Intervistë me shkrimtarin dhe publicistin, Sejdi BERISHA

0

NEVOJITET TË PËRKRAHEN KRIJUESIT, TË TRIMËROHET PENA E TYRE DHE FJALA E SHKRUAR TË BËHET THEMEL I VLERAVE, TË CILAT NJERIUN TONË E AFIRMOJNË DHE E DËSHMOJNË EDHE SI PJESË TË PANDARË TË KULTURËS, HISTORISË DHE TË SHKENCËS BOTËRORE

Nga Prof. Dr. Fatmir TERZIU

…Ndoshta, duhet të merren si shembull, “Fjala e lirë” dhe gazeta „Albanian Post“ në Londër, të cilat tani e sa kohë po japin kontribut të veçantë në afirmimin e fjalës së shkruar dhe në informimin e opinionit për rrjedhat e jetës politike dhe shoqërore. Gjithashtu, këto dy asociacione tanimë të dëshmuara, kanë afirmuar dhe prezantuar qindra krijues, të cilët veprojnë gjithandej trojeve shqiptare por edhe në të gjitha vendet e botës. Përveç kësaj, pandërprerë afirmohen edhe vepra të shumta shkencore dhe historike, e po ashtu, u hedhin dritë shumë dokumenteve historike që deri me tash nuk kemi pasur rastin t’i shohim, as t’i shfletojmë e as  t’i studiojmë…

Punë të ngjashme përpiqen të bëjnë edhe shumë asociacione, siç është historikisht e njohur “Vatra” në SHBA, “Iliria” – New York, gazeta “NACIONAL”-Tiranë, “Gazeta e Alpeve”- Tiranë, pastaj edhe shumë gazeta të tjera të shkruara dhe elektronike dhe portale, duke mos komentuar cilësinë e tyre profesionale dhe as informative.

Por, megjithatë, në rrugëtimin tonë të kohës më të re, kemi krijuar një bagazh, i cili përpos tjerash na detyron të ngarendim drejtë afirmimit të plotë të vlerave tona shpirtërore, kulturore, historike dhe shkencore, sepse, të gjitha këto janë ambasadori më i mirë i një kombi për t’i prezantuar të arriturat e veta dhe për t’i bërë ato pjesë të pandarë të kulturës, historisë dhe të shkencës botërore…     

_______________

Pyetja: Është një kohë që për shkrimtarin duket si një „mbyllje“ që shënon mundësi të reja të shfaqjes së mendimit të tij. Ku qëndron pena juaj në këtë kohë?

  1. Berisha: Krijuesit, respektivisht, shkrimtarët, pothuaj se në të gjitha kohërat kanë përjetuar „mbyllje“ mbase edhe ndrydhje të natyrave të ndryshme. Për atë, ata edhe gjithmonë kanë qenë më të „mbushur“, më të kujdesshëm dhe më të zjarrmishëm që mendimin e tyre opinionit dhe lexuesit t’ia sjellin si diçka që është e shenjtë, filozofi, ledhatim, dashuri, por edhe si qortim, i cili kujtoj se në të gjitha kohërat, në të gjitha veprat, në tërë krijimtarinë, thuaj se rri si provokim për ndërgjegjësimin e njeriut, për vetëdijesimin e komunitetit mbase edhe të kombit. Dhe, pikërisht për këtë arsye, prapa kësaj, njerëzorja sikur qëndron faktor i pangopur me tërë atë që njeriu e krijon dhe e zotëron…

Pra, kujtoj se edhe në këtë kohë ka ngufatje por edhe amulli krijuese, që ndikon edhe në cilësinë por edhe në kuantitetin letrar, i cili, them se është shtuar dhe sikur bëhen gara vetëm sa për të bërë „letra të shkruara“, gjë e cila dëmton shumë. Për këtë „jurish“ krijues edhe të gjeneratës së re, kujtoj se duhet të kemi kujdes që vetëm cilësia të jetë promotor i vlerave dhe i nivelit krijues!

Dhe tash, pena ime sikur është “pezmatuar” të ngre zërin, që krijuesi, shkrimtari, poeti dhe të gjithë njerëzit tjerë të kulturës të respektohen dhe mbështetën më shumë, që të trimërohet pena e tyre, që fjala e shkruar të bëhet themel i vlerave, të cilat njeriun tonë e afirmojnë dhe e dëshmojnë edhe jashtë trojeve shqiptare. E, në këtë drejtim, duke përjashtuar disa krijues të letërsisë që veprojnë brenda dhe jashtë trojeve shqiptare, kujtoj se kemi bërë shumë pak, ama shumë pak…!

Krijuesi, vazhdimisht duhet t’i ngjajë kroit që nuk shteron por që edhe ujin kurrë nuk e turbullon

Pyetja: Vitet pasojnë vitet dhe pena mbetet një shteg ku poeti sfidon ende, pikërisht këtu qëndron enigma e një talenti mjaft sublim?

  1. Berisha:

Pikërisht që tani ndodhemi në një vrapim me plot mjegullina, krijuesi, këtë gjendje nuk duhet ta konsiderojë si luks të kohës së tij, por duhet pasur parasysh se me të vërtet poeti apo krijuesi, sfidon në të gjitha aspektet, por gjithnjë duhet pasur parasysh se në këto kohëra, duhet të jetë edhe njëfarë “pedagogu” i veprës dhe i vetvetes.

Është e vërtetë se në këtë kohë, krijuesit të mirëfilltë, tek “dera” i trokasin mori temash, të cilat tani edhe është bukur vështirë por edhe mjeshtri intelektuale për t’i mbarështuar. Këtë po e theksoj, se krijuesit ende dhe gjithnjë duhet të angazhohen që të janë edhe udhërrëfyes, edhe kasnec i së mirës nëpër periudhat kohore dhe historike.

Për këtë arsye, ndoshta jo rrallë, opinionit, shumë vepra u bëhen se janë një lloj rebusi që e mundojnë për të gjetur kënaqësinë dhe mesazhin e krijuesit dhe të veprës. Prandaj, edhe kështu “lind” edhe enigma krijuese, e cila shpesh është si “helm” për lexuesin, për ndërtimin e mendimit të drejtë filozofik, sociologjik dhe shkencor.

Intelektuali, respektivisht krijuesi, vazhdimisht duhet t’i ngjajë kroit që nuk shteron por që edhe ujin kurrë nuk e turbullon. Këto gjëra na nevojiten si buka, sepse, shkapërderdhja krijuese por edhe e uniteti krijues, ende janë damkë që vështirë shërohet…

Pyetja: Në një sfidë me kohërat ju keni trajtuar mjaft mirë kohën kur shkrimtarët i viheshin kundër shkrimtarit. Si e shpjegoni këtë për lexuesin, me një nga veprat tuaja?

  1. Berisha: Kjo pyetje që Ju e shtroni, pothuaj se në mënyra e forma të ndryshme është prezent tek të gjitha veprat e mia, qofshin ato me poezi, me eseje, në prozë, monografi dhe në dramë. Sindroma e smirës, sikur kombin tonë e ka përcjell gjithnjë nëpër të gjitha kohërat, pra, edhe në letërsi dhe kulturë. Si të mos ishte prezent një “epidemi” e tillë, jam i bindur se vlerat tona krijuese do të ishin pjesë me rëndësi e kulturës evropiane mbase edhe botërore. Se pse është prezent një sëmundje e tillë, këtë sikur askush nuk di apo nuk mundet dot ta shpjegojë. E pra, në këtë rast, ç’kuptim ka zilia, ç’kuptim inati, ç’kuptim kanë nëse mund të quhet kështu, “ndërskamcat”. Kjo nuk është asgjë tjetër, veçse, barrierat jo civilizuese dëshmojnë për mungesën e kulturës individuale dhe kolektive jo vetëm në fushën e letërsisë!

Dhe, ndoshta ka peshë për t’i theksuar disa nga titujt e dyzetë e dy veprave të mia, të cilat vetëm me titull ironizojnë por ndoshta edhe mallkojnë tërë atë që i vë “iletin” kulturës, letërsisë, shkencës, mendimit të shëndosh dhe intelektual, e pse jo edhe fatit të të kombit, ato janë: “Shpërputhje kohe”, “Homazhe tek mendja”, “Vrasësi i gjumit”, “Freskia e pluhurit”, “Piramida e ironisë”, “Gjethet e hirta të zemërimit”, “Konflikti me vetveten” etj. Andaj, ndoshta të gjitha këto më detyrojnë ta shkruaj edhe një vepër, e cila do t’i ngjante vulës së mendimit krijues, por pa e bezdisur vetveten dhe askënd. Edhe pse, aty brenda do të ketë vullkan mendjeje, zemre e shpirti për rrugëtimin e jetës jo vetëm të krijuesit!

Pyetja: Nëse ndodh të rikrijonit një vepër ku do të ndryshonit?

  1. Berisha: Po të mund të ndodhte kështu, shumëçka do të ndërroja, shumëçka do ta gjykoja duke shkruar ndryshe, respektivisht, duke e “përmirësuar” veprën, dhe kështu jo vetëm se do t’i bëja mirë krijimtarisë sime, por do ta relaksoja edhe vetveten dhe muzat, që edhe tash nuk më lënë gjumin ta bëj gjumë…!

Por, fatmirësisht që nuk ndodhë kështu, sepse, jeta do të lëndohej, kurse, vepra, dihet se sikur i ngjanë lokomotivës që nuk mund të kthehet mbrapsht në binarët mbi të cilët është duke ecur.

Nganjëherë më bëhet se veprat që janë shkruar nëpër vite, sikur u ngjajnë veglave të punës, të cilat duhet ruajtur si dëshmi në muze, dhe si të tilla e kanë edhe peshën e vetë kur lexohen dhe rilexohen! Pra, në veprat që janë shkruar përpara, kujtoj se nuk duhet ndërruar asgjë, pa marrë parasysh cilësinë dhe nivelin ndoshta jo edhe aq të lakmueshëm të tyre letrar dhe artistik, ngase, si të tilla e kanë atë tharmin e vlerave dhe peshën letrare dhe kulturore që ta detyrojnë thellësinë e studimit historiografik jo vetëm të vlerave letrare.

Pyetja: Si qëndron raporti i krijuesve në tërësinë shqiptare?

  1. Berisha: Po, unë në njëfarë mënyre e theksova edhe diku më lartë, se sikur të kishim unitet të merituar dhe të nivelit, krijimtaria jonë letrare me ëndje do të pranohej dhe lexohej edhe në vende të shumta të Evropës dhe botës. Por, kjo, e them me keqardhje se në trojet shqiptare nuk ekziston ashtu si duhet dhe kërkohet.

Këtë e dëshmon më së miri se në shkallë shteti nuk kemi asociacion institucional letrar as në Shqipëri, por edhe as në Kosovë. Është e vërtetë se atje veprojnë klube e shoqëri e shoqata të shumta, siç është po e zëmë, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, pastaj shumë klube letrare etj., por që, këto sikur veprojnë në mënyrë vetanake, dhe, deshe apo nuk deshe, ato e zvetënojnë apo mund ta ngadalësojnë krijimtarinë e mirëfilltë letrare, ose, atë e ngufasin në forma e mënyra të ndryshme. Në këtë aspekt, kujtoj se në nivel shteti duhet të themelohen asociacionet të cilat do t’i bashkonin krijuesit dhe shkrimtarët, të cilat do t’i mbështesnin krijuesit dhe krijimtarinë e mirëfilltë jo vetëm letrare.

Në këtë aspekt, kujtoj se edhe manifestimet letrare, nëse mund të konsiderohen si të tilla, organizohen në shumë mjedise në mënyrë jo cilësore por ka edhe forma që nuk i thonë aferim krijimtarisë e cila vlen. Pastaj, të gjitha këto forma të aktivitetit letrar, ishte dashtë të mbështesin më shumë dhe t’i formojnë grupet letrare në shkolla e fakultete, sepse, prej atje dalin talentet, të cilët më vonë mund të bëhen krijues me famë. Me këtë dua të them, se, nuk duhet të punohet (edhe ashtu shumë dobët) vetëm për vetveten apo për udhëheqësin e klubit apo të asociacionit letrar, sepse, kjo paparashikueshëm dëmton vlerat krijuese dhe historinë e letrave kombëtare brenda përbrenda nesh.

Pra, si edhe në fushat tjera shoqërore politike, edhe në kulturë dhe në letërsi, ende jemi shumë-shumë të shkapërderdhur. Uniteti i sinqertë dhe i vërtetë u mungon shqiptarëve, gjë e cila na kujton edhe të kaluarën historike të vendit tonë…!

Pyetja: Ku ndryshon ajo që shkruhet dhe thuhet nga realiteti nëpër të cilin kalon shoqëria jonë?

Sejdi BERISHA: Këtë më së miri e dëshmon situata dhe gjendja e tanishme aktuale në Shqipëri e në Kosovë! Por, ndoshta, po ashtu ndikon edhe “euforia” krijuese, të cilën, nëse vetëm pak e studiojmë rrugëtimin letrar dhe kulturor, një gjendje e tillë e lëndon dhe ka për t’i dëmtuar vlerat por edhe atë “urbanistikën” intelektuale, krijuese dhe historiografike. Dhe se, në këtë aspekt, e pranuam apo jo, edhe në fushën e krijimtarisë letrare janë duke u “krijuar me nguti” shumë vepra tek të gjitha gjeneratat, të cilat, sipër tërë kësaj nxjerrin kuantitetin, që padyshim se reflekton edhe në krijimtarinë e gjeneratave të reja, kur kemi parasysh se shumë krijues me përvojë po i trimërojnë dhe ngashënjejnë shumë të rinj që nga shkolla fillore, të bëjnë libra e që pastaj, mu ky veprim, shumë prej tyre do t’u shkaktojë dëm të pariparueshëm…

Këto janë pra ato ndryshimet që u ngjajnë “murrlanit” krijues, që prapa lë dëme dhe pasoja. Por, kjo nuk do të thotë se e tëra është kështu, sepse, kemi shumë emra të rinj të cilët i kanë fillet e mira, por që duan mbështetje, këshilla dhe trimërim për rrugë të gjata të cilat bëhen pjesë e historisë kombëtare dhe letrare!

Shkrimtarëve dhe krijuesve meritor t’u ndahen mirënjohje, dekorata dhe çmime deri sa ata janë gjallë, që ta shijojnë një “shpërblim” nga populli i vetë, nga atdheu, nga qyteti e vendlindja e tyre…!

Pyetja: A e ndjeni se ka ardhur koha si kudo në botë që të bëhet thirrje e fuqishme për sponsorë të Kulturës dhe jo më të Politikës?

  1. Berisha: Kjo që pyesni Ju është problem i kamotshëm, bile edhe me vite e decenie. Për këtë arsye, krijuesit bëjnë vepra dhe i botojnë ato me mundin e tyre, me mjetet e tyre vetanake, bile, shumë krijues kryeneçë dhe këmbëngulës, veprat e tyre i kanë botuar dhe i botojnë edhe duke e ndarë kafshatën e gojës të anëtarëve të familjes. Kjo pra, nuk duket por është e tmerrshme dhe e mjerueshme. Pastaj, për ta bërë gati veprën për t’ia dhuruar lexuesit dhe opinionit të gjerë, shkrimtari shumë shpesh bëhet edhe “lypës” për të siguruar mjete për botimin e librit, kurse, jam thellë i bindur se çdo krijues që e boton çdo libër të ri, i duket mbase e konsideron si një fëmijë të tij. Kjo është e vërtetë dhe në të njëjtën kohë edhe e trishtueshme. Të gjitha këto, janë dëshmi se sa pak shoqëria u përkushtohet krijuesve dhe zhvillimit të mirëfilltë të letërsisë dhe jo vetëm të letërsisë.

Andaj, kjo konsiston domosdonë që shoqëria shqiptare, organet relevante, si në nivel shteti ashtu edhe në atë lokal, të ndërrojnë qasjen ndaj vlerave shpirtërore, kulturore dhe letrare. Sepse, tabani kulturor dhe historiografik i një kombi dhe i një vendi është padyshim kultura, respektivisht krijimtaria letrare, e cila afirmimin kombëtar e shtrinë kudo nëpër botë, si rrënjët që i shtrinë trungu i rrapit dhe i ullirit…! Kështu, më të organizuar do të kishim me shumë Kadareja, krijimtaria e të cilëve do të ishte dritë e afirmimit kombëtar. Por, edhe kjo; por jo i tërë lavdërimi, afirmimi dhe vlera të ngelet dhe të mbetët e “tkurrur” në vetëm një apo dy, apo tre emra. Edhe kjo tregon mangësinë dhe kujdesin për afirmimin e krijuesve përgjithësisht!

Në kuadër të tërë kësaj, është karakteristike se puna dhe vlera krijuese, shpeshherë bëhet në baza të njohjes dhe të miqësisë. Edhe kjo i shkakton dergjë vlerave shpirtërore, kulturore dhe letrare kombëtare. Po ashtu, duhet të flaket tradita që njerëzve meritor dhe krijuesve t’u ndahen mirënjohje, dekorata dhe çmime vetëm pas vdekjes së tyre. Kjo më duket se është e mjerueshme… Gjërat e tilla duhet të bëhen deri sa janë gjallë ata, që ta shijojnë një shpërblim, një mirënjohje apo një dekoratë prestigjioze nga populli i vetë, nga atdheu, nga qyteti e vendlindja e tyre…!

Këto janë ato që e rëndojnë gjendjen dhe zhvillimin kulturor dhe letrar, dhe atë gjithnjë në vazhdimësi, e brenda këtyre, sikur ka zënë vend strukja e përgjegjësisë së faktorit shoqëror por edhe i organeve e institucioneve kulturore dhe letrare…

Pyetja: Me librin a ka raporte të reja, apo ato nuk ekzistojnë fare?

  1. Berisha: Libri, siç e dimë të gjithë, është miku dhe pasuria më me vlerë që e ka njeriu për të krijuar kopshtin e lumturisë së diturisë dhe të shkencës. Por, këtë nuk e dinë apo edhe nuk duan ta pranojë shumica. Për këtë arsye, edhe raporti me librin, tek opinioni i gjerë e kam fjalën, edhe përpara por edhe tash është i mangët, apo edhe siç thoni edhe ju, nuk ekziston fare! Dhe në këtë, vetvetiu të imponohet, siç them unë “konflikti me vetveten”, por tash edhe me komunitetin e gjerë. Libri nuk është as kureshtje sa për t’u lexuar, por as edhe vetëm material shfrytëzues sa për të studiuar. Jo, librin duhet shikuar e trajtuar në shumë aspekte dhe analizuar e studiuar në shumë rrafshe, rrafshe këto që nuk janë vetëm të kulturës dhe letërsisë, por rrafshe të krijimit të vlerave shoqërore, politike, ekonomike, sociologjike, filozofike dhe u lidhet pastaj “vegza” në faktorin shkencë dhe komb!

Por, kujtoj se edhe në këtë aspekt, shoqëria jonë ende është larg hapërimit me kohën! Andaj, ndoshta ka ardhur koha e momenti që duhet ta vlerësojmë kuptimin e një fundi, nga i cili duhet të mësojmë e të nxjerrim shumë përvoja. Edhe për këtë temë ka edhe shumë për të folur, por…

Pyetja: Planet nuk janë thjesht një risi e shkrimtarit, po ju a keni një risi të tillë?

  1. Berisha: Po, në krijimtari nganjëherë nuk mund të bësh plane, sepse, ato për një çast mund të ndryshojnë nga shumë faktorë dhe nga rrethana të ndryshme. Ndërsa, unë tash kam bërë një rrugëtim bukur të gjatë, të cilit i kam dhënë “vulë” me librin “Njeriu ‘pa’ vendlindje” të mbërthyer në pesëqind faqe, e si dëshmi, përveç materialit të shkruar janë edhe afro katërqind fotografi e dokumente. Por, megjithatë, në këtë vit të kundërthënieve dhe të pa parashikimeve edhe shoqërore, botërore dhe shëndetësore, besoj, nëse arrij,… do ta botoj edhe një libër, dhe mendoj se titullin që e kam në mendje, në kokë, në zemër e në shpirt, i puthitet mirë: “Një copë hartë për atdheun tim”…!

Ndoshta duhet të merret shembull, “Fjala e lirë” dhe gazeta „Albanian Post“, të cilat tani e sa kohë japin kontribut të veçantë në afirmimin e fjalës së shkruar dhe po ashtu, veç tjerash hedhin dritë në shumë dokumente historike, që deri me tash ndoshta nuk kemi pasur rastin t’i shohim, as t’i shfletojmë e as  t’i studiojmë

Pyetja: Sigurisht keni ndonjë mesazh për lexuesin tonë për „Fjala e Lirë“ dhe për revistën „Albanian Post“ në Mbretërinë e Bashkuar. Cili është mesazhi i juaj?

  1. Berisha: Unë, gjatë bisedës më sipër, thash se puna dhe pozita e krijimtarisë letrare dhe e kulturës përgjithësisht, ende nuk është në nivelin që duhet të jetë. I përmenda edhe shumë mangësi në aspektin e unitetit krijues, të mbështetjes së njëri-tjetrit, të bashkëpunimit të mirëfilltë dhe për shkapërderdhjen, e cila zvetënon punën dhe pengon edhe krijuesin, edhe krijimtarinë edhe afirmimin e mirëfilltë të vlerave në tërësi. E kjo, nuk ishte dashtë të ndodhë as përpara as tash dhe kurrsesi as nesër. Në këtë aspekt, mund të përmendim shumë qëndrime dhe mendime të krijuesve në periudhat dhe kohërat e mëparshme, si Konicën, Nolin, Dritëro Agollin, i cili me një rast kishte thënë se: “poetët nuk e duan njëri-tjetrin” dhe shumë të tjerë.

Është e vërtetë se ka rezultate, por të cilat më shumë bëhen parcialisht dhe në mënyrë edhe vetanake, prandaj, bashkimi i mendjes dhe mbështetja e krijuesit ndaj njëri-tjetrit është më se e domosdoshme.

Në këtë drejtim, në diasporë, krijuesit janë organizuar për ta thënë fjalën e vetë dhe për të bërë vepra, por edhe për ta bashkuar dhe për t’i dhënë fuqi kulturës, e gjithsesi për të mos u harruar kauza kombëtare, si në Suedi, në Gjermani, në Angli, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e edhe ndonjë vend tjetër, puna e të cilëve është prezantuar në vepra të përbashkëta por edhe me vepra autoriale. Mirëpo, edhe në diasporë mund dhe duhet të punohet më shumë dhe në mënyrë më të organizuar. Ndoshta, duhet të merren si shembull, “Fjala e lirë” dhe gazeta „Albanian Post“ në Londër, të cilat tani e sa kohë po japin kontribut të veçantë në afirmimin e fjalës së shkruar dhe në informimin e opinionit për rrjedhat e jetës politike dhe shoqërore. Gjithashtu, këto dy asociacione tanimë të dëshmuara, kanë afirmuar dhe prezantuar qindra krijues, të cilët veprojnë gjithandej trojeve shqiptare por edhe në të gjitha vendet e botës. Përveç kësaj, pandërprerë afirmohen edhe vepra të shumta shkencore dhe historike, e po ashtu, u hedhin dritë shumë dokumenteve historike që deri me tash nuk kemi pasur rastin t’i shohim, as t’i shfletojmë e as  t’i studiojmë…

Punë të ngjashme përpiqen të bëjnë edhe shumë asociacione, siç është historikisht e njohur “Vatra” në SHBA, “Iliria” – New York, gazeta “NACIONAL”-Tiranë, “Gazeta e Alpeve”- Tiranë, pastaj edhe shumë gazeta të tjera të shkruara dhe elektronike dhe portale, duke mos komentuar cilësinë e tyre profesionale dhe as informative.

Por, megjithatë, në rrugëtimin tonë të kohës më të re, kemi krijuar një bagazh, i cili përpos tjerash na detyron të ngarendim drejtë afirmimit të plotë të vlerave tona shpirtërore, kulturore, historike dhe shkencore, sepse, të gjitha këto janë ambasadori më i mirë i një kombi për t’i prezantuar të arriturat e veta dhe për t’i bërë ato pjesë të pandarë të kulturës, historisë dhe të shkencës botërore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok