26/05/2024

Madu na talli dhe iku

0

Nga Edison Ypi

I ndjeshëm, i mprehtë, i përmbajtur, i edukuar, i sofistikuar, i kultivuar, i qytetëruar, poet që s’kërkoi kurrë famë, i përndjekur politik që e bezdiste ky cilësim, trashëgimtar që nuk kërkoi kurrë kompensim, si Jamarbër Marko, s’ka të dytë.

Jamarbër Marko, jeta sa fatkeqe dhe heroike e tij dhe e familjes së tij, janë fakti më tronditës dhe dëshmia më uluritëse e tragjedisë më të madhe të historisë tonë moderne; zellit të turpshëm të shqiptarëve për të farkëtuar me duart e veta prangat e veta, për ta përsosur me vullnetin e vet mbi kurrizin e vet diktaturën më kriminale të botës.

Madu në këtë botë të çmendur dhe këtë vend të çuditshëm nuk erdhi për të jetuar. Ai, në botë dhe në jetë, erdhi që ato t’i tallte.

S’janë pak ata që talljen e botës e kanë konsideruar sfidë të jetës. Por jo si dhe sa i dëshpëruari i madh Madu. Të shumtët këtë sfidë janë lodhur ta përballojnë përmes kompromiseve; këtu më kruhet, atje më dhemb. Të tjerët kërkuan dhe gjetën punëra të mira, shkruan libra, shkarravitën nëpër gazeta dhe revista, dolën dhe po dalin nëpër televizorë, u fejuan e u martuan e bënë kalamaj, hynë e dolën “jashtë shtetit” etj. Madu, jo !

Madu, ky vetëflijues i përbindshëm, mund të hynte edhe ai nëpër punëra, mund të dilte edhe ai nëpër televizora, mund të shkruante edhe ai nëpër gazeta, mund të ishte bërë edhe ai famshëm.

Por Madu ndaj të gjitha këtyre ishte dhe mbeti më larg se infiniti. Ai, këto dhe të tjerat, i neveriti duke i tallur.

Madu edhe në burg ka qenë një vullkan talljesh nga më të këndshmet, më të bukurat, më me spec, më të rrezikshmet.

Madu nuk doli kurrë nga Shqipëria.

Madu kurrë nuk u mburr e as u ngref.

Madu vetëm talli dhe piu, piu dhe talli.

S’kanë fund të tallurat e Madus.

Madu një ditë i futi në xhep Presidentit të Republikës një dhjetë lekësh të vjetër. Mbaje ta kesh se mund të të duhet, i tha, ia futi në xhep, dhe iku.

Askush tjetër si Madu nuk diti të tallet me budallallëkun e kallaballëkut me aq finesë, në mënyrë aq variacionale, me aq inteligjencë dhe kreativitet.

– Madu, çfarë është Interneti ?

– Ky që po kalon, më tha, duke më treguar një xhaxho të kërrusur me një thes në kurriz.

– Po Fejsbuku ?

– Ai kazani i plehrave atje.

– Emaili ?

– Dhëmbi i verdhë i diktatorit.

– Po celulari ?

– Drejtori i komunales që bënte dashuri me fshesaxhien.

– Youtub-i ?

– Është ajo atje, tha, duke treguar me gisht Ministrinë e Drejtësisë.

Këtyre dhe të tjerave pyetje Madu u përgjigjej nga froni perandorak ku rrinte. Një farë bankine betoni, si e krijuar enkas për të, ku ai pinte dhe tymoste në shoqërinë e dy-tre qenve.

Madu jetoi keq, madje shumë keq. Por për Madun kjo s’kishte rëndësi.

Materialitetin dhe idealitetin Madu i bëri njësh në rakinë dhe shakanë.

Madu e piu të gjithë rakinë dhe e talli të gjithë dynjanë.

Madu bëri jetën e njeriut që sa më i kthjellët është aq më tepër vuan.

Madu e shihte jetën si dënim pa të drejtë mbrojtjeje, pa të drejtë apelimi.

Madu ishte një Hipi’ i përjetshëm, një Woodstock i përhershëm.

Madu largohej vazhdimisht. Prandaj fundin e kapi herët.

Madu, ky përbindësh i shenjtë i antikonformizmit, duke marrë me vete të gjithë shakanë dhe gjithë rakinë, na la pas të gjithë atë që s’na lypset por e meritojmë – turpin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok