Flet Prof. Dr. Lush SUSAJ: Qeveria do të dështojë me turp, sepse një vullkan që ka nisur të shpërthejë nuk mund të fiket me kova uji, aq më pak me “leshterikët” e korrupsionit

0
Lush-Susaj1

-Bashkohuni me protestën e shpëtimit të Shqipërisë nga mendësitë Ramiste, marksiste e orientale

–  Ndërsa qeveria duket që po vepron me të gjitha mënyrat e kamufluara për të penguar pjesëmarrjen e super administratës dhe të familjarëve të tyre në këtë protestë.

-Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

92 ditë protestë, çfarë pritet në shtator? Prof. Lush Susaj Përballë pyetjeve që kërkojnë përgjigje në një intervistë ekskluzive.. Protesta 92-ditore ka hyrë tashmë në një fazë ku nuk mjafton më vetëm numërimi i ditëve. Pyetja kryesore është: çfarë do të ndodhë më pas? A do të zgjerohet protesta në shtator dhe a do të rritet numri i qytetarëve që do t’i bashkohen asaj? A ka sinjale reale që mund ta çojnë Edi Ramën drejt dorëheqjes? Çfarë roli do të luajnë studentët dhe të rinjtë në rifillimin e protestave? Dhe, mbi të gjitha, a ka pasur ndikime, ndërhyrje apo interesa të huaja që kanë sjellë anomali, devijime apo përçarje në një protestë që në nisje u shfaq si një revoltë qytetare? Këto janë vetëm disa nga pikëpyetjet që ngrihen pas 92 ditësh protestë. Për t’i analizuar këto zhvillime kemi zhvilluar një bisedë me Prof. Lush Susajn, një prej aktivistëve më të angazhuar në këtë protestë dhe një zë që e ka ndjekur nga afër dinamikën, mesazhet dhe reagimet e saj. Me të diskutojmë jo vetëm për atë që ka ndodhur deri tani, por sidomos për atë që mund të ndodhë në shtator. A do të rikthehet protesta më e fuqishme? A do të jetë pjesëmarrja më e madhe apo lodhja 92-ditore do të ndikojë në mobilizimin qytetar? A do të rikthehen studentët në shesh si një forcë aktive dhe e organizuar? A ka ende energji për ta kthyer protestën në një lëvizje më të gjerë shoqërore? Por intervista shkon edhe më tej…. A ekzistojnë sinjale politike që tregojnë se qeveria mund të detyrohet të bëjë hapa pas? A është realiste pritshmëria për dorëheqjen e Ramës apo kjo mbetet vetëm një kërkesë e protestuesve? Dhe çfarë duhet të ndryshojë që një protestë e gjatë të mos humbasë forcën, mesazhin dhe besueshmërinë e saj? Një kapitull më vete është edhe pyetja e ndikimeve të jashtme. Në një klimë të tensionuar politike e gjeopolitike, është e rëndësishme të ndahet qartë revolta autentike qytetare nga çdo përpjekje për ta përdorur, devijuar ose instrumentalizuar atë. Për këtë arsye, në intervistë shtrohet edhe pyetja e ndjeshme: a ka pasur ndërhyrje të agjenturave apo interesave të huaja dhe, nëse po, si mund të jenë shfaqur ato? Janë shumë pyetje, por një është themelore: çfarë do të sjellë shtatori?

Prof. Lush Susaj përpiqet t’u japë përgjigje këtyre pikëpyetjeve, duke parë përtej entuziazmit të momentit dhe duke analizuar shanset, dobësitë, rreziqet dhe mundësinë që kjo protestë të hyjë në një fazë të re. Një intervistë për 92 ditët që kaluan, por mbi të gjitha për ditët që vijnë.

Protesta 92-ditore ka hyrë tashmë në një fazë ku nuk mjafton më vetëm numërimi i ditëve. Pyetja kryesore është: çfarë do të ndodhë më pas? Si do te vazhdoj protesta, a do te rritet ajo?

Sot protesta është në ditën e 93-të të sajë, ku po shoh që ka patur dhe ka një qëndrueshmëri, vazhdimësi dhe vendosmëri të jashtëzakonshme të protestuesve. Protesta është treguesi më i koncentruar e më domethënës i urrejtjes së një populli ndaj degradimit të gjatë e të thellë të qeverisjes në arrogancë, injorancë, korrupsion, varfëri, nepotizëm, krahinizëm dhe krime ordinere e politike. Është më i mirë historik mbi pasojat që shkakton qeverisja moniste e marksiste, e cila pasi ndërton mekanizmin e dhunës dhe propagandës duke përdorur karakteret më të ulëta njerëzore, duket që nuk ka të ngopur e as të ndalur në rrugën e dhunës, mashtrimit, hajnisë dhe dehumanizimit të shtetit dhe shoqërisë. Nisur nga sa më sipër, me të drejtë themi që protesta është pasoja e keq qeverisjes. Është denoncimi i hapur i mekanizmit dhe mënyrave të dhunës shtetërore e politike mbi një popull që po mashtrohet, vidhet, varfërohet, shantazhohet, dhunohet e dëbohet përmes mizerjes ekonomike e politike që është instaluar nga mungesa totale e demokracisë dhe pluralizmit real.

Për këtë arsye, mendoj që protesta ka patur dhe ka një bazë shumë të gjerë shoqërore e politike, e cila buron nga dështimi total i klasës politike neo-marksiste e neo-komuniste 35 vjeçare, nga e cila Shqipëria ka vuajtur e po vuan akoma. Për këtë arsye, mendoj që protesta do të rritet çdo ditë, besoj që do të jetë e gjatë dhe e larmishme, deri në arritjen e pluralizmit dhe demokracisë reale, ku populli shqiptarë të mund të votojë i lirë për mënyrën dhe trupën e qeverisjen e tij. Protesta po kërkon dorëheqjen pa kushte të kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisjes së tij moniste, marksiste e aristokratike, si rruga e vetme për të mundësuar demontimin e mekanizmit të kapjes së shtetit e për të patur zgjedhje të lira. Koha e vështirë e protestës që ishte muaj gusht kaloi me sukses, e tani duket që shtatori do të ketë një masivitet dhe efektivitet shumë të madh, pasi populli është ndërgjegjësuar si kurrë më parë mbi pasojat që shkakton heshtja dhe bashkëpunimi me korrupsionin dhe keq qeverisjen neomarksiste.

A do të përfshihen studentet në ketë protestë??

Sipas mendimit tim, studentët janë pjesa më delikate dhe autoriteti më i lartë moral e njerëzor i një vendi e shoqërie. Ndërsa në Shqipëri, fatkeqësisht janë pjesa më e dëmtuar, më e mashtruar, më e vjedhur, më e nëpërkëmbur dhe më e dhunuar. Prandaj pritët vetë përfshirja e studentëve në betejën për të ardhmen e tyre e të gjithë shoqërisë shqiptare. Në këtë protestë, studentët kanë edhe përvojën e madhe të protestave të viteve 2018-2019, të cilat u përçanë, u shantazhuan, u dhunuan dhe u mbyllën nga ndërhyrja brutale të makinerisë shtetërore e politike e një qeverie që kishte degraduar me kohë në monizëm, korrupsion, nepotizëm dhe kakistokraci. Në atë kohë, studentët dhe nxënësit e Shqipërisë u tradhtuan nga prindërit e tyre që u shantazhuan me vendet e punës dhe kafshatën e bukës, por edhe nga mësuesit dhe pedagogët e tyre që i shërbyen partisë e jo të ardhmes së rinisë, shoqërisë dhe shtetit shqiptarë. Mbytja e asaj proteste përmes dhunës solli edhe kapjen politike të shkollave dhe universiteteve, të cilat u vendosën nën sundimin total të tarafeve dhe klaneve të shokëve të partisë, të katapultuara në krye të institucioneve të arsimit pa asnjë rregull e meritë, Ndërsa tani duket që është mbushur kupa, e që edhe fasadat e mashtrimit, dhunës dhe propagandës moniste kanë rënë. Mendoj që protesta e ka zbuluar gjithë lakuriqësinë e poshtërsisë që ka ndodhur e që po ndodh në Shqipëri. Në këto kushte, studentët si pjesa më e ditur, më e interesuar dhe më përfituese nga shembja e rrëgjimit të horrave dhe mizorisë së korrupsionit monist, janë e do të jenë në krye të protestave të shembjes së establidhmentit otomano-komunistë të politikës që realisht ka bllokuar si kurrë më parë zhvillimin e botës shqiptare.

A ka debate mes drejtuesve të protestës se kush do të jetë “koka”? A ekziston rreziku që protesta të përçahet?

Unë kam marrë pjesë dhe kam folur që në ditën e parë të protestës, gjithmonë në shërbim të bashkimit, kurajës, solidaritetit dhe qartësimit të objektivave themelore që duhet të arrijë kjo protestë. Që në fillim, kam theksuar se asgjë e rëndësishme nuk mund të bëhet dhe asnjë objektiv nuk mund të arrihet pa dorëheqjen e qeverisë moniste, të dalë sipas bindjes së protestuesve nga një proces zgjedhor i kontestuar. Prandaj, edhe parullat më të pranuara dhe më dominuese të protestës kanë qenë: “Ju erdhi fundi!”, “Rama, jep dorëheqjen!” dhe “Rikthimi i demokracisë dhe pluralizmit real në Shqipëri!” Unë nuk di të ketë kundërshti apo debat serioz për këtë objektiv bazë e themelor. Për elementë të tjerë të organizimit, natyrisht, mund të ketë mendime të ndryshme, diskutime apo edhe përplasje. Kjo është e natyrshme në një lëvizje ku marrin pjesë njerëz me bindje, përvoja dhe këndvështrime të ndryshme. Por në çdo rast, ne kemi folur dhe kemi bërë thirrje për solidaritet, unitet, vetëpërmbajtje dhe durim. Sepse durimi është bashkim, është forcë dhe, në fund, mund të jetë edhe fitore. Sa i përket pyetjes se kush duhet të jetë “koka” e protestës, mendoj se kjo është pikërisht ajo që duhet shmangur. Një protestë qytetare nuk duhet të shndërrohet në garë për protagonizëm personal. Objektivi duhet të jetë mbi individin dhe kauza mbi ambicien për të marrë drejtimin. Për shumë vite, sherret ndërshqiptare janë ushqyer nga politika të korruptuara dhe nga lufta për pushtet e interesa personale. Kjo protestë, sipas meje, ka një mundësi historike: të mos përsërisë të njëjtat skema. Prandaj, mendoj se një nga gjërat më të rëndësishme që ka ndodhur në këtë protestë është se kemi lënë mënjanë partitë dhe logot e tyre. Kemi lënë mënjanë edhe një pjesë të madhe të udhëheqjes politike të 35 viteve të periudhës postkomuniste, pikërisht në emër të një qëllimi më të madh: bashkimit dhe shpëtimit të Shqipërisë. Nëse arrijmë ta ruajmë këtë frymë, atëherë protesta nuk ka nevojë për një “kokë” të vetme. Ajo duhet të ketë një ndërgjegje të përbashkët, një objektiv të qartë dhe një vullnet të bashkuar qytetar.

A ka ndërhyrje të qeverisë për përçarjen e protestës?

Ndërhyrje të hapura dhe të drejtpërdrejta nuk mendoj se ka. Por qeveria, sipas asaj që ne konstatojmë në terren, duket se po përdor mënyra të kamufluara për të penguar pjesëmarrjen e administratës publike dhe të familjarëve të punonjësve të saj në protestë. Këtë na e thonë vetë punonjësit e administratës, të cilët nuk guxojnë të dalin para kamerave dhe të flasin hapur, madje as të shkruajnë një fjalë të vetme për protestën. Frika për vendin e punës, për të ardhmen e tyre dhe për pasojat që mund të kenë mbi familjarët, i mban shumë prej tyre të heshtur. Të njëjtën gjë e dëshmojnë edhe disa punonjës të policisë, të cilët na afrohen dhe na thonë me zë të ulët: “Jemi me ju, por s’kemi çfarë t’u bëjmë shefave të lartë.” Është një fjali e shkurtër, por që tregon shumë për klimën e frikës që ekziston. Edhe kolegët tanë, mësues e pedagogë, janë një tjetër shembull. Shumë prej tyre vijnë në protestë, por nuk arrijnë të marrin mikrofonin dhe të flasin publikisht. Arsyeja është frika për vendin e punës, për financat dhe sidomos për pozicionet e punës së familjarëve të tyre. Një tjetër formë ndërhyrjeje, për të cilën duhet të jemi të vëmendshëm, është edhe tentativa për të joshur figura aktive të protestës përmes projekteve, ekspertizave, tenderëve, pronave apo vendeve të punës. Nëse këto praktika përdoren për të dobësuar një lëvizje qytetare, atëherë kemi të bëjmë me një mekanizëm të njohur të kapjes dhe neutralizimit të zërave kritikë. Por unë besoj se kjo nuk do ta ndalë protestën. Qeveria do të dështojë me turp, sepse një vullkan që ka nisur të shpërthejë nuk mund të fiket me kova uji, aq më pak me “leshterikët” e korrupsionit. Ajo që ka nisur nuk është thjesht një protestë e një dite apo e një grupi njerëzish. Është shfaqja e një pakënaqësie që, nëse nuk dëgjohet dhe nuk trajtohet me përgjegjësi, mund të marrë përmasa edhe më të mëdha.

Sigurisht në Shqipëri thashethemet në kësi rastesh janë të parat? Qarkullojnë llafe  një pjesë të demonstruesve i paguan Soros?

Nëse do të me pyesnin se cila do të ishte rrena apo mashtrimi më i madh në lidhje me protestën, mbase do të sillja si përgjigje të pavërtetën e mësipërme. Në asnjë sekondë, unë nuk kam parë e as nuk kam dëgjuar për pagesa dhe as për shërbëtorë të Sorosit. Të tilla opinione mendoj se hidhen nga klanet nepotike e korruptive të propagandës së një klani antishqiptarë, që si kurrë më parë ka kapur qeverisjen, të cilën po e degradon dhe turpëron, e bashkë me të edhe shtetin, politikën dhe qenien shqiptare.

Nga ana tjetër thuhet se kanë ndërhyrë agjentura e huaja?   Gjithmonë pyes pa një fakt por duke dëgjuar biseda në tavolina. Ju keni informacion të tillë?

Unë jam totalisht pa përvojë në identifikimin e tyre, nuk di ti dalloj e as nuk mund të flas për atë që nuk e njoh e nuk e di. Si protestues, mendoj se  agjentura ka patur dhe ka për të patur në çdo miting, protestë e punë të mirë që bëhet për interesat e Shqipërisë dhe shtetit shqiptarë. Për këtë arsye, mendoj që agjencitë ligje zbatuese e zbuluese, duhet të bëhen më vigjilente e atdhetare se kurrë, për faktin që kjo protestë, ndryshe nga lëvizjet e tjera ka deklaruar dhe po synon hapur që ta shkëpusë Shqipërinë nga rrjetat, kavot dhe litarët e politikës komuniste, që e kanë zanafillën e tyre që në vitet 1940-1945, kohë kur këto nyje e rrjeta u instaluan dhe u lidhën nga të deleguarit e ish Jugosllavisë (Miladini, Dushani, Vojisllavi, Velimiri, etj). Është fjala për një bazë dhe platformë politike 85 vjeçare (1941-2026), e cila ishte dhe është kundër interesave të botës shqiptare. Nisur nga ky këndvështrim historik i njohur, unë mendoj që çdo shqiptarë duhet të jetë i kujdesshëm dhe i vendosur qoftë edhe me jetën e tij, për të mbrojtur interesat e shtetit e të botës shqiptare, e për ti dhënë fund peng marrjes marksiste 85 vjeçare..

Koha e vështirë e protestës që ishte muaj gusht kaloi me sukses, e tani duket që shtatori do të ketë një masivitet dhe efektivitet shumë të madh, pasi populli është ndërgjegjësuar si kurrë më parë mbi pasojat që shkakton heshtja dhe bashkëpunimi me korrupsionin dhe keq qeverisjen neomarksiste.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok