22/12/2024
Edison_Ypi

Nga Edison Ypi

Kurioz i papërmbajtur. Qe lindur për të ditur: Çfarë, kur, ku, si pse ? Pyeste vazhdimisht për gjithçka.

Kur ishte fëmijë, gjatë një vizite te Daja i tij, Seferi, ku shkonte për vizitë me Hasien, nënën e vet, mes një fizarmonike, një kallëpi këpucësh, një palë doreza boksi, dhe ca gjëra të tjera, i ra në sy një kuti metalike ngjyrë ergjëndi nja një pëllëmbë e lartë me një rreth të madh në pamjen ballore, ca shenja dhe dy shigjeta brenda rrethit.

Çfarë është kjo ? pyeti.

I thanë se është “Orë” që mat “Kohën”.

Pse shërben Ora ? Kujt i duhet Koha ? pyeti.

Kaluan vite. S’ja patën ngenë tu përgjigjeshin pyetjeve të parreshtura të kalamanit.

Kur një herë kërcënoi se do qante po të mos u përgjigjeshin pyetjeve, Seferi u ngrys, hoqi syzet, la për një çast leximin e volumit të tretë të romanit Doni i Qetë. U ngrit. Mori në duar kutinë misterioze. E kurdisi. E vuri ku e mori. Iku u ul te qoshja sokratike ku filozofonte. Kalamani mbajti frymën. Akrepat nuk lëvizën. Ora nuk punonte. Nisi të dëgjohej një muzikë tmerrësisht e ëmbël tip xylofoni. Kalamani u shushat. Muzika ndali. Magjia mbaroi. Kalamani lëshoi frymën. Mysafirët u larguan. Duke u kthyer në shtëpi, u ndjenë të ndryshuar. Më të kthjellët, më të fuqishëm, më të shëndetshëm se kur erdhën. Nuk bënte më ftohtë. Shiu kishte rreshtur. Era kishte ndalur.

Me vite nuk vajti kurrkund tjetër. Vetëm te Seferi, te Ora, te Koha, te Muzika, ëmbëlsia, magjia.

Duke u rritur, nisi të bënte një marifet. Sa herë nuk ndjehej mirë, mërdhifte, ose i fërshëllente koka, për të ardhur në vete, që koha të ngrohej, qielli të pastrohej, shqetësimet të tereshin, shkonte te Sahati i magjishëm, te Seferi i vrenjtur që tymoste duhan të dredhur, te Ora e çuditshme që nuk punonte, as nuk tregonte kohën, por nxirrte muzikë qiellore.

Një ditë prej ditësh Seferi i la për pak minuta bisedat pasionante me dy mysafirë të tjerë ardhur nga an’ e anës për të këmbyer idetë mbi mënyrat se si diktatori duhej shkuar në hell, përmasat, materialin dru apo metal të hellit, brimat e hyrjes dhe daljes së hellit, fuqinë kalorifike të qymyrit, intensitetin e prushit, nguljen e hellit para apo pas rrjepjes së lëkurës me biçak, rrotullimet në minutë të hellit, apo, nëse jo hell, si mund të lihej ai qen pa ngrënë e pa pirë brenda një kafazi me shufra të trasha hekuri në mes të Sheshit Skënderbej, ku aty ku hante, po aty të dhiste e të pshurrte, deri sa të ngordhte. U ngrit Seferi nga qoshja ku lexonte. Për ta kënaqur kuriozitetin e papërmbajtur të nipit dhe mysafirëve, tregoi diçka mbi historikun e atij Sahati.

Seferi tha:

Po kaloja te Pazari i Vjetër. Para dyqanit të një hebreu sahatçi, dëgjoj një muzikë që më rrënqethi. Ishte më e bukur se muzika më e bukur e botës që janë ulurimat e Diktatori duke ja rrjepur lëkurën me një brisk rroje nga ata të synetllëkut.

-Sa bën ? i thashë hebreut

-Kaq, tha hebreu.

-Na edhe aq, i thashë.

E mora Orën. Ika.

Hebreu më ndoqi nga pas me sy sikur shqiptar të ishte ai, ndërsa hebre unë.

Kjo Muzikë më ka lumturuar veshët, trurin, shpirtin, madje më ka shpëtuar disa herë jetën kur kam qënë i sëmurë, dhe kur pata ca ngatërresa me llumin, zagarët, burokratët, hyzmeqarët, proletarët.

Nipçja i dëgjoi me kujdes fjalët e Seferit.

Nisi të shkojë më shpesh, për ta dëgjuar Orën, qarë kohën, depërtuar muzikën, prekur qiellin.

Sa herë që shkonte, kur hynte bënte ftohtë, binte shi, frynte erë. Kur dilte, koha ngrohej, era ndalte, shiu pushonte.

Pak nga pak kuptoi se kishte zbuluar armën pa e ditur çfarë lufte do bënte.

Një ditë kur Seferi qe përpirë i tëri nga ca lexime rrreth rolit të antikomunistit Churchill mbi fatet e botës, nipçja guxoi t’i afrohej Orës tinëz. Liroi dy vida poshtë bazamentit nga ku vinin tingujt. Brenda errësirës së kutisë, ndodhej një tambur i vogël. Mbi sipërfaqen cilindrike të tamburit ndodheshin një numur kunjash. Në trupin e orës ishin mbërthyer një numur shufrash, secila me peshë të ndryshme gdhendur në mënyrë mjeshtërore arizanale. Nga prekja e shufrave me kunjat dilte Muzika.

Seferi një ditë u largua nga kjo jallane.

J’u luta të ma japin sahatin mahnitës. Ma dhanë. Pa Seferin s’u duhej. Sahati me bombë apo Bomba me sahat, u bë i imi. Ajo Orë dhe ajo Muzikë, pasi shpëtuan Seferin të mos vdiste nga thundrat e proletariatit, më ndihmuan mua të mos ngordhja nga kafshimet e zagarëve.

Pasi këndoi e këndoi për shumë e shumë vite, Orës iu ngjir zëri, iu sëmur fyti, derisa një ditë ndali. Hebreu sahatçi që dinte ta ndreqte kishte vajtur te të shumtët. Tamburi, kunjat, shufrat, dhe gjithçka tjetër, u shkatërruan.

S’mund të ketë qënë as i vetmi as i fundit. Një tjetër Sahat të tillë do ta gjej e do ta blej. Me çdo çmim. Kush ta ketë. Ku të jetë. Edhe prapa Diellit. Edhe në fund të detit.

Për ta zhdukur tollovinë me muzikë.

Për ta pushkatuar egërsinë me urtësi.

Për ta vrarë shtazërinë me butësi.

Për të shëruar plagët e reja me muzikën e vjetër.

Për tu kënaqur pafund me muzikën më të bukur që ekziston, atë Tingull Turk që quhet Katibim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok