22/12/2024

Kriza e njeriut me identitet të humbur

0
Ndue-Ukaj

Nga Ndue Ukaj

Në kohë të amështa si kjo e jona, kur asgjë nuk duket se ka kuptim, arti mund të shërbejë si një udhërrëfyes për të mposhtë ligështinë, për t’i dhënë oksigjen mendjes njerëzore dhe për t’i qetësuar sadopak trazimet e mëdha shpirtërore të brezisë sonë.

Shkrimtari Albert Camus te “Artisti dhe koha e tij” flet për vokacionin e vërtetë të artistit, i cili, sipas tij, duhet t’u japë ngushëllim dhe forcë atyre që luftojnë për një botë të drejtë.

E kriza e njeriut tonë, parasëgjithash, është krizë e thellë shpirtërore dhe krizë e njeriut me identitet të humbur.

Dhe si çdo herë në histori, sa herë ka kriza të kësilloji, tronditjet janë të mëdha e rreziqet e pamatshme.

Shoqëria jonë e brishtë, e kequshqyer me ide e ideologji, është duke u rropatë tash e sa kohë, pa busullë, në një krizë të frikshme bjerrje, që ka atakuar çdo aspekt të jetës.

Po, kjo krizë ka shtrirje në krejt sistemin tonë të brishtë dhe duket sikur ka thyer të gjitha parimet që e mbajnë një shoqëri normale në këmbë.

Dhe për pasojë, dhuna e arroganca, sot shfaqen hapur e ashpër, shfaqen në ditë festa e pezmi.

Në këtë kohë ligështie, janë të shumtë ata që thonë se është folë e thënë shumëçka, aq sa duket se më s’ia vlen të thuhet asgjë.

Megjithatë, vlerësoj se mendimet e urta mund të shërbejnë si krua ku mund ta shuajmë etjen në kohë trazimesh të mëdha shpirtërore.

Meqë, sa herë jemi në pyll ose ferr, na duhet

një Virgjië që të dalim prej tij.

Prandaj, është mirë të kthehemi prapa dhe të dëgjojmë ç’kanë thënë intelektualët e krijuesit, kur vetë janë sfilitë nëpër kriza të tilla.

Shkrimtari Albert Camus, ka kaluar nëpër kriza të thella: të varfërisë, luftërave, sëmundjeve, krizës së thellë të besimit te njeriu, pra, ka kaluar nëpër trajektoret e vuajtjeve, absurdit, shpërfytyrimit, luftës.

Vlerësimet për kontributin e tij letrar janë të mëdha. “Encyclopaedia Britannica” për të thotë se ai “si romancier dhe dramaturg, moralist dhe teoricien politik, pas Luftës së Dytë Botërore, u bë zëdhënësi i brezit të tij dhe mentori i brezit të ardhshëm, jo vetëm në Francë, por edhe në Evropë dhe përfundimisht në botë. Shkrimet e tij, të cilat i drejtoheshin kryesisht izolimit të njeriut në një univers alien, largimit të personit nga vevetja, problemit të së keqes dhe shtypjes finale nga vdekja, pasqyronin me saktësi tjetërsimin dhe zhgënjimin e intelektualit të pasluftës.”

Sot, në mjedisin tonë të ngulfatur me marrëzi, ku duket se janë mbyllë dyert e dritaret për ajrosje me vlera të artit e kulturës, ku tallavaja sundon ashpër, një këshilla e tij më tingëllon shumë e dobishme:

“Arti ndoshta në vetvete s’mund të prodhojë rilindjen që nënkupton drejtësi dhe liri. Por pa të, ajo rilindje do të ishte pa formë dhe, rrjedhimisht, do të ishte asgjë. Pa kulturë dhe lirinë relative që ajo nënkupton, shoqëria, edhe kur është e përsosur, s’është veçse një xhungël. Kjo është arsyeja pse çdo krijim i vërtetë është një dhuratë për të ardhmen.”

Po, shoqëria pa kulturë dhe shoqëria që shpërfill atë është xhungël.

E, shoqëria jonë duket se po kalon nëpër xhungël.

Dalja prej saj s’është e lehtë, sidomos në këto kohë, ku ulërimat kanë peshë më shumë se mendimet e mbarsura nëpër libra, kur turma përcakton standardet e larta e kur “elitat” për një kockë poshtet iu nënshtrohen standardit të turmave.

Me këto standarde të udhëve e të shesheve, kokën s’mund ta çojmë lart, që të gjejmë rrugën e dalies nga kjo mjegllunajë e frikshme ku jemi katandisë.

Me këto standarde të përdala, që gati i kemi normuar si vlera shoqërore, udhën e përparimit nuk kemi me mundë me gjetë.

Ndoshta, të ushqyer me kulturë dhe me një ideal të lartë, mund të gjejmë shtegdalje, po me një Virgjil të urtë, mund të dalim nga ferri.

Në të kundërtën, prej kësaj xhungle, brezi ynë zor e ka të dalë.

Breznitë e reja, me siguri do të shkruajnë tregime tjera, por nga ne do të trashëgojnë helm dhe cektësi. Dhe me siguri nuk kanë me qenë krenarë me parardhësit e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok