Galipoli – disfata australiane dhe flijimi absurd i shqiptarëve

0

Nga Prishtina në Australi

Nga Gani Mehmetaj

Australianët kanë marr pjesë në luftërat evropiane, në luftën e Vietnamit, Afganistanit  dhe në luftërat e rajonit. Ishin të pranishëm kudo që e vlerësonin se duhej të shuanin  vatrat e krizës. Gjatë Luftës së Dytë Botërore i sulmoi Japonia, por australianët u mbrojtën mirë. Dhanë shumë ushtarë jashtë kontinentit të tyre, sepse në Australi kurrë nuk pati luftë, kurrë nuk i pushtoi dikush, as ua dogji shtëpitë e pronat. Megjithatë janë vrarë 100. 000 ushtarë australianë jashtë Australisë. Kështu na tha ciceroni turistik derisa e vizitonim Memorialin Australian të Luftës, përballë Kuvendit të Australisë me një ale kilometrike që i lidhte këto dy objekte njërën me tjetrën dhe me projeksionin gjeometrik që të fascinonte.

Australia gjeografikisht është shumë larg Evropës, por asnjëherë nuk u nda nga fati e ngatërresat evropiane. Përkujtimorja Australiane e Luftës është kushtimore që të mrekullon me përkushtimin e nderimet që ua kanë bërë të rënëve, por edhe historisë së shtetit e kombit përmes pamjeve nga lufta, dramave individuale, detajeve të jetës ushtarake në llogore, entuziazmit ushtarak e heroizmit në fushëbeteja. Derisa ciceroni, një australian shtatgjatë, biond , me flokë të thinjura e sy të kaltër, shpjegonte për historinë e luftërave australiane, kur u përqendrua në luftën tragjike të Galipolit se si me erdhi, shihja anash mos me kuptonin nga vija. Beteja e Galipolit rëndonte në ndërgjegjen tonë kombëtare. Ciceroni e përmendi Mel Gibsonin e filmin e tij të famshëm “Galipoli”. Ai fliste qetë, me një zë të njëtrajtshëm, rrëfente për 25 mijë ushtarë australianë që u vranë në një ishull të shkretë në Grykën e Dardaneleve. Pamjet të jepnin atmosferën e kohës, vitin 1915 me ushtarë në llogore, australianë e turq, me armë, me pamjen e fushëbetejës në një tokë të zhveshur, gurishte, ku ranë aq shumë ushtarë. Kur e përmendi Uinston Çerçilin e tha një batutë për mënyrën e bërjes së strategjisë që la shumë të vrarë. Në një film artistik për kryeministrin e famshëm thuhet se ai e vuajti dështimin e Galipolot tërë jetën, iu dha alkoolit nga mëngjesi në mbrëmje.

Në betejën e Galipolit (Çanakale) ushtria australiane ishte në kuadër të forcave të Mbretërisë së Bashkuar Britanike, ndërsa luftonte kundër Gjermanisë, Austro-Hungarisë e Turqisë. Turqia një vjet më vonë u dorëzua, anglezët u futën në Stamboll. Derisa fliste ciceroni australian, që më dukej sikur të kishte marr pjesë në atë luftë, grupi i turistëve dëgjonte me vëmendje, mua me mbërthente droja se ciceroni e vizitorët do të kuptonin që bashkëkombësit e mi fatkeq kishin marr pjesë në masakrimin e ushtarëve australianë në anën e turqve.

Ciceronit iu prezantova qe në fillim, sepse me pyeti nga isha, për Kosovën dinte, “kohëve të fundit nuk kam dëgjuar lajm për vendin tuaj, por edhe ky është lajm i mirë”, me tha,  “dmth çdo gjë është mirë, kur s’ ka luftë”. Prandaj s ‘kishte si të më ngatërronte me shqiptarët e shkretë që morën pjesë në luftën e Galipolit, sepse australianët konsideronin se luftuan kundër turqve, aleatë të Austro-Hungarisë e Gjermanisë së Kajzerit.

Australianët pas luftës ua ndërtuan përkujtimoren ushtarëve të tyre në fushëbetejë-në Galipol. Ndërkaq, shqiptarëve nuk u ndërtoi përmendore askush, disa emërtime qytetesh me flamur turk mbi varre, ishin fyerje, sepse shqiptarët nuk ishin në anën e askujt, shqiptarët ishin mish për top, ushtarë të paemër, të pa komb, të pa fe e të pa atdhe. Turqia i sakrifikoi si qengjat. Por ciceroni i Përkujtimores Australiane  nuk e lidhte Kosovën me ushtarët turq, sepse shqiptarët e angazhuar ishin ushtarë turq të  rekrutuar me mashtrime e dhunë.

Lufta e Galipolit paraqitej në ngjyrime të një ngjarje historike, pa emocione, pa eufori: luftuan ushtarët australian në Galipol dhe u vranë. Një vjet më vonë Britania e mori Stambollin, ushtarë australianë u futën nëpër rrugicat e Konstantinopojës. Për këtë betejë i kisha shikuar dy filma “ Galipoli” me Mel Gibsonin dhe filmin “The Water Diviner” me Rasel Kroun ( Russell Crowe).

Muzeu në gjysmë errësirë me efekte të dritës e të hijeve shpalonte pamje të fushëbetejave australiane në Evropë, rekuizita, armë, uniforma, efekte vizuale, armatime të ndryshme, barka, anije të mëdha të luftës, aeroplanët e mëdhenj që morën pjesë në betejat ajrore etj. Gjysmë errësira ta jepte një pamje të veçantë, ndryshe sa ishe mësuar të shihje në muzetë e tjera. Ndërkaq, ndërtesa ishte e madhe, një kushtimore me shumë kate e salla, me gjetje arkitektonike që të mrekullonin.

Përkujtimorja Australiane e Luftës në Kanberra është përkujtim për të gjitha luftërat, për 100.000 ushtarë australianë të vrarë, për gatishmërinë e tyre që të flijohen për atdhe. “Deri vonë”, na tha ciceroni “ushtarët australianë janë varrosur në vendin ku ranë, por vjetëve të fundit u vendos që të vrarit të ktheheshin në atdhe”. Sa shumë histori e lavdi perandorake në një hapësirë, sa shumë respekt për të vrarit, sa shumë përkushtim që kjo gjë t’u paraqitet edhe vizitorëve ( parakalime ushtarake, kurora, mijëra lulëkuqe, që pëtrihen çdo ditë,  rojat e nderit, flakadani që  nuk shuhet kurrë, paradat e duhura dhe pritja që u bëhen atyre që duan ta shohin e ta njohin historinë australiane). Është një prezantim që të mallëngjen e të mrekullon njëkohësisht, është histori e shtetit që u krijua 20.000  kilometra larg shtetit amë, Britanisë së Madhe, por që e krijoi mëvetësinë e identitetin e Australisë qind për qind.

Ishte dhe është ushtri e fuqishme ushtria australiane, por nuk ka këtu mburrje, patetikë primitive ballkanike, ata ta rrëfejnë historinë por në një mënyrë të veçantë, përmes pamjeve nga ajo kohë, me dramat e tragjeditë njerëzore. Sikur të kishim gatishmëri mund të merrnim shembull nga Përkujtimorja Australiane e Luftës, ta bënim një muze për të gjitha luftërat e flijimet nga antika deri në ditët tona, sepse Dardania kishte historike tragjike e të lavdishme, ndërsa ne i kemi dromcuar shenjat e përkujtimoret në çdo lagje e katund, kemi kushtimore vetëm për luftën e fundit, sikur historia jonë të fillonte e të mbaronte vetëm me luftën e vitit 1998-99.

Për ironi derisa kthehesha nga Singapori ne Prishtinë, në aeroplan e pash një film dokumentar turk për betejën e Galipolit. Autorët turq askund nuk jepnin pamje që pos turqve kishte ushtri tjetër në barrikada kundër australianëve. Bënin mirë që nuk e thoshin, bënin edhe më mirë që filmi ishte vetëm në gjuhën turke, kështu që nuk do ta kuptonin të tjerët turpin e fatkeqësinë tonë që dhamë mijëra viktima për një luftë të huaj, dolëm në mbrojtje të ushtrisë armike.

Kanberra, maj 2019

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok