04/05/2024

Flet Prof. Gjergj Sinani: Kombet përparojnë kur zhvillojnë një jetë mendore të gjallë dhe aktive

0

– Qytetarët presin një veprim që të bazohet mbi dy parime të rëndësishme, përgjegjesia dhe drejtësia

Intervistoi: Albert ZHOLI

Që në vitin 1932 kur fliste për riorganizimin e sistemit tonë arsimor, Branko Merxhani do të shkruante: “Misioni ynë është të pastrojmë nga gurët e nga gjëmbat udhët që shpien në rilindjen mendore të popullit”[1], pasi “jemi krejt të çveshur në pikëpamjen shoqërore dhe krejt të varfër në pikëpamjen mendore”. Natyrisht, kjo kërkonte që të bëhej diagnostikimi i të keqes, sepse pa këtë diagnistikim nuk mund të gjendeshin ilaçet për ta shëruar këtë të keqe. Me të drejtë ata theksonin se vërtetimi i të keqes, është më i dobishëm nga sundimi i lirë dhe i pa fre i së rremes, kjo i lartëson njerëzit dhe kombet dhe jo vetglorifikimi romantik.

Flitet shumë për Rilindësit. Ata hodhën bazat e arsimit shqiptar, njëkohësisht hodhën idenë e njerëzve ideal për një Shqipëri solide. Çfarë donin të krijonin ata me këto ide?

Ata donin të krijonin një djalëri intelektuale dhe idealiste, pasi në qoftë se njerëzit do të udhëhiqeshin vetëm nga interesi personal, atëherë organizmi shoqëror do të ndeshej me probleme të mëdha në të ardhmen. Kjo të kujton këshillën që dha Tokëvili, për rrezikun e demokracisë, në qoftë se ajo ka si ideal vetëm egoizmin material. Apo Hegeli që thoshte se nuk mund të ndërtohet një komunitet politik pa krijuar më parë një komunitet moral. “Vlerat morale kurrë nuk kanë zënë rrenjë në zemrën t’onë, shkruante Merxhani. Para një alternative interesash materjale, Shqiptari, në çdo kohë dhe në çdo rast, ka preferuar kurdoherë të parat. Interesi materjal! – ky ka qenë gjithnjë “Ideal”- i ynë. Por ç’lloj ideali? Një ideal primitiv, i ngushtë, i ultë, sociologjikisht protoplasmic, ose siç do të thoshte një Levy Bruhl, “prélogique””. Nuk gjen mendimtar të këtyre viteve që të mos e kritikojnë ashpër këtë tipar tonin, prirjen e theksuar ndaj interesave materiale dhe egoizmit individual.

Por, mos kujtoni se kjo karakterizon vetëm ne dhe jo të tjerët. Problemi është se popujt europianë ditën të ngriheshin mbi këtë prirje të ngushtë egoiste. Në këtë shqetësim të mendimtarëve shqiptarë duket sikur dëgjon thirrjen e Fihtes për popullin gjerman. “Egoizmi e arrin shkallën e fundit të zhvillimit kur, duke pushtuar më së pari, me përjashtime shumë të rralla, qeveritarët, përfundon në pushtimin e të qeverisurve dhe bëhet i vetmi impulsion jetësor i tyre”[2].

Ndërsa mbrojtësi i çështjes shqiptare dhe që e donte sinqerisht Shqipërinë, Zef Valentini, do të na thoshte: “Në vend të kultit të pares, burim i sa e sa të zezavet, duhet të përpiqemi të largojmë at zemërgurësi, qi na shtyem të pasurohemi me mjete të palejshme, e përkundra të rranjosim në zemër të setëcilit, dashtnin e zellin për punë e për fitim të ndershëm. Ne vend t’egoizmit duhet të ngjallim kujdesin e mishërirën për t’afërmit e për punëtorin; mos t’a mbajmë t’afërmin tonë si vegël qefi e fitese; në një fjalë të ngjallim dashtnin vëllazërore, pa të cilën s’kemi pse presim dit të mira”[3]

Për ta plotësuar këtë kuadër është edhe egoizmi intelektual. “Njerëzit t’onë të mësuar nuk janë të formuar ende mirë nga pikëpamja e karakterit intelektual. Nuk kanë një jetë mendore të sinqertë një herë për veten e vet. Jemi pedantë. Çdo njeri prej nesh zbret në tokën shqiptare drejtë për së drejti nga qielli… Vetëm ne i dijmë që të gjitha… Nuk duam të dëgjojmë… Buja është mjeshtria jonë. Shkencën e urrejmë. Për sisteme s’kemi nevojë!”[4], shkruante Merxhani. Shkurt, kur egoizmi i ngushtë material bëhet i vetmi motiv lëvizës i shoqërisë, atëherë ajo rrezikon të mos krijojë institucione të shëndoshë dhe realisht përfaqësuese dhe liria, si vlerë shoqërore, do të mbetet përherë e kërcënuar.

Politika shqiptare duket në kolaps. Tek ne a është marër si kriter i vlerësimit të politikanit efikasiteti?

Për fat të keq deri më sot nuk kemi marrë si kriter të vlerësimit të politikanit efikasitetin. Njeriu, që ende nuk është bërë qytetar, e harron këtë kriter dhe ngatërrohet në një arsyetim të tipit absurd. Dështimet justifikohen me paraardhësin dhe arsyetimi vazhdon me termat e djallit dhe të ëngjëllit. Ne do të kishim ecur përpara, por na pengon djalli. Harrohet koncepti bazë i qeverisjes demokratike; ai i përgjegjësisë, e cila është përgjegjësi personale dhe jo kolektive, siç po veprohet deri tani. Me konceptin e përgjegjësisë kolektive, pasiguria, padrejtësia dhe korrupsioni do të shtohen dhe demokracia, si sistem qeverisje do të kompromentohet. Mendimtarët e viteve ’30 kërkonin më shumë përgjegjësi nga klasa e politikanëve, sidomos në kushtet e varfërisë që sundonte atëherë në shoqërinë shqiptare. Pa një punë të përbashkët të mendimit dhe të veprimit politik nuk mund të krijohet një ndërgjegje shoqërore kombëtare të vërtetë dhe në qoftë se populli nuk ka një ndërgjegje të tillë, atëherë nuk ka forcë që të ndalë shpërdorimet. Edukimi i ndërgjegjes mbetet një detyrë parësore si atëherë edhe tani. Si atëherë edhe tani shqetësimi është për gjeneratat e reja, ose për djalërinë shqiptare. Përmes një atori romak Zf Valentini do t’i drejtonte këto fjalë djalërisë shqiptare: “Murtaja e atdheut asht djalëria krenare e përtace qi tallet ndër kafe, lojna e theatra; qi lexon sa me kalue kohën e jo me u kthjellue në dituni, ipet pas mode e i ban të vetat mendimet e çdo gazete”[5]. Këto fjalë e ruajnë ende aktualitetin kur shikon të rinjë që i janë larguar mendimit dhe nuk mendojnë për kuptimin e jetës.

Etika dhe përgjegjësia janë dy terma që nuk po kuptohen ende se sa të rëndësishëm janë për të ndërtuar një jetë demokratike. Janë dy terma, për të cilat kemi më shumë nevojë, por që për to flitet me pak dhe që nuk shihen aspak. Ka periudha historike, si kjo që po jetojmë kur normat, vlerat dhe bindjet e mëparshme janë tronditur thellësisht dhe kur shoqëria ende nuk e gjen dot orientimin etiko – moral, sidomos kur kjo shoqëri që po ndryshon me ritme të shpejta. Në këto periudha kombet ndodhen përballë dilemash të shumta. Njerëzit, janë në kërkim të simboleve dhe të institucioneve të reja për ta identifikuar veten. Pyetja që shtrojnë njerëzit është: Si të jetoj në mënyrë dinjitoze? Çfarë rruge duhet ndjekur? Kur shteti mund t’i shkelë angazhimet që merr, atëherë kujt mund t’i zihet besë? Në qoftë se ligjet kanë një frymë moderne dhe tërheqëse, por që nuk gjejnë zbatim, atëherë kujt duhet t’i drjtohemi për të patur, në mos sigurinë e plotë, të paktën ndjenjën e sigurisë dhe të paqes sociale?

Vrasja, plaçkitja, gënjeshtra, mashtrimi janë shndërruar në merita në kushtet e mungesës së jetës paqësore. Jeta paqësore zhvillon inisiativën, punën prodhuese, krijimtarinë dhe lirinë individuale. Jeta paqësore krijon kushtet dhe ndihmon zhvillimin e mendimit në fushën e shkencës, të arteve dhe të kulturës. Ndërsa klima e ankthit dhe e pasigurisë u ka zënë frymën virtuteve morale, e shtyp dhe e shkatërron me mijëra mjete lirinë e mendimit. Konformizmi dhe përfitimi mbeten vlerat sunduese. Pasiguria, mungesa e perspektivës, inekzistenca e shtetit, manipulimi me termat e militantizmit dhe të meritokracisë ka krijuar një gjendje irritmi, lodhjeje dhe indiferentizmi të përgjithshëm. Shteti, i cili ka monopolin e dhunës legjitime për të zbatuar ligjin, është i tulatur. Askush nuk flet për vlerat morale. Politika dhe etja për pushtet ka pushtuar diskursin politik. Prandaj ne ndeshemi me lulëzimin e dhunës, me dobësimin dhe çarjen e së drejtës dhe të moralit, me spekulimin, me gënjeshtrën, me përvetësimin e të mirave me korrupsionin, me shpërthimin masiv të forcës brutale, me egërsinë dhe me rritjen e injorancës.

Sfida që shtrohet përpara nesh është se si të krijojmë kushtet për një jetë paqësore. Të gjitha partitë e premtojnë një gjë të tillë. Përfaqësuesit e shtetit na e thonë përditë se “duhet…”, thua se ata janë zgjedhur për të bërë thirrje dhe jo për të vepruar. Qytetarët presin një veprim që të bazohet mbi dy parime të rëndësishme, përgjegjesia dhe drejtësia.

Tentojmë të jemi pjesë e BE. Raporti me qytetërimin perëndimor si qëndron?

Sigurisht qytetërimi europian ishte ideali i rilindësve që e shikonin në radhë të parë si komunitet intelektual dhe moral. Në të njejtën kohë, ata theksonin se “Qytetërimin Oksidental duhet ta marrim jo pjesërisht, jo të reckosur, por të tërë dhe të pacënuar”[6]. “Duhet të lindij ndër neve brënda ndjenja kolektive e Europiasmës”[7]. Duket se edhe atëherë ata kërkonin që shqiptarët të merrnin vlerat e Europës, se Europa, në radhë të parë, ishte një komunitet vleror. Po të kishte vazhduar ky process, Shqipëria do t’a kishte patur më të lehtë integrimin politik me Europën.

Me të drejtë B. Merxhani shkruante: “Morali i njeriut të Oksidentit është i lidhur, drejtpërdrejt, me mendimin systematik të tij. Nga kjo lidhje midis Moralit dhe Mendimit lind edhe vlera positive e kohës dhe punës”[8]. Ata dinin të dallonin Europën vlerore nga ajo politike. Ata kërkonin që Europa vlerore të bëhej baza e jetës sonë shoqërore dhe politike dhe patën kurajon të kritikonin Europën e pragmatizmit politik.

Për më tepër ata e shikonin Europën si thirrje për aktivitet reflektiv mendor dhe jo si faktor të apatisë mendore. Edhe sot ne diskutojmë për Europën dhe aspiratën europiane dhe mund të shikojmë disa përngjasime me diskursin e athershëm.

Po të shikojmë shkrimet e intelektualëve të viteve ’30 në Shqipëri, do të vemë re se edhe shqetësimi i tyre përmblidhej në çështjen e ndërtimit të shtetit, dhe largimin e njerëzve nga psikologjia e pritjes dhe inaktivitetit. Ja si e përshkruan këtë situatë Mitat Frashëri: “Një tjatrë mentalitet është se, Shqiptari duke mos qenë i mësuar në jetë politike, dua të them duke mos pasurë gjer më sot shtet, qeveri dhe indipendencë, s’ka kuptuarë barrëtë, detyratë dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga një jetë indipendente. Kështu që, duke rrojturë gjer më sot në sundim të huaj e ka mësuar popullin tonë të presë dhe të shpresojë prej të huajvet; nuk e ka lënë individualitetin politik t’i zhvillohetë dhe iniciativa personale nuk ka gjeturë kohë që të hedhë shtat e të forcohetë” Dhe përfundimi i tij merr ngjyra mjaft aktuale dhe tragjike kur shkruan: “Edhe kështu, për fatin tonë të zi shohim sot kafenetë dhe selamllëket plot pluhur, hi dhe baltë, mbushurë me njerëz përtacë që shkojnë të njëzet e katër orët e ditës me politikë duke hapur gojën që t’u bjerë një hallvë e gatuarë në kuzinë të Evropës…”[9] Edhe atëherë ekzistonte mentaliteti; “Evropa, Evropa, ajo që na bëri, ajo të na nxjerrë nga balta!”. Këto ide datojnë vitin 1924.

Çfarë donin intelektualët e viteve 1930 ?

Ata donin të mësonin nga Europa dhe njerëzit e saj dhe jo ta shikonin si largim nga përgjegjesitë tona dhe ta shikonin administratorin e huaj në funksion të përtacisë mendore dhe vepruese. Atyre që dëshironin administratorin e huaj për qëllime të ngushta egoiste Mitat Frashëri do t’u thoshte:

“Në qoftë se dikush dëshiron organizatorë të huaj, që të ketë një mësonjës prej të cilit të marrë mënyrat më të mira për punë, që të marrë shembullat më të dobishme për një aktivitet të ri dhe me fryte më të shkëlqyeshme, me një fjalë një mësues prej të cilit të përfitojë dhe të marrë diturinë që mungon, atëherë dëshira është jo vetëm e meritueshme, por fort e nevojshme, me qënëse qytetërimi dhe përparimi janë gjëra që shpiken fort vështirë dhe duhetë të merren hua atje ku gjinden, të kopjohen prej atyre që e kanë marrë më parë se ne.

Po në qoftë se fjala organizator vjen nga shkaku i përtimit, i apathisë dhe i anemisë mendore, në qofte se duke lypur organizatorë të huaj, duan të shpëtojnë nga përgjegjësia dhe kujtojnë se ne vetë nuk do të kemi nevojë që të punojmë e të përpiqemi, po të shtrihemi në livadh, në qoftë se drejtuesin e duam të huaj nga shkaku se nuk na pëlqen të shohim një tonin, një shqiptar në krye të punës (duke kujtuar se ai që është më i naltë se unë, më ka marrë vendin tim!), në qoftë se e duam organizatorin e huaj që të shkojmë dhe të takohemi tek ai duke sharë, kritikuar dhe kallzuar bashkatdhetarin tonë, në qoftë se, me një fjalë, duam organizatorin e huaj të shtyrë prej asaj të mete që na bën të themi se “s’jemi të zot, që s’bëhemi njerëz, që më mirë një të huaj se një shqiptar”, atëherë kjo dëshirë bëhet një ves dhe një krim”.[10] Nuk ka nevojë të provohet aktualiteti i këtyre fjalëve.

Edhe sot nuk duhet harruar se vetë demokracia europiane është ndërtuar mbi bazën e parimeve dhe nocioneve të qarta ku ideja e kontratës, drejtësisë, barazisë dhe përgjegjesisë janë parësore, ku formula e Monteskjësë, “pushteti të ndalojë pushtetin” gjeti zbatim në krijimin e një shteti me pushtete të ndara në mënyrë të qartë.

Mirëpo në diskursin e politikanëvë haset edhe një mënyrë tjetër për t’i shpëtuar nocionit të përgjegjesisë. “Kështu do Këshilli i Europës”, “keshtu na tha FMN”, “këtë e do OSBE”, etj përbëjnë fjalorin e diskursit politik të sotëm. Është një imbrolio e tillë konceptesh saqë po merr pamjen e komedisë. Metamorfoza e diskutimit politik është e tillë. Kur njera ose tjetra parti politike është në opozitë përdorin organizmat dhe institucionet ndërkombëtare për të aspiruar pushtetin. Kur shndërrohet në mazhorancë dhe nuk është në gjendje të krijojë kushtet për një jetë paqësore, atëherë fajësohen këto organizma se po u lidhin duart etj.

Çfarë duhet bërë përpara një situate të tillë? Të tërhiqemi? Prapa kemi një përvojë mjaft të hidhur?

Tashmë askush nuk guxon të premtojë. Në të tilla momente rreziku më i madh është humbja e shpresës dhe braktisja e lirisë për shkak të varfërisë ekonomike nën thirrjen fatale: “Na skllavëroni, vetëm na ushqeni”. Ajo çka kemi më shumë nevojë është që të ushqehemi me artin e lirisë dhe arti i lirisë dhe demokracisë ështe mjaft i vështirë. Ai duhet mësuar. U takon të gjitha forcave intelektuale t’ua mësojnë njerëzve këtë art me qëllim që ta përdorin demokracinë në funksion të dinjitetit të tyre. Përgjegjesia dhe liria përbëjnë një binom të pandashëm.

E vetmja rrugë për të dalë nga ky impas historik është që të ecim përpara duke e shpejtuar hapin për të kombinuar në sytë e njerëzve interesin personal me atë të kombit. Në qotë se shoqëria përfshihet vetëm nga një vlerë, përfitimi dhe nuk i mbështet institucionet mbi nocionet e përgjegjësisë dhe të drejtësisë, demokracia mbetet e kërcënuar.

Duket sikur ata donin t’i flisnin popullit tonë se sa e vështirë ishte liria dhe sidomos liria shoqërore, ashtu si dikur Rusoi: “Liria është një ushqim me shumë lëng, por me një tretje të fortë; duhen stomakë shumë të shëndetshëm për ta përballuar… Liri e shenjtë dhe krenare! Në qoftë se këta njerëz të shkretë do të mund të të njihnin, në qoftë se ata do e dinin se me çfarë çmimi të fitojnë dhe të ruajnë; në qoftë se ata do e ndjenin se sa ligjet e tua janë shumë më të forta nga ç’është dhuna e egër e tiranëve, shpirtërat e tyre të dobët, skllevër të pasioneve që duhen ndrydhur, do të ta kenë frikën njëqind herë më shumë se skllavërisë; ata do t’i largohen me tmerr asaj si një barrë gati par ta flakur”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok