04/10/2024

LIGJËRATË PËR LETRARËT E RINJ

0

FEJTON

NGA PROF. DR. RESMI OSMANI

Nga t’ia nis, nga t’ia filloj? Janë aq shumë ndodhi sa e kam  zor t’i rrëfej, ca më shumë se edhe mund ta mërzis lexuesin durimmadh. Do ta filloj nga gripi. Si edhe gjetkë, qyteti ynë i vogël nuk u shpëtoi epidemive të gripit:Gripit të derrit, gripit të pulave,të zogjve, gripit të qenve, por ndryshe nga qytete e krahina të tjera, tek ne u shfaq një epidemi e re, “gripi i të shkruarit”. Epidemia ishte e rëndë infektuese, në dukje e pashërueshme dhe u përhap shpejt si flama e pulave.Nuk shfaqej me temperaturë, por me dalldi dhe të folur përçart, që zgjonte dellin artistik, që nga mosha e kopshteve deri te të moshuarit e mbaruar që kishin zënë radhën për në botën e amëshuar! Shkruheshin nga të rinjtë e të rejat sidomos poezi për dashurinë,nga rapsodët bejte, prozë gjithfarëshe,nga gjyshët e gjyshet përralla, por kryesisht kujtime për heroizmat e dikurshme. Mjekët e spitalit, edhe ata të molepsur nga virusi, nuk po dinin ç’emër t’i vinin. Astrologia e famshme Meri Rrena, tha se virusi vinte nga planeti Mars dhe e kishin sjellë alienët, kurse virologu Leonard Hiçi, e emërtoi WPP-15 dhe njoftoi për zbulimin OBT dhe propozoi që qyteti të vihej në karantinë.Thanë se për këtë do t’i jepej nga Akademia Suedeze, Nobeli për shëndetësi. U krijuan shoqata,OJQ, bashkësi dhe filluan të shapallen konkurse, ishin me qindra dhe mijra konkurimet saqë komisionet nuk arrinin ti lexonin dot, por sido qoftë filluan të shpallen fituesit dhe të jepen  çmime, me ceremoni madhështore.Shoqata e poetëve dentist,”Dhëmbi i artë” dha çmim të parë për poezinë “O lele ç’më dhemb dhëmballa”, ajo e gjinekollogëve për “Hapa shalë, bëra djalë!”, e gjuetarëve, “Ariun e artë” për “Mora çiften dola për gjah”, e berberëve dhe parukierëve “Krehëri i artë”, poems epike ”Më rrove të rrova,brisku i berberit”, e blegtorëve”Qëngji butë lara-lara”, e taksistëve”Udhëtim i lumtur” , poemës erotike ”Aman shofer, më puth dhe një herë”. Çmime pafund ”Pena e mjellmës”, “Pena e pates”,”Pena e palloit” u krijua kësisoj paria e artistëve të fjalës, që ishin ajka dhe krenaria e krijuesve të qytetit dhe krahinës sonë. Pati një bum të shtëpive botuese. Në shtypshkronjë s’merrnin dot frymë, u detyruan të punonin me tre turne, përditë dilnin libra të rinj. Tregu i librit pati lulzim të paparë. Librat shiteshin por edhe faleshin kudo: në markete, kjoska, trotuare, te shitsit e fruta-perimeve.Autorët të lumtur e të kënaqur jepnin autografe me shkrim të palexueshëm. Televizioni lokal futi në program orën letrare. Nuk pati xhelozi dhe cmirë se pothuajse nuk mbeti kush pa marrë një çmim e pa një botim.

Ca kohë, jeta e qytetit u paralizua. Të gjithë u mbyllën brenda apo morën arratinë,pyjeve, maleve, burimeve e zabeleve, ditën në diell dhe natën nën yje. Buka dhe artikujt e tjerë ushqimorë të domosdoshëm nisën të vinin nga dy qytetet fqinjë.Shkrimet, vërshuan si lumë në fejsbuk,në portalet elektronike te internet gazetave. Pëlqimet dhe lavdërimet ishin të pafundme dhe fantastike, për vlerën dhe bukurinë e jashtzakonshme sidomos të poezive të dashurisë të shkruara nga femrat. Në qytet nisi të botohej gazeta “Mesnata” e cila nga e përjavshme u kthye në të përditshme, të gjithë prisnin me padurim botimin e krijimeve të tyre dhe nuk linin rast pa falnderuar e lavdëruar botuesin Lame Kamberi, i cili për çdo numër shkruante një esse të ndjerë.  Kur u velën me të shkruar, e kuptuan se duhej edhe të punonin dhe nëpër rugët e qytetit u vunë re lëvizjet e para. Për çudi gjithë meshkujt kishin rritur mjekrat e mustaqet,por kishin rruar kokën kjo ishte pjesë e domosdoshme e portretit të një shkrimtari e poeti modern, e një artisti të vërtetë. Femrat, u kishin punuar qindin flokëve, në ngjyrosje, qethje në tëmbla dhe krehje në formë kreshte, që u quajt moda e poeteve.

Kur u lehtësuan nga ethet dhe u ra temperature e krijimit, të rinjtë u kujtuan edhe për ne, që na quanin “Gunat e vjetra” E kuptuan qës’bënin dot pa përvojën tone.  Kuptohet, që i pari më me emër , më i njohuri, më i talentuari, maja më e lartë  isha unë, që kisha shkëlqyer në qiellin e poezisë si një yll, pas viteve 90-të. E pranova me modesti ftesën për të mbajtur një leksion këshillimi artistik për letrarët e rinj. U shpërndanë ftesa, lajmërime ne fejsbuk, shpallje në vende të dukshme tejembanë qytetit. Rrëmeti rrodhi si rrëketë e malit, jo vetëm nga qyteti ynë por edhe nga ata fqinjë. Salla ishte e tejmbushur, shumë kishin mbetur pa vende, të tjerë ishin te shkallët dhe në oborrin e pallatit të kulturës. Kishin ardhur edhe invalidët dhe paralitikët të ngujuar në karrocat e tyre që i shtynin familjarët.Nuk mungonin as shurdhët dhe të verbërit. Për ta u vunë altoparlante. Kryebashkiaku, e shpalli ditë pa makina dhe vetë erdhi me biçikletë. Shefi i rendit shtoi patrullat për të mbajtur rregullin. Ishte një ditë e madhe, por unë jam stekë e vjetër, nuk më rrëmbejnë emocionet. E lashë gjindjen të priste, por jo sa të humbiste durimin. Kur hyra në sallë, gjindja u ngrit në këmbë dhe shpërthyen duartrokitjet. Përshëndeta me kokë e me dorë majtas e djathtas si me pa sajdi, dhe me hap të sigurtë u drejtova për në foltore. Krah meje kasha edhe time shoqe, Zymbylen, që përveçse muza ime, lexuese e parëe veprave të mia, ishte edhe partnere, pjesë e skuadrës.

Dola në foltore. Salla, ende pa hapur gojën, ushtoi nga duartrokitjet. E kuptoni de, për mua, aq i njohur isha bërë. Por e pashë të udhës të bëja një vetparaqitje, para auditorit dhe u thashë: ”Të nderuar letrarë, poetë e poetesha, prozatorë, tregimtarë, novelist e romancierë, eseistë, rapsodë e përralltarë të qytetit tone, miq e dashamirë të letërsisë. Jam krenar për ju,që jeni mburrja diturake e qytetit tonë dhe jam sinqerisht krenar qe me ftuat pikërisht mua për këtë ligjërate, por më parë, për ata që s’kanë patur rast të më njohin, le të njihemi: emëri im në defterët e gjëndjes civile, është Muço Zavalli. Eh, midis qindra emrave, im atë, që i ndrittë shpirti aty ku prehet, gjeti tamam këtë. Një miku im, kur lexoi vjershën time të parë në gazetën “Vetëtima”, u përlot nga emocioni, por e dini ç’më tha? E bukur vjersha, po çe do,mender zonjave të pranishme, mut emri mut mbiemri! Nuk e desha veten, dhe që atëhere emri  im i artit, siç e dini është Bilbil Gjyzari. Nuk dua tu flas për vete, është e tepërt, mjaftojnë librat e shumtë të  botuar, çmimet e fituara dhe titujt e nderit, por nuk mund të rri pa folur sesi i kam arritur ato suksese, gjë që besoj do t’u shërbejë shumë.

Miqtë e mi. Të shkruarit, të bërit letërsi, është një punë që bëhet vetëm, pra tepër vetiake, për kënaqësi, për qejf, në ekstazë, si një masturbim shpirtëror. Kur shkruani, nën përqafimin e muzës, harrojeni atë për të cilin shkruani, lexuesin, pasi nuk e vlen, shpesh ai është  i paditur, i mungon shija dhe formimi, injorojeni atë, poeti duhet të jetë narcissist, t’i pëlqejë vetja, të ngazëllehet, emocionohet bile të mallëngjehet nga bukurirat dhe mendimet e larta që shkruan. Mos u qederosni se ç’do te thonë të tjerët, kritizerët, ziliqarët, ngjelkat e letërsisë,që do t’u quajnë shkarrashkrues, zhgarravitës e letërnxirës su plas fare! Ata janë hiena që ushqehen me kërmat e artit. Shpërfillini, ruani qetësinë. Ky është ekuilibri shpirtëror, paqja e shpirtit krijues.

Cilat janë rregullat, kush janë principet? S’ka rregulla, ska principe, quajini dogma, me dogma nuk bëhet art. Thyejini kornizat, shkallmojini rregullat, çlirohuni nga dogmat: rroftë liria e krijimit. Këputini zinxhirët. Duhet të jeni novatorë, krijoni një gjë të re ,të paparë dhe gjithmone nje hap para nga më të mirët. Anarkia është mëma e rregullit! Vargje të lira, vargje të thyera, në daçi të shqyera, njëfjalëshe, njëshkollo0në, pa strofa, pa fillim e pa fund, rroma për toma. Prozë dyste, pa shenja piksimi, pa paragrafë, fjalë pafund, pa fillim e pa mbarim, diçka të pezullt, të ëndërrt si në ethe në kllapi e përçartje, që lexuesi të çoroditet, por edhe të tronditet.Shkruani atë që ju as vetë nuk e kuptoni, pasi paqartësia është  vetë qartësia, nuk mund të kthjellohet po s’u turbullua! Kërkoni dritën në errësirë dhe errësirën në dritë. Pas kësaj famën e keni te dera dhe do të flitet vetëm për ju! A nuk është kjo ajo, që keni ëndërruar?

Po gjuha? O tempora, o mores! Flakeni tej standardin, këputini prangat e tij, shkruani gjuhën e nënës, të fshatit, të krahinës, bëhuni Buzukët e rinj, sa më shumë fjalë të panjohura e të pakuptueshme aq më me vlerë të shkruarat. Le të mbeten gojëhapur si guakë gjuhëtarët. Që të jesh shkrimtar i madh e poet i famshëm, nuk duhen më shumë se dyqind fjalë. Mos e lodhni mendjen, të krihni dhe kërkoni fjalën, hidhini fjalët ashtu siç i dini dhe si ju vinë. Silluni mbi to si kali në lëmë, ku përzjehen tok byku dhe kokrrat! Mjaftojnë e teprojnë. S’ka fjalë të ndaluara, vetë ekzistenca e tyre është liria e përdorimit. Fjalët më të bukura janë të shëmtuarat. Bukuria shkëlqen nga shëmtimi dhe përçudnimi.  Banaliteti dhe natyralizmi është fisnikëri. Arti modern, nuk pranon finesë e delikatesë, por vrazhdësi, e ashpërsi, abstraksion në formë dhe pakuptishmëri në përmbajtje.Të të vërë në mendim, makar të të lerë edhe pa gjumë, por të mos ketë spjegim.

Përse duhet të shkruani? Ah miq dhe mikesha të artit të letërsisë, temat janë pa fund. Veteranë të nderuar, shkruani kujtimet sesi e keni vrarë kuçedrën, për bukurinë e fshatit tuaj që e kapercen atë të Parisit. Ju gjuetarë, sesi e keni rjepur lëkurën e ariut pa e vrarë atë, ju berberë si i rruani klientët pa i lagur. Tregtarë të nderuar, si ua boshatisni xhepat klientëve tuaj. Shkruani për gjëra që as i dini as i keni jetuar. Ju të rinj e të reja, s’keni pse të lodheni. Shkruani për dashurinë, ngazëllimet, drithërimet e shpirtit lektisjet, leqendisjet, tradhëtitë, çgënjimet, lotët dhe qurret, keni tema për gjithë jetën dhe s’do ti mbaronit dot. Pa janë dielli dhe hëna, yjet dhe qielli, galaktikat dhe universi, retë shiu dhe era, pemët , lulet, zogjtë dhe fluturat. Lum si ju për begatinë e motiveve. Prozatorë: verini personazhet të bëjnë seks të egër, pasionant, si i thonë anglezët”Hot” çvishini çipllak, rrëfeni gjithë imtësirat, saqë kur ti lexojnë të moshuarit tu bjerë dambllaja, kurse të rinjve t’u ikë fiqiri. Thurni rrjetën e intrigave, befasirave, krimeve të përgjakshme, të llahtarshme dhe ligësive tmerruese.  Zonja që jeni bërë nëna, shkruani për tmerrin e urryer të dhimbjeve të lindjes, që vajzat të llahtarisen e ta dine seç’i prêt, që jeta nis me një pellg gjaku, një lumë qumështi dhe klithma e të qara.

Kur duhet shkruar? Faleminderit që e bëtë këtë pyetje. Frymëzimi nuk njeh as kohë as hapsirë. Mbani me vete një bllok shënimesh dhe shkruani kudo që ndodheni, në kafe, në shëtitje, po ruhuni mos u shtypin makinat, në prag gjumi sa herë të keni ngacmimin e muzës, të atij që quhet frymëzim. Shkruhet në letër, por edhe në mendje. Por koha ideale është mesnata deri sa të këndojnë gjelat e parë. Vetmia, qetësia e mistershme, shfaqia e gjerave si të mjegullta, të tymta, i japin krijimit kuptim fluid. Sido që thonë se nata është ditë pa drita, nuk e mendoj ashtu. As Shekspiri nuk e mendonte ashtu, në këtë kohë ai nxirte shtrigat dhe fantazmat, shpirtrat e të vdekurve. Kur këndojnë gjelat, fantazmat marrin arratinë, atëhere edhe ju ndërpriteni të shkruarit, dorzojani veten gjumit, që edhe ai me ëndërrat është vazhdim i krijimit! Punoni punoni,punoni! Shkruani, shkruani dhe shkruani! Arti është i pafund, jeta e shkurtër, ose si e kanë thënë latinët”Ars longa vita brevis”Është e trishtueshme por fatalitet, ç’do ditë që ikën është një ditë më pranë fundit! Por ju mos e mendoni këtë se do të bini në pesimizëm. Arma juaj e përjetësisë është arti!

Edhe një porosi të fundit: Jini ambiciozë, se ambicja është forca e përparimit, por mos jinni ziliqarë, mos i lini vend cmirës, se ajo është gërryese dhe ju dëmton talentin dhe shëndetin. Qielli i letërsisë është i pafund.Aty ka vend për tërë yjet.  Në fejsbuk, në internet gazetat, jepni pëlqime për të njohur e të panjohur, lavdërime, lavdërime pafund, edhe kur është e zezë bëjeni të bardhë, edhe kur është e shëmtuar bëjeni të bukur, edhe kur është marrëzi thoni që është mençuri, edhe kur nuk u ngjit dhe u prek thoni se jeni shumë të emocionuar, jeni përlotur dhe gjë më të bukur s’keni lexuar.Ky është lumturim për kolegët.  Kjo është alfa e përgatitjes suaj për të qënë kritikë…..

Fola e fola sa mu mpiks pështyma e mu tha goja.

Kur mbarova ligjëratën time akademikike, shpërthyen duartrokitje të forta, aq sa u drodhën llampadarët dhe nga tavani ranë ca cefla gëlqere. Ata ishin të lumtur se dëgjuan atë që dëshironin dhe unë ngaqë mu dha rasti të shisja diturinë dhe shtuar famën time.

Veprimtarinë e dha të plotë televizioni lokal “Alfa & Omega”, kurse gazetarja e shquar Olta Fusha, më mori një intervistë me titullin”Manifesti i artit modern” që bëri jehonë të madhe.

Pata edhe ca telefonata nga ca fanatikë dogmatikë që më bënë rrezil, por mua më është bërë lëkura shuall dhe nuk dua t’ia di nga ca të tillë mëndje mukur.

Miqtë e mi, fama ka çmimin e saj!

Tiranë, dhjetor 2015

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok