23/04/2024

(tregim)

Nga Përparim Hysi

Ka qenë verë e vitit 1966. Ngaqë punoja në zyrën  sekrete,  komanda e repartit, ku kryeja shërbimin e detyrueshëm si ushtar,  më dërgoi  në Ministri të Mbrojtjes për të tërhequr një shkresë për komandën. U praqita atje dhe ngaqë kisha dyorë liri, përfitova nga rasti që të vizitoja një ekspozitë që titullohej”Kufitari”. Ekspozita qe në një nga pavijonet e Muzeut dhe, sa hyra brenda, pashë dhe shikues të tjerë. Pranë një banaku të gjatë qe një ushtarak si “CICERON” apo si”guidë” e ekspozitës në fjalë. “Ciceroni” kur pa që ia vlente për të marrë fjalën, u kthye me shpinë dhe nga një stendë e madhe në mur, rrëmbeu një automatik dhe filloi të tregonte…

-Ky, – tha ciceroni, është një automatik “Tomson” i përdorur nga diversanti (ndërkaq hyri një civil) … ciceroni e preu fjalën dhe iu drejtua civilit:- Et’hem, folu më shumë këtyre! Pastaj, për të shuar kuriozitetin e neve, shikuesëve, tha pak si i krekosur dhe sfidues:- Ky është doravet, “diversanti” që kishte këtë automatik. Tani befasimi ynë qe dhe më  i madh! Si ishte e mundur që edhe”diversant”, edhe të na fliste për”heroizmat e  tij?”.

-Para së gjithash, – tha”diversanti”, – ky automatik që ka qenë imi, nuk u zbraz asnjëherë në tokën  shqiptare.Ne sikur u çliruam nga një”gërç” shpirtëror.Më tej tregoi se qe dënuar dhe, pas burgut, shërbente për të stërvitur qentë e  zbulimit. Sa mbaroi “diversanti”, Ciceroni na shoqëronte në stendat e tjera, ku dhe, pa ndërhyrjen e tij, mund të informoheshe për luftën e kufitarëve tanë.Në stenda kish plot fotografi të formateve të ndryshme dhe aty, për herë të parë, pashë fotografinë e mbretit Zog me gjithë, mbretëreshën Geraldinë. Qe një fotografi të cilën e mbante një diversant.Kufitari kish qëlluar me plumb dhe plumbi e kish prishur paksa formatin, por, siç duket, e kishin riparuar mjeshtërisht. Kurioz, ngaqë e shihja për herë të parë, lexova poshtë diçiturën:”… këtë fotografi e mbante në shepn e xhaketës si”hajamali”, një besnik i mbretit dhe kufitari, kur e asgjësoi, ia gjeti në xhep. Për të thënë të drejtën: u kënaqa nga ç’pashë nëpër stenda dhe se ç’dëgjova nga ciceroni dhe, ngaqë vajti ora, frymën tek  MInistria, mora zarfin dhe u riktheva në repart, në Shëngjin.  Me  sa kujtoj sot, duhet të ketë qenë e shtunë mbasdite dhe ushtarët, shokë të mi,  ishin të lirë. Sa bëra toka me ta, u lëshuam nga deti (zyrat e shtabit apo komanda e ka detin aq afër, sa po të shtrishë duarët bien në ujë). U lamë dhe , tek dolëm në shullë,  unë mora fjalën për t’u tregua atyre 5-shokëve “çudirat” që kisha parë në ekspozitë. U çuditën vërtet për atë”diversantin me automatik “Tomson” dhe ca më shumë, kur po flisja për mbretin që, sado që e urrenim, por qe i bukur.Pale mbretëresha?Të linte me gojëhapur. Flisja pa teklif dhe nuk di se çfarë tregoja më parë. Kur e kishë lëshuar fjalën pa kapistal, befas dikush afër nesh bëri sikur u kollit. Kthyem sytë dhe njohëm Shefin e Zbulimit të repartit.Ushtarakët në Shëngjin, në këtë kohë që flas e shkruaj,  jetonin me gjithë  familjet  e tyre, brenda zonës ushtarake (pesë çapa larg komandës dhe po pesë çapa larg detit, ku bënin banjo vetëm ushtarakët.) Siç duket, ky, shefi kishqenë pas një guri aty pranë, se u afrua dhe, ngaqë kish dëgjuar për”mahnitjen time për çiftin mbretëror”,  duket e thirri detyra si”zbulues dhe më tha mua:- O Përparim,  o të lënça ZOTIN,  jam 45-vjeç dhe asnjiherë s’un e kam pa mbretin me si. A ke nji fotografi me ma dhanë?!!!

Provokimi qe sa i trashë, por dhe aq i rëndë njëherësh.Ky profan sa i ligë dhe po aq i trashë mendonte:ky nxjerr fotografinë dhe me atë në dorë po ia bëjmë gjyqin, nji këtij gjarpni që na punon në zyrë sekrete dhe përgjërohet për mbret e mbretëreshë.

Unë, nga natyra jam impulsiv, sa kam nevojë për fre, por, sado provokuesi, qe eprori im, iu përgjigja me mllef:-Unë jam 23-vjeç dhe” s’unë e kam pa mbretin me sy”, por ti je nga ata të”LalaKrosit” dhe do të raportoj tek komisari. Kështu bëra.U paraqita tek komisari dhe i thashë:- Shoku komisar, nëse vini provokator të tipit të atij Shefit të zbulimit, i thoni që i ka bërë hesapet pa hanxhinë.

Komisari e rrahu hekurit për të nxehtë.Thirri dhe bashkëshokët  e mi veç e veç dhe, pasi që të gjithë treguan polemikën e ashpër timen me”zbuluesin provokator”, menjëherë mblodhi organizatën e partisë dhe”provokatorit” i dhanë”vërejtje në kartën e regjistrimit në parti”. E pashë pas mbledhjes “zbuluesin” dhe , kur u pamë ballë për ballë, nuk e mbajti dot mllefin.-Pse ma bane këtëna? -Ia bëre vetes, – i thashë. A të kujtohet ajo thënia dibrane që thotë:- Vajti shyta për brina dhe la dhe veshët në ta. Shfryu tërë maraz dhe, sikur e preu”huqin”.

E solla këtë tregim të jetuar tani, kur do hapen dosjet.Por sa të tiillë si”shefi zbulimit” nuk do zbulohen kurrë.

Tiranë, 18 dhjetor 2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok