NJË UDHËTIM I IMAGJINUAR NË KOHË
Nga kujtesa e të parëve te malli i pasardhësve
Rrëfim letrar i mbështetur në përvoja të jetuara në Turqi
Nga Lazim Miftari
- Një udhëtim që nisi me një pyetje
Kam qëndruar gjatë në Turqi. Kam njohur njerëz të shumtë dhe kam biseduar me mijëra prej tyre. Shpesh bëja pyetje që të tjerëve mund t’u dukeshin të zakonshme, por për mua hapnin dyert e një historie të tërë.
Kur takohesha me njerëz, i pyesja për prejardhjen e tyre. Shumë më tregonin për vende jashtë kufijve të Turqisë së sotme: Shqipërinë, Kosovën, viset shqiptare të mbetura jashtë kufijve, Ballkanin, Kaukazin, Arabinë.
Shqiptarët, shpesh, më përgjigjeshin me një krenari që më mbetej në kujtesë:
— Ne jemi shqiptarë nga etnia dhe krenohemi me të. Turq jemi nga shtetësia.
Disa e dinin jo vetëm vendin nga kishin ardhur të parët, por edhe qytetin, fshatin, fisin dhe emrat e paraardhësve. Në kujtesën e tyre vazhdonin të jetonin njerëz që kishin lënë pas një tokë, një shtëpi dhe një jetë të tërë.
Atëherë, me humor, i pyesja:
— Po kush është turk i vërtetë, vendas i kësaj toke?
Ata qeshnin dhe ngrinin supet. Unë vazhdoja të pyesja e të dëgjoja, pa e ditur se pas këtyre bisedave më priste një përvojë që do ta shndërronte historinë nga diçka që lexohet në libra në diçka që mund të përfytyrohet sikur po ndodh para syve të tu.
- Mysafiri që vinte nga vendi i të parëve
Në Turqi kam përjetuar një mikpritje që më ka mbetur thellë në zemër. Me dhjetra e dhjetra familje më kanë marrë në shtëpitë e tyre, në dreka e darka, pa më pyetur gjatë nëse dëshiroja të shkoja. Shpesh nuk më njihnin fare. Mjaftonte të dinin se vija nga vendi prej nga kishin ardhur të parët e tyre.
Për ta, unë nuk isha vetëm një njeri që vinte nga larg. Vija nga një vend që e kishin dëgjuar të përmendej që në fëmijëri, nga një tokë që prindërit dhe gjyshërit e tyre e kishin mbajtur gjallë nëpër rrëfime. Në ato shtëpi kishte mikpritje, dashuri dhe kujtime. Ndonjëherë, një pyetje e thjeshtë për vendlindjen e të parëve mjaftonte që biseda të zgjatej me orë të tëra.
Unë dëgjoja. Ata tregonin. Dhe, ndërsa dëgjoja, filloja të përfytyroja jetën që kishin lënë pas paraardhësit e tyre.
Por një ditë, në këtë udhëtim të gjatë mes njerëzve dhe kujtimeve, ndodhi diçka që ma hapi një derë tjetër të përfytyrimit.
- Kur në mua shihnin gjyshin e tyre
Kur isha më i ri, jam i gjatë rreth një metër e nëntëdhjetë dhe kisha një trup të zhvilluar. Në disa familje shqiptare, kur hyja në shtëpi, njerëzit mblidheshin rreth meje dhe më shikonin me kureshtje, sikur donin të krahasonin pamjen time me figurën që kishin krijuar në mendje nga rrëfimet e familjes.
Pastaj dikush thoshte:
— Gjyshi im, kur paska ardhur në Turqi, sipas tregimeve që na kanë lënë të moshuarit, paska qenë tamam si ti!
Këtë e kam përjetuar në shumë familje. Për ta, ngjashmëria ime zgjonte një kujtim të trashëguar. Ata përpiqeshin të përfytyronin gjyshin ose stërgjyshin që ishte larguar nga vendlindja shumë vite më parë.
Dhe unë, duke e kuptuar emocionin e tyre, ua ktheja me humor:
— Unë jam gjyshi yt i atëhershëm! Kam udhëtuar nëpër kohë dhe jam kthyer përsëri!
Ata ngriheshin, më përqafonin dhe qeshnim. Qeshnim të gjithë.
Por, pas asaj të qeshure, unë filloja të mendoja për diçka që shkonte përtej humorit. Po sikur të isha vërtet ai gjysh? Po sikur njeriu që qëndronte para meje të ishte pasardhësi im, ndërsa unë të isha kthyer nga një udhëtim i gjatë nëpër kohë? Çfarë do t’i tregoja? Çfarë do të më pyeste? Dhe çfarë do të ndiente kur të më shihte para vetes?
Kështu nisi udhëtimi im i imagjinuar.
- Kthimi në kohë
Le të përfytyrojmë se koha hapet si një derë. Vitet largohen njëri pas tjetrit. Shtëpitë ndryshojnë, rrugët zhduken, fytyrat plaken e brezat zëvendësohen. Por, në një cep të kujtesës, mbetet një njeri që ende nuk e ka përfunduar udhëtimin e tij.
Ai është gjyshi.
Është nisur nga vendlindja dhe po shkon drejt një vendi të panjohur. Pas vetes lë shtëpinë, arat, krojet, malet, varret e të parëve dhe njerëzit që i kanë dhënë kuptim jetës së tij. Nuk e di se çfarë do të gjejë përpara. Nuk e di nëse do të kthehet ndonjëherë. Ndoshta u ka premtuar fëmijëve se do t’i marrë me vete. Ndoshta u ka thënë të afërmve se largimi do të jetë i përkohshëm. Ndoshta është nisur me shpresën se një ditë do të kthehet.
Ndoshta largimi i tij nuk ka qenë zgjedhje e lirë.
Historia e shpërnguljeve njeh shumë arsye: luftëra, dhunë, pasiguri, varfëri dhe vendime politike që ua kanë ndryshuar jetën njerëzve. Por secila familje ka historinë e vet, dhe arsyet e një largimi nuk mund të dihen pa dëshmi.
Në udhëtimin tim të imagjinuar, unë nuk dua t’ia shpik historinë këtij gjyshi. Dua vetëm t’i afrohem me mendje, ta përfytyroj në rrugën e tij dhe të pyes veten: Çfarë ka ndier kur është kthyer për herë të fundit për të parë vendin e vet? A e ka mbajtur brenda vetes emrin e fshatit, duke shpresuar se një ditë do t’ua tregojë fëmijëve?
Nuk i di përgjigjet. Por e di se, për shumë njerëz, largimi nga vendlindja nuk është vetëm ndryshim vendi. Është ndarje nga një botë e tërë.
Dhe unë vazhdoj të udhëtoj pas tij.
- Më trego ku e kishe shtëpinë, gjysh!
Tani, në përfytyrimin tim, jam kthyer në shtëpinë e pasardhësve. Ata më presin. Në fytyrat e tyre shoh kureshtje dhe gëzim. Njëri më afrohet dhe më pyet:
— Gjysh, ku e kishe shtëpinë?
Unë nuk përgjigjem menjëherë. Për një çast, e imagjinoj veten në vendin e tij, në kohën kur vendlindja ishte ende shtëpia ime. Pastaj i them:
— Eja, bir. Po të tregoj.
E marr për dore dhe dalim në oborr. Përfytyrimi më çon larg, në tokën e të parëve. Atje janë arat, shtigjet, krojet dhe malet që kanë dëshmuar jetën e shumë brezave.
— Këtu ishte shtëpia jonë, i them. Këtu e kalonim ditën. Këtu punonim tokën. Atje ishte rruga që na lidhte me fqinjët. Aty pranë ishte kroi ku ndaleshim për të pirë ujë.
Ai më dëgjon me sytë hapur.
— Po kjo tokë, gjysh? A ishte e jona?
— Ishte toka ku jetonim, bir. Toka ku kishim kujtimet tona, ku kishim punuar dhe ku kishim varret e njerëzve tanë.
— Po pse u largove?
Kjo është pyetja më e vështirë. Në udhëtimin tim të imagjinuar, nuk dua t’i jap një përgjigje të gatshme. Dua ta shikoj në sy dhe t’i tregoj vetëm atë që dihet për historinë e familjes sonë. Sepse një njeri që kthehet nga e kaluara nuk duhet të sjellë vetëm fjalë të bukura. Duhet të sjellë të vërtetën.
Dhe, nëse nuk mund t’i tregoj saktësisht çdo hollësi të largimit, të paktën mund t’i them:
— Mos e harro vendin prej nga kanë ardhur të parët e tu. Njihu me historinë e tij. Pyet për emrat, për fshatin, për njerëzit dhe për arsyet që i detyruan ose i shtynë të largoheshin. Mos lejo që kujtesa të mbetet vetëm një emër i përsëritur nëpër breza.
Ai hesht. Pastaj më pyet:
— Gjysh, a do të mund të shkoj një ditë atje?
Dhe unë i përgjigjem:
— Po, bir. Rruga e kujtesës nuk është e mbyllur.
- Një tokë e largët, por jo e harruar
Tani kthehem nga përfytyrimi te jeta ime e vërtetë.
Kam takuar njerëz në Turqi që dinin emrat e fshatrave nga kishin ardhur të parët. Disa njihnin qytetet, fiset dhe historitë familjare. Disa ruanin kujtime të hollësishme, të trashëguara nga brezat e mëparshëm. Më ka bërë përshtypje se si një vend mund të mbetet i pranishëm në jetën e njerëzve edhe kur ata vetë nuk kanë lindur kurrë aty.
Një emër fshati mund të përsëritet në tryezën familjare për dhjetëra vjet. Një histori për një gjysh mund të tregohet aq shpesh, sa pasardhësit të krijojnë një figurë të gjallë të tij. Një vend i largët mund të bëhet pjesë e identitetit familjar, edhe kur brezat e rinj e njohin vetëm nga rrëfimet.
Kështu, vendlindja nuk është gjithmonë vetëm një pikë në hartë. Ajo mund të jetë një kujtim. Një emër. Një histori. Një mall që nuk është përjetuar drejtpërdrejt, por që është trashëguar.
Në rastin e shqiptarëve që kam takuar, kjo lidhje më ka prekur veçanërisht, sepse shumë prej tyre e shprehnin hapur krenarinë për origjinën shqiptare, edhe pse jetonin prej brezash në Turqi dhe kishin shtetësi turke. Kujtesa e prejardhjes dhe identiteti i sotëm nuk janë medoemos kundërshtime. Njeriu mund të jetë qytetar i një shteti dhe ta ruajë njëkohësisht lidhjen me etninë, gjuhën dhe historinë familjare të të parëve.
Pikërisht këtë kam dëgjuar në shumë biseda. Dhe pikërisht këtë dua ta ruaj në kujtesën time.
- Mikpritja që e kapërcen kohën
Ka një gjë tjetër që nuk mund ta harroj: mikpritjen.
Shumë familje më kanë ftuar në dreka e darka pa më njohur më parë. Nuk kërkonin të dinin se kush isha në hollësi. Kur merrnin vesh se vija nga vendi i origjinës së tyre, më pritnin me ngrohtësi.
Nganjëherë mendoja: sikur të isha vërtet gjyshi i tyre, i kthyer nga koha! Do të ulesha në odën e tyre dhe do t’u tregoja për tokën e të parëve. Do t’u përshkruaja arat, shtëpinë, rrugët, malet dhe krojet. Do t’u tregoja si ishte jeta përpara largimit, çfarë kishim lënë pas dhe si kishim marrë rrugën drejt së panjohurës.
Ata do të më dëgjonin me orë të tëra. Do të më pyesnin për emrat e të afërmve. Për njerëzit që kishin mbetur në vendlindje. Për arsyet e largimit. Për rrugën që kishim ndjekur.
Dhe unë, në përfytyrimin tim, do të përpiqesha t’u përgjigjesha. Sa të lumtur do t’i bëja, mendoja!
Nuk do të ishte vetëm një takim me një njeri të kthyer nga e kaluara. Do të ishte një takim me pjesën e historisë familjare që u kishte munguar. Pastaj, papritur, do të kthehesha në të tashmen. Do të shihja se isha ende mysafiri që kisha qenë që në fillim. Gjyshi i vërtetë nuk ishte kthyer. Por pasardhësit kishin gjetur për një çast një mënyrë për ta përfytyruar. Dhe kjo më mjaftonte për të kuptuar sa e fuqishme mund të jetë kujtesa.
- Dhimbja e largimit
Por pas këtyre përfytyrimeve vjen edhe dhimbja.
Sepse bota nuk i ka trajtuar gjithmonë njerëzit me drejtësi. Luftërat, shpërnguljet, përndjekjet dhe vendimet politike kanë ndarë familje, kanë zbrazur fshatra dhe kanë detyruar njerëz të kërkojnë strehim larg vendit ku kishin lindur. Shpesh, ata që largohen nuk e dinë nëse do të kthehen. Nganjëherë largohen duke shpresuar se një ditë do të kthehen. Nganjëherë ndërtojnë jetë të reja në vendet ku mbërrijnë, por kujtesën e vendlindjes e ruajnë në heshtje.
Pastaj kalojnë vitet. Fëmijët bëhen prindër. Prindërit bëhen gjyshër. Brezat ndërrohen. Dhe një ditë, dikush ulet në tryezë dhe pyet:
— Nga kemi ardhur ne?
Një i moshuar përgjigjet:
— Të parët tanë kanë ardhur nga një fshat në Shqipëri, nga Kosova, nga një krahinë shqiptare…
Dhe nis tregimi. Ndoshta tregimi nuk i ka të gjitha hollësitë. Ndoshta disa emra janë harruar. Ndoshta rruga e shpërnguljes nuk mbahet mend saktësisht. Por diçka vazhdon të jetojë. Një fije lidhëse ndërmjet brezave.
Kur i mendoja këto gjëra, më dilte nga shpirti:
Ah, sa e padrejtë është kjo botë!
Sa shumë njerëz kanë humbur shtëpinë, tokën dhe vendin ku preheshin të parët e tyre! Sa fëmijë kanë lindur larg vendlindjes së gjyshërve! Sa njerëz kanë dëgjuar gjatë gjithë jetës për një vend që nuk kanë pasur mundësi ta njohin!
Dhe sa herë që një pasardhës më shikonte e më thoshte se i ngjaja gjyshit të tij, unë përfytyroja jo vetëm një fytyrë, por një jetë të tërë që kishte kaluar. Një jetë që nuk mund të kthehej. Por që nuk ishte zhdukur krejtësisht.
- Gjyshi që nuk u kthye, por që jetoi në kujtesë
Në fund të këtij udhëtimi të imagjinuar, unë e kuptoj se nuk mund të kthehem vërtet në kohë.
Nuk mund të bëhem gjyshi i tyre. Nuk mund t’i shoh me sytë e tij arat që kishte punuar, shtëpinë ku kishte jetuar ose rrugën nëpër të cilën ishte larguar. Nuk mund t’u tregoj hollësi që nuk i di.
Por mund të dëgjoj. Mund të ruaj atë që më kanë treguar. Mund të shënoj emrat, vendet dhe kujtimet që më kanë besuar. Mund të dëshmoj se kam takuar njerëz që e mbanin gjallë prejardhjen e tyre dhe që më pritën me dashuri, sepse vija nga toka e të parëve të tyre.
Dhe mund të përfytyroj se çfarë do të ndodhte sikur gjyshi të kthehej për një ditë të vetme.
Ndoshta do të ulej në krye të tryezës. Pasardhësit do të mblidheshin rreth tij. Dikush do ta pyeste për vendlindjen. Një tjetër për familjen. Një tjetër për rrugën e largimit. Ai do të fliste, ndërsa ata do të dëgjonin. Pastaj, kur të mbaronte tregimi, ndoshta do të mbretëronte një heshtje e gjatë. Sepse jo çdo dhimbje shprehet me fjalë.
Dhe kur koha të fillonte të mbyllte përsëri derën, gjyshi do të duhej të kthehej në të kaluarën e vet. Pasardhësit do të mbeteshin në të tashmen e tyre. Por kësaj here do të dinin pak më shumë. Do të kishin dëgjuar jo vetëm se nga kishin ardhur të parët, por edhe çfarë kishte kuptuar për ta ai vend.
Do të kuptonin se pas një shpërnguljeje nuk qëndron vetëm një datë historike. Qëndron një jetë njerëzore. Një shtëpi. Një tokë. Një familje. Një rrugë. Një mall. Dhe një kujtim që vazhdon të jetojë.
- Kthimi në të tashmen
Kur mendoj për ato familje në Turqi, më kujtohen përqafimet dhe të qeshurat. Më kujtohet kur u thosha se isha gjyshi i tyre i kthyer nga koha. Më kujtohet se si ngriheshin e më përqafonin, duke qeshur.
Ishin çaste të bukura, por edhe prekëse. Unë e dija se nuk isha gjyshi i tyre. Ata e dinin gjithashtu. Ishte loja jonë e përbashkët, një shaka e ngrohtë që na lejonte të afroheshim për një çast me njerëz që kishin jetuar shumë kohë përpara nesh.
Megjithatë, në mendjen, udhëtimi vazhdonte. Shkoja në të kaluarën, ecja nëpër rrugët e imagjinuara të paraardhësve, shihja tokat që kishin lënë pas dhe kthehesha përsëri te pasardhësit që më prisnin në të tashmen.
Realiteti më jepte njerëzit, bisedat dhe mikpritjen. Përfytyrimi më jepte mundësinë të shihja atë që nuk mund ta shihja me sytë e mi. Dhe mes të dyjave qëndronte kujtesa.
Ndoshta ky është kuptimi më i thellë i udhëtimit tim: jo të pretendoj se e njoh të kaluarën e çdo familjeje, por të përpiqem të kuptoj se çfarë mund të ketë lënë pas një njeri kur është larguar nga vendlindja dhe çfarë mund të ketë ruajtur në zemër pasardhësi i tij.
Sepse njeriu nuk jeton vetëm në kohën e vet. Ai jeton edhe në kujtimet që lë pas. Dhe, ndonjëherë, në sytë e një njeriu që vjen nga vendi i të parëve, pasardhësi mund të shohë për një çast figurën e gjyshit që nuk e ka njohur kurrë.
Atëherë, përmes një shakaje, një buzëqeshjeje dhe një përqafimi, e kaluara afrohet me të tashmen.
Koha nuk kthehet vërtet. Por kujtesa e bën të mundur që ne ta kërkojmë atë.
Dhe unë, përmes atyre njerëzve, udhëtova në kohë — jo me trupin tim, por me mendjen, zemrën dhe përfytyrimin tim.
Lazim Miftari
18 Tetor 2026, Prishtinë
