14/10/2024

Intervistë me dramaturgun Bashkim Kozeli

0

-Si i vuri në skenë  dy dramat e mia, “Lidhur si fishekë gjerdani” dhe “Pyesni malet”,  “Artisti i Popullit”, Pjetër Gjoka

-Suksesi më i madh i tij ishte drama e Sulejman Pitarkës “Familja e peshkatarit”

-Pjetri ka lozur që nga fshatari i thjeshtë tek “Tana” , e deri admiralë, mbretër, presidentë

– Në rininë e hershme ishte marrë me alpinizëm, me futboll tek  “Vllaznia”, si dhe rekordmen kombëtar në atletikë

-Kur dëgjonte këngë labe ndalonte dhe mrekullohej me zërat brilantë

Nga Albert Z. ZHOLI

Lindi në Ulqin më 2 gusht 1912.. Familje kishte shkuar në Ulqin për arsye gjakmarrjeje, ku i ati punonte si hamall, pastrues pusesh dhe punë të tjera me mëditje, ndërsa e ëma merrej me qëndisí. Aktivitetin në teatër në lëvizjen amatore e filloi që vitet 30 në Shkodër. Në vitin 1947 vjen si aktor në Teatrin Popullor, pasi kishte debutuar me Teatrin e Ushtrisë. Roli i parë ishte në komedinë “Tartufi”. Ka interpretuar rreth 90 role në këtë teatër, dhjetëra kryerole nga dramaturgjia botërore, ndërsa në skenë qëndroi 52 vjet rresht, duke interpretuar edhe i verbër krejtësisht. Disa nga kryerolet e tij janë: Haritonov, Shpend Gjeta, Plaku, Mac Donald, Miler, Zabeliku, Klaudi, Mbreti Lir, Gjini, Ali Pashë Gucia, etj. Në vitin 1961 ai është ndër katër aktorët që u nderua me titullin e lartë “Artist i Popullit”. Ka intertretuar edhe në disa filma artistikë, duke krijuar figura të arrira. Roli i fundit i tij në Teatrin Kombëtar ishte në dramën “Epoka para gjyqit”. Krahas punës si aktor, ka vënë në skenë edhe disa pjesë, si regjisor.

-Ju keni pasur njohje të mirë me aktorin dhe regjisorin Pjetër Gjoka. Kur, si e keni njohur dhe ccfarë bashkëpunimi keni patur?

Në vitin 1981-82 pata fatin që dy dramat e mia, “Lidhur si fishekë gjerdani” dhe “Pyesni malet” të vihen në skenë nga “Artisti i Popullit”, Pjetër Gjoka.

Per mua ishte lumturi e vërtetë që një nga emblemat e Teatrit Kombetar, që kishte vënë në skenë me sukses të plotë dramën e Sulejman Pitarkes “Familja e peshkatarit”, që kishte interpretuar dhjetëra role kryesore në teatër e në filma, (që nga fshatari i thjeshtë tek filmi i parë artistik “Tana” , e deri admiralë, mbretër, presidentë…), tash kishte shfaqur dëshirën për të bashkëpunuar me një të ri si unë, që isha në një moshë me djalin e tij Gjovalinin.

Emocionet e mia ishin mëse të natyrshme, aq më tepër që Pjetër Gjoka ishte kthyer në legjendë në një nga rolet më të spikatura , ku kish interpretuar duke qene i verbër.

Jo vetem kaq , por ai të imponohej me pamjen e tij burrërore e fisnike, me atë trup të hijshëm e të drejtë . (Në rininë e hershme ishte marrë me alpinizëm, më pas futbollist i “Vllaznisë”, si dhe rekordmen kombëtar në atletikë).

Edhe tashmë ai i bënte sfide moshës së tretë.

-Si vjen në memoir tuaj sot Pjetri?

Vjen madhështor, nën kostumin blu të errët ku i kontrastonte jaka e bardhë e këmishës me kravatën lidhur bukur…Flokët e argjendtë, të shtrirë e të lemuar, i vezullonin si dëbora në diell… Sytë me syzet e trasha, të vëna pas operacionit, dukeshin tepër të medhenj, a thua ishin të etur që po shijonin përsëri ngjyrat e jetës.. Nën ato syze gjysmë sferike, si dy gjysmat e globit, ai tashmë shikonte botën sa depërtonte deri në thellësi të shpirtit të bashkëbiseduesit.

Asnjëherë nuk e pashë të rrinte i kapardisur këmbë mbi këmbë, por ulur si një nxënës në bankë. Tepër i vëmendshëm, herë- herë meditativ.

Kur ishte në humor, merrte nën zë ndonjë melodi, teksa lëvizte lehtë majën e këpucës. Doemos.. qysh në vitin 1928 kish qenë pjesëtar i bandës muzikore “Ilirikum”, si dhe ka shkëlqyer në ato vite si këngëtar në mjedisin artistik të Shkodrës.

Ndërsa atëherë, gjithë ajo energji e pasion rinor ishte koncentruar në menccurinë e një artsiti të madh me eksperiencë të pasur skenike.

Nuk kam njohur njeri aq fjalëpak, ku ccdo fjalë të tij e kish të peshuar si në kandar…

Shprehej shkurt e bukur, me kulturë e thjeshtësi.. Ajo thjeshtësi tokësore , ishte ndoshta aureola hyjnore, që i jepte autoritet personalitetit të tij. Të gjitha këto, mua më detyronin të rrija i ndrojtur. Por në fakt ndodhi ndryshe….

-Çfarë ndodhi që juve ju befasoi?

Së pari, ai më kërkoi t’ia lexoja dramat edhe një herë. Pasi më dëgjoi me vëmendje, u ndal tek drama e parë dhe m’u lut t’i lexoja disa fragmente. Mandej më pyeti qysh i kisha menduar karakteret , konfliktin kryesor, skenat , etj. Pra, pa kuptuar, ne nisëm nga puna dhe unë u shkarkova krejtësisht nga emocionet. Ai po komunikonte me mua me të njëjtin respekt e seriozitet, sikur të kish përpara një kolegun apo moshatarin e vet.

Para përgatijtjes së platformës shkuam në disa fshatra të Vlorës për dramën “Lidhur si fishekë gjerdani”  dhe në fshatrat e minoritetit grek në Gjirokastër për dramën “Pyesni malet”, me bashkëregjisorin Bernard Kokalari.

Në ato zona biseduam me bashkëkohësit e periudhave historike që trajtonin dy dramat.

Pjetër Gjoka i vinte shumë rëndësi zbërthimit të platformës regjisoriale dhe provave në tavolinë. Kur aktorët hipnin në skenë, i kishin plotësisht të qarta figurat e tyre, u duhej vetëm të fitonin siguri në levizjet mizanskenale.

Nuk dua të zgjatem për të treguar suksesin e këtyre dy shfaqjeve, të cilat i kujtojnë edhe sot spektatorët e dikurshëm të Vlorës e Gjirokastrës, por dua të përmend ato ccka përfitova unë si autor në bashkëpunim me të paharruarin Pjeter Gjoka.

-Cilat ishin këto përfitime?

Prej tij kuptova se regjisori duhet të ketë kulturë të gjithanëshme artistike. Pjetër Gjoka, si rrallë kush, i kishte këto vlera.

Duke qenë vetë aktor, ai dinte t’u zbulonte kolegëve farën e rolit; duke qenë muzikant , dinte të qëmtonte motivet muzikore që përshtateshin me idenë e shfaqjes; duke qenë sportist , dinte të krijonte temporitmin e duhur nga tabloja në tablo; duke qenë vete tepër i kulturuar, nuk shihje asgjë banale në shfaqjen e tij.

Por, mbi të gjitha, unë gjeta tek “Artisi i Popullit”, Pjetër Gjoka njeriun e vërtetë, me vullnet e karakter të hekurt, të dhembshur e me shije të hollë.

Një natë, kur po ktheheshim nga provat, dëgjoi diku nga një qoshe e lagjes disa djem të rinj që po këndonin këngë labcce.

Pjetri qëndroi dhe mbajti vesh një copë herë e pastaj tha: “ Sa bukur që keta djem nuk i harrojnë këto këngë!”.

Kur kalonim përpara ndonjë shtëpie, Pjetri nxirrte një ccokollatë dhe ia jepte një të vogli në ballkon. Ndoshta kujtonte me mall nipin e mbesën që kish lënë në Tiranë…

Por… në prag të premierës në Gjirokastër, Pjetër Gjoka u sëmur rëndë.

Askujt nuk i shkonte ndërmend se ai nuk do të kthehej më…Për këtë u bindëm vetëm kur Bernard Kokalari dhe unë i vajtëm në spital në Tiranë.

Pjetri ishte në orët e fundit të jetës, e shoqja ( e ndjera zonja Lizeta, që dikur kish interpretuar Maria Stjuart) po i jepte Pjetrit oksigjen.

Unë e Bernardi u tronditëm tej mase. Por Pjetri, megjithë frymëmarrjen tepër të vështirë, me kthjelltësi e kurajo te habitshme na tha: “Jeta e ka një pikë…Me flisni si doli shfaqja ?..”

Dhe ne, duke fshehur lotët, i treguam për suksesin, teksa atij i ndritën sytë…

U gjallërua aq shumë, sa mua m’u duk madhështor si “Mbreti Lir”, që kish interpretuar dikur..

Por, ndërsa Mbreti Lir dha shpirt i zhgënjyer nga të bijat, “Mbreti” Pjetër Gjoka, nga dashuria për të bijën, nuk dha shpirt, gjersa  ajo mbërriti nga rruga e largët…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok