12/12/2024

HAZIR GJAKA- TË QËNDROJMË VËLLEZËR, SE IDEALI YNË GJITHHERË KA QENË QËNDRESA DHE BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË

0
Hazir-Gjaka

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1887-pushkatohet në fillim mars 1945)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Trimi Hazir Gjaka, u lind në Oshlan të Vushtrrisë, më 1887. Që në fëmijërinë e hershme u dallua për zgjuarsi dhe për veprim të shpejt. U rrit dhe u edukua në një familje me tradita të lashta patriotike. Vinte nga një familje mesatare e kamur. Duke e ditur se oda e familjes së tij çdoherë ishte e hapur për mikun, si i ri njihet me shumë patriot shqiptar dhe burra të odave dhe kuvendeve. Shtëpia e tij prej vitit 1918- 1926 do të jetë çerdhe e lëvizjes kaçake. Në odën e tij kthenin shpesh Azem Bejta e Dan Deroci dhe figura të njohura që luftonin për ruajtjen e atdheut. Andaj, Haziri pati mundësin dhe fatin, të rritej e të njihej me ta. Në odën e Hazir Gjakës, trimat dendur bisedonin për fatin e atdheut dhe me kohë po kjo breng edhe për Hazirin u bë preokupim kryesor jetësor. Hazir Gjaka me vëmendje dëgjonte bisedat e trimave dhe më 1924, kur bëhet lufta e njohur e Galicës, Hazir Gjaka do të angazhohej trimërisht me shumë trima në atë betejë. Do të luftoj krah për krah me Azem Bejtën kundër ushtrisë jugosllave, dhe do të dalin fitimtar.

Duke i parë aftësitë e tij prej luftëtari dhe mençurin e oratorin e treguar, fshatarët e zgjedhin anëtar në këshillin e “Islihatit” që vepronte në Vushtrri. Në atë këshill, Haziri dha një kontribut të çmuar, ngase me urtësinë dhe mençurin e tij arriti që të bënte pajtimin e shumë gjaqeve, ngatërresave dhe të shumë konflikteve më të vogla në mes fshatarëve. Në këshillë nuk ishte se, gjithçka shkonte vaj, njëherë në një takim Haziri kishte pasur një konflikt me disa anëtar shqiptarë të këshillit, të cilët në takime kishin folur turqisht. Haziri në atë rast ishte nevrikosur jashtë mase, dhe kishte kërkua se po qese duam të vazhdojmë të punojmë, në mbledhje duhet të flitet vetëm gjuha shqipe. Dhe, kështu ishte bë. Në mbledhjet tjera nuk ishin përsërit këto gafe dhe puna kishte vazhdua për të mirën e fshatarëve.

Kosova në përgjithësi e Drenica në veçanti, që në fillim të luftës së Dytë Botërore, përjetoi momente shumë të rënda, sidomos pas vitit 1943, kur forca të mëdha ushtarake çetnike  të konvertuara në partizan, kishin kryer barbari të papara në popullsinë shqiptare. Ata donin që të qonin në vend Elaboratet e Vasa Çubrilloviqit, që të spastrojnë Kosovën nga populli shqiptar. Duke e parë e ndjerë këtë gjenocid, popullit nuk i ngeli rrugë tjetër veç se të organizohet dhe të mbrohet nga hordhitë serbe. Sidomos në Drenicën kryengritëse, njerëzit vriteshin e pushkatoheshin pa kurrfarë arsye.

Më 1943, kur çetnikët ia mësyjnë fshatrave të Shalës së Bajgores, e tentojnë të depërtojë në Kosovë kah ana e fshatit Koshtovë të Mitrovicës, Hazir Gjaka ishte ndër të parët i cili doli me fshataret e fshatrave Galicë, Lubovec, Akrashticë dhe Oshlan, ku ndali për një ditë sulmet, deri atëherë, kur vijnë edhe forca të tjera vullnetare dhe pengojnë depërtimin e tyre drejt Kosove. Hazir Gjaka asnjëherë nuk e ndërpreu luftën kundër çetnikëve dhe formacioneve partizane- komuniste. Në të njëjtin vit, Haziri bashkë me luftëtar të tjerë të Vushtrrisë do të marri pjesë edhe në mbrojtjen e Sanxhakut nga çetnikët. Po në këtë luftë, do të ketë rastin që të njihej edhe më mirë e më tepër me luftëtarin e trimin Shaban Polluzha, dhe thënë të vërtetën, Hazir Gjaka, Polluzhën e njihte edhe më herët, kur në Oshlan, në kullën e Gjatës, Shaban Polluzha kishte qëndrua disa ditë.

Situata e tillë e krijuar në Drenicë, shkaktoi një indinjatë të thellë si tek popullsia ashtu edhe te krerët e prijësit e asaj ane si: Shaban Palluzha, Mehmet Gradica, Rexhep Xheli, Hazir Gjaka, Miftar Bajraktari, etj. Për t’i bërë ballë situatës së rëndë të krijuar në vend, me qëllim të ruajtjes së jetës, nderit, pasurisë së popullit, për mbrojtjen e sigurimin e rendit publik, në dhjetor të vitit 1944, u formua Brigada e Drenicës me komandant Shaban Palluzhën. Shtabin e Brigadës e përbënin: Azem Aruqi, Feriz Boja, Hamëz Istogu, Hazir Xhaka, Mehmet Gradica, Miftar Bajraktari, Mulla Ilias Broja, Regjep Gjeli, Rifat Maloku, Sadik Lutani dhe Ukë Sadiku. Brigadën e përbënin gjashtë batalione (çdo batalion përbëhej nga tri kompani). Komandant i Batalionit I, ishte Ramë Sejdia; i Batalionit II, Ymer Fazlija; i Batalionit III, Isë Zymeri; i Batalionit IV, Bajram Bajraktari; i Batalionit V, Zeqir Lutani dhe i Batalionit VI, Hazir Gjaka.

Siç dihej, Shaban Polluzha, Shtabin e Brigadës e kishte ç’vendos në Rezallë, dhe mu në atë kohë formon edhe zonën e lirë të Drenicës, ku vepronin dhe lëviznin pa problem ushtaret e tij. Zona e lirë e Shaban Polluzhës shtrihej nga fshatrat Tërstenik, Baicë, Tërdefc, Obri, e Epërme dhe e Poshtme, Ticë, Rezallë, Plluzhinë, Murë dhe Likofc. Pas kësaj, forcat partizane bëjnë sulme të pandërprera ndaj këtyre fshatrave, andaj, luftëtaret e Shaban Polluzhës, detyrohen që të tërhiqen nga Tërsteniku, Baica dhe Tërdefci, por për tridhjetë ditë të plota nuk lejojnë që partizanët të qesin një hap përtej. Gjatë kësaj kohe zhvillohen përleshje të ashpra, me ç ‘rast vriten shumë ushtarë të një brigade malazeze, të Brigadës IV të Kosovës e Metohisë dhe asaj të Malë Sadikut. Mal Sadiku ishte një njeri i cili luajti një rolë shumë të urryer tek fshataret në fshatrat e Drenicës. Si shqiptarë që ishte populli i besonte në fjalët e premtuara. I bindte që të dorëzohen e pastaj me tradhti i likuidonte në grupe e edhe veç e veç.

Hazir Gjaka, si trim që ishte, pas këtij informacioni se njerëzit po pushkatohen nga  luftëtaret e Mal Sadikut, nuk qëndron duarkryq. I thërret fshataret e fshatrave të Obrisë, të Plluzhinës e Ticës. Bisedon me ta. Të gjithë pajtohen se duhet ndërmarr aksione të furishme dhe duhet sulmuar Brigadat partizane. Pasi bëjnë përgatitjet e nevojshme, dhe marrin të gjitha masat që popullata të mos ketë viktima, vullnetaret zënë pritat ndaj brigadave partizane. Në këto aksione partizanët e pësojnë keqe duke ikur nga fusha e betejës dhe duke pësuar humbje të mëdha. Por tërë mllefi e urrejtja e vullnetarëve të Hazir Gjakës ishte e grumbulluar dhe u manifestua te Brigada e Mal Sadikut, i cili në këto sulme pësoi humbje të konsiderueshme.

Sulmet e partizanëve pas këtij dështimi, ishin më të organizuara dhe u shpeshtuan në intervale kohore. Por trimat si Muharrem Smakiqi, Rifat Baleci, Rifat Maloku, Fazli Ramadani, Sejdi Hamiti, Ramadan Kurtaj, Lah Ismaili, Hajriz Demaku, Hysen Bajraktari, Murat Kamberi dhe Ajet Bajraktari, u bënin  ballë trimërisht përpjekjeve të brigadave partizane që të hyjnë brenda kësaj zone. Në këto fshatra brenda 30 dite, sa zgjati lufta, në Drenicë u krijua një situatë e nderë, sa e tmerrshme aq edhe kaotike. Në fshatrat e Drenicës filloi ploja dhe çdo gjë që kishin fshataret u plaçkit, u shkatërrua dhe u djeg. Fshataret iknin në drejtime të ndryshme. Mungonte çdo gjë tek fshataret. Mungonte buka, mungonte uji, mungonin bagëtitë të cilat i vodhën partizanet, çdo gjë mungonte.

Në zona e lirë të Shaban Polluzhës, u mundonin të bëhej një jetë afër normalitetit. Jetonin në mes frikës e në mes shpresës. Ishin të rrezikuar në çdo moment dhe pritnin likuidimin e tyre. Luftëtaret e Shaban Polluzhës, përgatiteshin dhe organizoheshin me të gjitha mundësit që kishin. Në frontet kryesore ishin caktuar dhe qëndronin të patrembur Hazir Gjaka dhe Muharrem Smakiqi, e shumë luftëtar të tjerë.

Në historinë e luftës së Drenicës është i njohur “Kushtrimi i Hazir Gjakës”. Dihej botërisht se Shaban Polluzha kishte besim të madh dhe të palëkundur te trimi Hazir Gjaka. Duke qenë i vendosur në rrugën e tij për çlirim e Kosovës, Hazir Gjaka tregon të gjitha virtytet e një trimi të rrallë për mposhtjen e forcave çetnike. Në zonën e lirë të Drenicës, në vazhdimësi bënin roje trimat e Polluzhës. Në çdo lëvizje të dyshimtë, të gjithë luftëtaret ishin të gatshëm për sulm. Dhe kjo kishte ndodhur në një natë dimri, kur partizanët kishin tentuar që të futeshin tinëzisht në fshatrat e Drenicës. Me të hetuar këtë aksion, Hazir Gjaka, pa hezituar lëshon kushtrimin, sa thuhej se, zëri i tij ishte dëgjuar në tri fshatra larg. Zëri i tij prej baritoni ushtoi maleve dhe kumboi në  natën e zezë fut, duke i lajmruar fshataret, se populli është në rrezik nga forcat çetnike të veshura me uniformën partizane. Fshatarët i njoftonte se më mirë të vdesim të tanë se sa të jetojmë të robëruar. Edhe sot, në fshatrat e Drenicës flitet për këtë, se, kushtrimi ishte bërë në ora 3 të mëngjesit, duke iu thënë fshatarëve edhe këto fjalë: “Të qëndrojmë vëllezër, se ideali ynë gjithherë ka qenë qëndresa dhe bashkimi i Kosovës me Shqipërinë”!

Pas kushtrimit të Hazir Gjakës, popullata po si lumi filloi të dal, andej nga vinte kushtrimi. Të gjithë me vete kishin marr pushkë e revole, e disa që nuk i kishin këto me vete kishin sjell sëpata e tërfurq. Dashuria për atdheun ishte shumë më e madhe se çdo gjë tjetër, andaj populli i Drenicës ishte i gatshëm të flijohej, por këmbë armiku të mos shkeli në tokat e tyre. Për një kohë të shkurtër në një përleshje të fortë, partizanët e Malë Sadikut dhe Brigada malazeze, detyrohen të tërhiqen nga fronti, duke lënë pas shumë viktima.

Luftëtari i patrembur Muharrem Smakiqi nga pika strategjike – kulla e Hadakut, kishte fillua luftën për jetë a vdekje. Në të gjitha anët nga Murga, Obria e Poshtme dhe e Epërme, Plluzhina, Tica, sulmojnë forcat vullnetare. Kjo kullë në Obri të Poshtme ishte në periferi të zonës së poshtme të lirë të Shaban Polluzhës, por kjo kështjellë e pathyeshme bënte rezistencë të vendosur. Në të luftonin luftëtarët nga Obria, të cilëve u printe Muharrem Smakiqi. Kullës iu kishin qel shumë frëngji në mënyrë që tërë territori i zonës të jetë nën kontrollin e tyre e sidomos nga ana Perëndimore dhe Jugore. Gjatë 30 ditëve të rezistencës, Muharrem Smakiqi me shokë nuk lejoi për asnjë hap depërtimin e “partizanëve” në drejtim të zonës së lirë.

Edhe sot flasin fshataret e kësaj ane, se kulla e Hadakut të përkujtonte Kështjellën e Ali Pashë Tepelenës. Në vijën Ticë-Kulla e Hadakut likuidohet pothuaj tërësisht një brigadë malazeze, e cila më parë kishte bërë masakra të papara në fshatrat e Drenicës. Pra, siç shihet, në një mënyrë kjo brigadë e pagoi haraçin për tmerrin që kishte mbjellë në Drenicë. Pas likuidimit të kësaj brigade, nga ana partizane vinë forca të reja, por megjithatë nuk mund të depërtojnë në këtë pjesë të Shaban Polluzhës. Mal Sadiku, i vetëdijshëm se me forcë nuk mund t’ia arrinte qëllimit, ai do të zgjedhë metodat e tij të njohura mashtruese. Siç tregonte Hajriz Demaku, i cili një herësh ishte në front tërë kohën – Mal Sadiku dërgon disa njerëz për t’u marrë vesh gjoja me Muharrem Smakiqin për ndërprerjen e zjarrit. Muharremi me shokë, duke mos e njohur fare këtë tradhtar, pranon që të hyjë në bisedime. Mal Sadiku, në ndërkohë do të nisë katër përfaqësues të vet dhe, në anën tjetër përgatit brigadën që do të marshojë fshehtas drejt kullës së Hadakut, në mënyrë që derisa të mbaheshin bisedimet, të sulmohen nga të gjitha anët. Mirëpo, kjo tradhti do t’i dështojë, sepse në kulm të kullës ishin vënë roja për çdo rast dhe me të hetuar këtë tradhti, ata do të sulmohen dhe do të mbesin të vrarë katër njerëzit që ishin caktuar për bisedime dhe një numër i madh i ushtarëve që i ishin afruar kullës.

Pas këtij dështimi, lufto do të orientohet në Obri të Epërme, por do të bëhet rezistencë nga kulla e Hadakut dhe Ukë Ymerit, në të cilën ishte edhe Rifat Maloku i Samadrexhës së Vuçitërnës me shokë, por kishte edhe njerëz dhe luftëtarë nga e gjithë Obria. Fronti mbahet përderisa Shaban Polluzha urdhëron se do të shkohet në drejtim të Kotorrit.

Përderisa Hazir Gjaka ishte në front të luftës në Drenicë, një brigadë serbe hulumtonte dhe informohet se kush ishte dhe nga vinte Hazir Gjaka.  Partizanët përgatiten dhe ia mësyjnë shtëpisë së Hazir Gjakës në Oshlan. Pyesin për të, dhe kërkojnë që ti shoqërojnë në shtëpinë e tij. Fshataret e dinin se përse kishin ardhur në Oshlan dhe pse e kërkonin Hazir Gjakën. Asnjë fshatar nuk donte të tregonte se ku ndodhej ai dhe familja e tij. Iu thanë se nuk e dinin se cila ishte shtëpia e tij dhe se në ndërkohë nga shtëpia e Hazirit i largojnë familjen e tij bashkë me dy djemtë- Izetin dhe Haradinin. Pas një sorollatjeje në fshat dhe pas presioneve të shumta, partizanët e gjejnë shtëpinë e Hazirit, qëllimi i tyre dihej, donin që djemtë e tij, ti arrestonin dhe ti pushkatonin. Por edhe kësaj radhe dështuan. Drenica dhe populli i saj e donte Hazirin dhe e mbronte në çdo moment. Dhe, si gjithmonë siç dinë kriminelët, shtëpinë e familjes Gjaka e kallin, ndërsa nga shtëpia i marin mbi 90 lopë e bagëti të tjera.

Gjatë tërë kohës sa kishte zgjatur lufta e Drenicës, Hazir Gjaka vetëm njëherë kishte shkua në shtëpi. Por, pas përfundimit të Luftës së Drenicës dhe vrasjeve të prijësve Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica , Hazir Gjaka me shokë shpërthen rrethimin nga ushtria jugosllave në Tërstenik,. Duke qenë njohës i mirë i terrenit do të dalë në Çiçavicë. Aty do t’u thotë shokëve të shpërndahen nëpër shtëpitë e tyre se nuk mund të bëhet asgjë, se edhe Shqipëria na e ka kthyer shpinën. I këshillon ata të kenë kujdes dhe të ruhen përderisa të qetësohet situata. Ndërkaq, vet i armatosur dhe si gjithherë stoik, vazhdon rezistencën kundër ushtrisë dhe OZN-së jugosllave. OZN-a, kishte marr hapa radikal për asgjësimin e luftëtarëve të Shaban Polluzhës. Ai përcillej këmba këmbës dhe një ditë marsi, 1945 hetohet duke kaluar nëpër fshatin Vinac i Epërm. Aty sulmohet nga oznashët, dhe në këtë sulm Hazir Gjaka vrau tre nga kundërshtaret. Në këtë sulme, Haziri plagoset rëndë në krahun e djathtë. Pati edhe sulme tjera nga ana e partizanëve, por assesi ta kapnin trimin. I vunë shumë prita dhe shumë kurthe. Trimi nuk do të kapej dot. Pas një ndjekjeje të gjatë, oznashët e zunë të gjallë dhe e arrestojnë duke e malltretuar e rrahur në mënyrën më shtazarake. E pyesin për emrat e luftëtarëve të tij, por qele gur gojën. Nuk tregon asgjë. Vdes nga plagët dhe torturat në Vinac të Epërm në fillim të muajit mars 1945. Qoftë i përjetshëm kujtimi për Hazir Gjakën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok