23/04/2024

LIBËR QË THELLON NJOHJEN E VEPRAVE STUDIMORE  DHE LETRARE TË ANTON NIKË BERISHËS

0

Rreth librit “Vepra që hapin horizonte të gjera shikimi dhe frymëmarrje” të studiuesit Timo Merkuri. Botoi Shtëpia Botuese Beqir Musliu, Gjilan 2022

NGA MIKEL GOJANI

Këto ditë studiuesi nga Saranda, Timo Mërkuri, botoi librin me titull: “Vepra që hapin horizonte të gjera shikimi dhe frymëmarrje”- Rreth disa veprave shkencore dhe letrare të Anton Nikë Berishës.

Librit është konceptuar në pesë pjesë: Studiuesi i letërsisë gojore; Studiuesi i letërsisë së shkruar; Romancieri; Poeti dhe Rreth librave kushtuar veprave të Anton Nikë Berishës.

Duke folur për disa vepra letrare dhe studimore të Berishës autori Mërkuri thekson se qofshin ato poetikë, qofshin studimorë, janë krijime që të hapin horizonte të gjera shikimi dhe frymëmarrje. Mirëpo, është fakt i rëndësishme se ato frymëzojnë për të shkruar mbi temat e trajtuara prej tij, sigurisht për të shkruar më tej, apo për t’i pasqyruar nga këndvështrime të tjera idetë që lindin si filiza të rinj gjatë leximit […] Kjo është më se e natyrshme, dashuria ndaj fjalës poetike është më e madhe se dashuria ndaj poetit, Madje shpesh herë emri i një poeti na kujtohet për shkak të vargjeve të tij dhe jo e kundërta.

Sipas Mërkurit, veprat letrare dhe studimore të Anton Nikë Berishës i ndriçojnë një varg veçantish, “mistere” dhe të fshehta të gjuhësisë dhe të artit të fjalës shqipe nëpër labirintet e shekujve duke na ftuar që ta ndjekim jo atë, por dritën që reflektojnë këto veçanti. Kështu, në vazhdën e këtyre vlerësimeve vihet në dukje se këto vepra të Anton Nikë Berishës përligjin aftësi, dije të thellë dhe vlera të mëdha, prandaj si të tilla duhet të lexohen disa herë për t’i bërë pjesë të dijes dhe të pasurisë sate shpirtërore dhe estetike.

Letërsia gojore në shqyrtimet e Berishës

Meqenëse Anton Nikë Berisha njihet si studiues i shquar i letërsisë, qoftë asaj gojore, qoftë asaj të shkruar, dhe se me veprat e botuara në këtë fushë ka lënë gjurmë të thella në botën tonë studimore dhe shkencore, Mërkuri i ka bërë objekt studimi nga aspekte të ndryshme. Kështu, duke folur për librin studimor të Anton Nikë Berishës “Këngë që përligjin pasurinë shpirtërore të shqiptarit dhe botës së tij – Qasje këngëve kreshnike”, thekson se është një nga ato studime të rralla që Berisha e ka bërë me përkushtim e dije, ku shpalosen shumë fakte dhe dëshmi të rëndësishme; theksohet se Këngët e kreshnikëve i cilësojnë elemente të periudhës së matriarkatit, pra i bie të jenë krijime para homerike dhe se janë krijime të kombit tonë dhe dëshmi e pasurisë shpirtërore të tij. Pra, në Këngët kreshnike provohet  sistemi i vlerave etike të shoqërisë homerike.

Mërkurit merret në veçanti dhe me studimet e Anton Nikë Berishës “Mbi rapsoditë e botuara nga De Rada më 1966”, që janë pjesë e librit studimor të Berisha: “Interpretime së letërsisë së arbëreshëve të Italisë” etj., ku gjurmohen në thellësi vlera të rëndësishme nga kjo fushë dhe të Këngës së Pal Golemit, që është një thesar poetik.

Studiues i letërsisë së shkruar

Në librin e vet Mërkuri e ndriçon kontributin e prof. dr. Anton Berishës në studimin e letërsisë sonë të shkruar, duke vështruar në mënyrë të veçantë studimin monografik “Gjon Buzuku-poeti ynë i parë”. Që në parathënien e këtij studimi Anton Nikë Berisha na paraqet një seri të dhënash që përligjin mendimin se vepra “Meshari nuk është thjeshtë një përkthim i ndonjë vepre tjetër kishtare me autor përkatës, nuk është thjeshtë një seri shkrimesh të shenjta, të përzgjedhura dhe të përkthyera nga Gjon Buzuku e më pas të lidhura në një libër, por është më shumë se kaq”, pohon Mërkuri. (f. 73).

Duke u marrë me Psalmet e hartuara nga Gjon Buzuku e të botuara në “Mesharin” e tij, Mërkuri thekson se ato nuk janë krijime të rëndomta, por të një niveli të lartë artistik të shkruara me pasion dhe frymëzim artistik.

Në vijim studiuesi nga Saranda na i shfaq përsiatjet dhe vlerësimet e tij rreth disa aspekteve të studimit të Berishës “Pjetër Budi – poet dhe prozator”. Në mënyrë të veçantë Mërkuri ndriçon afrinë e poezisë së Budit me poezinë tonë gojore: “Ishte fakt: poezitë që Budi i shkroi bënin jetën e poezive të artit gojor, sepse ato recitoheshin në kishë ose tubime të ndryshme festash fetare për arsye se ishin krijime me frymë fetare dhe stil gojor. Ndaj themi se për nga struktura poetike, stili, fraza, nga rima e metrika, poezia e Budit ka lidhje organike me poezinë gojore. Jemi në fazën që të dy format e artit ushqejnë dhe mbajnë njëra tjetrën, madje Budi shkroi me vetëdije poezitë sipas strukturës së vargut gojor” (f. 92).

Bota e pasur poetike e romane

Në librin “Vepra që hapin horizonte të gjera shikimi dhe frymëmarrje”, Mërkuri i vështron dhe dy romane të rëndësishme të Berishës: “Gjin Bardhela i arbëresh – Etja e gurëzuar dhe “Nëna e dritës”.

Sipas tij romani “Gjin Bardhela i arbëresh – Etja e gurëzuar” është njëra nga veprat më të rëndësishme të Berishës po dhe të prozës shqipe, për të cilin janë shkruar e botuar 53 punime. Kjo vepër ngërthen një stil të veçantë, i cili, siç theksonte Amik Kasoruho, më tepër flet për “dukuri e ndjenja se për ngjarje”, ku bie në sy një gjuhë e rrjedhshme dhe e pasur, ku dominojnë figurat e gjalla dhe të skalitura. Mërkuri shkruan se romani “Gjin Bardhela ”[…]  ka një subjekt të ndërtuar me momentet më kulturore të historisë, si kështjellat e vjetra të vendit tim ndërtuar me gurë pellazgjikë. “Te muret e këtyre kështjellave s’ka vend për guralecë nivelizues apo për shtresa llaçi lidhës. Pesha e gurëve bën vetvetiu lidhjen e mureve në atë mënyrë që, as tehu i thikës nuk depërton dot mes tyre dhe as tërmeti nuk i ndan dot nga njëri – tjetri. Dhe pavarësisht gjakut të derdhur në muret e tyre ndër shekuj luftërash, pavarësisht shiut të rënë mbi to e gjyleve që shpërthenin mbi bedena, ato emetojnë drejt kohëve të ardhme një dritë të bardhemtë, sepse janë të bardha kështjellat tona, janë Ak Hisar, siç e quanin turqit kështjellën e Krujës, “Kështjella e Bardhë” (f. 112).

Interesant dhe tepër mbresëlënëse janë dhe rrëfimi për çastet e fundi të jetës së Gjon Bardhelës, i cili nis dhe bisedon me të vdekurit, shpirti i tij takohet me shpirtrat e tyre, merr porositë e fundit, kujton ngjarjet e përjetuara me ta, legjendat me të cilat është rritur, dialogun me të nesërmen, një dialog që shndërrohet në një projektim për të ardhmen. Personazhet që frekuentojnë në roman janë shpirtra arbërorë, që në ngjallje kanë shkruar historinë e Arbrit, ndërsa pas vdekjes s’kanë zbritur në parajsë po ferr, por kanë mbetur në kujtesën e kombit, për t’u përcjellë brezave të ardhshëm arbëreshë veprat e tyre sublime, të shndërruara në legjenda që u jetojnë kohërave.

Duke e vështruar romanin “Nëna e dritës”, që i kushtohet figurës së shquar të kombit dhe të humanizmit botëror, Nënës Tereze, Mërkuri shpalos faktin se A. N. Berisha përmes një proze, artistike të skalitur me mjeshtëri, e shpreh figurën e saj, ku përmbushet portreti autentik human, i ngjizur me përkushtimin shpirtëror e hyjnor. Pra, rrugën jetësore dhe gjithë veprimin dhe flijimin e kësaj Nëne të Dritës, e përshkon përshpirtshmëria e thellë dhe lutjet e vijueshme për paqe dhe mirëqenie të njeriut kudo qoftë ai dhe çdo besimi që i përket.

Vargje poetikisht të nivelit të lartë

Në pjesën e katërt të librit studiuesi Mërkuri ka përfshirë punimet për dy librat në poezi të A.N. Berishës, “Prushi i bukurisë” dhe “Hire të vetmisë”.

Edhe në këtë fushë Berishës jo vetëm që zë vend të rëndësishëm në letërsinë tonë të sotme, por njëkohësisht ka ushtruar dhe ndikim në rrjedhat e përgjithshme të saj. Mërkuri thekson se Berisha është poet me fizionomi dhe individualitet të mëvetësishëm. Brenda përbrenda traditës sonë letrare, Berisha krijon vargje me ngjyrim të veçantë, që në mbështetje të përvojave të ngritura, kanë vulën e botës dhe të shpirtit individual të poetit. Në këto poema vargjet dallojnë nga vargu tradicional, sepse autori përdor një stil të ndryshëm nga të shprehurit tradicional, duke ndërtuar një krijim të mëvetësishëm me një mendim të thellë filozofik dhe vlera të larta artistike. Ngushtë lidhur me këtë studiuesi Mërkuri konstaton se Anton Nikë Berisha është së pari një poet, krijimtarinë poetike të së cilit duet ta dish ta lexosh për ta ndjerë dhe për të vënë komunikim me të, sepse vargjet e tij janë të përpjeta për t’u ngjitur dhe jo stola lulishteje për të dremitur […] Me këtë vepër Anton Nikë Berisha na tregon si mund të shkruhet poezia e mirëfilltë sot”.

Një frymë e ngjashme e përshkon edhe veprën “Hiret e vetmisë”, të autorit A. N. Berisha, e cila kërkon përqendrim për të komunikuar mirëfilli me të, përkatësisht për t’u thelluar në kuptimin e vargjeve veç e veç dhe të veprës si tërësi, siç shprehet edhe vetë Mërkuri: “Janë vargje në një shtrat filozofik, por njëherit fjalët janë të kuptueshme dhe ritmi i tyre nëpër vargje këndon si “gjashtë bilbila”, dhe u dhënë soneteve një muzikalitet tipik që është e dallueshme të poezia e Anton Nikë Berishës […] Leximi i këtyre 35 soneteve të Anton Nikë Berishës dhe përjetimi i tyre do t’i japë hapësirë të madhe mendimit, një thellësi të re gjykimit dhe një largësi dritës shumëngjyrëshe vështrimit – pasurimit tonë poetik”.

Në fund autori ka vënë dy punime për dy libra të autorëve që kanë shkruar për librat kushtuar veprave të Anton Nikë Berishës. Konkretisht, për veprën e Fatmir Mingulit “Vepra që i bëjnë nder letërsisë dhe botës sonë”. Mbi disa vepra letrare dhe shkencore të Anton Nikë Berishës (Shtëpia botuese ”Faik Konica”, Prishtinë 2019) dhe për “Vepra me rëndësi të shumëfishtë” të Ajete Zogaj (Shtëpia botuese ”Faik Konica”, Prishtinë 2021).

Marrë në tërësi mund të them pa u mëdyshur se vëllimi “Vepra që hapin horizonte të gjera shikimi dhe frymëmarrje” i Timo Mërkurit është një libër sa i veçantë dhe me rëndësi të shumëfishtë, po aq me vlera të pamohueshme studimore.

Klinë, tetor 2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok