09/11/2024

EDUART VELIU NË “BISEDË ME VITET” DHE ME VETVETEN

0

Nga Bardhyl Maliqi

Libri i dytë i Eduart Veliut, i titulluar “Bisedë me vitet” indirekt bën një pohim, që i përket gjithë letërsisë, të gjitha arteve e profesioneve, që kanë qasje me to. Kjo ndodh se njeriu për nga natyra është dyshues, por ky dyshim në të gjitha rastet është pozitiv, sepse dyshimi e çon përpara shoqërinë, arritjet e shkencës, politikës, sociologjisë e psikologjisë. Qysh në letërsinë greko-latine, bile më herët, tek letërsia sumero – babilonase, te “Epi i Gilgameshit” p.sh, heronjtë bëhen kureshtar për tjetrin dhe për botën tjetër, kjo do të thotë që titulli “Bisedë me vitet” thotë gjithçka, por me një kusht, kur lexohet libri, për ndryshe mbetet një togfjalësh pa identitet, që nuk thotë konkretisht asgjë, pasi bisedë me vitet kanë të gjitha gjallesat që jetojnë në tokë, por në gjuhët e tyre, që njerëzit vështirë se i deshifrojnë dot, sado përparime të ketë shkenca. Më pyesni mua kur pi kafe në ballkon dhe dëgjoj që zogjtë aty  nëpër lule, në këmbët tona çuçurijnë me njeri-tjetrin, por unë dhe ime shoqe nuk kuptojmë gjë, veç kënaqemi me shendin e tyre.

Krahasuar me titullin e librit të parë “Planeti i dashurisë”, ku thelbi ideoartistik i librit simbolizohet në titullin e tij, tregon se titulli i parë ishte më me kuptim përçues dhe më me vlera estetike. Ky i dyti duket si titull proze e më tej se kaq, i denjë për titull përrallsh “na ishte një herë e një kohë”…. E megjithatë, kjo lloj “mea cupla” e Eduartit fillon dhe bëhet realitet i prekshëm gjatë leximit të librit, i cili ka 108 poezi, pra  bie mesatarisht një poezi për faqe me ndonjë përjashtim.

Libri ka një qerthull të gjerë tematik, që në të vërtet përcaktohen nga të gjitha bisedat me vetveten që kryen ndër vite çdo njeri, konkretisht poeti, me jetën e vet. Ai bisedon me vetveten që në vogëli duke vënë në qendër veten e tij, prindërit dhe motrat e vëllazërinë, shokët e shkollës apo të lagjes e kështu sipas fazave të ndryshme në jetën e individit bisedat me ndër vite me vetveten dhe me të tjerët fillojnë dhe specializohen e bëhen më të individualizuara. Të tilla janë për shembull  si bisedat me kolegët, eprorët apo vartësit, prindërit, gruan apo fëmijët.

Sa për ilustrim unë po zgjedh dy poezi. E para lidhet me vendlindjen e Eduartin, Me lumin e fshatit Shalës, me të njëjtin vend ku edhe unë kam shkuar qindra herë. Titulli nuk thotë ndonjë gjë të veçantë dhe shprehëse veç titullit të librit “Bisedoj me lumin e fshatit tim”, por poezia brenda këndon natyrshëm pasi përshkrimi zë vend dhe mendimi rrjedh lirisht, Ka mjaft detaje jetësore që e pasurojnë mendimin, djali dhe lumi e njohin njeri-tjetrin, Në shelgjet ndanë lumit ai çmallet me kujtimin e babait dhe atë të romes së bukur, Julës, bijën e Shukriut.

Të dytën zgjodha poezinë me titullin “Ti je Jona, e mira jonë!” Këtë poezi nuk e zgjodha  ashtu rastësisht. Vajzat e Eduartit edhe unë i njoh si nxënëse dhe studente dhe janë ashtu si shprehet ai në titull, pra të mira. Në këtë poezi kemi një monolog të poetit me veten për  një nga vajzat. pra me Jonën, ndër vite, që nga koha e lindjes kur  i solli dritë e gëzim familjes e deri sa u bë nuse e nënë për vete. Në këtë kuptim poezitë e këtij libri kanë natyrë përkushtuese dhe thelb edukativ.

Temat më të dendura në këtë libër i përkasin atdheut, dashurisë, mallit, shoqërisë, afeksioneve shoqërore apo individuale ,siç janë bisedat me lumin, me shiun, me dashurinë, me poezinë, me stinët e vitit, veçanërisht me pranverën etj. Duke u nisur nga tematika mbase do të ishte më mirë që libri të ishte ndërtuar me cikle, kjo poetit i jepte dy avantazhe, nuk përsëriste vetveten dhe theksonte qasjet dhe arritjet e reja..

Vargjet që përdor Eduarti  janë përgjithësisht të gjata dhe i tejkalojnë metrikën e paracaktuar. Shumë rrallë janë organizuar në strofa katërshe dhe shpesh janë mono kolonë. Figurat letrare më të përdorura janë epitetet, krahasimet, anaforat, dhe më pak simbolet dhe metaforat.

Poeti ç’ka për të thënë i thotë hapur, pa mbulesë. Kjo ka një anë të mirë dhe një anë të keqe, e mira është se je i kuptueshëm për të gjithë, por e keqja është se dardha e ka bishtin mbrapa: nuk paraqet interes për të gjithë! Krahasoni p.sh qëndrimin e meshkujve ndaj femrave. Kush paraqet më shumë interes? Një vajzë e zhveshur dhe llafazane, apo një e veshur me tertip që i ngrihet pak një cep i fustanit dhe flet me edukatë dhe  masë!?

Besoj se krahasimi, që bëra qëndron. Letërsia ka nevojë për një figuracion letrar më të ndërlikuar, të vrasësh mendjen se çka dashur të thotë poeti, pse është shprehur kështu e jo ndryshe. Thelbi i letërsisë është trillimi dhe jo realiteti dhe ashtu si në shkencë thelbi i kërkimit paraqet ajo që është ende e pazbuluar, jo ajo që shikohet dhe perceptohet prej të gjithëve. Idetë për letërsinë e masave në të vërtetë nuk qëndrojnë. Ato qenë më tepër një shpikje e socrealizmit.

Kjo shpjegon p.sh. pse poetë të tillë si Fatos Arapi, Ismail Kadareja apo Dritëro Agolli kur përmendeshin në enumeracion fillonin gjithmonë me Dritëronë, sepse ai ishte më i kuptueshëm për masën. Por kur flitej për cilësinë e poezisë përmendej Fatosi i Pari dhe për të prozës, Kadareja mbetesh i pa konkurueshëm në hierarkinë e vlerave.

Në se do të flisja pak për botimin në vetvete emri i shtëpisë botuese “Streha”, redaktimi dhe korrektimi duhet të ishin më ekzigjente dhe jo të përfshiheshin në “strehëza” të padukshme. Me redaktimin është e vështirë, se kur poezia është shkruar keq i bie të bësh poezi të re. Në këtë drejtim besoj se Pajtimi si redaktor e ka pasur të lehtë, se poezia e Eduartit është e qartë nga pikëpamja strukturore dhe kuptimore. Problemet besoj se i ka me drejtshkrimin që kërkon pak më shumë durim.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok