14/07/2024

AG APOLLONI KRIJUES NOVATOR E BRILANT 

0

NGA ALBANA KASUMI-DASHI, IDRIZ ZEQIRAJ

Shoqata Kulturore-Humanitare Shqiptaro-Gjermane, “Sali Çekaj”, në Pfaffenhofen, me kryetar Mr.Ing. Argent Ferizi; Klubi Letrar “Martin Camaj”, në Mynih, me kryetar Bashkim Halilaj; Shoqata “Abeja” në Mooburg, me kryetar Agron Haxhaijaj, organizuan përurimin  dy romaneve të fundit të Prof. Dr. Ag Apollonit: “Kësulëkuqja – përrallë për të rritur” dhe “Nje fije shprese, një fije shkrepëse”, të cilët u vlerësuan me çmime, u ribotuan dhe u përkthyen në disa gjuhë evropiane.

Moderatorja simpatike, Era Kolgeci, moshatare e Shoqatës “Sali Çekaj”, fton në foltore kryetarin Argent Ferizi, i cilin, në emër të organizatorëve, mbajti fjalën e rastit dhe përshëndeti pjesëmarrësit, duke i falenderuar për praninë e tyre: “Konzullin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, në Bavari dhe Thüringen, Afrim Nura; deputetin e vetëm dhe të suksesshëm në Bavarinë e Epërme, Deli Balidemaj; krijuesin letrar e artistik, Ag Apollonin; Shoqatat, Klubet; korrespondentin e luftës dhe kryetarin e Bibliotekës “Mark Krasniqi”, Maxhun Smajli; kryetarin e Nderit të Shoqatës “Sali Çekaj”, Osman Ferizi; të burgosurit politikë Idriz Zeqiraj e Naser Krasniqi; poetët: Nusret Dërguti, Selman Syla, Gazmend Dashi, Besnik Halilaj; veprimtarët e hershëm: Emrush Tafa, Milaim Krasniqi, Kadri Gubetini, Lendita Musliu, Agron Haxhijaj, Naim Haxhijaj dhe të pranishmit tjerë.

Një përshëndetje të veçantë kemi për autorin e romaneve që përurojmë, poetin, prozatorin, dramaturgun, shkrimtarin, artistin Ag Apollonin dhe ideatorin, koordinatorin të kësaj -Ore Letrare-, bacën Gazmend Dashi, nënkryetar i Shoqatës “Sali Çekaj”.

Shoqatat tona, në bashkëpunim me Klubin letrar “Martin Camaj”, organizojmë përurimin “Një fije shprese, një fije shkrepëse” dhe “Kësulëkuqja”- përrallë për të rritur”, të autorit Ag Apollonit. Përmës romanit dokumentar“ Nji fije shpresë, një fije shkrepëse”, pasqyrohet tragjedia e popullit shqiptar gjatë luftës së fundit, ku shkrimtari Ag Apolloni, në mënyrë brilante, paraqet ngjarjen reale të dy NËNAVE, simbole të Vuajtjeve Shqiptare, nëna Ferdonije dhe nëna Pashke, e para, jeton më shpresën, përkundër tragjedisë familjare, kurse, e dyta, vendos të vetëflijohet, si fundin e vuajtjes të saj, për tragjedinë dhe përjetimet e luftës, ku humbi bijtë e saj, autori paraqet lidhëshmërinë e fatit të hebrejve, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe popullit shqiptar nga gjenocidi serbo- shovenist sllavë.

Në foto: Pamje e pjesëshme nga të pranishmit në “Orën letrare”

Moderatore Era fton në skenë studjuesen e apasionuar të gjuhës dhe letërsisë shqipe, Albana Kasumi-Dashi, e cila, mjeshtërisht e profesionalisht, paraqiti reçensionin për romanet e bujshme të  krijuesit novator e brilant, Ag Apollonit:

“Ag Apolloni (1982) është prozator, poet, studiues dhe profesor në Universitetin e Prishtinës. Ka kryer studimet për Dramaturgji në Fakultetin e Arteve dhe për Letërsi shqipe në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, ku punon që nga viti 2008. Ka doktoruar për letërsi në UP dhe ka drejtuar revistën letrare “Jeta e Re” (2010-2012) dhe revistën për studime kulturore “Symbol” (2013-2023), ku ka realizuar intervista me emra të njohur botërorë si: Jonathan Culler, Linda Hutcheon, Stanley Fish, D.M. Thomas, Rita Dove, Peter Singer etj.

Është autor i katër romaneve dhe disa dramave, librave poetikë dhe studimorë. Romanet e tij janë përkthyer në gjuhën angleze, gjermane, holandeze, çeke, maqedone, malazeze etj. Romani “Ulurima e Ujkut” është botuar në gjuhën çeke, si pjesë e kolanës “30 libra të autorëve të shquar bashkëkohorë”, mes autorëve si Gaito Gazdanov, Jose Saramago, Julian Barnes etj., ndërsa në gjuhën malazeze, është përfshirë në një kolanë me shkrimtarët Umberto Eco, Adam Zagajevski, Ewa Lipska etj.

Veprat e Ag Apollonit janë shpërblyer me disa çmime kombëtare e ndërkombëtare, dhe janë mirëpritur nga kritika shqiptare dhe ajo e huaj. Ai ka mbajtur ligjërata, ka prezantuar letërsinë e Kosovës dhe ka qëndruar si shkrimtar rezident në vende të ndryshme, si: Berlin, Leipzig, Vjenë, Graz, Pragë, Debrecen etj.

Ag Apolloni është kryetar i Shoqatës “Miqtë e Nikos Kazantzakis”, dega në Kosovë.

Romani “Kësulëkuqja-përrallë për të rritur”, është romani që shënon ngritje cilësore në karrierën letrare të Ag Apollonit. Ai është një histori dashurie mes një dramaturgu dhe një aktoreje. Ngjarja vendoset në Prishtinë, në vitin 2022. Lorita (aktorja) është zgjedhur për ta luajtur rolin e Juditës, në shfaqjen që po përgatitet në Teatrin Kombëtar, ndërkaq Maksi (dramaturgu, shkrimtari) është në krizë psikologjike, duke mos mundur ta shkruajë romanin për përdhunimet e luftës. Maksi gjithashtu ka një problem shëndetësor me mushkërinë, si pasojë e Covid-it, prandaj për të marrë ajër të pastër del në park, ku e takon aktoren, e cila ka dalë për të vrapuar. Ata takohen në park, mes drunjëve, Maksi në të zeza si një ujk i sëmurë, Lorita me kapele të kuqe si Kësulëkuqe e rritur. Dhe, nga ai moment lindë dashuria mes tyre, e cila ka rrënjet dhe ngritjet e veta gjatë romanit.

Pos dashurisë, aty trajtohet edhe tema e përdhunimeve. Lorita, që luan rolin e Juditës së përdhunuar, në dramën që ka shkruar Maksi, është edhe vetë fryt i përdhunimit. Ndërkohë ajo e kupton që nëna e saj, për shkak të të qenët e përdhunuar, ka kryer vetëvrasje. Gjithashtu, e kupton që aktorja me të cilën ndanë skenën në shfaqje, po ashtu ka qenë e përdhunuar, dhe del të jetë tezja e saj. Në roman trajtohet gjatë historia e përdhunimit, nga miti i Europës së përdhunuar nga Zeusi, deri te përdhunimet e luftës së Kosovës.

Përveç këtyre dy temave, në këtë roman trajtohen edhe disa tema të tjera si: lufta, vdekja, trauma, fqinjësia, religjioni dhe filozofia. Krahas këtyre temave, me theks te pasojat e dhunës dhe përdhunimit, në këtë roman kombinohen edhe shumë teknika shkrimi, që sjellin lidhje intertekstuale dhe intermediale me: mite, përralla, histori, cartoons etj. Aty gjejmë interpretime psikoanalitike, reflektime mbi politikën, referenca dramatike, diskutime filozofike dhe skena të pastra erotike.

Romani “Kësulëkuqja- përrallë për të rritur” i Ag Apollonit është roman që flet për një Kësulëkuqe koketuese dhe një Ujk të sëmurë. Është një histori e dashurisë dhe një shëtitje nëpër pyllin magjik të tregimtarisë, ku personazhet futen shtigjeve të mitologjisë, përrallës, religjionit dhe animacionit. Ulërimat dhe psherëtimat, lehjet dhe blegërimat vijnë si një përballje alegorike që zgjon jehun e egërsisë brenda nesh.

Romani është ndërtuar si një shëtitje filozofike, nëpër një botë sa reale, aq edhe përrallore. Ky nuk është roman dokumentar, as përrallë e pastër. Më shumë se një roman historik, është një metafiksion historiografik.

Ky roman është botuar në nëntor 2022, njëkohësisht në Kosovë dhe Shqipëri, dhe është romani i katërt i Ag Apollonit, pas romaneve “Ulurima e Ujkut” 2013, “Zazen” (2014) dhe “Një fije shprese, një fije shkrepëse” (2020).

“Një fije shprese, një fije shkrepëse”

Romani dokumentar “Një fije shprese, një fije shkrepëse” i Ag Apollonit, është përshkrim i një vizite të tre shokëve në shtëpinë e nënës Ferdonije, e cila gjatë luftës ka humbur katër djemtë dhe burrin. Linja e parë e këtij romani është udhëpërshkrim. Mirëpo brenda saj gërshetohen edhe linja të tjera, që shpalosin histori të përndjekjes, shpërnguljes, dhunimit, vrasjeve, masakrave, pritjes dhe vetëvrasjes. Bashkë me historinë e nënës Ferdonije, rrëfehet edhe historia e nënës Pashkë, e cila pak ditë pasi iu kthyen mbetjet e dy djemve, bëri vetëvrasje, duke djegur veten me benzinë. Po ashtu, e bazuar krejtësisht në materiale arkivore, vihet edhe një paralele mes Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Kosovës, përkatësisht mes kampeve të shfarosjes dhe kampeve të shpërnguljes. Ndërsa, në funksion të plotësimit të mozaikut të tragjedisë kosovare, rrëfehen edhe përvojat personale të tre shokëve, në raport me luftën, dhe nuk mungojnë lidhjet e shumta me letërsinë dhe mitologjinë greke.

Ky dokuroman (roman dokumentar) flet për dhunën e regjimit serb, për dëbimet dhe djegiet, për spastrimin etnik, për intervenimin ushtarak të NATO-s, për personat e pagjetur, për dramën e humbur të Eskilit dhe një tragjedi të ngjashme me të, që gjendet e gjallë në Gjakovë, për peshën e pritjes dhe rëndësinë e shpresës.

Vlerësime për dokuromanin (romanin dokumentar) “Një fije shprese, një fije shkrepëse”:

Një dokuroman që me anë të një stili të përmbajtur e rrëfimi të shkurtër rrëfen tmerret e luftës, duke qëndruar pranë përvojave të viktimave dhe njëkohësisht duke shmangur patetikën e tepërt: kjo është dhurata e Ag Apollonit për botën. Është një kryevepër letrare që ia vlen të shndërrohet në film.

Mieke Bal, teoriciene holandeze

Nuk ndodh shpesh, por, ja, ndodh, që studiuesi i shquar i letërsisë të bëhet edhe krijues i shquar i letërsisë. Studiues i risive të letërsisë shqipe, Ag Apolloni, në romanin e tij të ri “Një fije shprese, një fije shkrepëse” u dëshmua krijues i shquar i letërsisë shqipe, u dëshmua shkrimtar i risive.

Rexhep Qosja, shkrimtar, kritik dhe akademik kosovar

Në këtë roman (“Një fije shprese, një fije shkrepëse”) nuk qan askush që ta shohin, por ama shenjat e pikësimit në tekst, më janë dukur se kanë format e lotëve.

Visar Zhiti, shkrimtar shqiptar

Romani i Ag Apollonit është njëkohësisht muze i të gjithë neve, ekspozitë artistike me tablo tmerri, dramë në vete, arkiv historik. Mbi të gjitha, është një vepër e jashtëzakonshme artistike.

Blerim Shala, publicist kosovar

Kryekonsulli i Landit të Bavarisë dhe të Thüringenit, Afrim Nura, rezident në Mynih, është një bashkëpunëtor i shkëlqyer me komunitetin shqiptar të Mërgatës. Andaj merr pjesë në aktivitetet e ndryshme kulturore, sportive, festive, përkujtimore, të organizuara nga shoqatat dhe klubet vendore. I pranishëm ishte edhe në “Orën letrare”, në përurimin e dy romaneve të shkrimtarit të mirënjohur, Ag Apollonit. Ai i përshëndeti organizatorët, të pranishmit dhe autorin e librave, duke e vlerësuar krijimtarinë e tij të begatë letrare.

Folësi i radhës ishte Idriz Zeqiraj, i cili bëri një ekspoze të krijimtarisë letrare të krijuesit shumë- dimensional, novator dhe brilant, si vlerë e shtuar në literaturën shqiptare.

Në përmbyllje të -Orës letrare-, njeriu i letrave, Ag Apolloni, bëri një pasqyrë të krijimtarisë së tij. Të pranishmit patën mundësi bashkëbisedimi me autorin, duke e përgëzuar atë për arritjet krijuese, për shpërblimet numerike e cilësore. Organizatorët e këtij aktiviteti letrar, e falenderuan shkrimtarin Ag Apollonin, për ardhjen enkas nga Kosova, duke u ndjerë të privilegjuar me praninë e tij, mysafir në mesin e mërgimtarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok