22/12/2024

MALL PËR STATUJËN E NJË SHPIRTI TË MADH…

0
Visar-Zhiti

Nga Visar Zhiti

Ja, që ndodh të të marrë malli dhe për një statujë. Dhe shkon ta shohësh atë, edhe nëse dita është e ftohtë apo me shi. Aq më bukur!

Donim të shkonim patjetër te Gëtja, kështu po thoshim, në Lincoln Park në Chicago dhe s’ishte ndonjë datë jubilare e Tij, ishte një ditë jona, që kishte nevojë për forcë…

Sa heroike është shtatorja e poetit dhe filozofit të famshëm gjerman John Wolfgang von Goethe, – po vazhdonim të thoshim. – Vepër e skulptorit gjerman

Herman Hahn (1868–1944), profesor nga Mynihu. Ai paraqiti pamjen e fuqishme të një të riu, që të nëpërmend perënditë antike greke, me një shqiponjë në gju, që simbolizon “Mbërritjen në Olimp”.   Kritikët nuk e miratuar në fillim monumentin në ChicagoTribune, por njeri nga gjyqtarët e jurisë, Karl Bitter, e mbrojti me zjarr. Se shtatorja është e shpirtit të Gëtes, kurse në murin e piedestelit është dhe basoreliefi i portretit të tij dhe një varg nga kryevepra e të gjitha kohërave, “Fausti”.

Statuja masive tetëmbëdhjetë këmbë e gjatë peshon tetëdhjetë tonë, lexojmë.  Ka 1 shekull e 10 vjet që qëndron aty. E goditi një rrufé në këmbën e majtë aty nga mesi i shekullit të kaluar. Goditen jo vetëm poetët, por dhe statujat e tyre ndonjëherë, madje dhe më shumë. Distrikti i Parkut të Çikagos e hoqi statujën, ribëri këmbën… se edhe statujat ecin… Ja, po vinte drejt nesh.

E shikoja me vështrim bronzi dhe m’u kujtua një elegji e Gëtes, ndër më të bukurat në botë, që ka një histori të njohur, por dhe përkthimi i saj nga unë ka një histori, është thjesht e imja, e kam treguar në burgologjinë time “Rrugêt e ferrit”.

Po e risjell këtu nga malli për statujën…

 

  1. V. GËTE

ELEGJI E MARIENBADIT

 

Një mundim zemre rritet brenda meje

Për atë që është e shenjtë e nuk shprehet.

Ja e pakapashmja në jetë të jetëve,

Ta lësh veten prej çastit të rrëmbehet.

Oh, ç’gjë hyjnore! Unë këtë e di,

E ndjej me gjithë shpirt kur pranë saj rri.

 

Ç’vështrim plot rreze sa ditën e  mahnisin

Dhe frymë e saj prej flladesh pranverore

Si akull të zi e shkrijnë egoizmin.

Mbyllen brenda në varre dimërore

Sqima, kokëfortësia e kota famë

E s’kthehen më – atë e kam pranë.

 

Zëri i saj sikur më pëshpërit:

Jeta dhuron orët, orët nëpër botë.

Për të nesërmen s’ka parashikim

E shqetësimi për të djeshmen është i kotë.

E në i trembësha muzgut që vjen pas,

Ja, dielli perëndon gjithë ndjenja, buzagas.

 

Vështroje si unë çastin drejt në sy,

Shpejt dhe lehtë me mendje të gëzuar.

I gjallë dhe mirënjohës derdhu te ay

Në punë dhe harè përherë i dashuruar.

Kudo qofsh, prej teje fryftë fëmijëri,

Atëhere s’të mposht dot, jo, asnjeri.

 

Dhe e kuptova – kështu fole ti.

Çastin si një zog me flatra ere

Në gjirin e jetës e futi një Hyjni.

I zgjedhur i çastit je veç pranë teje.

Oh, thirrje e ndarjes bëhet ankth në eshtra,

E ç’dobi pata nga ato të lartat shkenca?!

 

Tani jam larg dhe larg pa asnjë punë,

Ç’të bëj me kohën time unë pa ty?

Ka gjëra të bukura shumë, shumë,

Do hedhur barra që s’më hyn në sy.

Një brengë vdekje më gllabëron, më tund.

Rrugëdalje s’ka e lotët s’paskan fund.

————————————-

Në shqip nga Visar Zhiti

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok