KA MBETUR VETËM NJË FJALË, DORËHEQJA
Nga Ndue Dedaj
Janë thënë të gjitha, premtimet e stërpërsëritura të Qeverisë, është dhënë besa e fundit, por dora e saj ka mbetur shtrirë, pasi ka munguar dora tjetër e ngjatjetimit. Ndoshta ngaqë studentët nuk e besojnë se mund të funksionojë besa në kohën moderne të Kushtetutës.
Është i pestë muaj që Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë, kurse Kryeministri duhet të ketë thënë me vete: “Bane Zot andërr!” Por nuk paskësh qenë andërr. Tirana është në flakë prej një jave dhe prapë kreu i Qeverisë ka deklaruar për një media të huaj se nuk do ta japë dorëheqjen, edhe pse është e vetmja gjë që ka mbetur pa u bërë në këtë kaos. Nuk do ta japë, thotë ai, kinse nuk mund ta lërë vendin në dorën e armiqve të brendshëm dhe të jashtëm; se don ta fusë vetë Shqipërinë me duart e tij Bashkimin Europian; se duhet bitisur Zvërneci e gjer ndërtimi i kullës së “Tajvanit” etj.
Por qytetarët kërkojnë me ngulm dorëheqjen e tij dhe të Qeverisë, në mënyrë të pakushtëzuar. Ky është problemi sot. I vetmi problem. I janë bashkuar kësaj dhe deputetë socialistë, ish-drejtues shtetërorë të së majtës, figura publike etj. Nuk ka një alternativë tjetër. Të gjitha janë thënë. Nuk ka shumë fjalë, ka mbetur vetëm një: Dorëheqje.
Të tjerat vijnë më vonë. Një Kushtetutë e re, që të ndalojë Kryeministrat në demokraci të “mbretërojnë”, qeveritarët të grabisin pasuritë kombëtare, të sanksionojë që kreu i shtetit të zgjidhet nga populli, që Kuvendi të jetë i popullit dhe për popullin dhe jo i krerëve të partive, që mediat të mos mund të shiten për llogari të pushtetit, që oligarkët ta kuptojnë se nuk mund të pasurohen me lekët e shqiptarëve etj.
Por këto janë për nesër. Sot është dorëheqja!
Edi Rama e ka shpallur me kohë kredon e tij, se punon për të mbetur në histori. Por në histori nuk ka mbetur askush që ka përdorur dhunën e pushtetit si armë në demokraci, aq më tepër kundër rinisë. Është e habitshme se si ai del e flet në rrënojat e djegieve të këtyre ditëve në kryeqytet, edhe pse nuk i ka më grat fjala. Prej tij pritet vetëm një fjalë, dorëheqja.
Nga ana tjetër, të gjithë presin reagimin e vonuar të ambasadave të huaja, veçanërisht Ambsadorin Amerikan, që t’i thotë kryeqeveritarit tonë: mjaft më, është koha të shkosh në shtëpi!…
