbërë lirinë e fituar dhe për ta zhbërë edhe kritikën  ndaj të sotmes!

A ka mundur krijuesi letrar t’i mbyllë sytë përballë absolutizmit skllavërues, si nuk i mbylli Ezopi i moçëm?

Ovidin e kishin syrgjynosur dhunshëm për shkak të vargjeve të tij, kurse perandori romak, Oktavian Augusti, e kishte kërcënuar me vdekje Virgjilin, nëse nuk e shkruante një ep për shkëlqimin perandorak. Në shekullin që lamë pas, Mandelshtam e Babel, i lanë eshtrat e tyre nëpër llogoret e Sibirisë, Lorkën e kishin pushkatuar, Cvetajeva u detyrua të vetëvarej; Brehtit të dëbuar nga Atdheu, ia digjnin librat nëpër manifestimet naziste.

E dihet, që nga ato kohë të moçme, akëcili krijues i madh është cilësuar edhe si shkrimtar i oborrit, si Gëte, Naimi ynë i madh kishte pozitë të lartë pushtetore në kierarkinë e perandorisë turke, mu në kohën kur i burgosej e i syrgjynosej vëllau i tij, Samiu, po nga ai shtet pushtues që i shërbente vetë. Por Naimi ka bërë kthesë në idetë rilindase, humaniste, atdhetare e liridashëse, ka bërë kthesë në vizionet e hapësirës shqiptare.

  1. Një rikujtesë e shkrimtarëve të përndjekur (rishkrim eseiszik)

Paradigma poetike e lirikës ssë Camaj na çon tutje…

Janë qindra krijues shqiptarë që i provuan mbi kurrizin e tyre përndjekjet, burgosjet, privimet, libërdjegiet, pushkatimet, vrasjet, eksodet, anatemimet e çka jo tjetër, vetëm për shkak të qëndrimit të tyre në anën e atdhesisë, identitetit të rrezikuar shqiptar, humanizmit, demokracisë, lirisë, ideve largpamëse e vizioneve emancipuese, ashtu sikundër iu ka ndodhur dhjetëra humanistëve arbërorë, si Marin Barletit, Marin Beçikemit, Mikel Marulit, Leonik Tomeut, Martin Segonit, apo autorëve të Letërsisë së Vjetër Shqipe, si Buzukut, Dhimitër Frangut, Pjetër Bogdanit, Pjetër Budit, Lekë Matrangës, Pal Engëllit e engjëllorëve të tjerë, Lukë Bogdanit etj. etj., të cilët i përndoqi okupatori turk, i detyroi ta braktisin atdheun apo edhe të vriten nga po ky okupator, më mizori që ka njohur historia e këtij populli në këto anë. Okupatori turk i gjeti arbërorët me universitete e shkolla të larta të frymës humaniste evropiane. Tash vetëm mund ta imagjinojmë se ku do t’ishim sot me një traditë 600-vjeçare universitare, të cilën e ndërpreu sundimi turk që nuk kishte se çka t’iu sillte arbërorëve, pos errësirës e obskurantizmit.

Kështu iu ka ndodhur edhe qindra krijuesve të tjerë shqiptarë që nga vitet njëzet e këndej të shekullit që e lamë pas.

Poezia e mësipërm na i kujton skenat e pushkatimit, prangat, qelitë, të torturuarit, autoburgun, njerëzit që s’arritën të dalin nga burgjet, mbasi vdiqën në to të sëmurë, apo që vdiqën nga torturat a plumbi. Nga ana tjetër të dalin para kujtesës prokurorë, mendjezezë, njerëz-bisha, skuadrat e pushkatimit, policë, hetues, gjykatës e gjyqe, spiunë, diktatorë. Makina e përbindshme shtetërore e krimit. Uria, etja, mundimet e vuajtjet pafund. Në emër të popullit: gjyqe e çka jo. Nën flamuj kombëtarë me yje. Prej këtij universi të ferrit real, aspak fantastik, lindi edhe një letërsi e veçantë, një letërsi tjetër, sikundër thuhet. Po përmendim pak fakte: Etëhem Haxhiademi, shkrimtar i shquar tragjedish, i shkolluar në universitete evropiane, kthehet në Atdhe, por është burgosur nga regjimi zogist, më vonë është përndjekur nga eksponentët e pushtuesit fashist, dhe, së fundi, për njëzetepesë vjet rresht, ka vuajtur burgje komuniste, duke i lënë edhe eshtrat në burgje. Ai sikur e parandjeu se Letërsia e Politika, në këso kushtesh kundërdemokratike, janë sinonim i luftës së Kainit kundër Abelit. Kaini u hodh në anën e Politikës, Abeli në anën e Shrimtarit. Ose rasti i Mati Prennushit që i flsite dhe shkruante në gjashtë gjuhë. Po ky Mati Prennushi që iu kishte pri çetave të armatosura kundër Turqisë, ai që ishte profesor gjimnazi; ai që më 24 mars 1911 bashkë me Atë Buon Gjeçajn shpalosën nga gjoksi i tyre flamurin në Deçiç; ai do të dënohet me varje në litar nga malazezët, por shpëton; porse më 1924 dënohet me pushkatim edhe nga Zogu (kur u ekzekutua nga bandat zogiste Don Gjon Gazulli), pse ishin në anën e opozitës noliane, por me ndërhyrjen e qarqeve ndërkombëtare i shpëton ekzekutimit. Po ky Atë Mati që do të konsiderohet nga autoritetet fashiste italiane si “françeskan me ndjenja të theksueme nacionaliste dhe antifashiste italiane”; nuk do të mundë t’i shpëtonte edhe një ekzekutimi tjetër, të egër e mizor, nga regjimi i diktaturës komuniste, atij të vitit 1948 “për veprimtari antikombëtare”!!! Noli dëbohet nga Atdheu, Luigj Gurakuqi vritet.

Kurse menjëherë mbas Luftës së Dytë Botërore, nga letërsia shqipe po largoheshin shkrimtarët e pjesës së parë të shekullit XX, si Lazër Shantoja, Ndre Zadeja, Bernardin Palaj, Anton Harapi e Gjon Shllaku, të cilët ekzekutohen barbarisht; ndërsa kjo lagje shkrimtarësh, po vdiste në burg nga torturat si Vinçenc Prennushi, ose si i ndodhi Ndoc Nikajt, romansierit të parë shqiptar, apo “Balzakut shqiptar”; ekzekutohen arbëreshi Terenc Toçi, bektashiu Ali Tomorri, botuesi Nebil Çika; përndiqen e burgosen Ibrahim Dalliu, Mirash Ivanaj, Arshi Pipa, Sejfulla Malëshova, Petro Marko, Mitrush Kuteli, Andrea Varfi, Nexhat Hakiu, Mustafa Greblleshi, Lazër Radi… Lista do të shkonte e shkonte shumë gjatë.

Shkrimtarët e përndjekur, krahas dëshmorëve të tjerë të Atdheut, kanë qenë Roja e Mburoja e kësaj Kujtese, e themelimit të këtij Identiteti nëpër shekuj, përballë inkuizicionit e shfarosjeve armike osmane, sllave apo komuniste. E vërteta ka qëndruar në anën e krijuesve të përndjekur: janë djegur, zhdukur e anatemuar mijëra libra e dorëshkrime, por të gjitha ato janë rehabilituar, sistemet e dhunës janë shembur, kurse dënimin e historisë e kanë marrë inkuizitorët. Triumfi i Lirisë, Demokracisë dhe Humanizmit i dhanë të drejtë shkrimtarit, sepse çdo fjalë, varg a vepër ai ia dedikonte këtyre idealeve. E shkrimtari shqiptar nuk kishte se si të mos ishte i tillë, atdhetar e liridashës. Te e fundit, a ka shkrimtar shqiptar që nuk ka shkruar për Atdheun dhe për Lirinë?”

Vepra letrare e Martin Camajt është e përjetshme.

Janar 2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok