18/11/2024

Flet tenori, pedagogu, “Mjeshtri i Madh”, Kastriot Tusha

0

-Kënga të jep popullaritet, të qenit pedagog të jep seriozitet

-Kënga më e kërkuar në diasporë: “Pa bashkim nuk ka fuqi, pa Kosovë nuk ka Shqipëri”

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Tenori Kastriot Tusha  në karrierën e tij ka marrë shumë vlerësime si, “Mjeshtër i Madh”, “Nderi i qarkut Elbasan”. Kastriot Tusha lindi në Elbasan më 14 prill 1963. Mësimet fillestare për kanto i mori me mësuesin F. Feçi në Shkollën e Mesme të Muzikës “Onufri” (1979-1983) të qytetit. Në vitet ’84-’89 mësimet për kanto i vazhdoi në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve të Bukura) në klasën e Gaqo Çakos. Mbasi kryen studimet në vitet 1988-2002, rreshtohet pranë solistëve të Teatrit të Operas dhe Baletit, njëherësh edhe si këngëtar, solist pranë Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore, si interpretues i këngës popullore elbasanase dhe rrethinave të tjera (kohë më parë ai e kishte kultivuar këngën popullore mbas një kursi kualifikimi që kishte kryer në vitet ’83-’84 pranë AKVP-së). Në Teatrin e Operas dhe të Baletit, Tusha realizon një veprimtari të ngjeshur koncertore me pjesëmarrje të gjerë në mjaft role në operat shqiptare dhe të huaja, me koncerte të llojeve të ndryshme, me repertor të pasur, ashtu si në fushën e muzikës së lehtë dhe asaj popullore, si brenda vendit dhe jashtë tij, si në Gjermani, Itali, ShBA, Zvicër, Turqi, Angli, Danimarkë, Kosovë, Maqedoni, Kanada, Norvegji, Suedi, Irlandë e gjetiu.

-Ju keni marrë shumë tituj, por sipas miqve tuaj para 2 vitesh kur morët titullin “Nderi i qarkut Elbasan” kishe shumë emocion. Ju në sallë jeni shumë vital, por në kësi rastesh shfaqni shenja dobësie?

Nuk është shenjë dobësie, është respekt për punën, për ata që të respektojnë, për këngën, për mundin dhe sakrificat. Në kësi rastesh falet edhe ndonjë lot. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në sallën e Teatrit “Skampa” kryetari i Këshillit të Qarkut ku unë u rrita, Bukurosh Stafa që më dorëzoi titullin, me motivacionin: “Për merita të veçanta dhe kontribut të shquar dhënë në fushën e artit lirik, në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, si studiues e promovues i këngës qytetare elbasanase, të Shqipërisë së Mesme dhe trevave të tjera shqiptare, duke interpretuar me kualitet të lartë profesional, si intelektual, përfaqësues i denjë i qarkut të Elbasanit” më bëri që të emocionohem. Natyrshëm, është e pranueshme. Ky vlerësim vjen nga qyteti i lindjes, nga qyteti që më mësoi të dashuroj këngën, qytetin dhe atdheun. Kur vlerësimi vjen nga vendlindja sigurisht që ndihesh shumë- shumë mirë.

– Po në këtë ditë kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja në fjalën e tij u shpreh se: “sa herë flas me kolegët e mi jashtë trevave shqiptare për Kastriotin, flasim për ‘Mjeshtrin e Madh’, për personalitetin e tij, që e ka mbajtur fort muzikën shqiptare, por që i këndon shumë qytetit të tij”. Pra ju jeni shumë i njohur në mbarë trevat shqiptare për këngët tuaja patriotike. Pse kohën e fundit i keni mëshuar shumë temës së atdhedashurisë kryesisht me këngën “Pa bashkim nuk ka fuqi, pa Kosovë nuk ka Shqipëri”.

–         Unë rrjedh nga një familje patriote dhe e dua shumë Atdheun. Atdheu është si familja, që të mëkon me virtytet dhe cilësitë më të mira njerëzore. Vitët e fundit kam parë një emigracion masiv. Kjo vjen nga një politikë jo e drejtë për popullin tonë. Ikin të rinjtë, ikin ata që do jenë e ardhmja e atdheut. Pa rini një shtet nuk ka të ardhme. Ndaj këngët e mia shumica kanë në thelb patriotizmin. E shikoj kur shkoj jashtë vendit se sa kërkohen këto këngë. Kërkohen me lot në sy. Askush nuk ka ikur pa dhimbje nga toka e tyre nga shtëpia e tyre. Por njëkohësisht ne jemi një shtet që jemi copëtuar. E njoh mirë historinë e vendit tim. Vizitoj shpesh herë Kosovën dhe kur ajo u çlirua kam qarë dhe jam si mes ëndrrash. Dua t’i këndoj gjithmonë Kosovës si pjesë e atdheut tim. Ka shumë fjalë të urta për atdhedashurinë ku unë po përcjell disa që mbeten aktuale:”Ai që nuk i përket atdheut, nuk i përket as njerëzimit. ”As dielli nuk të ngroh në vend të huaj. Askush nuk lufton në betejë me aq shpirt të paepur, sa ai që lufton për atdheun e vet”

Pa bashkim nuk ka fuqi, pa Kosovë nuk ka Shqipëri

Moj Shqipëri, djep i lirisë;
nana jonë djep i trimërisë.
Vorri i të huajve, votra jonë,
ty të paçim përgjithmonë

Pa bashkim, nuk ka fuqi,
pa Kosovë nuk ka Shqipëri.
Pa Shqipëri, Kosovë nuk ka,
bashkë të dyja ngrejnë kala!

Moj Shqipëri, shqiponja nanë,
Kosova jote u plagos randë!

Çaje qiellin flakë e gjamë,
fluturo çoje në kamë!

Pa bashkim, nuk ka fuqi
pa Kosovë nuk ka Shqipëri!
Pa Shqipëri, Kosovë nuk ka,
bashkë të dyjat ngrejnë kala!

Moj Shqipëri, djep i lirisë,
nana jonë djep i trimërisë!
Vorri i të huajve, votra jonë,
ty të paçim përgjithmonë

Ju jeni dhe pedagog. Madje prej shumë vitesh. Flitet shumë për shkollën shqiptare të muzikës. Aktualisht shkolla shqiptare e kantos, vazhdon të jetë shkollë sipas modelit të shkollës ruse apo ka ndryshuar?

Çdo gjë evoluon. Në vitet e demokracisë shkollës shqiptare të Kantos vazhdimisht i është ndryshuar kursi, duke ju përshtatur shkollës italiane, që ka qenë pararendësja e shkollave të tjera. Për çdo vit ne kemi rritur nivelin pedagogjik të mësimdhënies duke i dhënë përparësi shkollës italiane dhe pa i mohuar vlerat shkollës ruse. Mund të themi se sot është një kombinim pro me përparësi shkollës italiane. Kjo për vetë arsyen se tashmë shumë pedagogë tanë janë shkolluar, apo kanë marrë mësime suplementare, kanë marrë pjesë në seminare, apo kurse të ndryshme në shkollën italiane të kantos. Kjo për shumë arsye, por tashmë edhe për arsyen e thjeshtë se e kemi më afër gjeografikisht, sikundër dihen rezultatet e shkollës italiane të kantos, aq më tepër që nga këngëtaret dhe këngëtarët tanë lirik, janë me dhjetëra që këndojnë në skenat e operave italiane, por edhe gjermane, austriake, etj…

-Ju keni qenë disa herë Kryetar i Jurisë për studentët, që pranohen në kanto? Si ka qenë në përgjithësi cilësia e konkurruesve dhe juria a ka vend për hatëre, tarafe, ndërmjetësira, por edhe mitmarrje, etj ?

Tek ne afrohen konkurrentë shumë dinjitoz, shumë të përgatitur, ku ne e kemi pasur shumë të vështirë vlerësimin real. Kjo vjen pasi tashmë janë të gjitha mundësitë që konkurruesit të parapërgatiten nga pedagogë apo mësues profesionistë dhe të nxjerrin në pah paraprakisht aftësitë e tyre, pa ardhur ende në konkurrim. Pra çdo konkurrent vjen në këtë ditë, i konsoliduar, i parapërgatitur, i mirë informuar dhe me dije të vazhdueshme në këtë degë. Sot nuk vijnë kurrë konkurrentë të rastësishëm, apo konkurrentë spontan. Asnjëherë. Konkurrenti vjen pasi i kanë dhënë vlerësim paraprak specialistët, pasi kanë bërë mësime parapërgatitore. Ndërsa përsa i përket pyetjeve a hyn miku, njohja, apo e tjera mund të them me bindje se as nuk e çoj në mend. Ky profesion nuk do mik. Skena nuk do mik. Skena është skenë, ajo të nxjerr bllof. Të skarcon. Zërin nuk ta fal askush, përveç zotit. Nqs ke zë, ti ke fituar. Nuk mund të mbulohet dielli me shoshë, nqs ne bëjmë akrobatllëqe në dëm të cilësisë, në dëm të talentit dhe aftësisë, pasi aftësitë e konkurruesit janë të dukshme, janë konkrete. As e kam menduar ndonjëherë një vlerësim mbi këto baza, mbasi dështimi do ishte i dukshëm, do ishte i pafalshëm.

-Kur është momenti më i vështirë tek konkurruesit?

Momenti më i vështirë është ai i fillimit, kur konkurrenti do fillojë të këndojë apo të përgjigjet. Këtu del roli ynë si pedagog si drejtues. Kurrë nuk duhet të mbash një qëndrim autoritarist, të ashpër. Pasi ka shumë konkurrues që nuk e kalojnë këtë gjendje. Detyra jonë si juri është t’i flasim bukur, t’i flasim me qetësi, t’i flasim me dashuri, t’u heqim emocionet se vetëm kështu ata heqin emocionet dhe japin maksimumin. Këtë e kemi pasur parasysh në të gjithë punën tonë e në vijimësi.

-Jetë mes emocionesh të shumfishta. Pedagog dhe tenor, këngëtar, ku ndiheni më mirë dhe ku më me përgjegjësi?

Unë ndihem mirë në të dy profesionet, por dhe ndihem keq pasi jam përpara një përgjegjësie të dyfishtë. Kënga të jep popullaritet, të qenit pedagog të jep seriozitet, të dyja bashkë përbëjnë një përgjegjësi të madhe që duhet ta përballosh me çdo kusht. Një gabim në një profesion detyrimisht ndikon dhe në prestigjin e profesionit tjetër, ndaj hapi duhet të jetë i kujdesshëm. Janë dy profesione, që kanë të përbashkëta, por edhe veçantitë e tyre, ndaj them se në këtë autostradë, përgjegjshmëria është e madhe, kujdesi ndaj vetes i madh, maturia maksimale dhe ekuilibrat mes studentëve dhe fansave duhen ruajtur me elasticitet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok