13/12/2024

KONFERENCA E BUJANIT DHE REZOLUTA IDEOLOGJIKE PËR VETËVENDOSJE DHE PËR BASHKIM ME SHQIPËRINË

0
Konferenca e Bujanit

Nga Jusuf BUXHOVI

Konferenca e Bujanit, e mbajtur nga 31 dhjetor 1943 deri më 2 janar 1944, paraqet një ngjarje të rëndësishme nga lufta antifashiste nacional-çlirimtare, ku u shqyrtua e drejta për vetëvendosje dhe për bashkim me Shqipërinë sipas Kartës së Atlantikut, por mbi konceptin ideologjik të imponuar nga komunistët shqiptarë dhe ata jugosllavë, që kishin përvetësuar luftën antifashiste, gjë që nuk mund të përfundonte ndryshe pos me një ripushtim tjetër nga jugosllavët, siç ndodhi në të vërtetë.

Mbledhja e Konferencës u mbajt në kullën e Sali Manit, Bajraktarit të Krasniqes, pranë bazës së Shtabit Kryesor të UNÇ të Kosovës dhe të Komitetit Krahinor për Kosovë e Rrafshi i Dukagjin it, ku morën pjesë 49 delegatë (43 shqiptarë, tre serbë, dy malazias dhe një turk) që përfaqësonin të gjitha viset dhe shtresat shoqërore të Kosovës. Midis pjesëmarrësve kishte komunistë, nacionalistë dhe atdhetarët të tjerë demokratë, përfaqësues të Forcave të Armatosura, të rinisë e të gruas antifashiste etj të rreshtuara në kuadër të Frontit Antifashist Nacional-çlirimtar të Kosovës. Konferenca shqyrtoi tri ditë radhazi problemet që dilnin nga lufta kundër pushtuesit. Ajo zgjodhi kryesinë prej 9 vetash: Mehmet Hoxha (kryetar), ish-prefekt i Elbasanit, Rifat Berisha (nënkryetar), Pavle Joviqeviçin (nënkryetar), Xheladin Hana (anëtar), Fadil Hoxha (anëtar), Hajdar Dushi (anëtar), Zekeria Rexha (anëtar), Milan Zeçarin (anëtar), Xhevdet Doda (anëtar).

Konferenca e Bujanit doli me një dokument përfundimtar, me rezolutë të miratuar, ku pos tjerash thuhet:

“Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit është nji anë, e cila popullohet në pjesën ma të madhe nga popullsia shqiptare, e cila, si gjithmonë, dëshiron edhe sot të bashkohet me Shqipërinë. Prandaj, e ndjejmë për detyrë ta vëmë në dukje rrugën e vërtet në të cilën duhet të ecë populli shqiptarë për të realizuar aspiratat e vehta. Rruga e vetme për t’u bashkuar me Shqipërinë, për shqiptarët e Kosovës dhe të Rrafshi i Dukagjinit, asht lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë”.

Konferenca e Bujanit si dhe rezoluta e saj, duhet parë si një koncept ideologjik të të majtës shqiptare, të dirigjuar nga komunistët jugosllavë, që në njërën anë kishte për qëllim kundërvënien e krijimit të shtetit shqiptar me përkrahjen e fuqive të boshtit në tetor të vitit 1943 në përputhje me rezolutën e Kuvendit të Dytë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që anuloi okupimin e Shqipërisë nga fashistët italianë dhe riktheu pjesën më të madhe të tokave shqiptare të pushtuar nga serbët, grekët dhe malaziasit në vitin 1912, dhe në tjetrën anë, kishte për qëllim që ta pengojë konfirmimin e idesë së bashkimit shqiptar në kuadër të koncepteve demokratike, siç i parashihte edhe Karta e Atlantikut, për të cilën u angazhua NDSH-ja dhe forcat tjera nacionaliste sado të shkapërderdhura gjatë dhe mbas luftës, të cilat dështuan ngaqë u mungoi përkrahja e Perëndimit, i cili, në Konferencn e Jalltës ishte pajtuar për ruajtjen e Jugosllavisë së Versajës nën formatin e AVNOJ-it, të imponuar nga Titoja. Kjo u pa më së miri me zhvlerësimin e saj, në Konferencën e Prizrenit, më 10 korrik 1945, kur koncepti i “luftës së përbashkët me popujt tjerë të Jugosllavisë”, pasi që forcat partizane jugosllave të kenë depërtuar në Kosovë, me pajtimin e Enver Hoxhës me Titon në nëntor të vitit 1944 dhe, në rrethanat e një shtetrrethimi dhe të gjendjes së luftës, nën pretekstet e shfaqjes së “kundërrevolucionit”, t’i kenë qëruar hesapet me të gjitha forcat patriotike që luftuan aleancën komuniste shqiptaro-jugosllave, siç ndodhi në Drenicë, Tivarë dhe gjetiu, ku u vranë rreth 50 mijë shqiptarë. Pra aleanca ideologjike midis komunistëve shqiptarë dhe atyre jugosllavë, solli ripushtimin e Kosovës, ndërsa “e drejta për vetëvendosje” do të kthehet në “deklarim për bashkim me Serbinë”!

Edhe përkundër epilogut tragjik, formula ideologjike e bashkimit shqiptar, e inspiruar nga Konferenca e Bujanit, vazhdoi të shfaqej edhe në vitet e gjashtëdhjeta, të shtatëdhjeta e deri vonë, e rinkarnuar në iredentizëm ideologjik, anipse kërkesa për Republikën e Kosovës, e kishte zhvendosur nga binarët e legjitimitetit politik në të cilët do të vendosej procesi i shtetndërtimit të Kosovës, i cili do të përmbyllet më 17 shkurt 2008.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok