22/12/2024

“Jehu i Përjetësisë”, ose përçimi i trashëgimisë më thelbësore të veprës dhe jetës së At Zef Pllumit

0
Vera-Pelaj-Jehu1

Nga Elvi Sidheri
Dalja nga shtypi e studimit “Jehu i Përjetësisë” të Vera Pelaj, gazetare dhe shkrimtare me përvojë në të dyja këto fusha me një profesionalizëm të theksuar e përkushtim të dëshmuar tashmë, na ofron të gjithëve, dashamirës të veprës e jetës së At Zef Pllumit, por edhe lexues të etur për ushqimin shpirtëror e atdhetar të ngjizur nga mendja e ndritur e klerikut erudit patriot, mundësinë për të gjetur në një botim të vetëm, shtjellimin gjithëpërfshirës të larmisë frymëzuese të krejt përvojave jetësore, mendësore, kulturore, shpirtërore e njerëzore të këtij kolosi të botës shqiptare të shekullit XX.
Pikërisht ky është edhe kulmi i vlerave që ngërthen ky studim, një botim që vetvetiu për shumëkënd do të shndërrohet në paradhomën e njohurive dhe shuarjes së ëndjes kureshtare mbi trashëgiminë për brezat e ardhshëm të përçuar nga françeskani i madh, njeriu i përulur (por kurrë i kërrusur, përkundër mizorive biblike të cilave do t’u nënshtrohej nën vargonjtë e regjimit diktatorial monist), fetari i paepur dhe shqiptari i mirëfilltë, mendja e praruar e At Zef Pllumit.
Autorja Vera Pelaj, ka ditur që në këtë libër studimor të ndërfutet mjeshtërisht nëpër të gjitha shtresat dhe nënshtresimet e vetëdijshme dhe të padukshme të mendimit e botëkuptimit të At Zef Pllumit, duke ia dalë mbanë me sukses të plotë që ndërkaq t’i ofrojë lexuesit edhe një sintezë të kthjellët të shoqërisë shqiptare në diktaturë, gjithçka e kundruar çiltërsisht me sytë e pafajësisë së klerit katolik shqiptar, të mishëruar në përvuajtjen shpirtërore dhe torturat trupore që rraskapisin vegimin njerëzor të klerikut rrëfimtar.
Pakkush gëzon këtë dhunti, që ta kuptojë, (bashkë)ndiejë dhe të njësohet me universin, ndjesitë më intime, përvojat dhe shajnitë largpamëse të një krijese njerëzore të zdritur mendërisht e fizikisht, si At Zef Pllumi, gjë kjo që e shndërron këtë libër në një pasqyrë rrezatuese të mirëfilltë të mesazheve hyjnore, kombëtare e thellësisht shqiptare që burojnë nga mendja dhe shpirti i lirë i klerikut atdhedashës të cilit ky studim i kushtohet.
Dimensioni tokësor, qiellor, sociologjik, letrar, atdhetar, rrëfimtar, dëshmitar, fetar e gjithaq mendimtar i At Zef Pllumit, përmes shumësisë unike të secilës nuancë të qenësisë së tij shumëplanëshe, është shpjeguar me një qartësi të admirueshme nga autorja Vera Pelaj, duke mos shpërfillur asnjë karakteristikë, veçori apo tipar të vetëm të këtij njeriu dhe veprës e mendimit të tij, duke arritur kështu rrjedhimisht të sendërtojë një përmbledhje të vyer të thesarit që nënkupton trashëgimia e njeriut të “fesë dhe atdheut”, klerikut të përndjekur shtazërisht nga regjimi, fanarit të pashuar orientues të busullës qenësore të thelbit të shqiptarësisë, direkut të drejtimit të duhur kulturor të këtij populli.
“Rrno vetëm për me tregue”, është pa asnjë mëdyshje trashëgimia e paçmueshme e At Zef Pllumit për të gjithë ne shqiptarët, por gjithashtu jeta e tij, vuajtjet e tij, flijimi i tij jetësor, përkushtimi i tij atdhetar e fetar, largpamësia e mendimit dhe vizionit të tij për popullin dhe trojet e veta kombëtare, meritojnë dhe kanë patjetër të nevojshme thellime të mëtejshme, sikundër ndodh me përpikmëri në këtë libër, duke ia shtuar vlerat këtij studimi tërësor dhe autores së tij pasionante.
Ky studim sakaq, duke i mbetur në vijimësi besnik at Zef Pllumit në çdo yjësi të veprës e trashëgimisë së tij për brezat e ardhshëm të popullit të vet, nuk mungon t’i ofrojë lexuesit edhe një historik të përpiktë të Urdhrit Françeskan në trojet shqiptare, të klerikëve të tjerë të shkrirë shpirtërisht, denjësisht me fatin e mbrothësinë e kombit të tyre, të konditave historike, politike e rrethanore të Shqipërisë përgjatë periudhave të ndryshme kohore, në të cilat do të farkëtohej edhe personaliteti, mesazhi i përjetshëm dhe tregimi jetësor i At Zef Pllumit.
Për këto arsye, “Jehu i Përjetësisë”, përbën tanimë një “sine qua non” ndërlidhur pazgjidhshëm me figurën e njeriut të cilit i kushtohet ky libër, i përpiluar, punuar e shkruar me përkushtimin që mund të përvijohet veçse nga shtysa të epërme, vetëm për njerëz të kalibrit të At Zef Pllumit.
Autorja Vera Pelaj shndërrohet kështu në fill përçues të vetvetishëm të frymës përtëritëse syçelëse atdhetare, hyjnore të ngjizur nga shpirti i pavdekshëm i klerikut të paharruar, duke na bërë të gjithëve dëshmitarë të përjetësisë të jehut të tij, që gjallon i paepur në secilën faqe e kapitull të këtij libri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok