14/10/2024

Varreza e vjetër e Elbasanit

0

Nga Kastriot Dervishi

Gjatë viteve të regjimit komunist, u prishën shumë varreza të vjetra. Bashkë me eshtrat e të vdekurve të varrosur normalisht, u prishën dhe humbën edhe eshtrat e shumë të dënuarve të vdekur në kampe e burgje, si dhe ata të vdekur në paraburgim. Çdo rast ka historinë e vet, por sot po shpjegoj historinë e Elbasanit.

Propozimi për mbylljen e varrezës së vjetër shekullore të Elbasanit, e ndodhur në pjesën lindore të qytetit u bë me shkresën nr.1163, datë 9.8.1952 të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit Elbasan, i cili u miratua në mbledhjen e Kryesisë së Këshillit të Ministrave më 11.10.1952.

Sipas relacionit të paraqitur nga nënkryeministri Spiro, më 2.10.1952, në vendin e varrezave do ndërtoheshin ofiçina automobilistike, shkolla pedagogjike, fushë sportive dhe në perspektivë stadiumi. I deleguar i Këshillit të Ministrave u caktua Gaqo Peristeri. Sipas vendimit në fjalë, zhvendosja e eshtrave duhej të kryhej brenda 5 vjetësh. Vendimi flet për zhvendosje të përgjithshme të eshtrave, edhe të atyre që nuk njiheshin, duke filluar nga pjesa buzë rrugës, për estetikë në proces, zbatim të rregullave të fesë. Me gjithë këto rregulla, shumica e eshtrave nuk u lëvizën. U krijua një situatë absurde ku në një ish varrezë shekullore u vendos parku i qytetit. Banorët e qytetit kalonin orët e çlodhjes mbi eshtra.

Në vitin 1991 kam qenë dëshmitar i një skene horrori. Ndërsa u hap një kanal rreth 100 metra për futjen e kabllove elektrikë, e gjithë vija e përshkruar u mbush me kafka dhe eshtra.

Me vendimin nr.19, datë 27.2.1953, Komiteti Ekzekutiv i KP të Rrethit Elbasan, nën drejtimin e kryetarit Sul Spahiu, pasi dëgjoi relacionin e paraqitur nga shefi i Seksionit Komunal, Musa Rroga, mbi bazën e urdhrit nr.1493, datë 20.10.1952 të Këshillit të Ministrave, vendosi që nga data 15.2.1953 të fillonin varrimet në varrezat e reja, duke ndaluar varrimet në vendet e vjetra si dhe në Teqen e Shaharrugë, Teqen e Madhe të Kokujës.

Brenda vitit 1953 duhet të përfundonte zhvendosja e eshtrave të të vdekurve nga viti 1950 e poshtë. Procesi duhej të përfundonte në vitin 1954. Për agjitimin e në qytet u caktua Liri Hakani.

Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Rrethit Elbasan, me shkresën nr.622, datë 30.3.1953, njoftonte Këshillin e Ministrave me praktikë sekrete se ishte zhvilluar mbledhje dhe myftiu i atyshëm nuk kishte rënë dakord me kohën e shpejtë të shpërnguljes. Madje kishte kërkuar përfshirjen e kryetarit të Komunitetit Mysliman.

Këtu përmendet fakti se vendi do kthehej në parkun popullor të qytetit. Sipas këtij njoftimi, nga shkurti 1953, nisën varrimet në varrezat e reja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok