06/10/2024

Gjon Shllaku, shkodrani fisnik i përkthimit

0

Nga Albert Vataj

Sot në Ditën e Përkthimit, marr leje çdonjërin nga ju, të sjell në kujtesë dhe t’i përulemi me nderim dhe mirënjohje, një prej të mëdhenjve të shqipërimit, fisnikut shkodran, Gjon Shllaku, ai i cili bëri të mundur të këndojë shqip një nga monumentet botërore të letërsisë klasike, Iliadën. Jo më pak obligues për vlerësim, kësaj dite të përkthimit, jam edhe për një aradhe të gjatë dishepujsh të hyjnisë së gjuhës, por Gjon Shllakun e sjell, nisur edhe nga fakti se e kam njohur, intervistuar dhe fotografuar. Një burrë i ditur dhe i përulur si ai. Një i përkushtuar me mish e me shpirt për atë që ai ka besuar, misionin e madh të lartësimit të shqipes në kreshtat rrokaqiellse të kryeveprave. E deshi shqipen dhe e latoi këtë gjuhë duke shndërruar atë në një gjuhë të madhe, në një gjuhë që fliste me legjendarët dhe i kumtonte botës se ajo meriton të jetë gjuhë që flisnin; Homeri, Virgjili, Sofokliu, Euripidi, Eskili, Lukreci, Ovidi, Shekspiri, Shatobrian, Korneji, Hygoi, Rasini, Alfred De Muse, La Martini, Shatobrianin, Bomarshe, Papa Gjon Pali II.

Ai ishte një ndër mjeshtrat e këtij zanati, përktheu pjesë nga “De rerum natura” e Lukrecit dhe nga “Eneida” e Virgjilit, kur ishte ende në Seminar. Në moshën 16-vjeçare përktheu të plotë “Gjeorgjikat” e Virgjilit. 17 vjeç ishte kur përkthen Ben Hur-in e Lju Uallasit. Përktheu tekste biblike nga greqishtja e vjetër, “Punët e Apostujve” dhe “Apokalipsi”. Në vitin 1965 shqipëron “Iliadën” në gegnisht që ribotua në standard më 1979, me 1995 boton shqipërimin e shtatë tragjedive të Sofokliut – përkthim që në kohë të regjimit nuk iu pranua nga Akademia, me “Kangët e Rolandit” (bot. më 2003) dhe “Le Cid” të Kornejit. Dy muaj përpara vdekjes mbaroi hartimin e “Fjalorit latinisht-shqip” të nisur prej shumë vitesh me afërsisht 65.000 fjalë. Ka lënë të pa përfunduar “Fjalorin greqisht-shqip” me rreth 18.000 fjalë.

Një “shenjtor” që përjetoi kaluarin dhe nuk u nënshtrua zezonës komuniste duke e sfiduar përmes dijes dhe dritës, mirësisë dhe shërbesës. Ai zotëronte 18 gjuhë të huaja dhe skaliti me shpirt dhe zell një shqipe të kulluar.

Ishte 22 vjeç kur e arrestuan dhe e dënuan me 101 vite burg. Pastaj djersa e tij e ndershme la gjurmë në betonin e fushës së aviacionit në Rinas, te Ura Vajgurore, në tharje kënetash, në Burrel, në thyerje gurësh… Dhe del nga burgu në vitin 1957, në moshën 34-vjeçare, me një pasaportë ndryshe nga të tjerët, ku shkëlqenin për t’u mos u venitur kurrë duke shkëlqyer në 18 gjuhë të huaja….

Koha, por më shumë se ajo, harrimi, rreken ta venitë dritën e këtij shpërthimi dielli dhe mirësie, por nuk do të mund t’ia dalin, sepse ai e blatoi shpirtin e tij në një kreshtë të lartë veprimtarie si përkthyes dhe si krijues. Ai la në themelet e shqipes vepra të mëdha dhe së bashku me ta, shënjoi një kulmim të këndimit të gjuhës tonë në zërin e gjëmimshëm të kryeveprave botërore.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok