21/12/2024

“Lufta ime për Kosovën” e Rexhep Shahut, është lufta që u bë me fjalë dhe me zemër

0
Shahu-Lufta-Kosova

Nga Albert Vataj

Janë shkruar jo pak libra për epopenë e luftës ngadhënjimtare për mëvetësi të Kosovës. Filma dhe dokumentar, orë pafund emisionesh televizive, janë transmetuar. Shirita magnetofoni që e përqarkojnë globin, kanë përcjellë zërin e buçimës çlirimtare. Kanë folur dëshmitarë okularë, janë rrëfyer fatkeqë që kanë parë me sytë e tyre tmerret e luftës. Nëna, gra dhe vajza, kanë ngjethur botën me historitë e tyre. Fëmijë dhe pleq të kapluar nga tragjizmi kanë qarë dhe lotët e tyre kanë pikura në dhimbjen e njerëzimit.  Balada dhe këngë kanë himnizuar këtë cak identitar të populli martir të Kosovës. Nuk ka mbetur asgjë pa thënë, askush nuk ka heshtur, edhe të vdekurit kanë kushtruar amanetin e tyre nga varri. Por “Lufta im për Kosovën”, e gazetarit, reporterit, publicistit, poetit dhe veprimtarit të paepur, Rexhep Shahu, është një luftë që ai nuk e bëri me armë; por syri, zëri dhe shpirti i tij, ishin më të gjëmimtat se gjithë armët e zbrazura njëherësh.

“Lufta im për Kosovën”, e Rexhep Shahu, është lufta që ai bëri me fjalë dhe me zemër, me shpirt dhe me një zell. Ndeshje kjo e udhëprirë dhe e motivua nga një vullnet i paepur, i cili i blatoi kësaj sfide gjithëçfarë ai kishte. Ky libër është e gjithë përvoja e tij si gazetar, në një kohë që të urtët zgjodhën të punonin nga zyrat me ajër të kondicionuar dhe të harboheshin në netët e gjata të nëntokës mbushur me muzikë, alkool, drogë dhe seks. Lufta epike e Kosovës për pavarësi, ishte edhe lufta e tij, përtej thirrjes së detyrës si gazetar dhe reporter. Ai ishte në zjarrin e këtij flakadani lirie, aty ku të tjerët nuk e imagjinonin se mund të shkohej. Megjithatë ai bëri gjithçka në mënyrën më të mirë të mundshme, i bindur se po bënte gjënë e duhur, në kohën e duhur, për një kauz të madhe.

Unë nuk ia kam haberin se si shkruhet një libër për luftën, por pohoj me bindje se ai çdo faqe që ka shkruar në “Lufta im për Kosovën” e ka jetuar, e ka prekur, e ka shkelur, e ka parë në dritë të syrit. Më ka mjaftuar një ditë, që unë pata privilegjin ta shoqëroja në këtë Odise, Rexhep Shahun, si mik, si koleg, por edhe si fotograf, për të kuptuar se si është shkruar çdo faqe e këtij libri, se si çdo detaj përbën një dëshmi dhe çdo episod rreket të krijojë një panoramë.

Një tjetër veçanti e këtij rrugëtimi krijues dhe rrëfyes të Rexhep Shahut, është se ai nuk la jashtë historisë së luftës së Kosovës askënd, askënd që njohu dhe takoi, askënd që në mënyrën dhe mundësitë e tij shprehu gadishmërinë për të luftuar për Kosovën. Të gjithë të njohur dhe anonim, gazetarë të huaj dhe personalitete botërore, heronj të heshtur dhe legjendar, janë në faqet e librit “Lufta im për Kosovën”.

Ndoshta jo të gjithë ishin me fat që të ngjiteshin në epope si Adem Jashari, por kontributi i tyre ishte dhe mbeti sublimitet më himnizues për ditën dhe ardhmërinë që Kosova gëzon sot.

Puna e gazetarit në Radio Kukësi, dhe mediat e tjera, të interesuara për të përcjellë zhvillimet në vatrën e luftës, e shtynë Rexhep Shahun të bënte edhe ai luftën e tij, të ishte edhe ai një krismë në kurorëzimin e Pavarësisë së Kosovës.

Edhe pse sot flitet gjithnjë e më pak për këto zhvillime, për ngjarjet dhe episode e veçanta të luftës që përmbushi ëndrrën shekullore të shqiptarëve, “Lufta ime për Kosovë” është dhe do të jetë një libër që rreket të dëshmojë këtë epope, ndoshta në një këndvështrim ndryshe, e pse jo, duke pretenduar të thotë disa të vërteta që nuk diheshin, dhe të nxirrë faqe dritës së fakte, disa zhvillime që qëllimisht mbeten në terr informativ.

Rexhep Shahu bëri këtë libër duke përmbushur obligimin e tij të detyrës, të mbajë në jetë të përgjithmonshme ato momente të rrezikshme dhe vetëmohuese, por ngadhënjimtare. Sepse ai zgjodhi që në “Lufta ime për Kosovën” të ishte dhe të mbetet një luftë që ai bëri, jo me zjarrin e tytave, por me vendosmëri dhe besim, i bindur se ajo që ai bëri, të ishte çfarë ai i vuri vetes si qëllim.

Sot kur kemi në dorë këtë libër, ne kemi historinë e përpjekjeve, sfidave dhe të papriturave që bashkoi në kushtrim liria e Kosovës të gjithë, secili në “llogoren” e vet, për të përmbushur një amanet apo lartësuar një qëllim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok