Kroi i Zanave
Nga Nexhat Halimi
Në rreth dyqind hapa nga uji i detit, në fund të Ullishtës së Valdanosit në Ulqin, gjendet Kroi i Zanave. Rruga deri aty është praktikisht e pamundur sepse e tërë kjo hapësirë është mbuluar nga shkurret dhe kaçubat, gjë që akoma më shumë i jep Kroit të Zanave kuptim mitik.
Vetë toponimi i Valdanosit ka prejardhje nga “Vallja e nuses”, që ka kuptimin e valles së sirenës, zanës. Ulqinakët në raste stuhie i largonin anijet e veta në këtë “gji të qetësisë”, ku natën, ata që qëndronin atje, dëgjonin dhe kënaqeshin me muzikën e zanave. Ekziston po ashtu dhe legjenda e shpellës mbas Kroit të Zanave, ndërsa secili e ruan në vete bindjen se zanat gjithnjë e ruajnë thesarin e mbretëreshës ilire Teuta.
*
E shikoja Dean nga ecte buzë valëve të shkumëzuara të detit.
-..Babi, a mund të shëtisim në Valdanos, te Kroi i Zanave, – më tha Dea me një ndjenjë të zgjuar. I ndoq me kureshtje tufat e dritës së diellit me interesim dhe më shikoi ngul në sy.
– Ti mendon të ikim në Ullishte?
-Po atje… Ka tre javë që rrimë këtu e gjithnjë njëjtë – rëra, uji dhe dielli…
-E shëtitjet mbrëmjesh nëpër qytet, me ndonjë pije apo akullore… Këto i harron!
-Të ikim në një shëtitje te Shpella e Pëllumbave,- tha ajo dhe më përvodh me bisht të syrit, e buzëqeshur.
-Çfarë të bëjmë atje? Vetëm të ecim dhe t’i shikojmë yjet, t’i dëgjojmë valët e shqetësuara, e zërat e Zanave…
-Natyrisht të prekim ndopak në gojëdhëna e legjenda dhe të përjetojmë magjinë që ka krijuar natyra…
Unë qesha me zë e ajo më mori për dore me dashuri.
-Natyrisht ka çfarë të mësojë njeriu nga gjurmët e veta.
Shqiptarët, si të gjithë popujt në botë, i kanë legjenda e veta, që i kanë trashëguar nga kohët e lashta , -ecja e i flisja Deas. –E ato legjenda rrjedhin nga mitologjia. Shpesh herë ato e kanë bazën edhe nga ngjarjet nga historia, të cilat populli duke i treguar me gojë brez pas brezi, nganjëherë u ka dhënë imazhe magjike me plot fantazi. Pak a shumë këto gojëdhëna janë të lidhura me detin dhe me detarët, me trimat që luftonin për lirinë e popullit, herë herë të lidhura me ëndrrat e me dashurinë.
-Apo për legjenda të bukura herë herë, e herë tjetër për dhembje të rënda e të thella.
-Apo për rrëfime të ndryshme dhe të pabesueshme, të cilat në kohën ndërsa nuk kanë qenë në lundrime i kanë treguar detarët dimrit pranë vatrave në shtëpitë e veta me të dashurit e vet.
Ndër legjendat e bukura është dhe ajo e Kroit të Zanave në Valdanos.
Ka mbetur në kujtesë, ndër breza, që imazhi i legjendës ka zgjuar tashmë të jetojë zërin e legjendës dhe më vonë e kurdoherë, të shfaq në Valdanos me miq e shokë, apo me mysafirë për të bërë ‘fisch picknick’ me ndjenjën e posaçme. Sa herë i afrohesh Valdanosit me sanall, syri të shkon te dy bredhat, e gjelbër, aty ku gjendet Kroi dhe menjëherë aty te Shpella e Zanave, ku dikur në kohët e lashta kanë ndodhur ndodhi dhe ngjarje magjike, të cilat kanë mbetur një legjendë e përhershme dhe trashëgimi e popullit.
Në raste të tilla njeriut i kujtohet e kaluara dhe çastet që i ka përjetuar në zgjime magjik në kohë. Atëherë njeriu i mbyll sytë dhe imagjinon aq ma tepër duke ditur se ky vend, i cili te mahnitë me bukurinë e tij të ëndrrës, dikur ka shërbyer si vend strehimi për barkat e famshme pirate ulqinake.
Natyrisht, gjithnjë duke i kujtuar njerëzit që i jepeshin detit deri në largësi të largëta të përrallës, të cilat kujtohen nga brezat e ardhshëm me ndjenjë gufuese të valëve të egra në brigjet e detit.
Ja, aty është dhe uji i kroit të kulluar.
Në këtë hapësirë pra, gjendet Kroi i Zanave dhe kujtimi për detarët, të cilët detyroheshin të rrinin ne barka si rojtarë natën në Valdanos. Jo rrallë , apo shpesh herë duke dëgjuar këngën e bukur, dhe lëvizjen magjike me ritëm të shpirtit e me rrahje të zallit, me trokëllimë vallesh nga Kroi i Zanave.
Nganjëherë nga Shpella, e cila ka qenë afër Kroit janë dëgjuar edhe vajtime dhe gjëmë, posaçërisht atëherë kur nga ndonjë barkë, e cila po i afrohej Valdanosit, derdhej ciatje dhe vaji i ashpër, për ta qarë ndonjë ndodhi të rëndë, për ta shprehur me dhembje atë që kishte ndodhur, për ta lidhur me zërin mitik ndonjë fatkeqësie. Detarët e kishin zakon që në raste të tilla, nga direku, djaloshi më i ri ta informonte popullin për tërë atë çfarë kishte ndodhur. Valdanosi deri vonë ka qenë i pabanuar, dhe si i tillë ka shërbyer lima i sigurt për detarë dhe barka ulqinake, duke qenë larg qytetit me një ullishtë mijëvjeçare të famshme. Kjo në netët e errëta ka ndikuar në fantazinë e detarëve të vetmuar në lundrimet e gjata nëpër det.
Vetëm hëna lartë e portokalltë i shoqëronte.
Në kalimin nëpër ujë të njelmët mrekulloheshin me zërin e Zanave. Për t’i dëgjuar Zanat, pak nga frika e pak nga kënaqësia detarët nuk mund ta çelnin gojën. E mbyllnin gojën dhe heshtnin, duke e kuptuar se po i afrohen Valdanosit. Në të njëjtin çast, krenoheshin që dëgjonin këngët ritmike të Zanave, ndërsa i afroheshin Shpellës te kroi dhe i luteshin më vete Zotit e nisnin ritet shqiptare. Gëzimi i madh zgjatej buzë valësh. Ullishta e priste detarin deri vonë, e prekur nga një puhizë e lehtë e erës. E detari pa frikë merrte të kthehej në shtëpi. Zanat e falënderonin dhe ia varnin një gjerdan me florinj.
Detari në kthim nëpër ullishtë të errët, nga gjerdani këpuste florinj dhe i hidhte në rrugë, duke menduar se janë hudhra. Sapo do t’i jetë afruar Mëhallës së Re i kishte hedhur të gjithë florinjtë. Me të arritur në shtëpi hoqi këmishën e në çardak ranë dy napolona dhe atëherë e kuptoi se çka kishte fituar prej ditës që ikte. Në mëngjes sa zbardhi drita u zgjua dhe shkoi menjëherë të kërkojë florinjtë, të cilët i kishte hedhur. E kuptoi se pastaj xhindet i kishin mbledhur të gjithë, duke ia lënë vetëm dy napolona…
*
Dea dhe Unë ecnim në hapësirën rreth kroit të Zanave të mahnitur me bukurit magjike të natyrës, me përplasjet e valëve shkëmbit të ullishtës. Ajo ishte shumë e lumtur që e mësoi dhe një gojëdhënë e cila për vite e vite jeton në ullishte , e shoqëruar me zërin dhe këngën e Zanave.
-Po ik dhe një ditë në Ulqin, e dashura Dea, – të kthehemi në qytet të pimë diçka apo ta qerasim veten me ndonjë akullore, natyrisht më të begat për një gojëdhënë lidhur me kroi e zanave.