KUR NJË PUSHTET I KORRUPTUAR HARTON LIGJE PËR TË IMUNIZUAR VETEN, KUSH E MBRON QYTETARIN…!?
Nga Ilir Çumani
Ditët e fundit, në rrjete sociale po qarkullon një material audio, në të cilin dëgjohet qartë dhe pa ekuivok zëri i deputetit socialist Ulsi Manja, njëkohësisht edhe Kryetar i Komisionit Parlamentat të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë.
Në këtë material, z. Manja i drejtohet personalisht, (duke e përmendur me emër), deputetes Aulona Bylykbashi, dhe, në prani të kolegëve të tij socialistë në këtë komision, shprehet hapur dhe në mënyrë të prerë:
“Qëllimi është që, për Guvernatorin e Bankës, zonja Bylykbashi, të mos merret asnjë masë shtrënguese ndaj tij, për shpërdorim detyre. Pikë! Shumë qartë…”
Një deklarim i tillë, i shprehur në mënyrë kaq kategorike gjatë një mbledhjeje të një komisioni parlamentar dhe në prani të deputetëve të tjerë, meriton vëmendje të veçantë, por mbi të gjitha kërkon një sqarim të plotë dhe publik.
Kjo është edhe më e domosdoshme për shkak të ndjeshmërisë dhe rëndësisë së çështjes që preket, e cila lidhet drejtpërdrejt me interpretimin dhe përcaktimin e përgjegjësisë ligjore për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, si dhe me masat ligjore që mund të ndërmerren në raste të tilla.
Pra, Kryetari i Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, jo vetëm shpreh qëndrimin e tij, por kërkon t’ua imponojë atë edhe ligjvënësve socialistë, duke i vënë në rresht përmes diktatit të shumicës parlamentare dhe votave të kartonave.
Në këtë mënyrë, ai del hapur në mbrojtje të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, duke i ofruar një mbështetje të paprecedentë dhe të pakushtëzuar edhe në rastet nëse ai do të përballet me akuza “për shpërdorim detyre”.
Ky deklarim, i koordinuar antikushtetues, afërmendsh i dirigjuar nga Kryeministri Edi Rama dhe i artikuluar përmes zërit të tij në Komisionin e Ligjeve, Ulusi Manjës, synon të imponojë, pa asnjë konsultim apo debat parlamentar, një mburojë të re imuniteti për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Një mburojë, që kërkohet t’i jepet pikërisht në një kohë kur mbi të rëndojnë akuza dhe pikëpyetje serioze: nga skandali i mikrokredive dhe mënyra e menaxhimit të tregut valutor, deri te pretendimet për punësimin në Bankën e Shqipërisë të familjarëve të politikanëve të mazhorancës dhe opozitës.
Në vend që të kërkohet transparencë e llogaridhënie, po tentohet të ndërtohet një tjetër mur mbrojtës institucional.
Por, a është ky një mekanizëm për të garantuar pavarësinë e institucionit apo një mburojë politike ndaj përgjegjësisë?
Drejtësia dhe kryesisht SPAKU, duhet të hetojë që faktet të bëhen publike dhe askush të mos jetë mbi ligjin, pavarësisht postit apo lidhjeve politike.
Nisur nga ky episod flagrant, i ndodhur në Komisionin e Ligjeve të institucionit më të lartë kushtetues, lind pyetja:
Me çfarë të drejte z. Ulusi Manja, harton, propozon dhe imponon ligje antikushtetuese që u shërbejnë politikanëve dhe zyrtarëve më të lartë të shtetit, të cilët abuzojnë me pushtetin, shpërdorojnë detyrën dhe cenojnë interesin publik, duke u krijuar imunitet nga përgjegjësia ligjore?
Mos vallë ligji është kthyer në privilegj dhe pronë private për pushtetarët dhe zyrtarët e lartë, ndërsa për qytetarët e zakonshëm dhe të pambrojtur shërben si një “kamxhik” ndëshkues, me të cilin mund të fshikullohen sipas dëshirës dhe oreksit të pushtetit?
Mos vallë ligjet hartohen sipas interesave dhe nevojave të Ramës dhe Ulusiut, për t’u përdorur si instrumente presioni dhe ndëshkimi ndaj qytetarëve, ndërkohë që ata që ushtrojnë pushtetin sillen sikur qëndrojnë mbi ligjin?
Apo, parimi themelor i shtetit të së drejtës, sipas të cilit ligji është i barabartë për të gjithë dhe askush nuk mund të qëndrojë mbi të, vlen ende në Shqipërinë e sotme, ku prej muajsh sheshet buçasin nga protestat e qytetarëve dhe studentëve, të cilët ngrihen pikërisht kundër korrupsionit qeveritar dhe këtyre standardeve të dyfishta, që në fakt, kërkojnë barazi përpara ligjit?
Në një shtet të së drejtës, askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe askush nuk duhet të ketë privilegjin të mbrojë veten me ligje të hartuara sipas interesave të veta.
Ligji duhet të jetë mburojë për qytetarin dhe shpatë kundër abuzimit me pushtetin, jo strehë për ata që e keqpërdorin atë!
Përballë kësaj toblloje, a po ndërtojmë një shtet të së drejtës, apo një sistem ku ligji bëhet mburojë për ata që kanë pushtetin?
Ajo që ka ndodhur në një parlament me shumicën e kartonave të mazhorancëa docialiste, nuk është thjesht një debat për nene, paragrafë dhe procedura ligjore, por një çështje sensitive që prek drejtpërdrejt themelet e demokracisë, barazinë para ligjit dhe besimin e qytetarëve te shteti.
Shqipëria po përballet me një debat thellësisht shqetësues: ndryshimet që lidhen me kufizimin e mundësisë së pezullimit nga detyra të funksionarëve të lartë, përmes ndërhyrjes në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, dhe miratimi i ligjit të ri për “Bankën e Shqipërisë,” me mbrojtjen e posaçme procedurale të parashikuar në nenin 72 për Guvernatorin.
Të dyja këto nisma, duhen shqyrtuar me vëmendje të veçantë, secila në përmbajtjen, qëllimin dhe pasojat që mund të sjellë.
Pavarësia institucionale është një parim themelor dhe i panegociueshëm i shtetit të së drejtës. Por, ajo nuk mund të shndërrohet në paprekshmëri për titullarët e institucioneve, ashtu sikurse garancia për ushtrimin e pavarur të funksionit nuk mund të përdoret si strehë për t’iu shmangur përgjegjësisë ligjore.
Askush dhe asnjë institucion nuk mund të jetë mbi ligjin.
Nëse kjo nuk garantohet, atëherë çdokush ka të drejtë të shtrojë një pyetje të thjeshtë, të drejtpërdrejtë dhe thelbësore: Kush i kontrollon ata që ushtrojnë pushtetin dhe kontrollojnë institucionet e shtetit?
Kush e mbron interesin publik kur një ministër dyshohet për shpërdorim detyre? Kush garanton që drejtuesit e institucioneve financiare të japin llogari për vendimet dhe veprimet e tyre? Mbi të gjitha, çfarë mesazhi merr qytetari i zakonshëm, kur sheh se për njerëzit në majat e pushtetit krijohen garanci dhe mburoja të posaçme, ndërsa ndaj tij ligji zbatohet me të gjithë forcën e tij ndëshkuese?
Askush nuk kërkon që një ministër, një guvernator apo një drejtues institucioni të dënohet pa vendim gjykate. Sikurse, askush nuk po kërkon që institucionet të funksionojnë nën presion politik apo gjyqësor.
Por, të gjithë duan dhe kërkojnë diçka shumë më themelore: që askush të mos jetë mbi ligjin!
Imuniteti duhet të mbrojë funksionin nga presionet dhe ndërhyrjet arbitrare, jo individin nga hetimi dhe përgjegjësia. Përndryshe, ku përfundon pavarësia institucionale dhe ku fillon privilegji personal?
Është e papranueshme që ligji të perceptohet si një mekanizëm që përshtatet sipas nevojave të atyre që e hartojnë dhe e votojnë. Parlamenti nuk është pronë e shumicës qeverisëse, por institucioni që duhet të garantojë interesin e të gjithë qytetarëve, edhe të atyre që nuk e kanë votuar shumicën.
Këtu, lind pyetja më e rëndësishme: a po hartohen ligje për të forcuar institucionet, apo po krijohen mekanizma që mund t’i dobësojnë kontrollin dhe llogaridhënien e tyre?
Një shtet ku pushtetarët dhe zytrarët e lartë kanë më shumë mbrojtje sesa qytetarët kanë drejtësi, nuk mund të pretendojë se ka vendosur barazinë para ligjit.
Nuk mund të ketë një drejtësi për qytetarin e zakonshëm dhe një tjetër drejtësi për ata që kanë çelësat e pushtetit, ekonomisë dhe financave të vendit.
Ligji nuk është pronë e politikanëve dhe mburojë e ministrave të kurruptuar. As privilegj i guvernatorëve, jo edhe jo! Ligji është dhe duhet të jetë kontrata themelore që duhet të mbrojë shoqërinë nga arbitrariteti i pushtetit.
Prandaj, qytetarët sot, më shumë se kurrë kanë të drejtë të kërkojnë transparencë, të njohin arsyet e çdo ndryshimi ligjor dhe të dinë se kush përfiton prej tij, kush mban përgjegjësi dhe kush kontrollon zbatimin e ligjit.
Në një demokraci të vërtetë dhe funksionale, në një shtet të së drejtës, pushteti duhet t’i nënshtrohet ligjit dhe jo ligji t’i nënshtrohet pushtetit!
Nëse ligjvënësit shqiptarë, në mënyrë abuzive, hartojnë dhe miratojnë ligje, duke krijuar mburoja imunitare për të mbrojtur veten nga përgjegjësia ligjore, atëherë pyetja nuk është më vetëm se kush i kontrollon ata që ushtrojnë pushtetin, por edhe se kush e shpëton shtetin nga rrënimi i besimit të qytetarëve te drejtësia, te institucionet dhe vetë demokracia?
Për këtë, a kanë një përgjigje Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulusi Manja?
A e ka menduar Kryeministri Rama se, edhe në rastin më të mirë, protestuesit, (të cilët prej katër muajsh protestojnë poshtë zyrës së tij kundër një qeverisjeje të akuzuar për abuzim me pushtetin dhe korrupsion domethënës), nëse do t’i përgjigjeshin pozitivisht ftesës së tij për një “dialog pa kushte”, ai do të mund të përballej me një pyetje thelbësore, legjitime dhe të pashmangshme, të cilën sot me të drejtë ia shtron çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë?
Kush garanton që ligji të jetë i barabartë për të gjithë, se askush nuk është mbi të dhe se ata që e hartojnë dhe e miratojnë nuk mund ta përdorin atë si mburojë për t’i shpëtuar përgjegjësisë përpara drejtësisë?
Sepse dialogu politik mund të jetë një rrugë për zgjidhjen e një krize, por nuk mund të zëvendësojë llogaridhënien, të pezullojë drejtësinë apo të negociojë përgjegjësinë ligjore të kujtdo që ushtron pushtetin.
Pushteti mund të negociojë për zgjidhje politike, por përgjegjësia përpara ligjit nuk mund të jetë objekt pazari.
Ilir Çumani
Tiranë – 31 tetor, 2026
