08/11/2024

Krimi sfidon shoqërinë shqiptare

0

Nga Vangjush Saro
Ka disa kohë që krimi rëndon në jetën e qytetarëve shqiptarë sheshit dhe në mënyrën fyese. Në Shkodër, bizneseve iu vihen gjoba, ndërkohë që herë pas here ka vrasje dhe larje hesapesh. Disa nga çunat “e fortë” diktojnë në jetën e qytetit. Po ashtu në Elbasan, në Vlorë. Në Tiranë, ndërtimet e përbindshme dhe aksidentet rrugore e “kurorëzimi i hakmarrjeve” mes bandave, janë bërë barrë për qytetarët. Pa u rënë në qafë njerëzve të ndershëm e që shohin punën e tyre, përgjithësisht tabloja vjen gri: “Të fortët” e pandëshkuar, zyrtarët e pahir, biznesmenët e përkëdhelur, policët e llastuar e, më në fund, fëmijët e çoroditur të gjithë këtyre zotërinjve, janë protagonistë edhe në këto zhvillime.
Kudo ka ngjarje, bota s’është e qetë; edhe në vendet më të zhvilluara dhe me demokraci të konsoliduar, herë pas here ka fatkeqësi, shfaqen defekte dhe probleme. Kudo ndërtohen kulla dhe ka aksidente e krime. Por në të njëjtën kohë, në atë që themi “kudo” dhe me të cilën rëndom nënkuptojmë vende të zhvilluara, ka gjithsesi një vëmendje, qoftë edhe minimale, për të mos ua nxirë krejt jetën qytetarëve. Kështu, shteti luan vendit për ta nënshtruar krimin, nëpunësit dhe urbanistët përpiqen të ketë përqark ca parqe e ndonjë kënd lodrash për fëmijë. Ndodhin aksidente, edhe asish të rënda, por kryesisht për shkaqe të kohës, të rrethanave në trafik, dhe jo për… kapriçiot e djemve të Shefave të Policisë, biznesmenëve apo Deputetëve. Ndëshkimi vetjak dhe ai politik nuk janë askund qëllim në vetvvete. Këto të gjitha përbëjnë një dallim të madh.
S’më vjen mirë ta them, por ne jemi një vend pa rregulla; ose, më e pakta, një vend ku rregullat shpesh pështyhen. Jemi një vend ku politika u la shumë hapësirë gangsterëve; ata më parë dalin nga burgu se sa dënohen. Dhe shpesh rruga është pikërisht e aventurierëve dhe kapadainjve. Nuk dua të bëj pranëvënie që e vënë në pozita të vështira qytetarin dhe shtetin tim, por le të shqyrtojmë çfarë ndodh. Para disa kohësh, këtu në Vankuver, burri i një mikeshës sonë, edhe vetë polic hetues, duke u kthyer nga një festë ku kishte pirë pak, la të kuptohej se ai dhe makina e tij po bënin figurë jo të mirë në rrugë. Polici hetues u ndalua sakaq nga kolegët. U seksuestrua makina, iu hoq licensa për gjashtë muaj, iu vu gjobë e lartë, u detyrua polici hetues të ndjekë një kurs rehabilitimi, në makinë iu montua një pajisje që s’lejon të ndizet ajo nëse ti ke pirë, etj. Ndërkaq, nuk pamë ndonjë demarsh të tyre për të marrë dikë në telefon apo për ta “rregulluar” punën. Pa masa dhe pa (sadopak) drejtësi, nuk ka shtet. Nuk ka as jetë.
I kërkoj ndjesë lexuesit për këto episode vetjake. Diku nga mesi i viteve 80, me trupën amatore të Gjimnazit “Shefqet Guzi” në Gramsh, ku punoja në ato kohë, u vu në skenë pjesa ime teatrale “Një copëz jetë”. Pjesa në fjalë ka në qendër një djalë të ri, çapkën, i pashtruar, problematik për ndërmarrjen ku punon dhe për rrethin shoqëror. Qasja e tij është e vështirë jo vetëm me shoqërinë, por edhe me një vajzë të cilën në fakt ai e dëshiron. Për të mos u zgjatur, sjellja e saj qortuese, por edhe duke iu përgjigjur interesimit të tij me mirësi, bëjnë që djali të kërkojë nga vetja ekuilibër dhe qytetari. Pyetja ime është: Si u shndërruan çapkënët në kriminelë? Si vazhdojnë të shndërrohen çapkënët në kriminelë? Shikoni ç’pjesë e madhe e shoqërisë dhe rinisë është përfshirë në këtë “derexhe”; (ndjesë për këtë barbarizëm). Nuk mund t’i ikim këtij epsodi shumë të vështirë dhe që ia lodhi mushkëritë shoqërisë shqiptare. (“Mbyllni sytë dhe shikoni.” Xh. Xhojs)
Sigurisht, nuk duhet ta teprojmë; pamja ka edhe një sërë arritje pozitive dhe portrete që nderojnë veten dhe vendin e tyre, në Shqipëri dhe në disa vende të tjera ku kanë emigruar shqiptarët. Por, si i thonë fjalës, gjuha vete atje ku të dhemb. Shkallimi i politikës, prirja për shkeljen e rregullave, marrëzia për ca fitime më shumë, varfëria e gjithanshme, ndonjëherë thjesht përplasja me jetën, këto të gjitha kanë krijuar precedentë të trishtë në shoqërinë shqiptare. Ç’është më e rëndë, grupet kriminale kanë ngritur strehët e tyre jashtë vendit; në Mbretërinë e Bashkuar ata kontrollojnë disa trafiqe, përfshi atë të klandestinëve. Adoleshentë e të rinj nga Shqipëria, vijnë atje të “sponsorizuar” nga këto grupe, që mandej iu diktojnë përfshirjen në rrjete e në krime gjithfarë. Shembujt dhe pamjet mund të merrnin shumë radhë të tjera në këtë shënim. Për një numër të lartë njerëzish, sidomos të rinj, burgu (jashtë e brenda vendit) është bërë si shtëpia e dytë. Riatdhesimi, udhëtimet lart e poshtë, ikja nga sytë këmbët dhe pastaj ndeshja me Drejtësinë në vendet respektive, janë një tablo e zymtë. Ndonjëherë teprohet me racizëm dhe shqiptarët akuzohen edhe pa bërë asgjë. Por ne, për të mirën tonë, duhet të qëndrojmë te ai realitet që u përpoqa të “vizatoj” më sipër dhe të kuptojmë se ka ardhur koha për të ndryshuar diçka e sadopak, për programe të veçanta edukimi dhe riedukimi.
Koha është që shoqëria shqiptare të ndalet për të verifikuar jetën e vet, jetët e qytarëve të vet. “Mësojmë duke u zbrapsur…” na mëson poetesha e madhe amerikane E. Dikinson. Të rrëmbyer nga politika, nga përfitimet, nga hakmarrjet, nga mëritë e pafund, zyrtarët e lartë dhe politikanët shqiptarë nuk po dirigjojnë dot jetën e qytetarëve të vendit, ca më pak atë në Diasporë. Ka vazhdimisht ndarje, sherre, luftë për pushtet e për ta shtyrë tjetrin tutje, gjer… për të mos patur fare opozitë, që kështu të “mbretërojmë” në qetësi. Nuk po kërkon askush një “deus ex machina”. Por mjaft së paku me nënvleftësimin e tablosë problematike! Mendoj se duhet të heqë dorë nga “shfaqjet” Kryeministri i vendit, demagogu dhe autoritaristi Edi Rama, për të cilin mund të aludohet me vetëvlerësimin e një personazhi të Ç. Dikens (“Unë kurrë s’do të pushoj së përgëzuari veten time.”) Mendoj se pamjet që u përpoqa të “vizatoj” më lart, piktori ynë duhet t’i rivizatojë ndryshe. Nëse nuk mundet, ai dhe kabineti i tij, ai dhe kolegët e tij, ai dhe Opozita shqiptare, atëherë duhet të pranojnë dështimin, të rishikojnë rregullat, pluralizmin, aleancat, gjithë rrugën gropa-gropa nëpër Tranzicion

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok