Krejt dhe drejtë – mision i (pa)mundshëm!

Nga Anton Marku

Kosova po hyn në vitin e ri me një mori sfidash. Pjesa më e madhe prej tyre e trashëguar nga politika kryesisht shkurtpamëse, kaotike dhe e papërgjegjshme e cila udhëhoqi me vendin në dy dekadat e kaluara. Qeveria aktuale, e cila erdhi para nëntë muajve në pushtet duke i fituar zgjedhjet nën moton ‘‘Krejt dhe drejt!’’ do të vazhdojë t’i ketë duart plotë edhe në të ardhmen. Por sa do të mund të ia dalë ajo që të sigurojë drejtësi për të gjithë është një pyetje retorike e cila do vazhdojë t’i qëndrojë e varur si hije pas qafe gjatë tërë mandatit të saj.

Plus

Për shumëkënd dukej e pabesueshme se do të mund të vinte dita që resorët ministrorë të udhëhiqen nga njerëz të rinj, të shkolluar dhe të përgatitur profesionalisht, të cilët nuk do te ishin aty për të vjedhur, grabitur e plaçkitur të mirat e përbashkëta por për të ofruar guximin, integritetin dhe kapacitetin e tyre intelektual dhe moral në shërbim të secilit qytetar. Kjo u bë pothuajse realitet në fillim të vitit që lamë pas dhe bilanci është mbase jo dhe aq impresionues por gjithsesi pozitiv, duke marrë parasysh këtu edhe faktin e bojkotimit deri në sabotim të një pjese të zyrtarëve nga stafi civil dhe liderëve sindikalistë, të cilët duket se janë të vetmit në planet, mbase edhe jashtë tij, që nuk i gëzohen ardhjes në pushtet të një qeverie me orientime sociale.

Për sa i përket imazhit ndërkombëtar, atë që nuk arriti ta bëjë politika apo diplomacia e bënë muzika, kinematografia dhe sporti, duke përfaqësuar kështu denjësisht flamurin kaltër-verdhë në skenat dhe palestrat më të njohura në nivelin botëror. Aty emri i Kosovës ka peshë më shumë se asnjëherë më parë. I njëjti fenomen po ndodhë edhe me pushtetarët e rinj në relacion me simbolet shtetërore: Ata po identifikohen çdo ditë e më shumë me to.

Njeriut mund t’i duken herë pas here të çuditshme metodat e zbatimi të programit partiak, por në anën tjetër kësaj qeverie, me gjithë angazhimin e vazhdueshme në uljen e efekteve të pandemisë dhe ballafaqimit me deficitet në sektorin e energjisë, së paku e parë nga jashtë, po i vjen era më ndryshe. Dikush do të thoshte më mirë.

Minus

Në stagnimet apo prapa-ecjet e shënuara që nga ndërrimi i fundit i pushteteve në Kosovë, mund të përmenden veçanërisht ngadalësimi i qëllimshëm i ritmit të dialogut me Serbinë, rritje e paqartësive në relacion me marrëdhëniet me Brukselin dhe hapjen e temave të reja atje ende pa u mbyllur të vjetrat.

Në anën tjetër krye-argumenti i analistëve anti – ‘‘Open Balkan’’ se Kosova duhet të qëndroj larg këtij mekanizmi integrativ bazohet kryesisht në faktin se në të bën pjesë edhe Serbia, e cila, si shteti më i madh rajonal, do të dominonte mbi këtë strukturë të re. Ky hezitim është e gabuar me vetë të dhënën se në të është edhe Shqipëria nga e cila pritet që, logjikisht dhe në mënyrë natyrale, të jetë gjithmonë në anën e kosovarëve dhe jo kundër tyre, kushdo që të jetë kryeministër i saj. Aty ku është Shqipëria do të duhej të ishte edhe Kosova. Për më tepër ato, si dy republika shqiptare, kanë përgjegjësi kombëtare, politike, ekonomike e kulturore edhe për bashkëkombësit jashtë kufijve të tyre administrativë, e posaçërisht atyre në Maqedoninë e Veriut dhe Luginën e Preshevës që tashmë janë futur aty. Kjo frikë është më shumë e hedhur se sa e mbjellur.

Kjo mënyrë e re e komunikimit dhe bashkëpunimit mes shteteve të Ballkanit nuk do të thotë se po tentohet që të krijohet një (kon)federatë ballkanike, edhe pse, për mendimin tim, si opcion që do t’i bënte bashkë gjashtë milionë shqiptarë nuk duhet hedhur tërësisht nga tavolina. Ajo edhe mund të aktualizohet në një të afërme jo dhe aq të largët kur dyert e BE të jenë mbyllur për hyrje të reja.

Ashtu siç ishin dikur demarkacioni, taksa 100%, këmbëngulësia deri në kryeneçësi në parimin e reciprocitetit dhe mohimi, me pak takt diplomatik, i ‘‘çnjohjes së njohjeve’’, autogola të cilët më shumë sollën dëm se sa dobi, duket se edhe ‘‘Open Balkan’’ tashmë i ka plotësuar të gjitha parakushtet që të shndërrohet në diçka të tillë, pasi duket që Kosova, e cila vazhdon të ndjekë ëndrrën e integrimeve evropiane, është më shumë e interesuar që me fqinjët e saj të mbyllet se sa të hapet.

Mes plusit e minusit

Duket sheshazi se çështja e themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë do të jetë fushëbeteja në të cilën edhe për vite të tëra do të thyhen shpatat mes Prishtinës dhe Beogradit. Në këtë po kontribuojnë intensivisht dhe në mënyrë aktive që të dy palët. Sidoqoftë, duket se e tëra mund të prolongohet por në fund të fundit një kompromis do të jetë i pashmangshëm. Se si do të arrihet ai varet edhe nga kreativiteti, sidomos i ekipeve negociatore, dhe akterëve të tjerë përreth dhe pas tyre.

Po ashtu shkëmbimi i territoreve apo bashkimi i Kosovës me Shqipërinë janë spostuar për kohëra tjera edhe pse jo shumë njerëz janë të sigurtë se Albini, ashtu si dhe Thaçi, e do më shumë Zubin Potokun apo Leposaviqin se sa Preshevën apo Sarandën. E ai vazhdon të mundohet të na bindë se Prishtina ua do të mirën serbëve të Kosovës më shumë se sa këtë e bën Beogradi. Zgjedhjet në të gjitha nivelet e demantojnë këtë fiksion të tij.

Edhe gjykata speciale bën pjesë në diskurset të cilat qeveria aktuale i trajtoi në mënyrë neutrale dhe me jo ndonjë prioritet të theksuar. Mbase është më mirë kështu, kjo dhe për hir të së vërtetës e cila duhet të jetë mbi të gjitha. E ajo duhet të dalë në shesh, qoftë e pastër apo e fajshme.

Utopia idealiste

Deshëm apo nuk deshëm koha po tregon se Kosovës i mungojnë hapat a një burrështetasi të madh siç ishte Dr. Ibrahim Rugova. Ecja e të parit të Lëvizjes Vetëvendosje është ndryshe. Ai më shumë se sa pas arsyes shkon pas zemrës. Duke e bërë këtë për dakada të tëra ia doli të hyjë në kraharorët e aq shumë kosovarëve të cilët këtë ndjenjë e përkthyen në vota, duke e bërë atë, së paku deri më tani, personalitetin më të votuar në Kosovën moderne.

Të pretendosh se një ditë do të arrish të sigurosh drejtësi për të gjithë është idealizëm i llojit të vet dhe utopi. Megjithatë ia vlen të jetohet për të. Ashtu siç këtë e bën Albini. Dhe atë çdo ditë nga pak.

E ardhmja do të tregojë se sa do të lënë gjurmë pas hapat e tij.

Vjenë, 1 janar 2022

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
error: Content is protected !!