06/12/2024

HAPËSIRAT SHQIPTARE DHE KRIZA

0
u1_Xhelal-Zejneli

Nga Xhelal Zejneli

Me nocionin krizë nënkuptohet kryesisht kriza ekonomike dhe sociale. Shumë shqiptarë në Maqedoni vazhdimisht flasin për ekzistimin e krizës. Por, ka edhe të tillë të cilët dyshojnë se ka krizë. Madje ka edhe prej atyre që thonë se krizë nuk ka. Këta pyesin: Si mund të thuhet se ka krizë, kur:

– pothuajse të gjitha kafeteritë, ëmbëltoret dhe restorantet çdo ditë, e sidomos në çdo mbrëmje janë plot e përplot;

– pothuajse çdo shtëpi ka veturë; ka shtëpi me dy a tri sosh; prej qarkullimit të veturave qytetet shqiptare s’mund të marrin frymë; veturat nuk harxhojnë ujë por lëndë djegëse; veturat kërkojnë mirëmbajtje; kërkojnë që në krye të vitit të regjistrohen, duke bërë paraprakisht edhe kontrollin teknik; për të ngarë makinë, duhet pasur leje drejtimi dhe kjo s’merret pa para;

– një pjesë e konsiderueshme e popullsisë konsumon cigare; shumë të rinj, përfshi edhe ata që janë të papunë, pinë cigare të shtrenjta;

– ceremonitë martesore, d.m.th. dasmat bëhen në mënyrë pompoze; kësisoj bëhen edhe ceremonitë e synetit;

– përqindja më e madhe e nxënësve, qofshin filloristë, qofshin nxënës të arsimit të mesëm, nisen për në shkollë me para në xhep; të gjithë nxënësit, si të fillores ashtu edhe të arsimit të mesëm shkojnë në shkollë të veshur mirë; të gjithë nxënësit kanë veshje përkatëse për të gjitha stinët e vitit; të gjithë nxënësit janë të furnizuar me tekste shkollore, të reja apo të grisura, që ua jep shteti falas; në shëtitjet njëditëshe të nxënësve përfshihet përqindja më e madhe e nxënësve; në shëtitjet pesëditëshe të nxënësve të viteve të treta shkon pjesa më e madhe e nxënësve; pothuajse s’ka nxënës pa telefon celular; ka nxënës të shkollave të mesme të cilët shkojnë në shkollë me veturë;

– mbrëmjet e maturës organizohen në mënyrë pompoze;

– nxënësit e arsimit fillor mbarimin e tetëvjeçares apo të nëntëvjeçares, d.m.th. të semimaturës, e kremtojnë në ambiente publike;

– një numër i caktuar nxënësish ndjekin shkollimin nëpër shkolla private, në të cilat regjistrimi bëhet me pagesë;

– një numër i caktuar i studentëve, kundrejt pagesës, studiojnë nëpër universitete private;

– përqindja më e madhe e mësuesve, e arsimtarëve apo e profesorëve shkojnë në shkollë me veturat e veta;

– një përqindje e madhe e shtëpive, për të mos thënë çdo shtëpi, janë të lidhura me internetin; pothuajse çdo shtëpi ka antenë kabllovike apo antenë satelitore;

– pothuajse të gjithë anëtarët e një familjeje, i madh e i vogël, posedojnë telefon celular;

– në shumë shtëpi ka pajisje televizive – plazma, aq sa ka dhoma;

– një përqindje e caktuar e shqiptarëve, gjatë muajve të verës shkojnë në det në Shqipëri, në Greqi, në Strugë, në Ulqin, në Antali …

– ceremonitë fetare, me numër të caktuar të ftuarish, bëhen nëpër sallone;

– një numër i caktuar i qytetarëve, çdo vit shkojnë në pelegrinazh, shkojnë në haxhillëk;

– një numër i caktuar i qytetarëve fundjavën e kalojnë nëpër shtëpizat apo në verandat e veta që i kanë ndërtuar nëpër viset malore;

– një përqindje e caktuar e shoqërisë i kremton nëpër hapësira publike edhe festat si “7 Marsi”, “8 Marsi”, Viti i Ri;

– një përqindje e caktuar e shoqërisë i festojnë ditëlindjet, si të fëmijëve ashtu edhe të të moshuarve, qoftë nëpër shtëpi, qoftë nëpër mjedise publike.

* * *

Asnjë veprim nga sa më sipër s’bëhet dot pa para. Nëse ka krizë, atëherë shtrohet pyetja: Nga ku paratë?! Paratë nuk bien nga qielli.

Në këto hapësira, të ardhurat sigurohen nga burime të caktuara. Një pjesë e qytetarëve të ardhurat i sigurojnë:

– nga puna në sektorin publik;

– nga puna në sektorin privat;

– duke u marrë me veprimtari bujqësore:

– duke ushtruar veprimtari blegtorale;

– duke ushtruar veprimtari tregtare;

– duke ushtruar veprimtari zejtare;

– duke ushtruar veprimtari prodhuese;

– duke kryer shërbime private – juridike dhe administrative;

– duke kryer shërbime private – profesionale;

– nga turizmi – Struga, Ohri, Ulqini, qytetet e Shqipërisë, të Kosovës;

– nga pensionet e gjyshërve të cilët kanë punuar në vendet e Perëndimit;

– nga prindërit apo nga ndonjë anëtar tjetër i familjes që punojnë në vendet e Perëndimit;

– nga të rinjtë që punojnë në Irak, në Afganistan apo në ndonjë vend tjetër të Afrikës.

Sikundër shihet, burimet e të ardhurave, e të hyrave, e derdhjes së mjeteve apo e remitencave nga diaspora nuk janë të pakta.

Nuk duhet harruar se një pjesë e qytetarëve mbijeton në saje të minusit në xhirollogaritë e veta, d.m.th. i debitojnë bankës. Një pjesë tjetër e shoqërisë jeton me kredi të marra me norma të larta interesi.

* * *

Nga sa më sipër krijohet përshtypja se shqiptarët bëjnë një jetë të mirë dhe të lehtë.

Si është e mundur të jetohet mirë dhe lehtë në një shtet:

– që nuk ka ndonjë ekonomi të zhvilluar;

– që nuk ka investime të mjaftueshme nga jashtë;

– që nuk ka eksport mallrash në sasi të duhur;

– që importin e mallrave e ka disa herë më të madh se eksportin e tyre;

– që vazhdimisht debitohet te kreditorët e huaj, saqë i kanoset rreziku që një ditë të bëhet edhe insolvent;

– që është i kapur nga oligarkët;

– ku korrupsioni, që nga viti 1991 e këndej, ka prekur majat e tij (të shtetit).

Si është e mundur: Shteti në krizë të thellë, e ne s’qenkemi në krizë?! Krizë nuk kemi, ndërsa edhe pas tridhjetë vjet pluralizmi e demokracie dhe me gojën plot integrim, ende hedhurinat s’kemi ku i çojmë! Kriza brirë nuk. Kjo është krizë, kriza vetë.

Si është e mundur të mos kenë krizë shqiptarët:

– kur pjesa më e madhe e investimeve bëhet në pjesën juglindore të Maqedonisë, ndërsa pjesa veriperëndimore e saj, ku jeton shumica shqiptare, është e margjinalizuar;

– kur sistemi bankar dhe ai financiar është kryekëput në duart e sllavo-maqedonasve;

Si mund të mos ketë krizë:

– kur disa ndërmarrje të mëdha, vite me radhë nuk e kanë paguar rrymë elektrike; kush paguan për ta?!

– kur një pjesë e qytetarëve nuk i shlyen rregullisht detyrimet komunale si: tatimi mbi pasurinë e paluajtshme, tatimi mbi pronën, tatimfitimi apo tatimqarkullimi, faturat e ujit dhe të hedhurinave.

Si s’ka krizë kur administrata, si e pushtetit vendor, ashtu edhe ajo e pushtetit qendror është e mbingarkuar, si në asnjë vend të kontinentit apo të rajonit. Si pasojë, buxhetet e pushteteve vendore, në vend që për investime infrastrukturore, shkojnë për rrogat e të punësuarve partiakë që rinë kot nëpër zyra apo që pushojnë në shtëpi.

Nëse s’ka krizë, përse atëherë shqiptarët e të gjitha trojeve etnike zënë ndër vendet e para në botë me synimin për emigrim, përfshi edhe ikjen e trurit?! Nëse s’ka krizë, përse atëherë shumë shtëpi trekatëshe të kurbetçinjve rinë zbrazët, ngase pronarët e tyre nuk kthehen nga Perëndimi edhe pasi dalin në pension?!

Në botën shqiptare ka, jo krizë, por krizë të thellë. Çdo krizë ekonomike, si rregull, shoqërohet edhe me krizë sociale, me krizë morale, me krizë psikologjike dhe me krizë mendore. Kriza ekonomiko-shoqërore prodhon edhe veprime tragjike dhe akte të paligjshme: vjedhje, vjedhje me dhunë, reketime, mashtrime, rrëmbime, shantazhe, plaçkitje bankash, këmbimoresh, pikësh karburanti, përhapje lëndësh narkotike, amoralitet, prostitucion, trafikim armësh, lëndësh narkotike, qeniesh njerëzore, vrasje. Në kohë krizash mbushen edhe burgjet, ndërsa ryshfeti, mita dhe korrupsioni – lulëzojnë. Shtohen kazinotë, bastoret, lojërat e fatit dhe shtëpitë publike. Në kohë krizash fjalën e kanë kurtizanet. Shteti ligjor nuk ia del të ndërtohet, përkundrazi, rrënohet akoma më shumë.

Kriza prek familjen, qelizën e rëndësishme të shoqërisë. Çrregullohen raportet bashkëshortore, ndërsa numri i zgjidhjes apo i prishjes së martesave merr përmasa dramatike. Ka të tillë që ndarjen e bashkëshortëve e marrin për emancipim. Në qendrat e përkujdesjes rritet numri i fëmijëve të braktisur.

Nuk jetohet vetëm për lumturinë personale, por edhe për fatin e të tjerëve.

Në mjedise të caktuara, shoqëria shqiptare është tradicionale dhe konservatore, ndaj me disa nga pasojat e sipërthëna të krizës ende nuk ballafaqohet. Një shoqëri nuk bie në krizë përnjëherë, ndaj edhe ardhja buzë humnerës nuk bie në sy sakaq. Shembja e shoqërisë dhe e sistemit të saj të vlerave shkon shkallë-shkallë dhe hetohet pas një kohe.

* * *

Jeta e lehtë dhe plot argëtim e një pjese të shoqërisë shqiptare në Maqedoni krijon përshtypjen e rreme se shqiptarët jetojnë mirë. Çajtoret, ëmbëltoret, byrektoret, tavernat, pijetoret, kafeteritë, restorante, sallone e dasmave, që në përputhje me kërkesat e tregut shtohen dita-ditës, nuk paraqesin zhvillim. Veprimtaria e tyre është e nevojshme dhe e domosdoshme, por ato janë pjesë e mikrosistemit. Mikrovlerat dhe mikrosistmet që i krijon dhe që i ndërton një shoqëri me mendësi provinciale nuk mundësojnë kurrfarë perspektive, as për brezin e sotëm dhe as për brezat e ardhshëm. Perspektivën e bën të mundur zhvillimi ekonomik dhe jo veprimet në mikroplan. Një shoqëri e organizuar nuk jeton vetëm sot për sot, jeta ndërkaq nuk është vetëm bukë dhe argëtim. Për të sunduar më lehtë mbi qytetarët e vet, perandorët e Romës së lashtë zbatoni politikën panem et circusens.

Zhvillim i thonë, jo kur shtohen byrektoret dhe çajtoret, pijetoret apo tavernat, por kur ndërtohen fabrika, reparte prodhuese, kur krijohen vende pune për të rinjtë. Mënyra e jetesës matet me arsimimin cilësor të shoqërisë, me sistemin shëndetësor cilësor, me ndërtimin e rrjetit rrugor bashkëkohor, me ndërtimin e autostradave, me mbrojtjen e mjedisit jetësor, me ndërtimin e infrastrukturës bashkëkohore, me rritjen e mesatares së të ardhurave mujore të bazuar në ligjshmëritë ekonomike, me organizimin e jetës kulturore, me librari, me biblioteka dhe me panaire libri të vizituar nga nxënës, nga studentë si dhe nga pjesëtarë të tjerë të shoqërisë. Çdo anëtar i familjes ka nga një celular, por e tërë shtëpia qëllon të mos ketë asnjë libër. S’ka zhvillim aty ku s’lexohet libri.

Mungesa e perspektivës shpie në degradimin moral, material dhe shpirtëror të shoqërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok