03/12/2024

KUVENDI KUSHTETUES PANSHQIPTAR – PADREJTESISHT I HARRUAR!

0
Adil-Fetahu

Nga Adil FETAHU

  • Kuvendit kombëtar i parapriu Lidhja e Dytë e Prizrenit

Në vigjilje të kapitullimit të Italisë fashiste,  e duke u frikësuar se forcat e koalicionit antifashist anglo-amerikano-ruse do të zbarkonin në Shqipëri, ushria gjermane ndërmori masa duke dërguar disa reparte në Shqipëri të ushtrisë së saj  për të zënë pikat strategjike dhe portet e aeroportet shqiptare. Në atë kohë edhe ushtria gjermane kishte marrë goditje të rënda në frontin e Lindjes, dhe nuk kishte forca të mjaftueshme për t’i dërguar në Shqipëri, prandaj e mendoi strategjinë e tillë, që populli shqiptar të mos e ndiente ushtrinë gjermane si okupatore. Në këtë aspekt e shfrytëzonte simpatinë e shqiptarëve të Kosovës, të cilët ushtrinë gjermane e pritën dhe konsideronin si çlirimtare kundërejt dhunës 23 vjeçare së Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene. Strategjia gjermane ishte t’i qetësojë dhe përvetësojë shqiptarët, t’iu lejoi që këta të formojnë organet e veta për të gjitha hallkat e pushtetit civil të pavarur. Për të krijuar një pushtet bashkëpunues me ushtrinë gjermane, besimin më të madh e kishin në kuadrat udhëheqëse politike nga Kosova. Në këtë  kontekst përfaqësuesi kryesor për Ballkanin, Dr.Hermann Neubacher, i thirri në një takim në Beograd (më 6 shtator 1943) Xhafer Devën dhe Vehbi Frashërin, i biri i Mehdi Frashërit. Mehdi Frashëri ishte një antifashist i dëshmuar dhe për këtë arsye ishte internua në një kamp në Itali, bashkë me shumë intelektualë tjerë antifashistë. Neubacheri ua kishte bërë me dije Devës dhe Frashërit kapitullimin e shpejtë të Italisë dhe nevojën e një organizimi për të mos lënë hapësirë për kaos. Xhafer Deva i kishte propozuar formimin e një komiteti ekzekutiv të përkohshëm për t’u marrë me menaxhimin e situatës deri në formimin e organeve përkatëse. Për këtë qëllim Deva prej Beogradi shkon në Shkodër (më 8 shtator), ku informohet definitivisht për kapitullimin e Italisë. Neubacheri shkon në Tiranë më 10 shtator. Ai u premtoi shqiptarëve:  rivendosje të pavarësisë, qeverisje plotësisht të pavarur, pa u përzie ushtria gjermane në punët e organeve civile shqiptare, garantimin e kufijve etnikë që ishin krijuar, brënda të cilëve përshiheshin 74000 km katrore toka të banuara me shumicë shqiptare. Ai u sugjeroi shqiptarëve të krijonin një organizëm i cili do të rishpallte pavarësinë e Shqipërisë pas kapitullimit të Italisë. Për ralizimin e qëllimeve të veta Neubacher kishte më shumë besim të personalitetet shqiptare të Kosovës, duke pasur parasysh simpatinë e tyre ndaj ushtrisë gjermane, e cila i kishte çliruar nga torturat që kishin përjetuar nën Jugosllavinë. Si rezultat i atyre bisedimeve, Ibrahim Biçaku, Vehbi Frashëri dhe Xhafer Deva, në bashkëpunim me figura tjera shqiptare, më 14 shtator formuan një Komitet Kombëtar prej 22 vetave, të kryesuar nga Ibrahim Biçaku Komiteti Kombëtar formoi një Komitet Ekzekutiv, si një qeveri e përkohshme, prej 5 vetash: Bedri Pejani, Xhafer Deva,  Vehbi Frashëri, Mihal Zallari dhe Eqrem Telha.

Në ndërkohë u mbajt “Lidhja e Dytë e Prizrenit”,  më 16-20 shtator 1943, në frymën e Lidhjes së Parë të Prizrenit (1878). Në mbledhjet e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, u murën vendime: a) për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet shqiptar; b) organizimi politik-ushtarak për mbrojtjen e kufijve shqiptar; c) krijimi i një Komiteti Ekzekutiv Qendror, në Prizren, me degët në të gjitha qendrat e krahinave shqiptare, për të kryer funksionin e qeverisjes vendore; d) përcaktimi i kritereve dhe mënyrës së zgjedhjes së delegatëve për Kuvendin Kushtetues Kombëtar në Tiranë.

*

Komiteti Kombëtar e rishpalli pavarësinë e Shqipërisë më 19 shtator, të cilën  e njohu qeveria gjermane më 24 shtator 1943, me notën që ia dërgoi Komitetit Kombëtar, me këtë përmbajtje:

Qeveria e Rajhut përshëndet vendimin e patriotëve shqiptarë që, pas ndërprerjes së çdo legaliteti dhe vazhdimësie, për shkak të ngjarjeve të fundit, të marrin mbi vete përgjegjësinë për udhëheqjen e shtetit shqiptar në bazë të pavarësisë së Shqipnisë. Qeveria e Rajhut njeh Këshillin Ekzekutiv, të emëruar më 15 shtator nga ana e Komitetit Kombëtar, i cili ka marrë mbi vete punët e qeverisë së Shqinisë”.

Nota e Qeverisë së Rajhut për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë kishte karakter diplomatik dhe juridik në marrëdhëniet midis dy shteteve. Konsulli i përgjithshëm gjerman që ishte në Tiranë  u ngrit në nivelin e ambasadorit, kurse ambassador i Shqipërisë për Gjermani u emërue Rauf Fico.

Ndërkohë, përmes konsullit gjerman në Romë, u bë e mundur që Mehdi Frashëri të kthehet në Tiranë, pas qëndrimit në kampin Italian. Eprorët e ushtrisë dhe diplomacisë gjermane kishin besim në Frashërin për bashkëpunim.

Mbledhja e Kuvendit Kushtetues Kombëtar

Krahas punëve tjera vijuese, Komiteti Ekzekutiv bëri përpjekjet për zgjedhjen e delegatëve për Kuvendin Kombëtar, të cilin e kishte caktuar për 16 tetor 1943. Delegatët duhet të zgjedheshin nga secila prefekturë, nënprefekturë, komunë a bashkësi e tokave të bashkuara të Shqipërisë etnike, sipas rregullave dhe kritereve të caktuara. Me qenë se në kushte të luftës nuk ishte e mundur të zhvilloheshin zgjedhje normale e delegatëve nga çdo prefekturë, Këshilli Ekzekeutiv ishte autorizuar të caktonte përfaqësues  nga radhët e personaliteteve të shquara dhe nga radhët e klerit dhe bajraktarëve të Malësisë.

Mlbedhja e parë e Kuvendit Kushtetues Kombëtar u filloi më 16 tetor 1943, në Pallatin Mbretëror në Tiranë, në të cilën morën pjesë 187 delegatë. Kryesues të mbledhjes së Kuvendit u caktuan Lef Nosi (kryetar) dhe Xhelal Mitrovica (sekretar). Numri më i madh i delegatëve ishin nga Kosova dhe nga  Dibra e Madhe. Delegatët nga Kosova, të veshur me rroba kombëtare e shumë sish edhe të armatosur,  kishin arritur në Tiranë në mënyrë të organizuar, me tre aubobusa, Kur delegatëve të zgjedhur iu bashuan edhe 57 veta nga personalitetet e caktuara nga Këshilli Ekzekutiv, numri i pjesëmarrësve në Kuvend arriti 244 veta.

Seanca e dytë e Kuvendit u mbajt më 18 tetor, në të cilën Ibrahim Biçaku paraqiti një raporti  të  punëve që kishte kryer Komiteti Ekzekutiv. Në atë seancë delegatët bënë betimin dhe zgjodhën Kryesinë: Lef Nosi (kryetar) e Sokrat Dodbiba (sekretar).

Kuvendi zhvillonte punimet në bazë të akteve të para kohës së pushtimit Italian, dmth. në bazë të Kushtetutës së Mbretërisë Shqiptare të vitit 1928, duke rrëzuar kështu të gjitha aktet e pushtetit Italian të nxjerra pas 7 prillit 1939, të cilat kishin të bënin me bashkimin personal të Shqipërisë me Italinë fashiste. Kuvendi zgjodhi Këshllin e Lartë të Shetit (Regjencën), i cili përfaqësonte shtetin shqiptar në vend të Mbretit, dhe bashkë me Asamblenë kishte pushtetin legjislativ. Këshillin e Lartë të Regjencës, Kuvendi  e zgjodhi në këtë përbërje: Mehdi Frashëri (kryetar), Lef Nosi, Anton Harapi, Fuat Dibra.  Regjenca do të kryejë funksionin e institucionit të Mbretit të Shqipërisë.

Me qenë se Lef Nosi u zgjodh në Këshillin e Regjencës, në vend të tij, për kryetar të Kuvendit (të transformuar në parlament më të reduktuar), u zgjodh patrioti i njohur korçar Idhomen Kosturi.  Kur i kishin ofruar Idhomenit postin e kryetarit të Kvendit, a kishte thënë: “Nëse është për të mirën e popullit, e pranoj detyrën, e nëse është fjala vetëm për një post (karrige), nuk kam nevojë sepse kam mjaft karriga në shtëpi”. Të nesërmen e vranë komunistët, para shtëpisë së tij në Durrës. Në vend të tij, për kryetar kuvendi u zgjodh korçari tjetër, prof. Mihal Zallari.

Respektimi i Kushtetutës së vitit 1928 dhe zgjedhja e organeve sipas asaj Kushtetute, jep të nënkuptohet se synohej të mbahej sistemi monrakist në Shqipëri.

Pas zgjedhjes së Regjencës, Mehdi Frashëri kishte mbajtur një ligjëratë në Kuvend, në të cilën, përveç se kishte lavdëruar punën e Kuvendit si vazhdimësi e kontinuitetit të shtetit të pavarur shqiptar, kishte përshkruar gjendjen dhe preferonte pikëpamjet lidhur me qëndrimin politik në ato rrethana të luftës: “Vetëm një gjë nuk duhet ta harrojmë, se ndodhemi në kohë lufte. Asnjë shtet në Ballkan nuk ka mbetur pa u okupuar prej ushtrive ndërluftuese, mike ose armike. Kështu edhe Shqipnia sot nodhet nën okupimin e ushtrisë gjermane, por kjo ushtri ka ardhur si ushtri e një shteti mik dhe jo anmik e luftues kundra nesh… Ndeja e saj në tokat tona asht e lidhun me ngjarjet e luftës dhe mund të zgjatë disa javë ose disa muaj, por gjithmonë është e përkohshme dhe kjo gja në një mënyrë nuk i gjason aneksimit kolonial të përheshëm si ajo e Italisë”, kishte thënë M.Frashëri.

Ndër shumë akte tjera juridike të rëndësishme që miratoi Kuvendi Kushtetues Kombëtar, ishte shpallja e pavarësisë  dhe e mosangazhimit të shtetit shqiptar në luftë, në asnjenin krah (asnjajsia, neutraliteti),  si dhe çfuqizimi e anulimi i Dekretit të pushtetit Italian (3.6.1940), sipas të cilit “Shqipëria ishte në gjendje lufte me të gjitha ato shtete me të cilat Mbretëria Italiane ishte në luftë”.

Derisa Kuvendi mbante mbledhjen në Pallatin Mbretëror, komunistat partizan e granatonin Pallatin me mortaja.

Puna e parë e Regjencës ishte mandatimi i një qeverie, e cila duhej t’i jepte fund anarkisë dhe kaosit të krijuar. Pas mandatimit nga Regjenca, Kuvendi e votoi Qeverinë, me këtë përbërje:

  1. Rexhep Mitrovica, kryetar
  2. Xhafer Deva, ministër i punëve të brendshme
  3. Mehmet Konica (Bahri Omari) ministër i punëve të jashtme
  4. Rrok Kola, ministër i drejtësisë
  5. Ago Agaj, ministër i ekonomisë
  6. Musa Gjylbegu, ministër i punëve botore (publike)
  7. Eqrem Qabej, ministër i arsimit, por ai nuk e pranoi këtë detyrë, prandaj në vend të tij u zgjodh Koço Muka
  8. Sokrat Dodbiba, ministër i financave
  9. Kolë Tamara, ministër i kulturës popullore
  • Vehbi Frashëri, nënministër i punëve të jashtme
  1. Qazim Bllaca, nënministër i ekonomisë.

Kryetari Rexhep Mitrovica i paraqiti Kuvendit Programin e Qeverisë, me synimet e mbrojtjes së pavarësisë dhe tërësisë territoriale. Edhe Qeveria u quajt Qeveri Kombëtare, me qenë se përfaqësohej nga të gjitha territoret e çliruara shqiptare. Sipas programit, detyrat kryesore të kësaj qeverie ishin: sigurimi i qetësisë së brendshme; sigurimi i pavarësisë së jashtme dhe neutraliteti i Shtetit Shqiptar; liria e plotë e mbledhjeve, e fjalës dhe e shtypit për të gjitha grupimet politike (përveç  partisë komuniste); ndërmjetësimi te shteti gjerman për lirimin e të gjithë shqiptarëve të burgosur e të internuar nga pushteti Italian;  transferimi i trezorit të banknotave shqiptare nga bankat e Italisë,etj.. Ndër masat e tjera të Qeverisë  u arrit marrëveshja me Shtetin Gjerman që paraja shqiptare ishte i vetmi mjet pagese në qarkullimin në Shqipëri, kështu që për nevojat e ushtrisë së vet në Shqipëri, shteti i Gjermanisë detyrohej të blente valutën shqiptare.

Ajo që ishte me rëndësi, se në Shqipëri u vendos një administratë civile krejtësisht shqiptare, me të gjitha institucionet, aktet juridike dhe simbolet kombëtare, ashtu sikur i kishte pasur Monarkia para okupimit Italian, e jo administratë ushtarake gjermane, sikur ishte në Jugosllavi, Greqi, Çekosllovaki, Norvegji etj.

Edhepse ky ishte një fiksion i pavarësisë së Shtetit Shqiptar, megjithatë, për çështjet civile, të rendit, të ekonomisë, financave, arsimit e  kulturës, organet kombëtare kishin pavarësi të plotë dhe nuk pengoheshin nga ushtria gjermane.

Kuvendi Kushtetues Kombëtar funksionoi prej 16 shtator 1943, deri më 5 tetor 1944, kur forcat komuniste muarën në duar situatën në vend, vunë pushtetin e tyre, ashtu që udhëheqësit kryesor të Qeverisë e të Kuvendit u detyruan ta braktisin vendin e të emigrojnë jashtë vendit.

Kuvendi Kushtetues Kombëtar, ashtu çfarë ishte, duhet ta zëjë   vendin  e merituar në sistemin parlamentar të Shqipërisë dhe padrejtësisht ka mbetur në harresë edhe nga ata të cilët e kanë ditur, e të mos flasim për ata të cilët nuk e kanë ditur.

Adil FETAHU

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok