LIRIKA PËRKUSHTIMORE SI AKT I SHENJTË KRIJUES
(Lexim letrar i poezisë “Rugova” të Sabri Hamitit kushtuar Ibrahim Rugovës, nxjerrë nga libri poetik “Kukuta e Sokratit”, Tiranë, 2018)
Nga Prend BUZHALA
Poezia “Rugova” është përfshirë te libri më i ri poetik i Sabri Hamitit me titull “Kukuta e Sokratit” (botoi Albas, Tiranë, 2018). I takon tipit të lirikës përkushtimore, njërën nga format më të bukura dhe më të thella poetike. Lirikën e tillë ky poet e krijon që nga vëllimi “Trungu ilir” *1979)me poezi kushtuar miqve krijues. Ndërkaq, te libri poetik “Leja e njohtimit” (1985), kanë vlera antologjike poezitë “Teuta”, “Gjergj Kastrioti”, “Pjetër Bogdani”, “Isa Boletini”, “Hasan Prishtina” dhe “Eqrem Çabej” (të përfshira në nënciklin “Gjaku”). Këto poezi marrin një përmasë të veçantë: personale, shpirtërore dhe historike e kulturore të identitetit etnik, me ndjesitë e përkushtimit. Poezi që bëhen një medium që e ndërlidh qenien individuale (sinkroninë shpirtërore) me historinë kolektive nëpër histori (diakroninë tematike). Janë një përkujtesë shpirtërore për figura dhe ngjarje, për krenarinë etnike dhe mbështet zgjimin e shkallëzimin e vetëdijes kombëtare. Figurat e tilla historike kthehen në bosht të vëmendjes, ngrihen në altarin e nderimit, kurse vetë lirika e tillë është një akt i shenjtë krijues.
1.
Në poezinë “Rugova”, kemi dy veta: folësin lirik (poetin) te pjesa e parë dhe një personazh lirik si folës poetik që ligjëron në veten e parë (Rugova) te pjesa e dytë. Këmbimi i vetave, në këtë poezi, është një procedim interesant që e përforcon përfshirjen e dy rrafsheve të subjektivitetit në tekst – njëri nga pozita e poetit (Sabri Hamitit) dhe tjetri nga pozita e protagonistit lirik (Ibrahim Rugova). Ky procedim tregon një ndërlidhje të fortë shpirtërore dhe historike midis poetit dhe subjektit të tij. Rugova, i portretizuar në vetën e parë, shpreh përjetimet dhe vuajtjet e tij personale dhe nacionale. Ai bëhet vetë subjekt i poezisë, duke kaluar përmes dhembjeve dhe sakrificave për ta arritur lirinë. Këtu, Rugova flet për udhën e mundimshme që ai ka kaluar, si dhe shpëtimin që ka ardhur pas shumë periudhave të errëta dhe të vështira.
Kur poeti përdor vetën e parë të protagonistit lirik (“unë”, “e bart”, “kaluam”, “luta”), ai i jep një përmasë sa personale dhe subjektive ligjëratës, aq edhe kolektive. Poeti përdor vetën e parë për ta shprehur përjetimin personal të dhimbjes, vuajtjeve dhe shpresës së përbashkët për lirinë dhe dinjitetin kombëtar.
Përdorimi i vetës së parë paraqet një përvojë të ngarkuar me emocionalitet. Rugova, si figurë politike dhe shpirtërore, ka përjetuar dhimbje kolektive dhe personale që paraqiten në mënyrë të drejtpërdrejtë në vargje. Përdorimi i vetës së parë është gjithashtu një përfaqësim i popullit. Në këtë rast, Rugova shfaqet si zë i popullit, duke përdorur ligjëratën personale për t’i shprehur vuajtjet dhe aspiratat e gjithë një kombi. Ai e bën këtë lidhje më të drejtpërdrejtë dhe të ndjeshme.
Është një formë ligjërimi që ndihmon të krijohet një lidhje intime me lexuesin, duke i ofruar një këndvështrim të brendshëm dhe të sinqertë në botën shpirtërore të folësit.
2.
Hyji dhe Njeriu!
Këto përveçime i bën vargu i parë me rikëndim biblik: “Se Hyji në tokë ka pamje njeriu.” Krahasimi me Hyjin shënjon madhështinë dhe shpirtin e tij të shenjtë, ndërsa dashuria është dhurata më e madhe që ai solli për popullin. Na shfaqet si njeri i dërguar për të udhëhequr me dashuri. Kjo e lidh Rugovën me një mision më të madh se politika, që e bën atë një udhëheqës që vepronte nga një motivim shpirtëror dhe moral.
Kësisoj, autori e vendos poezinë në një kontekst të lartë shpirtëror: e portretizon Ibrahim Rugovën si figurë hyjnore në tokë. Poeti, me krahasimin e tillë, e këndon madhështinë dhe shpirtin e tij të shenjtë. Ai sjell “lirinë si buka dhe uji”.
Dashuria, liria, buka, uji, -a nuk janë këto thelbe të jetës mbi tokë?
Kur pret stuhia e ngrin veriu
Si buka si uji ka shijen liria
Në këtë varg (“Kur pret stuhia e ngrin veriu”), poeti përdor një metaforë tejet të fuqishme: liria është thelbësore për jetën, ashtu si buka dhe uji. Ky vizion artistik e paraqet Rugovën si njeri që e shihte lirinë si një të drejtë të natyrshme dhe të patjetërsueshme, siç janë mirëkuptimi, dialogu, paqja.
Liria barazohet me elementët themelorë të jetës si buka dhe uji, shpërfaqin nevojat a kërkesat esenciale e ekzistenciale.
Esenca dhe ekzistenca.
Janë ato momente, kur poeti e mposht botën e shqetësimeve të EKZISTENCËS (jetës së përditshme), me ESENCËN (kërkimin hyjnor, qetësinë, si thelb ekzistimi, me zërat e vet të perëndishëm)…
Rugova shihet si personalitet i kësaj kërkese, që e ushqen shpirtin e popullit të tij.
Poeti e kundron së brendshmi Rugovën si figurë që sfidon me një qetësi hyjnore, duke e krahasuar me një pemë të mbjellë për jetën, që i reziston dimrit dhe ngjitet drejt dritës.
Druri i jetës, simbol i gjallërisë dhe qëndrueshmërisë, ndërlidhet me Rugovën si bartës i vlerave. Pema është mbjellë “në kreshtë“ (asociacion me Bjeshkët e Rugovës): “Në kreshtën tënde me diellin kunorë”. Kjo figurë na drejton kah një kahe tjetër: te kulmi i lavdisë dhe nderit. Kreshta si simbol i lartësisë dhe majës, dëfton autoritetin dhe pozitën e lartë që Rugova mbante në sytë e popullit. Është përpjekja për t’u ngjitur dhe për të arritur te një QËLLIM I MADH, duke qëndruar gjithmonë në krye dhe duke u udhëhequr nga një “diell kunorë”, që sugjeron lavdinë dhe nderin. Ky togfjalësh metaforik (“diell kunorë”), na drejton kah lidhjet e tij të thella me dritën dhe shpirtëroren. Lotët që shkrijnë dëborën, ja një tjetër metaforë për sakrificën dhe përkushtimin e tij.
Te kjo poezi lexojmë edhe figura nga librat e përparshëm, siç është ajo e stuhisë:
Kur pret stuhia e ngrin veriu,
Si buka si uji ka shijen liria
Këto vargje e paraqesin Rugovën si emblemë të qëndresës, të patundur përballë sfidave dhe vështirësive, ashtu si buka dhe uji.
Më tutje, Rugova krahasohet me një njeri që kalon ylberin e varur dhe shtrëngatën – simbolika këto të vuajtjes, stuhive dhe krizave që përjetoi kombi ynë gjatë periudhave të rënda të dekadave të fundit; ai mbajti një kurs të qetë dhe të ndershëm, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për lirinë dhe paqen, edhe kur kushtet ishin të rënda dhe të pasigurta. “Druri i jetës” që ai mban në duar, rrezaton figurativisht shpresën dhe përpjekjet për një të ardhme.
Kalove ylberin e vare në gushë
Po kur shtrëngata shalonte kalin
Nëse ylberi është simbol i bukurisë, harmonisë dhe i shpresës, ai shpreh gjithashtu një moment të bukur dhe të përkohshëm, si shenjë e shpresës ose premtimit për një të ardhme më të ndritur. Vargu “Kalove ylberin e varur në gushë” nënkupton diçka që është mbajtur apo varur rreth qafës si një shenjë, simbol ose përkujtim. Poeti e përdor këtë pamje figurative a imazh që të krijojë lidhje të fortë me figurën e Rugovës dhe ndërlidhet me mënyrën se si ai ishte i njohur për mbajtjen e një shalli rreth qafës (si simbol i një lidhjeje të thellë me popullin dhe vendin e tij). Ylberi i varur në gushë simbolizon idealizmin, shpresën dhe dinjitetin që janë të lidhura ngushtë me Rugovën. Ylberi nënkupton shpresën e pamposhtur, që është e lidhur me personalitetin e Rugovës, i cili e ka mbajtur përherë këtë shpresë të lirisë dhe pavarësisë të lidhur me veten e tij, ashtu si një shenjë të cilën nuk mund ta heqë. Përdorimi i foljes “e vare” sugjeron guximin që mori përsipër për ta drejtuar një vend në kohë të turbullta, një gjendje të mundimeve ose një përpjekje të vazhdueshme, ku ylberi, përmes varjes rreth gushës, tregon një barrë që e mban njeriu në përpjekje për t’i realizuar idealet dhe ëndrrat e tij, por që gjithashtu është një shenjë e qëndrueshmërisë dhe e vazhdimësisë, pavarësisht sakrificave. Këtë shall Rugova e mbante si një trashëgimi të shenjtë. Ky ylber është simbol i një trashëgimie kulturore, shpirtërore dhe historike që është i lidhur me figurën e liderit, i cili vazhdon të jetë i pranishëm dhe ta bartë atë ngarkesë të rëndësishme. Përdor një metaforë të shkrirë në një bashkim të plotë, ku simboli i ylberit lidhet me gushën dhe shallin e Rugovës për të krijuar një përshkrim emocional dhe të ngarkuar me domethënie.
Në këtë rast, shalli është element i rëndësishëm dhe i ngarkuar me disa domethënie. Duket se poeti e përdor këtë shall jo vetëm si një detaj të jashtëm të dukjes, por si simbol të identitetit dhe forcës së popullit. Simbolizon një lidhje të ngushtë me traditën, krenarinë dhe qëndresën popullore që ka kaluar shumë periudha të vështira. Por shalli rugovas është simbol i vdekjes dhe vuajtjes; si një simbol i përpjekjes për ta mbajtur dinjitetin dhe nderin në periudha të errëta dhe që ta përfaqësojë dhimbjen kolektive që ka përjetuar populli. Le ta lexojmë këtë imazh kaq të njohur, si gërshetim të traditës me modernen, të klasikes me bashkëkohoren.
Në këtë kontekst, kur poeti ligjëron për “ylberin e varur në gushë”, ka parasysh figurën e një populli që ka kaluar një periudhë të vështirë, ku shpresat dhe idealet, të cilat dikur ishin të shndritshme si një ylber, tani janë shuar për shkak të luftës dhe vuajtjeve të mëdha. Folja “kalove”, në këtë kontekst ka një ngarkesë figurative. Ajo nënkupton kalimin përmes vështirësive, kobeve, tragjedive dhe vdekjeve, duke u përpjekur të arrihet një qëllim më i lartë, siç janë liria, pavarësia, njohja, lidhja me miqtë… Ky kalim është jo vetëm fizik, por edhe shpirtëror dhe emocional, së bashku me ndeshjet përballë vuajtjeve dhe sakrificave për të arritur diçka të shenjtë dhe të çmuar, dinjiteti dhe çlirimi nga pasiguritë. “Në gushë” (në frazeologjizma populli thotë: me të ardhë në gushë, me ta zanë frymën), ai e kapërcen këtë frymëzënie. Kalimi përmes vdekjeve dhe tragjedive shprehet si një udhëtim i brendshëm dhe si shtegtim nacional. Është shqiptim poetik i shpirtit të paluhatur dhe të qëndrueshëm të popullit dhe udhëheqësit. Në këtë mënyrë, poeti pohon se kalimi nga ylberi i varur (simbol i shpresës, tragjedisë, luftës) në gushë (simbol i mbijetesës) është një proces i ngadalshëm dhe i dhimbshëm, por që përfundimisht çon te liria dhe shpëtimi. Është një kalim nga errësira (ylberi i varur) në një shpresë të ngopur me dhimbje, ku mbijetesat (gusha) janë ngushtë të lidhura me shpirtrat e atyre që kanë kaluar përmes sakrificës.
Këtu, poeti përdor pamje a imazhe figurative të hapësirës për ta paraqitur atë periudhë të vështirë., gjatë e para luftës. Ylberi i varur shënjon dhimbjen që ka kaluar Kosova, ndërsa vargu “shtrëngata shalonte kalin” sugjeron figurat e dhunës, armikut, periudhës së rëndë, ku Rugova është përpjekur të drejtojë në kohë të paqarta dhe të trazuara.
Ti mbolle drurin që i thonë jetë
Në kreshtën tënde me diellin kunorë
E bart dhembjen e udhës përpjetë
Me lotin e vokët që shkrin dëborë.
Në këto vargje, Rugova paraqitet si njeri që ka mbjellë “drurin e jetës”. Një imazh simbolik që na kumton se ai ka kontribuar për një të ardhme të qëndrueshme dhe të ndritur.
Ai është simbol i shpresës dhe jetës, pasi mban “diellin kunorë”, duke u paraqitur si një udhëheqës që ka ndriçuar rrugën e kombit.
Vargu “E bart dhembjen e udhës përpjetë” është një si asociacion biblik i rrugës për në Golgotë që përfundon me ringjallje. Në këtë rast, ndërlidhet me përjetimet e luftës, vuajtjeve dhe dhimbjeve kolektive. Përpjetëza është e vështirë, por ajo çon në maje (të vlerave njerëzore e liridashëse).
Bartja e dhimbjes, udha përpjetë… lexohet e përjetohet si udhëtim metaforik, si një proces i gjatë historik, rrugë e domosdoshme për të arritur diçka të madhe, siç është liria. Poeti e përdor këtë varg-figurë për të treguar se udha e lirisë është gjithmonë e ngarkuar me dhembje, mundime dhe sakrifica, por është gjithashtu e nevojshme për ta arritur ndriçimin dhe shpëtimin.
3.
Na shfaqet, pra, edhe si figurë e fortë, e qetë dhe e qëndrueshme. Kështu vazhdon edhe pjesa e dytë e poezisë.
Po të shikoni një grumbullim Hini,
Kujtoni sa i madh ishte Zjarri
Vargje që përdorin figurën e aluzionit: Rugova ka kaluar nëpër periudha të vështira, por ndikimi i tij dhe ideali i tij mbeten të fuqishëm, siç është zjarri që i përmban në vetvete forcat dhe energjinë e tij. Krahasim antologjik, apo jo!
Isha fort i butë me më thanë Hyjní,
Një trup i gurtë përmbi bregore
Këtu lexojmë një tjetër pohim të figurës komplekse të Rugovës, që ishte i butë dhe i ngrohtë në shpirt, por gjithashtu kishte forcën dhe qëndrueshmërinë e një shtylle të patundur.
Isha fort i qetë me më thanë Njeri,
I gjallë për jetë në zemrat njerëzore
Rugova shprehej me një qetësi të jashtëzakonshme, që shkaktonte ndikim dhe arrinte të mbijetonte nëpër kohë. Në pjesën e dytë, pra, poeti fillon me një imazh të fuqishëm – grumbullimi i Hinit, që në këtë kontekst ka një kuptim të dyfishtë. Poeti do të nënkuptojë këtu përpjekjet për t’u ngritur dhe për t’u bërë të njohur për të tjerët, duket sikur janë të kota, por është e rëndësishme të kujtojmë se gjithçka ka një burim të thellë dhe të pashembullt, si Zjarri i madh. Rugova ka qenë ai Zjarri që ka shpërthyer nga një vend i vogël dhe i ndarë, që dhuron e frymëzon shpresë dhe guxim.
Në vargjet e fundit të pjesës së dytë, Rugova shfaqet si udhëheqës i qetë, i fortë dhe i vendosur – një “trup i gurtë” që qëndron mbi bregoret e pasigurisë dhe ka ndihmuar popullin e tij ta gjejë shpëtimin. Kjo pjesë paraqet fuqinë e tij si udhëheqës i paqes dhe vendosmërinë që nuk përfshin dhunë, por kërkon zgjidhje paqësore, duke besuar se “në Lumbardh e Drí” shpirti i tij gjeti paqen dhe qetësinë që kishte kërkuar për popullin e tij.
Bota e kuptoi me gjuhën e vet
Malet u tundën e gjetën shpëtimin
Në këtë varg, poeti flet për ndikimin ndërkombëtar, lidhjen me miq që e krijoi Ai dhe shpëtimin që mundi të sillte për popullin. Poeti sugjeron se fjalët dhe veprimet e Rugovës u kuptuan dhe morën vlerë nga bota dhe ky veprim solli shpresë për Kosovën, mundësoi një të ardhme më të mirë. Shembull konkret është njohja ndërkombëtare e Kosovës si shtet i pavarur dhe angazhimi i Rugovës në forume ndërkombëtare për të arritur njohjen e pavarësisë së Kosovës.
4.
Poezia “Ibrahim Rugova” nga Sabri Hamiti është një krijim antologjik, që ka vlera të mëdha artistike dhe një botë të pasur poetike e ideore, që përmbledh elemente të thella kulturore, shpirtërore, filozofike dhe historike. Ajo lidh individualitetin dhe kolektivitetin, vuajtjet dhe shpresat, paraqet një pamje të fuqishme të identitetit kombëtar dhe shpirtëror shqiptar.
Simbolika është një nga përbërësit më të fuqishëm në këtë poezi. Për shembull, “ylberi i varur në gushë” është simbol i luftës dhe sakrificës, duke nënkuptuar një ngjarje dramatike dhe tragjike që ka ndodhur, ku një shenjë e shprehur si ylber ka pësuar shkatërrim. Po ashtu, “buka, uji dhe liria” janë shënjues që përmenden si nevojë themelore dhe e pandashme për ekzistencën e njeriut dhe kombit.
Metaforat dhe simbolizmi i hapësirës, me përbërës universalë si toka, qielli, malet, lumi, si dhe simbolika e ylberit, e bëjnë këtë poezi të pasur me një botë shpirtërore që është shumë më e gjerë se vetëm përvojat personale e kosovare të Rugovës. Në këtë mënyrë, poetika kalon në një përmasë më të thellë filozofike, ku liria dhe shpëtimi janë paraqitur si veprime universale që ndodhin përmes guximit, besimit dhe përpjekjeve të pandërprera (si malet që tunden, qielli) janë të pranishme për t’i dëftuar lëvizjet e mëdha shpëtimtare të kohës që ndodhën në periudhat e vuajtjes, të kaluara dhe të ardhme, shpëtimin që vjen pas vuajtjeve. Pema e jetës dhe kreshta e diellit janë simbole të qëndresës dhe shpresës, ndërsa lumi, udha dhe malet shërbejnë për t’i shfaqur mundimin, përpjekjet dhe sfidat që duhet të përballohen.
Poezia është e strukturuar në forma ritmike dhe metrike, të cilat thellohen në strukturat tekstuale, thellojnë botën emocionale të poezisë dhe shtojnë efektin dramatik. Ky ritëm i lëvizshëm i përshtatet tematikës së sakrificës dhe qëndresës dhe i jep ndjesinë e një udhëtimi të mundimshëm dhe të vështirë që çon në shpëtim.
Liria është një nga temat e motivet kryesore që mbushullon gjithë poezinë. Poezia e Hamitit ligjëron për vështirësitë dhe vuajtjet që ka kaluar populli shqiptar, si dhe për shpresën dhe shpëtimin që ka ardhur pas shumë sakrificave. Rugova në poezi është simbol i këtij shpëtimi, dhe, si i tillë, ai përfaqëson një figurë të lirshme e të pashuar nga proceset e mundimshme. Na thotë, pra, se do bartur dhembjen, si një barrë, për të kaluar përpjetë golgotës në rrugën drejt lirisë, që është proces i mundimshëm, por i domosdoshëm. Rugova është simbol i ruajtjes së dinjitetit kombëtar, përfaqëson jo vetëm një figurë politike, por gjithashtu një njeri që ka luftuar për vlerat dhe idealet e kombit të tij.
Kjo poezi përkushtimore përfshin historinë më të re etnike, shndërrohet në një pamje të identitetit kolektiv të këtij populli, për ta ruajtur kujtesën historike dhe për t’i lartësuar vlerat dhe sakrificat e tij. Ajo krijon lidhje mes të kaluarës dhe të tashmes, në mënyrë që populli ta mbajë gjallë historinë e tij etnike, ta njohë forcën e tij dhe të ndihmojë në formimin e një të ardhmeje të fuqishme dhe të qëndrueshme.
Na duket sikur te kjo poezi lexojmë rrëfimet e brendshme të shpirtit, për ta shprehur atë që është e papërshkrueshme me fjalë të zakonshme. Janë çaste-ngjarje të vetë-reflektimit dhe ndeshjes me ndjenjat e brendshme. Na ligjëron, ky folës lirik, Poeti e Udhëheqësi, si udhërrëfyes që na drejton përmes labirinteve të shpirtit tonë, një reflektim që tregon atë që ndodhet nën sipërfaqe. Vjen si histori e pashkruar e shpirtit, që tashmë shqiptohet poetikisht.
Shpirti është një hapësirë e pafundme, një botë brenda një bote, e vështirë të perceptohet dhe të përshkruhet. Na shfaqen si një ajgëtim ato shtresa të thella të qenies njerëzore që janë shpesh të padukshme, të papërshkrueshme dhe të paprovuara.
Për të kuptuar shpirtin, shpesh ne kthehemi në vetëdijen që kemi për vetveten. Kështu i kthehet edhe poeti vetvetes, përmes ligjëratës së zhdrejtë, vetes së tretë, identifikimeve të shumta…
21 janar 2025
_________
SABRI HAMITI
RUGOVA
1.
Se Hyji në tokë ka pamje Njeriu
Dhurata jote qe veç dashuria
Kur pret stuhia e ngrin veriu
Si buka si uji ka shijen liria
Qiellit prek yje si lule në fushë
Pa e LËNË fushë ta kafshojë malin
Kalove ylberin e vare në gushë
Po kur shtrëngata shalonte kalin
Ti mbolle drurin që i thonë jetë
Në kreshtën tënde me diellin kunorë
E bartë dhembjen e udhës përpjetë
Me lotin e vokët që shkrin dëborë.
2.
Po të shikoni një grumbullim Hini
Kujtoni sa i madh ishte Zjarri
Secili mërdhezet e mos mërdhini
Kush në vrapim me dalë i pari.
–
Isha fort i butë me më thanë Hyjní
Një trup i gurtë përmbi bregore
Isha fort i qetë me më thanë Njerí
I gjallë për jetë në zemrat njerëzore
Luta tokë e qiellit në shqip ligjërimin
Bota e kuptoi me gjuhën e vet
Malet dhe tundën e gjetën shpëtimin
Në Lumbardh e Drí shpirti ra i qetë.