25/04/2024

I kujt është veriu i Kosovës?

0

Nga Anton Marku

Tregim mbi atë se si një parti ia ka mësyrë që me sloganin ‘‘krejt!’’ të zgjidhë brenda pak muajve çështjet e pazgjidhura tash e njëqind vite. Si mund të rrjedhin gjërat muajt në vijim dhe çfarë mund të prodhojnë situatat në të cilat mund të merren vendime të ngutshme? Kosova po hyn në një dimër nga i cili bora mund të mos dalë krejtësisht e bardhë. Një parashikim se sa lehtë mund të lëvizin gurët në Ballkan.

Tri realitete

1.

Tash e më shumë se dy dekada bashkësia ndërkombëtare përpiqet që të promovojë  bashkëjetesën  paqësore mes shqiptarëve dhe serbëve. Se kjo nuk është e mundur pa një proces pajtimi dhe krijimi të një klime mirëbesimi po dëshmohet edhe me ngjarjet e fundit në veri, e të cilat kanë bërë bujë në media botërore, duke vendosur Kosovën në krye të rajoneve ku  potencialisht mund të shpërthejnë konflikte ndëretnike. Thirrjet për dhunë vijnë nga të dy anët e lumit Ibër. Gjasat që situata të përshkallëzohet janë më shumë se reale. Në pyetjen se çfarë po e ushqen teorinë se Kosova është vend i mirë për të vdekur por jo dhe për të jetuar përgjigja është më e komplikuar se sa mendohet. Për këtë një pjesë të madhe të fajit e ka edhe vetë bashkësia ndërkombëtare. Tash prapë do të ketë tentativa që më shumë se sa në rolin e ndërmjetësuesit të veprojë atë të negociatorit në tentativën që njëra palë të heqë barrikadat e tjetra të lirojë në procedurë të rregullt një ish-pjestarë të policisë së saj. Vendin e rreth 600 policëve të tërhequr serbë mund ta zë një forcë policore e përbërë nga disa shtete të Ballkanit, përjashtuar Shqipërinë dhe Serbinë. Skena, ashtu si dhe protagonistët, është e njëjtë me ato të kohëve të fundit.

2.

Aktualisht shumica e shqiptarëve të Kosovës janë të bindur se padëgjueshmëria e qytetarëve të pakicës serbe duhet ndëshkuar duke vënë në zbatim forcën e shtetit për t‘u përballur me ata që nuk janë lojalë ndaj institucioneve të Prishtinës. Këta insistojnë që policia dhe ushtria e Kosovës të marrë situatën në duart e saj. Numri i vullnetarëve që do t’i bashkëngjiteshin një ekspedite të tillë do të ishte i madh. Gatishmëria për të vdekur në qytezat e vogla veriore të rrethuar me fshatra me pak shtëpi, në të cilat nuk kanë shkelur asnjëherë në jetën e tyre, kurrë nuk ka qenë më e madhe. Në këtë kontekst edhe media po luan një rol, kryesisht negativ, duke sjellur nga tereni lajme të paverifikuara, konfuze dhe kontroverse.

3.

Serbët e Kosovës, dhe jo vetëm ata që jetojnë në veri, nuk tregojnë shenja të përafrimit të sinqertë dhe substancial me Prishtinën zyrtare. Për më tepër ata vazhdojnë t’i mbesin besnik autoriteteve në Beograd duke para aty shpresën për mbrójtje dhe siguri të ekzistencës së tyre fizike në qytetet dhe fshatrat të cilat i konsiderojnë, nëse jo si atdhe, së paku si vende në të cilat kanë lindur e rritur jo vetëm ata por edhe gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre. Edhe ata, po të jetë nevoja, janë në gjendje të vdesin në oborret e tyre.

Mollë sherri nuk është vetëm themelimi apo jo i Asociacionit së Komunave Serbe në Kosovë, derivat ky nga marrëveshjet e Brukselit, por edhe shumë probleme të tjera të akumuluara përgjatë viteve. Qeveria aktuale e Kosovës, duke u munduar që të evitojë përmbushjen e obligimeve shtetërore që burojnë nga akordimet ndërkombëtare është, mbase në mënyrë të pavetëdijshme, duke marrë mbi vete rolin e zjarrvënësit i cili do të mbahet përgjegjës për secilën shkëndijë që mund të shpërthejë në ditët në vijim. Me këtë ajo është duke zhvlerësuar pozitën e saj deri tash të favorshme në sytë e faktorit ndërkombëtar. Partneriteti me ta është thelbësor  për fuqizimin e Republikës dhe ai nuk do të duhej të vihet në lojë për hir të eksperimenteve të cilave nuk ju dihet përfundimi.

Për të duartorkitur nevojten dy duar, për të treguar gishtin e mesëm mjafton një.

Duke analizuar incidentet e muajve të kaluar duket se Kosova, në një të afërme jo të largët, mund të ballafaqohet me disa skenarë të rrezikshëm. Katër prej tyre nuk duhet të përjashtohen.

Skenari i parë

Serbët lokalë barrikadohen dhe shpallin shkëputjen e veriut nga Kosova, rrjedhimisht dhe bashkëgjitjen me Serbinë. Serbët nga viset tjera, nën mbrojtjen e KFOR lëshojnë vatrat e tyre shekullore. Televizionet botërore paraqesin skena refugjatësh të hipur mbi traktorë të mbuluar me mbulesa najloni. Nga konfliktet sporadike kalohet në luftë frontale. KFOR më nuk mund të garantojë sigurinë dhe tërheqë trupat e veta nga fushëbeteja. Ushtria serbe, në pamundësi që të hyjë në Kosovë, armatosë bashkëkombësit e vet dhe bën thirrje për rezistencë. Trazira të ngjashme ndodhin edhe në Luginën e Preshevës. Gjithçka mbaron pas disa muajve. Pas mbesin viktima në të dyja anët dhe shtëpi të djegura. Në Prishtinë, me qitje armësh në ajër, festohet ‘‘çlirimi’’ i jugut. Këndej Ibrit nuk ka mbetur më asnjë kosovarë i komunitetit serb. Qytezat dhe fshatrat mbesin të pabanuara. Asnjë shqiptar nuk preferon Shtërpcen. Të gjithë duan Gjermaninë.

Gjykatës speciale të Kosovës me seli në Hagë i modifikohet dhe shtyhet mandati.

Skenari i dytë

Partia që qeverisë me vendin vendos që të mos marrë me konsideratë udhëzimet e miqve ndërkombëtarë lidhur me asociacionin dhe dërgon vendin në zgjedhje të parakohshme. Qeveria e re, e përbërë nga koalicioni i disa partive,  tregohet fleksibile dhe nis me draftimin e statutit të asociacionit, i cili parasheh edhe të drejtën e shkëputjes. Ai, nën një emër dhe shkurtesë tjetër, themelohet në një akt festiv me pjesëmarrjen e krerëve më të lartë të shtetit,  Në vitet në vazhdim, përkundër incidenteve të herëpashershme, dialogu në Bruksel vazhdon edhe në mungesë të rezultateve konkrete. Për shkak të natalitetit të ulët numri i serbëve në Kosovë zvogëlohet vazhdimisht ndërsa Kosova, megjithë hezitimet, bëhet pjesë e ‘‘Ballkanit të Hapur’’ në këmbim të ndarjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. Fjalët si: bashkimi kombëtar, demarkacioni, taksa 100%, reciprociteti, gjykata speciale, njohjet e reja e të ngjashme hiqen nga fjalori politik.

Shqiptarët dhe serbët nuk do e thonë hapur vazhdojnë që edhe për dekada të tëra ta duan Kosovën secili në mënyrën e vet: të parët pa serbë, të dytët pa shqiptarë.

Skenari i tretë

Në metropolet evropiane nis të diskutohet lëvizja e kufijve si mundësi që Ballkani të dalë nga stagnacioni politik dhe ekonomik. Në Paris mbahet një konferencë ndërkombëtare ku vendoset që të njëjtën ditë të mbahen referendumet në Bosnjë e Hercegovinë, Serbi, Kosovë dhe Maqedoni (Mali i Zi tashmë është në BE).  Rezultati: Bosnja dhe Hercegovina ndahet në tri shtete, veriu i Kosovës i bashkëngjitet Serbisë, serbët e mbetur në Kosovë fitojnë një autonomi territoriale dhe politike, Lugina e Preshevës dhe dhjetëra qytete nga Maqedonia perëndimore  i bashkëgjiten Kosovës e kjo e fundit Shqipërisë. Përfituesit më të mëdhenj: serbët dhe shqiptarët.

Skenari që (ende) nuk dihet

Të gjitha shtetet e mbetura të Ballkanit hyjnë në të njëjtën kohë në BE. Ato paraprakisht njohin njëra-tjetrën në kufijtë ekzistues dhe marrin për obligim që të mos kenë pretendime territoriale ndaj asnjë shteti tjetër por mbajnë të drejtën për t’iu bashkangjitur një shteti tjetër në mënyrë paqësore.

Është viti 2072. Gjysma e botës tashmë banon në hënë.

Veriu i Kosovës është ende aty dhe i takon atyre që në 50 vitet e kaluara kanë lindur dhe jetojnë në të.

Vjenë, 17 dhjetor 2022

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok