15/11/2024

Ballkani, Europa Lindore dhe programi gjeopolitik i filozofit rus, Aleksander Dugin

0

Nga Enver Bytyçi

Studiuesi i shkencave politike dhe filozofi rus, Aleksandër Dugin, në librin e tij ‚Çështje të gjeopolitikës – E ardhmja gjeopolitike e Rusisë‘ (Rusisht – Основы геополитики – геополитическое будущее России), botuar në vitin 1997 zhvilloi idetë e reja të elitës ruse mbi gjeopolitikën dhe mënyrën se si Rusia do të mund të shndërrohej në një fuqi të madhe botërore. Ky libër ka shërbyer si udhërrëfyes i politikës dhe diplomacisë ruse të dy dekadave të fundit, me qëllim shndërrimin e Rusisë në një faktor vendimmarrës për të gjitha çeshtjet botërore.

Dugin jep një numër rekomandimesh për rikthimin e fuqisë dhe lavdisë ruse, ndaj dhe ky libër është fut në progranmet mësimore universitare, në Akademinë Ushtarake, si dhe për forcat e sigurisë së Federatës së Rusisë.

Sipas Dugin, platforma e re e shndërrimit të Rusisë në një fuqi domethënëse në planet do të duhej të realizonte disa objektiva. Për herë të parë është Aleksander Dugin ai që rekomandon krijimin e një unioni euro-aziatik, me qëllim që përmes këtij mekanizmi diplomacia dhe politika e jashtme e Rusisë t’i japë fund dominimit kulturor dhe uashtarak të Shteteve të Bshkuara në Europë dhe në botë. Ai thekson domosdoshmërinë e krijimit të një aleance me shtete të kulturave dhe besimeve të ndryshme prej Kinës dhe Indisë e deri në Europën Lindore.

Por që kjo politikë të jetë e suksesshme, Aleksandër Dugin përqëndrohet në ushtrimin e një politike të jashtme diversive, e cila do të duhej të shkatërronte aftësitë dhe fuqinë dominuese në SHBA dhe në vendet e Bashkimit Europian. Në funksion të kësaj politike ai rekomandon që të krijohet dhe forcohet aksi Berlin-Moskë, ku Gjermania të kontrollojë dhe dominojë shtetet me besim katolik e protestan, ndërsa Rusia të mbajë si zonë të influencës së saj shtetet me shumicë të besimit ortodoks. Në këmbim të këtij bashkëpunimi midis Moskës dhe Berlinit politikani i njohur rus propozon një bashkëpunim ekonomik të ngushtë midis dy vendeve, përveçse Kaliningradit. Në këtë këndvështrim duket se autori i këtij libri kopjon paktin Ribentrop – Molotov të 23 gushtit 1939, lidhur midis Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik, pakt i cili shërbeu për ndarjen e zonave të influencës në lindjen europiane dhe fillimin e Luftës së Dytë Botërore.

Nga ana tjetër tërheq vëmendjen ajo që Aleksandër Dugin rekomandon lidhur me intervenimin e vendit të tij në Francë, Britaninë e Madhe, në Japoni dhe në vetë SHBA-të. Franca, shkruan ai, duhet të vazhdojë të ruajë aleancën dhe lidhjen e ngushtë me Gjermaninë, ndërkohë që Rusia do të duhet të mbështesë çdo pikëpamje dhe influencë antiantlantike në këtë vend. Britania e Madhe, shkruan ai, do të duhet të izolohet nga lidhjet e saj me pjesën tjetër të vendeve perendimore, përkatësisht, Bashkimin Europian dhe me SHBA-të. Ndërsa në Japoni rekomandon rritjen e frymës antiamerikane dhe për këtë thotë se në shenjë falenderimi duhet rritur bashkëpunimi midis Moskës dhe Tokios. Ajo që bën përshtypje ka të bëjë me raportin dhe intervenimin e Rusisë në SHBA. Sipas Dugin, me ndihmën e shërbimit sekret rus, Moska duhet të synojë destabilizimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes konflikteve sociale, etnike e fetare. John B. Dunlop (Hoover Institution): Aleksandr Dugin’s Foundations of Geopolitics Buchbesprechung, www.4pt.su.

Projekti i Aleksandër Dugin përfshin gjithashtu zonat aziatike dhe ato të Europës Lindore. Propozimi kryesor ka të bëjë me krijimin e vatrave të zjarrit në këto vende, me qëllim që Rusia dhe Kina si dy aleatët kryesorë të Unionit të Euroazisë të shfaqen si shpëtimtarët e situatave të trazuara dhe të vendosin në gadishullin aziatik një hegjemoni të përbashkët e ndërkohë në Europën Lindore hegjemoninë ruse. Në këtë plan përfshihen shteti mongol dhe territore të tjera në kufijtë e përbashkët Rusi-Kinë. Ndërkaq libri rekomandon që në Azinë Juglindore Kina ta ketë të drejtën e kontrollit, influencës dhe ndikimit politik. Mongolia shihet si pjesë e unionit euro-aziatik.

Dominimi rus bëhet i pashmangshëm, sipas rekomandimeve të Dugin, në Gjeorgji, Bjellorusi, Ukrainë dhe Moldavi, të cilat në librin e famshëm trajtohen si pjesë përbërëse e Rusisë. Madje në libër bëhet thirrje që inflienca ruse të shkojë drejt Finlandës, me qëllim rikthimin e perandorisë cariste në këtë vend me shkallë të lartë të demokracisë. Filozofi rus beson njëkohësisht se në sferën ruse të influencës do të përfshihen edhe Polonia, Lituania dhe Letonia, për të cilat rekomandon një status special, me qëllim që këto vende të ruajnë lidhjet e tyre me Perendimin, duke synuar një lloj neutraliteti, të ngjajshëm me neutralitetin e Austrisë pas Luftës së Dytë Botërore.

Dugin e orienton politikën dhe diplomacinë ruse edhe në aspektin religjioz, drejt një aleance të vendeve ortodokse në Ballkan si dhe të një aleance panislamike në Lindjen e Mesme, në vendet arabe e në Ballkan. Për këto zona influence ai pësërit se Rusia dhe vendet islamike ndajnë vlera të përbashkëta dhe përmes këtyre vlerave vendet islamike mund të mbahen në një lidhje të ngushtë, me synim shkëputjen ose dobësimin e ndikimit amerikan dhe europian. Si shembull të këtyre lidhjeve Dugin përmend bashkëpunimin e ngushtë midis Rusisë dhe Iranit, por edhe me Sirinë.

Ndërsa ndër vendet ortodokse përmenden Greqia, Rumania dhe Serbia, për të cilat thuhet se ato duhet të bëhen pjesë endikimit dhe zonës së influencës ruse, me argumentin se ato ishin pjesë e influencës ruse edhe në periudhën e krijimit të Romës së Tretë. John B. Dunlop (Hoover Institution): Aleksandr Dugin’s Foundations of Geopolitics Buchbesprechung, ëëë.4pt.su.

Duke hulumtuar rreth këtyre rekomandimeve të Dugin, shihet qartë përqasja dhe rikthimi në politikat ekspansioniste të periudhës së disa shekujve më parë të Rusisë. Synimi është shndërrimi i Federatës ruse në fuqinë e Bashkimit Sovjetik.Në këtë aspekt shihet qartë se Kremlini ka përpunuar një platformë agresive të diplomacisë, politikës dhe influencimit në format e tjera edhe në rajonin ballkanik. Në veçanti Aleksandër Dugin ndalet në libër në detyrimin që ka Rusia që të ndajë me vendet ish-komuniste të Lindjes, me vendet islamike dhe ato aziatike vlerat ruse të qeverisjes. Ai e trajton këtë aspekt të ndikimit rus si çelësin e suksesit për ta shndërruar Moskën në një pre dy qendrave më të fuqishme të botës.

Në këtë kuptim, sipas Dugin, merr peshë parimi i zbatimit të të drejtave kolektive, në vend të të drejtave individuale, për të cilat janë të interesuara demokracitë perendimore. Në këte raport midis të drejtës kolektive dhe asaj individuale, Dugin e sheh ndryshimin thelbësor midis modelit rus dhe atij amerikano-europian. Prandaj dhe e sheh qeverisjen sipas modelit rus si kusht të shtrirjes së influencës gjeopolitikë në rajonë të ndryshme në botë.

Në këtë pikëpamje Ballkani dhe Shqipëria ndodhen në një kohë midis. Kjo do të thotë se ndonëse shumica e popujve ballkanikë ushqehen me dëshirën dhe etjen për integrimin euro-atlantik, liderët e këtyre vendeve, përfshirë Shqipërinë, Kosovën etj, priren të zbatojnë praktikat dhe vlerat ruse të qeverisjes, duke spekulluar me terma të tillë si ‚Pakica duhet t’i nënshtrohet shumicës‘, shumica mendon ndryshe nga pakica‘, për të shkruar te praktika se ‚Vullneti i shumicës duhet të respektohet nga pakica‘.

Sa më demokratike të jenë qeverisjet në Europën Lindore dhe Juglindore, aq më larg influencës ruse qëndrojnë ato. Sa më autokratike të jenë ato, aq më shumë rriten shanset qe ndikimi dhe influenca ruse të rriten në këtë hapësirë, dikur satelit i Bashkimit Sovjetik. Eshtë në dorën e këtyre vendeve që të lënë prapa të shkuarën totalitare dhe t’i hapin vetes perspektvën euro-atlantike, jo thjesht nga të qenit anëtar ose kandidat, por nga ushtrimi i parimeve demokratike të qeverisjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok