20/07/2024

Kapidani i Mirditës Mark Gjomarku

0

“Mirdita nuk mund të kuptohet pa deren e Gjomarkajve” – At Zef Pllumi o.f.m.

Mirdita, nuk mund të kuptohet pa Derën e Gjomarkajve. Si do që të shkruhet e të folet për ta, për nga vjetërsia e tyre, sidomos nga koha e Bushatllinjëve të Shkodrës, ata janë bërë shumë të njohur e të përmendur pse i prinin të gjithë Mirditës.

Mirdita, kishte shumë bajrakë, por mbi të gjithë bajrakët ishte kapidani, Dera e Gjomarkut, e cila është dalluar gjithmonë në ato mbledhjet e mëdha që janë bërë shpesh, ose Mirdita më vete ose me krahinat e tjera, sidomos me Shkodrën në kohën e Bushatllinjëve. Është e përmendur sidomos lufta e Peqinit, ku Kapedani i Mirditës mbeti i vdekur aty…

Nga Tomë Mrijaj

Të nderuar pjesëmarrës,

Zonja dhe zotërinj!

U gëzova shumë kur mësova për inisiativën e mbajtjes së një Akademie Përkujtimore, nga Forumi i të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Lezhë-Shqipëri, Associacioni: L’associaction Royaume Dy Soleil Francë, në bashkëpunim me Shoqatën “Trojet e Arbërit” në Prishtinë, kushtuar heroit të Shqipnisë Etnike Kapidanit të Mirditës Mark Gjon Marku, në 76-vjetorin e rënies së tij.

Për këto 44 vite në mërgim, kam pas fatin të njihem me shumë personalite të rezistencës me armë në dorë, kundër regjimit të egër komunist, i cili, u instalua në Shqipëri asokohe nga diktatori Enver Hoxha dhe suita e tij bolshevike.

Për arsye të situatës politikë shumë të rëndë, kur diktatura komuniste e përkrahur shumë edhe nga rinia dhe populli i gënjyer nga frazat dhe propaganda boshe komuniste, që kishte vendosur sistemin e ri bolshevik asokohe, kur krimet e komunizmit në popull ishin përhapur shumë e kudo, rezistenca e mëtejshme me armë në dorë nga nacionalistët ishte e pamundur.

Mbas vrasje së Kapidanit të Mirditës Mark Gjomarkut (që ishte njëherazi edhe Komandant i Forcave të Rezistencës së Armatosur Anti-Komuniste Kombëtare) dhe vëllait të tij Llesh (Aleksander) Gjomarkut, të gjithë nacionalistët u detyruan për shkak se komunizmi e kishte pushtuar Shqipërinë në pjesën ma të madhe, ata me dhimbje në zemër, u detyruan të lënë vendin e tyre.

Patriotët nacionalistë, asokohe mendonin se mbas një riorganizmit ushtarak (me stërvitje) në vendet e Europës Perendimore dhe me ndihmë të anglo-amerikanëve, ata kishin menduar se do të riktheheshin sërisht shumë shpejt në atdheun e tyre, për ta çliruar nga kthetrat e komunizmit të zi. Por, fatkeqsisht ajo ditë nuk erdhi kurrë…

Gjatë vitëve 1990, kur Shqipëria shkëlmoi gjumin letargjik të komunizmit dhe era e demokracisë po ndihej kudo, shumë nacionalistë atdhetarë, që ëndrronin të rikthehshin në Atdhe, fatkeqsisht ishin larguar nga kjo jetë dhe nuk arritën të shohin Shqipërinë e çliruar.

Në diasporën tonë të SHBA, patriotët e shquar nacionalistë dhe njëherazi martirët e Shqipnisë Etnike Mark Gjomarku dhe Llesh (Aleksander) Gjomarku, ishin emrat dhe historitë më të lakuara në çdo takim, mes bashkëluftëtarëve të tyre shqiptaro-amerikanëve, që asokohe ishin larguar nga Shqipëria dhe ishin vendosur përfundimisht në SHBA.

Gjatë takimeve të shpeshta, në situata të ndryshme në shumë qytete dhe shtete të SHBA-së, kam dëgjuar biseda direkte veçanërisht në shtëpinë e Kapidanit të Mirditës Ndue Gjomarkut dhe me prelatin e shquar dhe eruditin mons dr. Zef Oroshin (1912-1989), i cili, i njihte nga afër shumë mirë këto familje dhe personalitete luftetarë të maleve, të cilëve më përpara në Mirditë i kishte drejtuar si komandant i çetave nacionaliste anti-komuniste. Monsinjori, gjithë një e fajësonte vetën gjatë bashkëbisedimeve me emocione dhe kujtime të freskëta për ato ditë të ithta që kaloi populli i Mirditës dhe i gjithë trojeve shqiptare nën komunizëm.

Imzot dr. Oroshi, shpesh thoshte me dhimbje në shpirt, se: “Fajet i kena pas na klerikët e tri feve në Shqipni. Fatkeqsisht, nuk e organizuem apo mobilizuem popullin tonë, duke i hapun mendjen me informacione dhe fakte të reja mbi krimet e përbindshme, që komunizmi po bante konkretisht asokohe në Bashkimin Sovjetik, dhe në shumë vende të Europës Lindore. Ne asht dasht me qendrue ma pranë familjeve më za anti-komuniste dhe liderëve të opozitës anti-komuniste dhe popullin tonë çdo ditë me e perkrah në luftë apo kryengritje të vazhdueshme kundër bishes komuniste. Jam i bindun, se murtaja komuniste kurrë nuk do të kishte sundue me gjak e hekur vendin tonë të mjerë…”

Gjatë këtyre vitëve kujtoj, se bisedat e gjatë deri në orët e vona në shtëpinë e Kryetarit të Bllokut Indipendent Kapidanit Ndue Gjomarkut, me disa ish parashutistë dhe nacionalistë të rezistencës anti-komuniste me armë në dorë, të cilët i kishte përgatitur vetë dhe i kishte dërguar në malet e Shqipërisë së Veriut, pranë njeriut më të sigurtë, sikurse ishte meshtari patriot dhe anti-komunist dom Zef Oroshit, i cili, i kishte drejtuar më pas në baza apo shtëpitë anti-komuniste, që asokohe ishin më të sigurta. Për fat të mirë, këto fakte dhe prova historike, u vërtetuan nga botimi i plotë i Dosjes së Diktaturës së mons. dr. Zef Oroshit, me titull: “Një jetë i përgjuar”, (Botime Volaj, Shkodër, 2020).

Për më shumë kushdo mund të mësoj në këtë libër ku janë të botuara dokumente të rëndsishme historike, ku tregohet vetë nga Sigurimi Komunist i Shtetit asokohe, se meshtari dom Zef Oroshi nga Oroshi i Mirditës, famullitar në Ungrej, pas vrasjes së dy vëllezërve të derës së famshme të Kapidanit të Mirditës, Kapidan Mark Gjomarku dhe Llesh (Aleksander) Gjomarku, ishte emeruar nga forcat anti-komuniste të rezistencës si Komandant i Përgjithshëm, me pseudonimin Rozafati.

Sikurse thashë edhe më lart, këto biseda historike me emra dhe ngjarje konkrete, shpesh ishin të dhimbshme dhe me plot emocione, kur përkutojnim me emra konkretë shumë ngjarje, heronj të pamposhtur dhe figura të shquara të nacionalizmit shqiptar ndër vite, që kishin dhënë jetën e tyre, për çlirimin e vendit nga kulçedra komuniste.

Kështu Ndue Lala nga Kurbini (Mali i Bradhë), një luftatarë i pamposhtur anti-komunist me vëllezërit e tij Palin dhe Martinin, i tregonte Kapidan Ndue Gjomarkut, se vrasja e papritur e Kapidan Markut, fatkeqsisht humbi shpresat tona për fitore.

Nga ana e tjetër, Llesh Tarazhi, një bashkëluftëtarë i Kapidan Markut, kujtonte: “Kapidan Mark Gjomarku, kujdesej shumë për bashkëluftarët e tij. Atij i dhimbsej çdo luftarë ma shumë se vetvetja. Kështu ai delte nadje heret për me pa terrenin dhe rreth vendit ku ne ndodheshim. Kapidan Marku largohej shumë nga baza, ku ishim na të vendosun dhe shikonte me kujdes me dylbi çdo lëvizje të forcave komuniste rreth e perqark bazës tonë. Kishte raste që ai largohej nga baza deri në 2000 metra. Kujdesi i tij për ne ishte i vazhdueshëm. Vrasja enigmatike e tij, na ka trondit të gjithve dhe posaçerisht vëllain e tij Lleshin, i cili nga idhnimi për humbjen e vëllait shumë herë ka hy midis partizanëve dhe ka ba kerdi mbi ta, deri sa ra heroikisht në luftë me ta.”

Parashutisti tjetër nacionalist dhe anti-komunisti i përbetuar Kolë Çuni, tregonte vazhdimisht për dhimbjen e madhe, që e kishin përjetuar prej shumë dekadash, mbas vrasjes së Kapidan Mark Gjomarkut. Gjithashtu edhe parashutistët e tjerë si Zef Luka dhe Pjetër Gjoci, të cilët fatmirësisht kanë lënë kujtimet e tyre të shkruara. Kështu parashutisti shkodran Zef Luka në librin e  tij me kujtime me titull kuptimplotë: “Njiqind shqipe që erdhen për me prue lirinë”, tregon për stërvitjet e grupit anti-komunist në kampet e Italisë, planet e operacioneve zbarkuese në Shqipërinë e Veriut dhe më së shumti në Pukë dhe Mirditë.

Edhe nacionalisti anti-komunist Nikollë Melyshi (babai i komunistit Pal Melyshi), i cili, ka lënë kujtimet e tij të shkruara, për të gjithë ngjarjet dhe personazhet historike të kohës në Mirditë dhe në tërësi në Shqipërinë e Veriut. Kështu ndër të tjera, autori Mëlyshi, në një poezi revolte kundër komunistëve dhe të afërmeve të tij të një gjaku, të droguar nga propaganda boshe e komunizmi të zi, ai vargëzon në mënyrë origjinale kështu:

Pjelli lajka në Mirditë,

I ka ba dy komunistë:

Nji Pal Melysh e Bardhok Bib

Mirdita, kjo trevë kreshnike me histori të lavdishme ndër shekuj, me në krye më Kapidanët e saj, ka qenë gjithnjë krenari kombëtare. Këtë nuk e gjunjëzuan perandoritë e mëdha të kohës. Ajo i bëri ballë çdo armiku, që sulmoi atë krahinë. U ruajt etnikisht e pastër me traditat e Kanunit të Lekë Dukagjnit, me fe tradicionale të krishterë shumë shekullore, me traditat dhe zakonet, që u ruajtën dhe u percollën me sukses ndër shekuj.

Tek kapidanët e Mirditës, historia u përsërit. Kështu Kapidan Bibë Doda (1820-1868), u helmua nga armiku shumë shekullorë i Peandorisë Osmane. Ai u nxuar brutalisht nga varri dhe u ekspozua kufoma e tij si fyerje në rrugët e qytetit të Shkodrës. Kur ky lajm i hidhur kaloi gojë më gojë në qytetin antik të Shkodrës ajo u përhap me shpëjtësi edhe tek selitë e Ambasadave të huaja, që ishin të vendosur në Shkodër.

Kështu Ambasadori i Francës në rrugë diplomatike, ndërhyri menjëherë në këtë skandal turpi tek pala turke, për të mos thelluar edhe më shumë fyerjen e traditave dhe zakoneve shqiptare dhe në veçanti të mirditorëve mbi Derën e famshme shatatë shekullore me histori të lavdishme të Gjomarkut. Kufoma e të ndjerit u rrivarros në Vorrezat e Rrmajit të qytetit, me nderime dhe respekt nga mirditorët dhe e gjithë qytetaria shkodrane. Ishte pikërisht kjo arsyeja, që rivarrimi i tij pengoi gjakderdhejen e mundshme mes mirditorëve dhe ushtrisë turke. Fatmirësisht, eshtrat e tij pushojnë në varrezat e qytetit.

Por nga ana e tjetër, për hir të së vërtetës historike, duhet thënë se vrasja misterioze me trathti (kurth) e Kapidan Mark Gjomarkut jo nga armiqët e huaj, por nga shqiptarët e një gjuhe, toke dhe gjaku në Prosek të Mirditës, komunistët e gëzuar menjëherë e morën trupin e tij pa jetë dhe të mbuluar me gjak dhe e shetitën zvarrë (për t’a ofenduar), duke nxitur popullin për të pështyer dhe shkelmuar mbi kufomë, sikurse thotë edhe vetë shkrimtari i shquar ish Ministri i Kulturës Prof. Ernest Koliqi, në poemen e tij historike, me titull: “Kanga e Kapidan Markut”. Kufomën e martirit Mark Gjomarku, forcat e sigurimit të shtetit komunist e terhoqën zvarrë dhe e ekspozuan para popullit në vendlindjen e tij në Orosh, Lezhë dhe rrugët e qytetit të Shkodrës. Të dy vëllezërit Mark dhe Llesh (Aleksander) Gjomarku edhe sot e kësaj dite nuk dihet se ku pushojnë eshtrat e tyre.

Së fundi, është koha që Mirdita dhe njerëzit e saj, sot ta rikthejnë dinjitetin e saj historik në vend, duke e shlyer njollën e zezë të vendosur nga ata, diktatura komuniste, duke reabilituar, rivlerësuar dhe hulumtuar mbi jetën dhe veprën e familjes zëmadhe të kapidanëve të Mirditës dhe heronjëve të pamposhtur të tyre, që ndër shekuj ishin ndera, krenaria e tokës dhe atdheut tonë. Gjithashtu, është detyrë kryesore e vetë mirditorëve, që të rindertojnë sarajet dhe Kullën historike të Gjomarkut, e cila në vetëvete është historia e lavdishme e vetë Mirditës, me në krye kapidanët e saj.

* * *

Një ndër figurat e shquara të Blokut Indipend, me drejtues nacionalistin e pamposhtur anti-komunist Kapidanin e Mirditës Ndue Gjomarkun, dhe miku i ngushtë i tij publicisti dhe studiuesi Tahir Kolgjini, në një shkrim me kujtime për jetën dhe veprën e heroit dhe martirit Kapidanin e Mriditës Mark Gjon Marku, ndër të tjera, ai lë porosinë për brezat e rinj, se duhet një përkujtim i vazhdueshëm i kësaj figure të madhe të Mirditës heroike dhe popullit shqiptar në tërësi. Kjo edhe për faktin dhe fatin e madh historik, se ai ishte një ndër figurat më të shquara dhe serioze, stoike në historinë më të vështirë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë asokohe si Ministër i Brendshëm dhe më kopetenti i saj, nga periudha e shkurtit të vitit 1943 deri në muajin maj të vitit 1943.

Kështu ndër të tjera, ai kujton: “Veç kësaj, na duhet me i kujtue dhe për arsye qi historiani i ardhshëm të ketë burime të vërteta në përshkrimin e ngjarjeve të botës shqiptare, gjatë kacafytjes së Luftës së Dytë Botërore. E kemi për detyrë… sidomos për Markun, sido qi të jetë shkrue, ato nuk janë të mjaftueshme për personalitetin e tij të vlefshëm… Ai qe nji student shqiptar vërtetë idealist… Pashë se ishte shum i kujdesshëm për të ndigjue e shum i preftë në shprehje. Aspak nuk më kishte gënjyem parashikimi i em, qi pata për tê, atëherë kur ishte student.. Ma vonë, me dorëheqjen e qeveris së Mustafa Krujës, ai, nji herë, kaloi në jetën private. Mbasandej, me kapitullimin e Italís në vjeshtën e vjetit 1943, mori pjesë në Kuvêndin Kombtar në Tiranë. Në kët kohë, elementi komunist, tue përfitue nga mungesa e autoritetit, e kishte mârrun frênin në dhamb dhe bânte atentate djathtas e majtas, tue vramë nacionalistë të shquem, me qëllim qi të mbjellte terrorin në popull dhe në qeverí. Pikërisht në kët kohë të rrezikshme, Mark Gjomarkaj me treqind miq e dashamirë, qi i kishte sjellun prej Mirdite, i siguroi mbrojtjen parlamentit, tue e ruejtun nga çdo msŷmje, ose kërcnim… Mark Gjomarkaj ishte ngarkue me detyrën e Komandantit të përgjithshëm të Forcave t’Armatosuna Kombtare. Ky Komitet, kishte për qëllim me ndalue hŷmjen e komunistëve në këtê pllâmbë të fundit të tokës shqiptare, për me mundë me lehtësue nji shkarkim eventual të ndonji force anglo – amerikane në Shqipní ose në ndonji vênd në zonën e Shkodrës.”

Tahir Kolgjini, që ishte caktuar si Prefekt i Shkodrës, përshkruan situatën e vështirë të mobilizimit të popullit shqiptar kundër komunizmit me armë në dorë, ku ndër të tjera kujton:

Ndërsa lufta vazhdonte me vrull në Mirditë dhe aty këtu derdhas në malsinat e tjera të Shqipnís, Markut i bâj këtê propozim: “Thika ka hasun n’asht. Komunizmi nuk mund t’asgjâsohet me masa gjysmake. Prandej, me nji urdhënesë, duhet të rekuizojmë të hollat dhe pasunín e luejtshme të bankave dhe të tregtarëve të zonës s’onë, pa përjashtim. T’iau kërkojmë për kundrejt dëftesash, tue i u dhânun nji afat të shkurtën. Kush nuk e jep shumën e kërkueme mbrênda afatit të caktuem… në litar!… Armë ka. Me nga njimijë frank në muej të përbâjmë (krijojmë ose mobilizojmë, shënimi im T.M.) nji forcë prej 15.000 vetësh dhe t’a ndezim luftën në nji ballë të gjânë, tue i mobilizue edhe vendet e shlirueme. Si t’i fusim forcat komuniste në dana, të marshojmë deri në kufînin grek. Me krijimin e nji qeverie kombtare, ka gjasë qi të zbarkojë ndonji njisí anglo – amerikane…

Rrethi për ditë e mâ tepër vinte tue u ngushtue. Ishte data 23 nandor 1944. Hangrëm darkë. Të tjerët shkuen secili në punë të vet. Mbetëm Kapidani medis nesh dhe un e Marku në skajet e ngushta të tavolinës, kundrejt njâni tjetrit.Në kët rasë Marku më drejtohet: “Or Tahir, duhet të përgatitesh se Ti do të dalësh nesër bashkë me babën.” “Për ku or Mark?” “Për ku t’a ketë shkrue Zoti. Nji herë për Gjermani. Babës, mbasi nuk zotnon ndonji gjuhë të huej, do t’i jap me vehte njanin prej vëllazënve. Do të niseni me ushtrín gjermane qi ritirohet”. “Na mâ, o duhet të nisemi krejt kështu, sikurse jemi, e pra edhe Ti, ose duhet të qëndrojmë të gjithë bashkë, siç jemi”. “Baba âsht i vjetër; prandej nuk âsht i malit. Ti Tahir, je shumë i lodhun. Të kemi ngarkue mjaft, e shërbime në vende të ndryshme. Je edhe i vetëm. Prandej duhet të largohesh. Sa për mue, un jam djali mâ i madh i Kapidanit të Merditës. Rândimi kryesor peshon mbi mue, sepse kam qênë i ngarkuem me autoritet. Mandej kam ngarkue shum miq, shum kumarë e shum dashamirë dhe farefis me përgjegjësina. Këta nuk mund t’i lâ vetëm. N’atë minutë, qi un të largohem nga Shqipnía, ka vdekun dera e Kapidanit të Merditës. E, po të vdes un, dera e Kapidanit të Merditës rron. Prandej un do të qindroj në malet e Shqipnís.”

Shënim: Dy tema apo shkrime e mëposhtme shumë të rëndësishme historike e shoqërojnë shkrimin tim kushtuar Derës së famshme të Kapidanit të Mirditës, të cilat në një fare mënyrë përshkruajnë edhe historinë e lavdishme të kësaj familje me një histori të gjatë shtatë shekullore. Ato jane temat: “Përbamja dhe shpërndamja e familjes sonë me 1944” dhe “Nji darsëm madhështore që bani shpija e Gjomarkajve…”.

Gjuha e shkrimeve e përdorur nga dy autorë të ndryshëm është gjuha geg e cila flitet dhe shkruhet ne ¾ popullsisë së trojeve etnike shqiptare dje dhe sot dhe se përmbatja esenciale nga ana e tjetër është shumë interesante.

“Nji darsëm madhështore që bani shpija e Gjomarkajve…”

Në revistën “LEKA”, në një nga numrat e saj të vitit 1930, shkruhet: “Nuk asht e pa vend të flas diçka edhe mbi darsmën madhështore që bani shpija e Gjonmarkajve, dera ma bujare e ma e vjetra në Mirditë, pse prej kësaj dasme shofim të përsëritun doket e njatyne darsmave prrallore, qi aq bukur na i përshkruejnë shkrimtarët e huej si Francesco Tajani, De Grandi, Gopchevich etj, darsmat qi kishin zakon me ba dyert bujare, shpijat e princave të moçëm të Shqypnisë, doke qi theksojnë karakterin e vjetër e bujar të Shqyptarit.

Duhet dijtë pra, se Kapidan Gjoni i Marka Gjonit, qysh me 10 Gusht kishte përhapë thirrsa e lajmtarë termal e teposhtë mrenda dymbëdhet bajrakëve (Mirditë, Kthellë, Malci të Lezhës) e jashtë për me grishë pa ndërlikim besimi, të madh e të vogël, autoritete të vendit e njerëz të huej, krenë, bajraktarë, pse të Dielën 24 Gusht 1930 martote Markun, djalin e pare të vetin, e i thirrte në darsëm qi të merrshin pjesë në gëzimin e familjes.

Të gjith sa kjenë të grishun, gjini, miq e dashamirë, të marrmen lajmin e grishjes mendojnë për dhanti e tuej fillue prej datës 18 Gusht të veshun e të mathun ma së mirit e shtërngue n’armë, tubë mas tube, kush para e kush mrapa, duen me dalë tu konaqet e Kapidanave.

Secila çetë ka qè e desh për dore e porsa duken kundruell konaqeve, i zoti i shpis qi i sheh, në shej gëzimi e hareje fillon pushkën, së cilës i përgjigjen miqt e kshtu pa ja da deri sa mrrijnë në shteg t’oborrit: aty pushka pran e miqt falen me të gjith tjerët qi i kanë dalë para, ndërsa gratë rreshtue n’oborr e këdnojnë parë e parë vallen dasmorve tuj përmend secilin me emën të vet e tuj i shpallë edhe dhuntin qi bjen, me fjalë: Faqe bardhë kjoftë filan zotni. Për dhanti pruni nji ka (dash) e nji flori Ja baft Zoti’i qind e’ i mi Ngiatja Zot jetën e ti, etj.

Miqtë i përcjell mrendë i zoti i shpis, ku i nderon me duhan e kafe e mrapa u shtron rakinë, mrendë kërset kanga e piskamja, ndërsa jashtë gratë u këndojnë kangën miqve qi vinë e burrat i nxisin batare pushkësh.

Prej datës 18 e deri me 23 Gusht s’prajnë tuj ardh miq e gati të gjith ndalen aty për nji javë ditë. Nuk dihet me të njehun se sa kjenë dasmorët, por pa droje gabimi, mund të thohet se janë kenë ma se 1000 vetë.

Bujaria e të zotit të shpis s’kursej kurrgja, për me nderue e me gostitë miqtë si duhet. Furrtarë prej Prizrendit kjenë pru aty për me qitë bukë si në gjytet, ashtu edhe gjellbasa për tryezë alla franka. Pat sofra kamëkryq si mas zakonit të vendit e sofra alla franka (franca) për të huej e zotni të naltë.

Gjithkund bollëk, salltanet e dalldi si në stoli t’odave, ashtu ndër orendi e në hae, në pije, sa mos me ja pasë lakmi shpijave as hoteleve të mdhaja të Europës, gjith ashtu shtrojë e mlojë për zotni e kurrkush nuk hoq keq për të fjetun.

Të shtundën nade, me 23 Gusht, krushqit e dhandrrit, 22 burra të zgjedhun, masi u falën me të gjith u hypën kuajve e përcjellë me kangë e batare nisen për Vig, në bajrak të Dibrrit, ku do të marrin nusen. N’at mrame bijnë në shpi të Marka Gjon Per Jakut, shpi ndër ma të mirat e Vigut e, të Dilën nade, bashkë me nuse e me krushqit e saj kthejnë n’Orosh për nji rrugë tjetër, sikurse asht zakoni.

Kur janë kah i aviten katundit, nji djalë ndër ma pelivanat, shkputet prej shokve e nget tu shpija e dhandrrit me dhanë siharriqin se nusja nuk asht larg. Në kët ndërkohë krushqit me nuse kanë xanë vend më nji patalok për me pritë tjerë krushq damsorë qi vine me u dalë para.

N’oborr t’dhandrrit rreshtohen gjith sa jan darsmorë e darsmore e t’u pamen krushqit nuse, kerset pushka batare e nuk men deri sa nusja të ket mrri n’oborr të shpis. Atëherë pran pushka e dahet ma e qartë vallja e grave. Krushqit falin e nusen e ulin prej kalit.

Pa u shtye gjatë ndër hollsina, përshtypja e pare qi ban nusja asht e mirë duket e re, edhe e hieshme sikurse i ri e i pashëm asht edhe dhandrri.

Ftyra e nuses asht e mlueme me duvak të kuq, por ai vel transparent len me pa se asht e mirë. Vesha e saj komtare përbahet me fustan të bardhë pola-pola, stravecë të kuqe me thekë, gjeheng cohet të bardhë mush me lajle e gajtana e kaçulitë të mndafshtë në krye.

Parsmen ia hijeshojnë stringla parallëkë ari, ballin ia zbukuron nji paftë ari (dallfes) me shum lajle, breshnue me lira turke, rrathë të kushtueshëm e gishtat mushë me unaza.

Ne kërkojshim dhandrrin, i cili asht mrendë e nuk duket, edhe ai asht veshun komtarisht, tirqi të bardhë me shum gajtana të zezë, enteri e jelek të ngrim n’ar e ksulë të bardhë në krye.

Baba qi bashkë me dy krushq të parashenjuem ulin nusen prej kalit, i merr dorën ksaj dhe e çon në mes të grave të cilat për pak kohë i kndojnë parë e parë e mandej e shtien në shtëpi. Te shkami i derës i shtrojn grunë për shej të mirë tue i urue “paste ardh me bereqet”, mandej i japin nji grusht sheqer, të cillin nusja e lshon mi nji kusi qi a në zjarr, për shej se nusja duhet të jet gjithmonë goj-ambël e pruftë harmoni në shpi.

Mrapa vjen ceremonia e duvakut, të cilin nuk ia hjek grue por nji mashkull ndër ma t’afërmit e konakut. Masi t’i hiqet duvaku e çojnë nusen me pushue. M’e shtri duvakun e me vue oroe n’at shtrojë t’kuqe, shihet nji shplakë dore e bardhë me pesë gishta.

Jashtë gjithnji vijojnë vallet e grave e mrendë kanga e ahengu. Krusht i kan qitë në nji anë ku i zoti i shpis vetë i ban nderë, me duhan kafe e i pyet, në ishin lodhë e ma vonë iu shtron raki e bukë.

Ndër të gjitha skajet e shpis janë shtrue sofra, mrendë e jashtë e me i njeh dalin ma se 90. I zoti i shpis gjindet gjithkund, në secilën sofër han dy-tre kashatë për me nderue miqtë, mandej kalon ndër sofra tjera.

Në sallon stolisun ma së mirit kan shtrue sofrën alla franca, aty ka ndej dhandrri me miqt e huej.

Në kët sofër, ndër të tjerë dahen në shej dy miq të huej: Z. Ermanno Armao, Konsulli i Përgjithshëm i Mretit t’Italisë në Shkodër e Z. Stërlingu, ish – inspektor i Oborrit Mretnuer të N. M. T. Zog i I.

Të Hanën qi asht darsma e madhe, si mas zakonit, nusja kje zgjue fort heret e kje çue me ndez zjarmin e me mush ujë në krue; kjo në shej se tash e kndej do të bahej zojë konakut e do të merrte në dorë rrangët e shpis.

Pa zbardh drita mirë priten 5 qe e përveç berreve tjera edhe 50 desh për ferlikë. Gjith dita kalon pa u kujtue me kangë e valle, tuj qitë pushkë e tuj ba qef.

Me gjith ketë mori nieri, prej gjithnduer krahine e bajraku, mes tymit te pijes e batareve të pushkëve nuk ndodhi kurgja e ligë e në këtë rasë u vërtetue fjala e mirditasit qi thotë: “Me mend në krye nuk bahem budall” e sikurse i urtë ndër fjalë, i mirditasi asht I përkorë edhe në hae e pije.

Të Martën nade, aty në shpi kje vue kunora, më parë civile, mandej kunora kishtare, të cilën e bekoi 2. Dom Prend Suli. Kumarë kjenë Z. E. Armao e Z. Stelingu. Mas kunore, kumarët e kapidanat e muerën n’grykë tuj përhajrue martesën.

Kemi pa se vendsit pruen për dhanti kush nji ka e kush nji dash. Për të huej dijmë se pruen kush armë të giata gjoje, gramafona e kolanë ari për nuse e tjera tesha arit.

Pa u shtye ma giatë me diftue se sa qefi u ba, edhe të Mërkuren e t’Enjten diftojmë se miqt tuba – tuba të përcjellun me pushkë e lanë atë shpi bujare krejt të kënaqun mushë me gëzim e me hare”.

(Nxjerrë nga botimi: “Zakone e Doke Shqiptare”, faqe 17-18-19-20 e 21 dhe nga revista “Leka”, Gusht 1930, faqe 159-160-161).

Të huejve që patën fat me shkrue mbi traditat, doket e zakonet tona, kurrnji send nuk u kish ba ma tepër përshtypje se sa pritja e bujaria e shqiptarit, si dhe feja e besimi në Zotin.

Këtu, krahas mendimtarëve e përfaqësuesve të vendit e të huej për Mirditën e Gjomarkajt, ka rolin e vet e vlerat e saja Dera princore e Gjomarkajve apo e Kapidanit të Mirditës.

Mirdita, Oroshi, nuk asht vetëm nji qendër e rallë e Krishtënimit, por asht nji qendër e randësishme e rezistencës antiosmane.

Në Kishën e Shën Lleshdrit në vitin 1602 mblidhet Kuvendi i Madh mbarë Ballkanik, ku u dërgohet një kërkesë për “ndihmë në luftë kundër turqve” princave të Europës e të Ballkanit. Mirditasit, jo vetëm luftuen kundër turqve, serbëve, malazezëve e grekëve në territoret shqiptare por edhe ma tej.

Mirditasit, shkruene Baldaçi, formojnë fisin klasik ma të madh në numër, ma homogjen, prandaj edhe ma karakteristik nga të gjithë të tjerët.

Përbamja dhe shpërndamja e familjes sonë me 1944

Po si ishim dikur e si jemi?… Ky 26 Nëndor 1944, na gjeti për herë të fundit të bashkuem, tue shikue njëni-tjetrin se çfarë do të na ndodhte, çfarë do të bahej me ne, nga do t’ia mbanim, si do të coptoheshim e cilat do të ishin rrugët e shtigjet nga do të kalonim. Ndoshta ishte hera e fundit që po rrinim e hanim sëbashku ? Mos o Zot, kështu me ne! Nanat e motrat e të gjithë ne thonim: Në dorë të Zotit, ndihma e shpresa e tij!

Në vitet 30-40 (të shekullit XX), Familja jonë përbahej nga: Gjon Marka Gjoni, Kapidani i Mirditës, gjyshi im. Dava Markagjoni, Nana e Kapidan Gjonit, Nanë-madhja siç e thërrisnin të gjithë. Mrika Markagjoni, bashkëshortja e Kapidanit, gjy-shja ime. Mark Gjomarkaj, djali i madh i Kapidanit, babai im. Ndue Gjomarkaj, djali i dytë i Kapidanit, axha im. Marta Gjomarkaj, gruaja e Markut, nana ime.

Kristina Markagjoni, vajza e Markut, motra ime Çelestina Markagjoni, vajza e Markut, motra ime Gjon Markagjoni, djali i Markut, unë. Marta Gjomarkaj, vajza e Kapidanit, halla ime. Llesh (Sander) Gjomarkaj, djali i tretë i Kapedanit, axha im. Dedë Gjomarkaj, djali katërt i Kapedanit, axha im. Bardha Gjomarkaj, vajza e Kapidanit, halla ime. Nikollë Gjomarkaj, djali i pestë i Kapidanit, axha im.

E u shpërndamë po atë ditë si vijon: Kapidan Gjoni me Nduen, me vullnet e qëllim të tyne dhe me porosinë e Markut, që dera jonë, Mirdita dhe Shqipnia, të kishin përfaqësuesit dhe të thonin fjalën e tyne në Perëndim, Europë e ma tej, u nisën në mërgim.

Kapidan Gjoni menjëherë i dorëzoi të birit, djalit të madh Markut, titullin „Kapidan” dhe që atë ditë dhe deri sa qe gjallë u quajt Mark Gjomarkaj, Kapidani Mirditës.

Marku, Kapidani i Mirditës, së bashku me të vëllanë Lleshin (Sandrin) me plot vullnetin e tyre për të mos e lanë Mirditën e Shqipninë në dorë të komunistëve, u prinë dhjetra e qindra krenëve, parive, bajraktarëve e luftëtarëve të krahinave të Shqipnisë veriore, asaj Lindore e të Mesme, dhe dolën në arrati për të organizue kryengritjen e përgjithshme kundër komunistëve e qeverisë së Enver Hoxhës, ose me u ba fli në altarin e atdheut.

Dava, Nana e Kapedanit, me moshë rreth tetëdhjetë e sa vjetëve, u strehua tek një plakë e vorfën në afërsi të lagjes ku jetonim.

Deda, axha im, u arrestue e burgos menjëherë. Hallën Bardhe, bashke me Çelestinën e mue, erdh e na mori një mik i familjes, Tome Tuku nga Barbullushi, na mbajti me bujari e zemër të bardhë për ma tepër se tre muej, e mandej erdhëm në Shkodër e u dorëzuem, ku u bashkuem me pjesën tjetër të familjes që kishte mbetë. Kurse Mrika, nanbabja ime (gjyshja), Marta nana ime, halla Marte, Kristina motra ime dhe axha Nikolla u izoluen në shtëpinë-burg të Guljem Lukës, karshi shtëpisë sonë.

Siç shihet, familja jonë u nda në pesë pjesë dhe ku ra njëni nuk ra tjetri, pa kurrfarë komunikimi mes nesh, pa pasë kurrfarë ndihme.

Përndjekja dhe survejimi ndaj nesh nga forcat e sigurimit ishte sa i rreptë aq i randë, jo vetëm nga ana e presionit psikologjik, por ishte lodhës e shkatërrues edhe fizikisht; pra, numëroheshim prej tyne si anmiqtë numër nji e shumë të rrezikshëm.

Ata mendonin se ne, kudo që të ishim të ndrymë, sikur edhe ne kuti, do të komunikonim me njerëzit tonë në mërgim e me ato në arrati, do të njoftonim gjendjen e do të jepnim informata. Prandaj izolimi ndaj nesh ishte ma se hermetik…

E prap kthehem tek dita fatkeqe e jona, 26 nandori 1944. Unë isha fare i vogël, 6 vjeç. Por, ama fëmija I mban mend të mirën e të keqen…

Në shtëpi dhe në oborr ishte rrëmujë e madhe. Lëviznim sa në një dhomë në tjetrën, ngjiteshim e ulëshim, ndigjoheshin zanat tue i thirrë njëni-tjetrit.

Më dukej se mundoheshim me shpëtue çka mund të shpëtohej, por ishte e kotë. Në oborr lëvizje të qëllimta e të paqëllimta, makina hynin e dilnin, vullnetarë e luftëtarë të armatosun, secili në gadishmëni të plotë, fytyra të vranta e të zymta si qielli i nandorit, që ndillte stuhi e rrebeshe dhe parashikonte acare të forta.

Baba im Marku jepte urdhna e porosi. Në mes të atij rrebeshi unë isha ma I vogli. Kisha mbetë si i hutuem. Më kapshin për dore e më ledhatonin herë nanëmadhja, herë nanë Mrika dhe herë nana ime Marta. Halla Marte e halla Bardhe nuk pranonin për asnjë çast që t’u iksha syve mbikqyrës të tyne.

Si i vogël që isha kisha mbetë si i hutuem në mes të atij kallabllëku. Shikoja fytyra të vrerosuna, të hidhëta, të zymta, vëreja lëvizje të shpejta, ngutje, ecje me hap e pa hap, njerëz të nxituem për veprime, me armë në brez, armë në krah, armë në makina. Nuk ma priste, as ma merrte mendja se ç’ka po ndodhte.

Nanat, hallat, axhat, motrat dukeshin sikur s’po ndodhte asgja, ato me kokën nalt, ballëçelun, e sfidonin situatën, dhe e përballonin, – e kujtoj sot, taman si trimneshat e sokoleshat mirditore.

Duket se gjyshi im, Kapidan Gjoni dhe baba im Marku, kishin bisedue me ta, i kishin sqarue dhe ua kishin mbushë mendjen me vuejtë, me ba një mijë e një sakrifica për të mbijetue, me shkri pasuni e katandi, me ruejt nderin, si asht zakoni i shqiptarëve, i mirditasit, i Kanunit dhe i Derës së Gjomarkajve dhe po të jetë nevoja me u flijue dhe me e luftue edhe fyta-fyt komunizmin.

Megjithatë, edhe sot, si atëherë, kam parasysh Gjysh Gjonin, Kapidanin, më kambë para derës së makinës, me të cilën do të nisej e do të ndahej njëherë e përgjithmonë, ai prej nesh e na prej atij.

Unë para tij, nji grimë fëmijë, por në atë timen edhe unë krenar e demek trim – natyrisht më takonte, se isha camerdhok Mirdite.

Gjyshi më shikonte me vëmendje e kushedi ç’ka shihte në mue me ato sy shqiponjë. Edhe sot e përfytyroj gjyshin, ashtu në kambë, nji burrë madhosh, i formuem, i mbajtnun, trim, syzi, fytyrën kuq, i fortë, që u mundonte me u tregue i qetë, e shikonte sa anej këndej, herë mue, here djemtë, nji nga nji, herë t’amën, gruen, nusen, të bijat, mbesat, shikonte shtëpinë, oborrin, pragun e derës, dukej sikur u lënte amanetet e fundit e na thoshte: “Po ju la në dorë të Zotit” dhe “U pafshim me hajr”!

Pasi u fal me të gjithë nji nga nji, me atë të falmen përshëndetëse mirditore, për të mos u pa ma kurrë, unë, se si ma dha Zoti, as unë nuk e dij edhe sot, kur më kujtohen ato momente fëmije, i dal përpara: unë Gjoni i vogël – përpara Gjonit të madh, dhe i drejtohem: “Ku po len, Babë, – pse kështu e thirrmin të gjithë, – përse nuk më merr me vete”? Dëshirë instinktive fëmije, por nganjiherë edhe fëmijët lëshojnë fjalë me peshë.

Ai që më deshi ma fort se kërkënd në botë, ai që më shikonte si përtërisin e fisit e të familjes Gjomarkaj, ai që më thërriste e më ledhatonte: “Kapidani im, – m’u përgjegj tue më ledhatue faqen e ndoshta për të parën herë, në jetën e tij tue iu dridhë zani, – ti do të rrish me nanat, kujdesu për to”.

Ndërkaq iu mbushën sytë me lot. Jo vetëm unë, por askush nuk e kish pa me lot në sy, as nuk e kish ndie tue ju dridhë zani, ashtu siç shprehet për të Ernest Koliqi. Mbasi tha ato fjalë hypi në makinë, tue u nda njiherë e përgjithmonë prej nesh.

Atë amanet e atë porosi që më la, s’e harova kurrë. E mbajta përherë në mendje e në zemër. U kujdesa aq sa munda për to e unë qeshë ai që u mbylla sytë.

Ai u largue me mjaft njerëz, ndërsa babai im me forcat e veta e përcolli deri në kufi. Kaloi shumë vështërsi, prita, kurthe e pengesa përgjatë Jugosllavisë, prej ku arriti në Austri, mandej në Romë, bashkë me axhën Ndue.

Po atë ditë më duel para baba im, Marku. Më bani përshtypje të veçantë. Isha mësue me e pa të urtë, të qetë, të matun, e kur kishte kohë knaqesh me mue e me Kristinën e Çelestinën.

Gjente kohë me na tregue ngjarje, fjalë të urta, doke e zakone, trimni të mirditasve e të njerzve të shquem të popullit tonë. Ishte e çuditshme.

Motrat e mija, që janë ma të mëdhaja e mbajnë mend ma shumë, më thonin: Baba Mark kishte cilësinë edhe aftësinë e nji mësuesi, pedagogu e psikologu me u ulë edhe në nivelin, mendjen e dëshirat të ne fëmijëve.

Isha mësue me e pa të veshun e mbajtun mirë, me kapele, serioz, por t’ambël, dhe me buzë në gaz. Ishte burrë pak ma tepër se mesatar, shumë i rregullt, i matun në fjalë, në sjellje, në mendime e veprime.

Ai ishte komandanti i gjithë familjës. U këshillonte shumë me Kapidanin, babën Gjon dhe me vëllaznit. Të gjithë ne e donim, e nderonim dhe e respektonim.

Aftësitë e tija, mendjemprehtësia dhe shikimi e tij i afërt e I largët, për familjen, vendin, popullin, Mirditën, banin që ai të vleresohej e të nderohej, jo vetëm nga familja, por nga populli, krahina e vet dhe nga kush e njihte e ia ndiente zanin.

Po atë ditë me 26 nëndor, edhe pse fëmijë, u çudita e u mrekullova, kur pashë babën tim të veshun me opinga, pantallona ushtarake kilot, me një xhaketë lëkure, me xhamadan e i ngjeshun me armë.

Ashtu siç ishte u nda prej shokëve filloi me u falë me ne. Ai i tha diçka nanës së vet e po ashtu grues, nanës sime. Natyrisht këshilla e porosi.

Unë ma vonë, në vite, i kërkova sa herë nanëbabës dhe nanës sime se çfarë u kishte thanë baba, kur u nda prej nesh -kurse ato asnjiherë nuk më tregonin, veçse u mbusheshin sytë me lot.

Po kështu veproi edhe axha Llesh (Sandër). Në ato çaste të vështira, si fëmijë që isha, nuk arrija me kuptue se çfarë po ngjiste, por dallohej qartë se nji re e zezë e ngarkueme me plumb e me stuhi, breshën e kob, po i turrej si kulçedër vendit, Shqipnisë e familjes sonë për t’i shpartallue e shfarosë.

E kujtimet, por edhe kohët e vuejtjeve të familjes sonë nuk sosën. Do t’i këthehem herë mbas here ditës së 26 nandorit 1944 me kujtime e mbresa që nuk më hiqen mendësh kurrë.

Kur u larguen burrat e shtëpisë, një pjese në mërgim e një pjesë në arrati, në malet e Shqipnisë e të Mirditës, ne që mbetëm, gra e fëmijë, hypëm në një karrocë, për t’u strehue diku. E braktisëm shtëpinë, se nuk kishte rrugë tjetër.

Partizanët e pushtuen Shkodrën e neve, si tepricë e familjes, detyrimisht na u desh të fshiheshim. Kishim frikë, dhe kjo ishte e drejtë, se lufta që bante baba në Mirditë, e cila sa vinte e zgjerohej dhe egërsohej, do të randonte keqas mbi ne.

Nëpër qytet e në të gjithë Qarkun e Shkodrës kishin fillue raprezaljet në masë me burgosje e pushkatime.

Për pak kohë u fshehem nëpër qytet, në familjet ma të besueshme, herë tek njëna, herë tek tjetra.

Kjo mënyrë nuk do të zgjaste e as nuk kishte siguri, përkundrazi do të kishte pasoja të këqija.

Prandaj, siç më tregonte gjyshja, nanë Mrika, dhe nana ime, e sot m’i përforcon halla Marte, u morëm vesh me miqtë e kështu u organizue largimi ynë nga qyteti.

Literature:

Tahir Kolgjini, Edhe nji herë po e kujtoj Mark Gjomarkajn”, “Lajmëtari i të Mërguemit”, Nr. 12, viti i 7, korrik 1976, fq. 11-15

Dr.Luigj Martini, Bibë Doda 1820-1868

Gjon Markagjoni i RI “Në Udhën e Vështirë të jetës Kujtime” Tiranë 2008

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok