Hëna, vajza që u bë dritë e qiellit dhe e tokës
-Në vend të një përralle-
Nga Albert Z. ZHOLI
Dikur, në një fshat të vogël, jetonte një vajzë me emrin Hënë-filloi të më tregonte gjyshja. Ajo nuk ishte thjesht e bukur, pasi bukuria e saj ishte e butë si drita e agimit, ndërsa zemra e saj ishte edhe më e ndritshme se fytyra. Hëna i donte njerëzit, i donte të dashuruarit që kërkonin njëri-tjetrin në errësirë, dhe mbi të gjitha, i dhembte për të varfrit që humbnin rrugën në netët pa dritë. Shpesh ajo dilte natën dhe shikonte qiellin e pafund. E ndjente se aty lart kishte një vend për të, një vend ku mund të bëhej dritë për të gjithë. Në tokë ishte e kufizuar, sytë e saj nuk arrinin të ndihmonin këdo, duart e saj nuk mund të preknin çdo njeri që kishte nevojë. Një natë, me zemrën plot dëshirë dhe shpresë, ajo iu lut Zotit:
-Ma jep mundësinë të bëhem dritë për të gjithë. Dua të ndihmoj ata që humbasin, dua t’u jap shpresë atyre që dashurojnë.
-Dhe Zoti e dëgjoi. Një mëngjes, fshati u zgjua ndryshe. Hëna nuk ishte më aty. Në vend të saj, qielli kishte fituar një dritë të re, të butë dhe të qetë. Vajza e artë, me ngjyrë floriri, ishte ngjitur në hapësirë. Ajo ishte bërë një trup qiellor – një dritë që nuk shuhej kurrë. Njerëzit u habitën, por edhe u mbushën me krenari. Ata e kuptuan se Hëna ishte përzgjedhur si qiellore për mirësinë e saj, për zemrën e saj të madhe, për thjeshtësinë dhe sakrificën që mbante brenda. Që nga ajo ditë, të dashuruarit filluan të thonë:
-Takohemi kur të dali Hëna!
Dhe kur shikonin një vajzë të bukur, pëshpëritnin:
-Ah, më je bërë si Hëna… madje as Hëna nuk është kaq e bukur. Një natë, Hëna i foli Diellit:
-Ne do ta plotësojmë njëri-tjetrin. Ti do të ndriçosh ditën, unë natën.- Dielli buzëqeshi dhe iu përgjigj:
-Para bukurisë dhe mençurisë tënde, unë përulem. Dhe kështu, qielli u bë më i plotë. Hëna nuk ishte më thjesht një vajzë. Ajo u bë simbol i dritës në errësirë, i dashurisë së heshtur dhe i ndihmës që vjen nga shpirti. Një kujtesë e përjetshme se ata që japin dritë për të tjerët, nuk humbasin kurrë, përkundrazi, ngrihen më lart se gjithçka. Tek ne Hëna është përjetësuar tek kënga “Hënë e netëve të vona”- përfundoi gjyshja.
