22/12/2024
At_Gjergj_Fishta

Pergatiti Fritz RADOVANI:

I  DBUEMI

Ma aktuale se kurr!

“Në ketë argument lirik të kënduem prej sa poetësh, Fishta ndritë me shumë veti karakteristike, qi e shquejnë:  – paraqitje e gjallë tipike shqyptare, – kjartësi e thjeshtësi  vargjesh të rrjedhëshme, frymzue prej ndjesishë njerzore qi nuk njohin flashktësi (ngathsi) sentimentalizmi as trillime konvencionale. Asht nji pasqyrë e vogël, ku mund të vërehet arti i tij shpirtnisht shqyptar e burrnor, dhe nji shkëndi, qi vezullon me dritë të vetën mbi shumë hartime tjera ma të mëdhaja.

Tek ky mergimtar i Fishtës gjejmë: Mallëngjim Shqyptari, nostalgji gjuhe amtare, votret e beset, nanët e motret; përmallim për mbarë botën e thjeshtë e fisnike qi e rrethon, ku asht burrnue: bjeshkë, halë, mriza, kumbonë, livadhe e djerre, e së mbramit përmallim i ndieshëm mikpritjet e armësh, me të cillat u vllaznue. (At Viktor Volaj O.F.M. 1941)”

Lamtumirë! – Vendet e mija,

Qé, po zhduken dalë-kadalë;

Gjimon deti, ushton duhija,

Lkundet barka valë mbi valë.

Kah njai diell, qi asht tue flakue

Andej fill un tash do t’veta…

 

Lamtumirë! Atdhé i bekue!

Lamtumirë! Persa t’ jet jeta!

Neser nade kur mbi né

Rrezja e diellit ka me ra,

Kush e din sa ujë e dhé

Mue prej teje ka me m’ da!

E por n’ pvetsha rêt mizore,

E por n’ pvetsha zojt e detit;

Se per ty, moj tokë Arbnore,

S’ ka me m’ folë ma kush mue t’ shkretit…

Tjera fushë e tjera zalle

Kam me pa, e tjera dete:

Kam me ndie, po, tjera valle,

Tjera gjuhë, n’ tjera qytete;

Vendin t’em, por, s’ kam me e pa,

Ku kam lé e jam burrnue;

Syt e mi edhe kanë me kja,

Pa u gjetë kush, qi me i ngushllue.

Pa kend t’ emin, posë nji Zotit,

Tue shtektue per dhé të huej,

Kanë me m’shkue mue ditt e motit

Sha e perbuzun prej gjithkuej.

Kam me pasë shkretin per voter,

E per shtroje të ndezten ranë;

Kam me pasë ulkojen moter,

Kam me pasë, ehu! Tigren nanë…

Nana e mbetne per së gjallit

Ka me m’ kja, kushdi, ndo ‘i ditë

Dersa motra, dekun mallit,

Kot ndo ‘i herë mue ka me m’ pritë.

Ka me i njehë, po, krushqt, e mjera,

Me i prue nanës n’ shpi nji ré:

Por i vllaj, kushdi, m’atë hera

Ka me u kalbun per nen dhé!

E njai dhé – heu! Kob prej qiellet!

S’ ka me kenë, jo, dheu i t’ Parvet,

Ku ma bukur qiella kthiellet,

Ku ma ambel n’ gjuhë t’Shqyptarvet

Para Hyj’t naltohet luta,

E ku besa asht e shejtnueshme

E ku zemrat s’dijn shka asht tuta,

E ku bjeshkët janë të madhnueshme.

Oh! Ju bjeshkët e Shqyptaris,

Ku ma mirë shndritë dielli e hana,

E ku logu a’ i bujaris

E ku rriten djelm si Zana!

 

Un ju kurr s’ kam me u harrue,

Kahdo t’ m’jet gjykue me u endë:

Dersa t’ muj me ligjirue,

Ju gjithmonë kam me u permendë!

E ato halë e qepariza

Kam me i pasë nder mend gjithmonë,

E ato stane e njato mriza:

E ato berre e ato kumbonë…

Por, oh vàj! Malet e mija,

Qé, po zhduken dalë-kadalë;

Gjimon deti, ushton duhija,

Lkundet barka valë mbi valë,

Lamtumirë, pra, bjeshkë e male!

E ju krepa edhe ju curra;

E ju breshta e ju gjeth hale,

E ju prroje edhe ju gurra!

Lamtumirë, ju mrize e stana!

Lamtumirë, kumbona e berr’e!

Lamtumirë, ju fusha t’ gjana,

Ju livadhe, enè ju djerre.

Lamtumirë! Ti shpija e t’ Parvet,

Ku ma s’ parit m’ agoi drita

E ku strehë u dhaçë shtektarvet

Miqt e babës edhe ku i prita.

Lamtumirë, carani m’ voter!

Lamtumirë, ju armët e shkreta!

Lamtumirë, ti nanë e moter!

Lamtumirë, persa t’ jet jeta…

O shtegtar, m’ nji vorr të ri!

N’ has’sh ndo ‘i herë ti, tue ndjekë shtekun,

T’ çilun n’ ranë nper ndo ‘i shkreti,

Aty vetë kam me kenë dekun.

Nji kryq drunit, t’ kjosha true,

Ziere e venma permbi krye,

E, nemose, ti per mue

Lutju Hyj’t per shka t’ kém fye.

Shenim F.R.: Mbas At Gjergj Fishtës që u dbue i pari e, mbas Tij Ded Gjo’ Luli, me të gjithë Malësorët trima të 1911 dhe Don Nikoll Kaçorrin e Luigj Gurakuqin e vitit 1912, sot Shqipnia po perjeton kohen ma të keqe të mergimit Rinisë Shqiptare nga Atdheu.

“O shtegtar, m’ nji vorr të ri!

N’ has’sh ndo ‘i herë ti, tue ndjekë shtekun,

T’ çilun n’ ranë nper n’do ‘i shkreti,

Aty vetë kam me kenë dekun.

Nji kryq drunit, t’ kjosha true,

Ziere e venma permbi krye…”

Lufta kunder GEGNISHTES vazhdon…

Qellimi i saj asht vetem antiatdhetarizmi!

Ja dhe Shkrimtarët Shqiptarë të dbuem nga Programet tona të Shkollave Shqiptare nga viti 1944 (mbrenda e jashta Atdheut):

Imz. Pal ENGJULLI, Don Gjon BUZUKU…

Don Aleksandër SIRDANI, At Anton HARAPI, Anton LOGORECI,  At Anton ZANONI, Arshi PIPA, At Bernardin PALAJ, At Benedikt DEMA, Branko MERXHANI, At Daniel GJEÇAJ, Dedë GAJTANI, Engjëll RADOJA, Ernest KOLIQI, Et’hem HAXHIADEMI, Elena LULI, Faik KONICA, Frano ALKAJ,  At Gjergj FISHTA, Gjergj PEKMEZI, Gjon SINISHTA, Guljelm DEDA, Ilo Mitkë QAFËZEZI, At Justin RROTA, Don Kolec PRENNUSHI (Pseudonim Mujs POLEMI), Karl GURAKUQI, Kolë Bib MIRAKAJ, Kolë THAÇI, Konstantin KOTE, Kostë A. ÇEKREZI, At Konrrad GJOLAJ, Krist MALOKI, Kristo FLOQI, Don Lazër SHANTOJA (Pseudonim Y…), Lef NOSI, Imz. Luigj BUMÇI, At Luigj MARLEKAJ, Luigj THAÇI, Lumo SKËNDO (Mit’hat FRASHËRI), At Marin SIRDANI, At Mark HARAPI, Mark DEMA, Martin CAMAJ, Mati LOGORECI, Mehdi FRASHËRI, Musine KOKALARI, Mustafa KRUJA – MERLIKA (Pseudonim Shpend BARDHI), Namik RESSULI, Ndoc VASIJA, Don Ndre ZADEJA, Don Nikoll GAZULLI, Nikoll DAKA, Don Nikoll MAZRREKU, At Pashko BARDHI, At Pjeter MËSHKALLA, Imzot Preng DOÇI, Qemal DRAÇINI, Sami REPISHTI, Simon SHUTERIQI, Stavro SKENDI, Tajar ZAVALANI, Vangjel KOÇA, Vasil ALARUPI  (Bendo Shapërdani), Imzot Vinçenc PRENNUSHI, Zef M. HARAPI, Zef SCHIRO Jr. (I riu), Zef ZORBA, Zoj XOXA, At Zef VALENTINI, Daniel GAZULLI etj…

Melbourne, 20 Dhetor 2022.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok