21/11/2024

MAQEDONIA E VERIUT – RAUNDI I DYTË I ZGJEDHJEVE PRESIDENCIALE

0

Nga Xhelal Zejneli

Në periudhën e viteve 1991-2019, kryetar shteti në Maqedoni kanë qenë: Kiro Gligorovi, Boris Trajkovski, Branko Cërvemkovski, Gjorgji Ivanovi. Në zgjedhjet e 5 majit të viti 2019, kryetar i këtij vendi u zjgodh Stevo Pendarovski.

Në vitet 1991-1994, kryetar shteti i Maqedonisë, i zgjedhur nga Kuvendi i shtetit, ishte K. Gligorovi. Më 1994 kryetari i Maqedonisë u zgjodh prej qytetarëve. I mbështetur nga LSDM-ja, Gligorovi u ndesh me Lubisha Georgijevskin. Gligorovi mori 715.087 vota (52.44%).

Në zgjedhjet e dyta për kryetar shteti të mbajtura më 1999, Boris Trajkovski i VMRO-së mori 582.808 vota (53.2%) dhe fitoi përballë Tito Petkovskit. Në raundin e parë të këtyre zgjedhjeve u ndeshën edhe dy shqiptarë: Muharem Nexhipi i propozuar nga Partia Demokratike Shqiptare, i cili mori 155.978 vota (15%) dhe Muhamed Hallili i propozuar nga Partia e Prosperitetit Demokratik, i cili mori 45.731 vota (4.1%). Boris Trajkovski humbi jetën në aksident ajror në Mostar të Bosnjës dhe Hercegovinës më 26.02.2004.

Në zgjedhjet e treta për kryetar shteti, të mbajtura në vitin 2004, Branko Cërvenkovski i LSDMS mori 550.317 vota (62.6%), duke fituar përballë Sashko Kedevit. Në raundin e parë të këtyre zgjedhjeve kishte edhe dy kandidatë shqiptarë: Gëzim Ostreni i BDI-së i cili mori 134.208 vota (14.8%) dhe Zudi Xhelili i mbështetur nga PDSH-ja, i cili mori 78.714 (8.7%).

Në zgjedhjet e katërta për kryetar shteti të mbajtura në vitin 2009, Gjorgji Ivanovi i VMRO-së mori 453.616 vota (63.14%), duke fituar përballë Lubomir Fërëkovskit të LSDM-së. Në raundin e dytë Ivanovi u mbështet nga BDI-ja. Në këto zgjedhje për kryetar shteti garuan edhe dy kandidatë shqiptarë: Imer Selmani i partisë që e drejtonte ai – Demokracia e Re, i cili mori 147.547 (14.95%), Agron Buxhaku i BDI-së, i cili mori 73.629 vota (7.46%) si dhe Mirushe Hoxha e mbështetur nga PDSH-ja, e cila mori 30.225 vota (3.06%). Para kësaj, Imer Selmani i përkiste PDSH-së. Ndërkohë u shkëput prej partisë mëmë dhe krijoi partinë e vet.

Në vitin 2014 u mbajtën zgjedhjet e pesta për kryetar shteti. Ivanovi u rikandidua. I mbështetur nga PDSH-ja në raundin e dytë, ia doli të merrte 534.910 vota (55.25%), duke e mundur Stevo Pendarovskin i cili mori 398.077 vota (41.14%). Në raundin e parë të këtyre zgjedhjeve garoi edhe kandidatio shqiptar Iliaz Halimi i PDSH-së i cili mori 38.966 vota (4.48%).

Emrave të kandidatëve shqiptarë që garuan për kryetar shteti i shtohet edhe Blerim Reka, i cili garoi në zgjedhjet e 21 prillit të vitit 2019. Me fjalë të tjera, në periudhën e pluralizmit, për kryetar shteti në Maqedoni kanë garuar nëntë shqiptarë.

Ndonëse të zgjedhur edhe me votat e shqiptarëve, asnjëri nga kryetarët e sipërthënë të Maqedonisë nuk ka treguar kurrfarë sensi politik për kërkesat politike të arsyeshme të shqiptarëve. Madje disa prej tyre haptazi kanë manifestuar qëndrime antishqiptare. Ka prej tyre që kanë ndërmarrë edhe veprime opresive ndaj shqiptarëve. Në kabinetet e tyre gjithmonë ka pasur edhe këshilltarë shqiptarë.

* * *

Në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar shteti u ballafaquan Stevo Pendarovski i LSDM-së dhe Gordana Siljanovska e VMRO-së. Kryeministri Zoran Zaev, Pendarovskin e cilësoi si kandidat konsensual. Kishte të tillë që e quajtën kandidat qeveritar. Ky në të vërtetë u mbështet nga 31 parti apo subjekte, përfshi edhe tri partitë shqiptare – BDI-në, PDSH-në dhe Alternativën. Lista zgjedhore përmban 1808.131 zgjedhës. Votimi u realizua në 3512 vendvotime. Në votim morën pjesë 844.360 votues apo 46.70% e trupit zgjedhor. Censusi prej 40% u tejkalua për 6.70%. Të pavlefshme dolën 30.437 fletëvotime apo 3.6%.

Në raundin e parë Pendarovski mori 322.581 vota (42.81%), ndërsa Gordana Siljanovska – 318.341 vota (42.25%). Sikundër shihet, në raundin e pari Pendarovski mori 4240 vota më shumë se oponentja e tij. Në balotazhin e 5 majit, Pendarovski mori 436.212 vota (51.66%), përkatësisht 113.631 vota më shumë se në raundin e parë. Në raundin e dytë Gordana Siljanovska mori 377.713 vota (44.73%), përkatësisht 59.372 vota më shumë se në raundin e parë. Në balotazh Pendarovski mori 58499 vota më shumë se oponentja e tij.

Si në raundin e parë, ashtu edhe në të dytin, zgjedhjet në Maqedoni u realizuan pa as më të voglin problem. Pas fitores së Pendarovskit, partitë politike shqiptare – BDI, PDSH dhe Alternativa, u prononcuan se ishin pikërisht ato që i kontribuan më së shumti fitores së tij, duke shtuar njëherazi se Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa i bojkotuan zgjedhjet. Para balotazhit, dy partitë opozitare shqiptare thanë se nuk do të bëjnë tregti me votat e votuesve të tyre dhe se votuesit e tyre janë të lirë të veprojnë sipas bindjeve të veta, duke shtuar se në balotazh duhet të mbështetet opsioni euro-atlantik. Nga ky prononcim rezulton se ata formalisht dhe zyrtarisht nuk kanë bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve, ndërsa mbështetja e opsionit integrues nënkupton mbështetje për Pendarovskin.

Në komunat me shumicë shqiptare apo të administruara nga shqiptarët, pjesëmarrja në votim, si në raundin e parë, ashtu edhe në të dytin pothuajse është e barabartë.

Raundi i parë: Bogovinë – 18.76%; Bërvenicë – 32.52%; Çair – 30.67%; Çashkë – 44.02%; Dibër – 44.09%; Gostivar – 25.91%; Haraçinë – 24.64%; Kërçovë – 33.35%; Likovë – 18.57%; Saraj – 23,32; Strugë – 31.73%; Studeniëan – 20.82%; Tearcë – 26.11%; Tetovë – 29.48%; Vrapçisht – 19.33%; Zhelinë – 17.74. Përqindja mesatare e daljes në votim në komunat e sipërthëna është 27.56%.

Raundi i dytë : Bogovinë – 16.78%; Bërvenicë – 33.53%; Çair – 34.63%; Çashkë – 54.74%; Dibër – 28.31%; Gostivar – 24.05%; Haraçinë – 32.37%; Kërçovë – 35.54%; Likovë – 27.01%; Saraj – 28.75; Strugë – 30.78%; Studeniëan – 31.1%; Tearcë – 24.98%; Tetovë – 28.51%; Vrapçisht – 19.28%; Zhelinë – 16.20. Përqindja mesatare e daljes në votim në komunat e sipërthëna në balotazh është 29.6%. Me fjalë të tjera, në komunat me shumicë shqiptare pjesëmarrja në votim në balotazh, në krahasim me raundin e parë, është për 1.6% më e madhe. Duhet shtuar se komunat si Gostivari, Vrapçishti, Zhelina dhe Bogovina qeverisen nga Aleanca për Shqiptarët, përkatësisht nga Lëvizja Besa. Mosdalja eventuale në votim e një pjese të votuesve të dy partive opozitare shqiptare në komunat e sipërthëna mund të jetë kompensuar me daljen më të madhe në votim të tri partive të tjera – BDI-së, PDSH-së dhe Alternativës. Askush nuk mund ta konstatojë me saktësi se të kujt janë votat në kutitë e votimit. Një gjë e tillë mund të konstatohet vetëm përafërsisht.

Në raundin e parë, në 16 komunat me shumicë shqiptare Pendarovski ka marrë 57.382 vota, ndërsa në të dytin – 115654 sish. Me fjalë të tjera, 58.272 vota më shumë se në të parin. Këtu kemi një rritje enorme votash. Gordana Siljanovska ndërkaq, në këto komuna, në raundin e parë ka marrë 29.155 vota, ndërsa në të dytin – 34.778, duke shënuar një rritje prej 5623 votash.

Nuk duhet harruar se një pjesë e shqiptarëve e kanë votuar Pendarovskin pavarësisht nga BDI-ja, PDSH-ja apo Alternativa. Përveç kësaj, ka shqiptarë që jetojnë dhe që kanë dalë në votim edhe në komunat e tjera, si: Kumanova, Shuto Orizare, Jegunovca, Manastiri. fshatrat e Velesit, Krushevë, Prespë, Resnjë, Ohër.

Në raundin e parë ka pasur 32.696 fletëvotime të pavlefshme. Prej tyre, 4522 fletëvotime të tilla dalin në komunat me shumicë shqiptare, ndërsa 28.174 të tilla – në komunat në pjesën juglindore të vendit. Në raundin e dytë ka pasur 30.437 fletëvotime të pavlefshme ose 3.6%. Në komunat me shumicë shqiptare, në raundin e dytë rezultojnë 5486 fletëvotime të pavlefshme ose 964 më shumë se në të parin.

Pjesëmarrja në votim në komunat me shumicë shqiptare – 29.16% nuk mund të konsiderohet e vogël. Sipas Zaevit, votat janë të qytetarëve dhe jo të partive politike. Askush, sipas tij, votat nuk i ka në xhep. Sidoqoftë, pa votat e shqiptarëve kryetari i Maqedonisë nuk zgjidhej. Shqiptarët për një e mbështetën opsionin euro-atlantik dhe vepruan në mënyrë konstruktive dhe stabilizuese.

Sikundër shihet, secili kandidat për kryetar shteti merr shumë më pak vota se pararendësi i tij. Rënia e interesimit të qytetarëve në shkallë vendi për të dalë në votim ndodh për shumë arsye. Qytetarët e këtij vendi:

– janë të lodhur nga tranzicioni i stërzgjatur,

– janë të zhgënjyer me të ashtuquajturën klasë politike, shqiptare apo sllavo-maqedonase;

– janë të ngopur me premtimet që nuk realizohen;

– janë të zhgënjyer nga udhëheqësit e tyre;

– janë të dëshpëruar nga mungesa e shtetit ligjor, e shtetit të së drejtës;

– janë të demoralizuar nga korrupsioni dhe abuzimet në nivelet e larta të pushtetit,

– janë deprimuar nga nepotizmi në nivelet e larta të pushtetit, qoftë vendor, qoftë qendror;

Në një shtet ku pushtetari apo oligarku del përmbi ligjin, askush nuk vjen të investojë. Në shtetin e partizuar demokracia është iluzion. Shteti me administratë vendore dhe qendrore përmasash gjigante, është larg integrimit në BE. Është utopi të shpresosh se do të hyjë në BE shteti buxheti i të cilit, si në shkallë vendore ashtu edhe në atë qendrore, shkon për rrogat e të punësuarve fiktivë. Të rinjtë thonë se në një vend të këtillë nuk ka perspektivë, ndaj na duhet ta braktisim.

Rënia e numrit të votuesve në shkallë vendi tregon se mijëra qytetarë të këtij vendi, vitet e fundit i kanë marrë në sy rrugët pa kthim të Perëndimit. Vendi ballafaqohet edhe me ikjen e trurit.

Maqedonia ballafaqohet me probleme politike, ekonomike dhe sociale. Kryeministri Zaev duhet t’u rreket reformave me vendosmëri. Reformat – jo vetëm në gjyqësor – duhet të kryhen, jo pse i kërkon BE-ja, por për të ndërtuar shtet ligjor me një demokraci funksionale. Ndryshimet duhet të përfshijnë edhe departizimin dhe depolitizimin e institucioneve të caktuara të shtetit. Ndryshe, kur të vijë koha e të na pranojnë në BE, Maqedonia dhe i tërë Ballkani Perëndimor, rrezikojnë të mbeten me popullsi të moshuar. Nevojiten ndryshime dhe kjo s’bëhet dot pa të rinjtë. Cikli politik i kësaj nomenklature dhe koniunkture politike duhet të marrë fund. Ndryshimet eventuale kozmetike në qeveri nuk kanë ndonjë vlerë të madhe.

* * *

Pasi i humbi zgjedhjet presidenciale, VMRO-ja paralajmëroi se do të ndjekë një politikë infernale. Kjo është logjikë e humbësit që paralajmëron politikë destruktive. Sipas Hristijan Mickovskit, fituese e zgjedhjeve presidenciale është partia e tij. Për të, vota janë vetëm ato të sllavo-maqedonasve dhe jo ato të shqiptarëve. Për kandidaten e VMRO-s, Gordana Siljanovskën kanë votuar kryesisht votuesit sllavo-maqedonas, ndërkaq Pendarovski ka marrë një numër të konsiderueshëm të votave të shqiptarëve. Mbi këtë bazë, VMRO-ja mund të kërkojë edhe zgjedhje parlamentare të parakohshme. Në këto rrethana, duket sikur partia e Mickovskit është në epërsi ndaj LSDM-së. Mickovski duhet ta dijë se ndarja e votave sipas përkatësisë etnike, është kundërshti me parimet themelore të demokracisë.

Për ta parandaluar rikthimin në pushtet të forcave të mundura retrograde, anakronike dhe antihistorike, qeveria e Zaevit duhet të veprojë për nxjerrjen e Maqedonisë nga tranzicioni i pafund, të punojë për sjelljen e investimeve të huaja.

Nuk duhet shpresuar që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare tri partitë shqiptare të dalin bashkë me LSDM-në, siç ndodhi me këto për kryetar shteti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok