14/10/2024

Hakmarrja e Aristotelit ndaj helenëve, falë Aleksandrit të Madh

0

Nga Elvi Sidheri

Kur mendojmë për Aristotelin, përgjithësisht, pak kujt i bie ndërmend se filozofi i lashtë nuk ishte helen.

Aristoteli ishte maqedonas, pikërisht nga Mbretëria e Lashtë e Maqedonisë, ku do të lindte edhe Aleksandri i Madh, udhëheqësi dhe ushtaraku më i shquar i të gjitha kohërave, bir i një nëne ilire-epirote si Olimbia/Myrtali, dhe një babai gjysmë maqedonas, e gjysmë ilir, si Filipi II.

E, ndikimi i mësimeve dhe frymës që do t’i mëkohej Aleksandrit të Madh nga filozofi i shquar, do të pasqyrohej gjatë jetës së mbretit maqedonas, veçanërisht në qëndrimin e tij ndaj helenëve, duke ditur të përvidhej në mendësinë e tyre.

Siç dihet gjerësisht, Maqedonia nga helenët cilësohej si vend i banuar veç nga barbarë të huaj për botën e qytetëruar helene.

Për këtë arsye, Athina, Sparta, Teba dhe tërë qytetet e tjera helene anembanë, nuk pranonin kurrsesi që këto troje që sot konsiderohen si pjesë e pashkëputshme e trashëgimisë kulturore të Greqisë së Lashtë, të quheshin si të banuara nga bashkatdhetarë të tyre.

Aristoteli do të lindte në Stagira të gadishullit piktoresk tëHalkidikit në vitin 384 para Krishtit, dhe gjatë jetës së tij do të përballej dhe do t’i vuante në lëkurë këto sjellje mohuese/përçmuese ndaj tij si maqedonas nga helenët e kohës, e jo rastësisht, falë mësimeve të tij, do të harlisej edhe karakteri i paepur i Aleksandrit të Madh, që do të edukohej pikërisht me frymën e nënshtrimit të botës helene dhe mësymjes së pandalshme drejt zemrës së Azisë.

Aristoteli, që vlerësohet si i pari kërkues shkencor i historisë së njerëzimit, ndërkaq, përtej veprës së tij shkencore në shumë fusha (Filozofi, Fizikë, Metafizikë, Poezi, Retorikë, Etikë, Politikë, etj), mbahet mend edhe për lidhjet e tij të ngushta me dinastinë mbretërore të Maqedonisë së lashtë.

Babai i tij, Nikomaku, ishte mjeku i oborrit i Amintasit III, babait të Filipit II të Maqedonisë, domethënë, gjyshit të Aleksandrit të Madh.

Thuhet se Aristoteli pati nisur të ushtrohej lidhur me të fshehtat e mjekësisë qysh në moshë të mitur, por karriera e tij do të merrte gjithsesi shtegun e filozofisë.

Në moshën 17 vjeçare, Aristoteli riosh do të dërgohej të studionte pranë Akademisë së Platonit.

Nuk dihet qartësisht sa e afërt pati qenë marrëdhënia mes Platonit (që ishte edhe ai vetë, dishepull i Sokratit) dhe Aristotelit, gjithaq siç nuk dihen arsyet përse mbas vdekjes së mësuesit të tij, nxënësi i preferuar, pra Aristoteli, nuk do të trashëgonte drejtimin e Akademisë së Athinës.

Legjendat popullore të pakonfirmuara, duan të thonë se me vendimin e tij për t’ia lënë drejtimin e Akademisë nipit të tij, Speusipusit, Platoni kish dashur ta poshtëronte Aristotelin, gjë kjo, që shërben si njëfarë dëshmie për armiqësinë mes dy filozofëve.

E vërteta është se të qenët maqedonas për nga kombësia, ia pamundësonte ligjërisht Aristotelit mbulimin e një detyre kaq të rëndësishme, njëlloj siç shumë helenë ndienin përçmim të thellë ndaj Filipit II, pavarësisht fuqisë të madhe ushtarake të mbretit maqedonas.

Ky mbret, pati arritur që mbretërinë e varfër maqedonase, që sakaq vuante dhe përçmimin e Athinës dhe Spartës, ta shndërronte në fuqinë e madhe që mbante hegjemoninë mbi tërë Greqinë.

Pasi kish kaluar shumë vite të fëmijërisë si peng në Tebë, Filipi do të kthehej në mëmëdhe me bindjen për të nisur një reformë të ushtrisë maqedonase që, duke u mbështetur te formacioni luftarak i Falangave, do të shtonte elementë të rinj taktikë që ofronin më shumë lakueshmëri për të mposhtur qytet-shtetet e mëdhenj helenë.

Si pati mposhtur qytet-shtetet kryesorë helenë dhe kish marrë nga Athina një aleancë tejet të favorshme, Filipi II do të nisej për Spartë, por spartanët e pathyeshëm do t’i ofronin paqen pa luftë.

Në mes të vrullit të tij pushtues, mbreti maqedonas vendos të martohet me Olimbinë e Epirit, të bijën e Mbretit të Molosëve, që do të bëhej nëna e Aleksandrit të Madh.

Në vitin 343, Filipi II do ta thërriste Aristotelin për t’i kërkuar të bëhej tutor i birit të tij 13 vjeçar. E sikur të bëhej fjalë për një hakmarrje të mirëfilltë ndaj helenëve të regjur që patën penguar zgjedhjen e tij si drejtues i Akademisë së Athinës, Aristoteli do të skaliste karakterin e njeriut që pritej të shpinte në fund përpjekjen e nisur nga babai i tij, duke e lidhur fatin e Greqisë, me një mbretëri barbare, Maqedoninë.

Aristoteli, sipas përshkrimeve të kohës,”këmbëhollë e me sytë e vegjël”, do ta pranonte ftesën e Filipit II duke marrë përsipër edukimin e Aleksandrit për shumë vite. Siç thonë burimet mesjetare: “I pati mësuar Aleksandrit të studionte greqisht (domethënë që nuk dinte greqisht, pra), hebraisht, babilonisht dhe latinisht”. Gjithashtu do t’i mësonte gjithçka për natyrën, detin dhe erërat; ia pati shpjeguar rrugëtimin e yjeve, bëmat e universit dhe jetëgjatësinë e botës. Do t’i mësonte drejtësinë dhe retorikën, si dhe e pati paralajmëruar për femrat bishtdredhura”.

Sidoqoftë, pak gjëra dihen për qëndrimin e filozofit në Maqedoni dhe ndërkaq në veprat e Aristotelit Aleksandri përmendet fare pak.

Gjithaq shumë pak ndihet ndikimi i Aristotelit në fushën politike në veprimet e Aleksandrit të Madh. Vite më vonë, ndërsa Aristoteli akoma predikonte epërsinë e qytet-shteteve, dishepulli i tij i hamendësuar, porsa kish hedhur themelet e një perandorie universale, perandorisë më të madhe dhe të kulturuar të njohur gjer atëherë, nga Iliria gjer në Hindu Kush.

Siç thotë legjenda Aristoteli i pati mësuar Aleksandrit si të mendonte si një helen, por sakaq të luftonte si një “barbar”, gjë që, kish bërë të mundur mposhtjen e Greqisë nga mbreti riosh maqedonas.

Para se të mësynte drejt pushtimit të Perandorisë Persiane, Aleksandri i Madh pati shkelur sërish nëpër shtigjet e babait të tij, Filipit II, duke përshkuar Thesalinë, shkatërruar me themel Tebën dhe detyruar Athinën të njihte epërsinë e tij, duke u emëruar Hegjemon, titull që e pati bërë sundues të gjithë Greqisë.

Nga ana e vet, Aristoteli do ta shfrytëzonte pagesën e marrë nga Filipi II, për të arsimuar të birin dhe vijuar me kërkimet shkencore e punën e tij përgjatë tërë jetës. Përveç pagesës monetare, Aristoteli i pati kërkuar mbretit që “t’ia ngrinte sërish në këmbë vendindjen e tij”, që ishte shkatërruar vite më parë nga ushtria maqedonase. Kështu, në vitin 340 para Krishtit, Stagira do të rindërtohej dhe banorët do të rinisnin të ktheheshin aty.

Por, në vitin 336 para Krishtit, megjithatë, Aleksandri i Madh do ta ekzekutonte nipin e Aristotelit, Kalistenin e Olintusit, të cilin e kish akuzuar si tradhëtar. Meqënëse ekzekutimit në Maqedoni përfshinin edhe të afërmit e të dënuarit, Aristoteli do të strehohej një vit në pronat e tij në Stagira, për t’u shpërngulur paskëtaj në vitin 334 para Krishtit në Athinë ku do të themelonte, gjithmonë bashkë me filozofin Teofrast, Liceun, institucion pedagogjik që për shumë vite do të rivalizonte me Akademinë e Platonit.

Pas vdekjes së Aleksandrit, në Athinë do të përhapej një valë urrejtje ndaj maqedonasve, e nxitur nga gojëtari Demosten. Për këtë arsye, përkundër emrit që kish krijuar si filozof, Aristoteli, si maqedonas, do të nxirrej para gjykatës athinase ku do të akuzohej për qëndrim profan nda hyjnive.

Duke druajtur mos e pësonte si Sokrati, Aristoteli do të arratisej në ishullin e afërt të Eubesë, ku vdes pas një viti nga vdekje e natyrshme.

Më vonë, banorët e Stagirës do ta varrosin në vendlindje,  duke e nderuar si një hero, shpëtimtar, ligjvënës dhe rithemelues i qytetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok