Flet Prof. Dr. Lush Susaj: Ligësi, hajdutëri dhe pabesi ndaj bujqësisë dhe prodhimit bujqësor

0

Shqipëria, është i vetmi vend në Europë me mbi 60 mijë hektarë të tokës bujqësore të lëna djerr

Nga Albert Z. ZHOLI

Çdo familje shqiptare sot më tepër se kurrë e ndjen peshën e rritjes së çmimeve. Përveç çmimeve të shportës janë rritur ndjeshëm dhe çmimet e perimeve, zarzavateve, por edhe të frutave. Tashmë në tryezën e familjeve shqiptare shikon më pak zarzavate, më pak fruta dhe më pak thërrime. Dhe nëse bën një vizitë në të katër anët e Shqipërisë shikon me dhimbje se ka shumë toka djerrë. Toka të tëra që mund të mbilleshin me çdo gjë, por për shumë arsye janë djerrë. Janë djerrë pasi shteti nuk ka investuar në ujitje, në subvensionimin e naftës, më farërat e zgjedhura dhe plehërat kimikë, të cilat të gjitha vijnë nga jashtë dhe me kosto të lartë. Në këto kushte bujqësia shqiptare ka hyrë në një krizë pa rrugëdalje dhe prodhon vetëm shalqi, presh, domate, mandarina, portokalle dhe ndonjë perime tjetër. Ky është realiteti i zymtë. Shumë herë prodhimet e bujqëve shqiptarë hidhen në rrugë pasi malli nuk blihet nga tregëtarët për çmimin e lartë. Për këto probleme jep sqarimet e nevojshme Prof. Lush Susaj…

-Përse ka shumë toka bujqësore djerrë në vendin tonë ?

Shkatërrimi gradual e jo i rastësishëm që i është bërë bujqësisë shqiptare dhe prodhimit bujqësor, ka për bazë korrupsionin, fiktivitetin dhe injorancën e thellë politike e administrative të këtyre tre dekadave, fenomene që kulmuan si asnjëherë tjetër përgjatë viteve 2015-2022. Shqipëria, ndonëse vendi me sipërfaqën më të ulët të tokës bujqësore për frymë të popullsisë, është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit dhe gjithë Europën me mbi 60 mijë hektarë të tokës bujqësore (rreth ¼ e tokës arë), të pambjellura e të lëna djerr për vite me radhë. Por me atë që shohim në terren, dyshoj se është dyfishi i asaj që është raportuar.

Shkaqët janë të shumta dhe totalisht subjektive, të shkaktuara nga keqqeverisja. Shqiptarët nuk e punojnë dhe mbjellin dot tokën e tyre për shkak të injorancës parlamentare dhe copëtimit të tokës në mbi 350 000 miniferma bujqësore, me rreth 4 milion parcela të vogla, e realisht të mbetura pa asnjë mundësi mekanizimi dhe koperimi. Për më keq, edhe këto miniferma dhe ngastra në formë rrypash, akoma nuk janë regjistruar dhe hipotekuar në një regjistër apo sistem kombëtar të fondit dhe zërave të tokës bujqësore. Pavarësishtë nga fondet, projektet dhe investimet e dhëna nga buxheti i shtetit, nga BE, etj, për strategji, për rregullore, për ligje dhe për reforma europianizuese, situata jo vetëm që nuk është përmirësuar, përkundrazi është përkeqësuar. Në këtë moment që po flasim, situata me regjistrimin, dokumentimin dhe mbrojtjen e tokës bujqësore, është shumë më e keqe se ajo që ka qenë vitet 1968-1972, periudhë kur është përfunduar bonetimi dhe hartografimi i plotë i tokës bujqësore në Shqipëri. Pikë së pari, kjo ka ndodhur për shkak se investimet dhe projektet e bujqësisë, gjithnjë janë përdorur dhe po përdorën vetëm për të shpërblyer militantët e partisë, klanet nepotike dhe bandën e burokratëve e hajdutëve të investimeve dhe projekteve të bujqësisë. Një tokë e pa hipotekuar nuk mund të jepet as të merret me qera tek kompanitë e huaja e as tek bizneset, të cilët vijë e më pas ikin për në Serbi, Bullgari, Maqedoni, Mal të Zi, Rumani, etj, ku gjejnë toka të kulluara dhe pa probleme me sigurinë dhe me titujt e pronësisë. Toka dhe bujqësia nuk mund të zhvillohen kurrë pa u kthyer në rrugën e duhur ligjore, shkencore e teknologjike, si rruga e vetme e zhvillimit të qëndrueshëm.

Shumica e prodhimeve bujqësore si perime dhe zarzavate vijnë nga Maqedonia dhe Greqia. Pse kjo situate ? Cila është arsyeja e rritjes së çmimit të produkteve bujqësore muajt e fundit?

Shqipëria gjëndet në një situatë të tillë, ku krahas rritjes së shfrenuar e borxhit publik të dukshëm e të padukshëm, për shkaqe idiote e subjektive janë rritur dhe po rriten importet për perime, fruta, deri edhe për jonxhë, lakra dhe koncentratë për pulat dhe gomerët. Shto këtu edhe paratë e vjedhura e pa efektivitet të investimeve dhe projekteve në bujqësi, ku mesa po duket e kanë shkretuar edhe më shumë punësimin, sigurinë ushqimore dhe qarkullimin e mallrave dhe vlerave monetare në Shqipëri. Nuk është fjala për shuma të vogla, përkundrazi janë mbi 900 milion euro në vit, që shkojnë për të blerë produkte bujqësore dhe blegtorale, të cilat prodhoheshin dhe mund të prodhohen përsëri nga toka, klima dhe puna e shqiptarëve. Kjo situatë i shërben aq shumë shpopullimit dhe emigrimit masiv të rinisë. Ndërsa më e rënda është ajo që po ndodh kudo, e në mënyrë të veçantë në Myzeqe, ku ka filluar e po ecën me ritme të frikshme emigrimi i prodhuesve të perimeve. Në serra, po ikin fermat blegtorale, po ikin prodhuesit dhe njësitë e agropërpunimit, etj. Që të gjithë po ikin për shkak të mungesës së sigurisë dhe mbrojtjes shtetërore përballë konkurencës së pandershme që vjen nga prodhimet e suvencionuara të rajonit. Po ikin për shkak të mungesës së laboratorëve të çertifikuar e të besueshëm. Punët janë të ndara, fermeri ka produktin, ndërsa shteti duhet ta mbrojë me analizën laboratorike të pakontestueshme. Fermerët dhe punëtorët e bujqësisë po ikin për shkak të korrupsionit dhe konspiracionit me subvencionet dhe projektet nga ku nuk ka mbetur asgjë. Duket që po ikin edhe për shkak të mungesës së teknologjive dhe të tranimeve bashkëkohore, etj, që të gjitha këto të shkaktuara nga politikat e gabuara, të cilat e larguan aq shumë bujqësinë shqiptare nga standartet dhe praktikat bujqësore të vendeve të rajonit dhe vendeve të BE. Mbi të gjitha fermerët po ikin për shkak të braktisjes totale nga ana e shtetit dhe politikës së njohur të fasadave dhe dosjeve fiktive. Bujqësia e qëndrueshme nuk mund të konceptohet e as të mbahet me dosje fiktive dhe kronika televizive, përkundrazi mund të rritet dhe zhvillohet vetëm me ligje dhe teknologji bashkëkohore. Në Shqipëri, në vend që të financohet për të mbajtur punën dhe prodhimin në bujqësi e blegtori, shohim që investohet dhe kopsiten dosje për rrugë, sheshe, hekurishte e teknologji të vjetëruara, etj, të cilat blihen dhe ndërtohen me çmime mbi 3 herë më të larta nga çmimet e blerjes dhe ndërtimit në vendet e BE. Kur ikën rinia, prodhuesit dhe konsumatorët, është e kuptueshme logjika e këtyre financimeve pa prioritet e pa impakt në mirëqënien e shqiptarëve. Edhe rritja e çmimeve është ndikuar dhe po ndikohet nga shkaqe dhe faktorë subjektivë, sikurse janë mungesa e mekanizimit të punimeve, rritja subjektive e çmimeve për fara, fidana, pesticide dhe plehëra kimike. Rritja e çmimit të plehut po shkatërron edhe filierën e ullirit me punishtet e prodhimit të vajit, ku janë investuar miljona euro. Më e keqja është se për gjithë këtë situatë, akoma nuk është hapur një debat për të gjetur zgjidhjet emergjente e më së paku për të stopuar degradimin e mëtejshëm.

– Çmimi i naftës është rritur, po me naftën e traktorëve të bujqësisë për fermerët çfarë politike ka ndjkur qeveria, ai i rimburson ato?

Të gjithë e provojmë dhe shohim përditë që çmimi i naftës po arrin në 200 lekë për litër, ndërsa në Kosovë është rreth 140 lekë/litër, apo 30% më lirë. Por më e keqja fillon tek mungesa e subvencioneve direkte për naftën që përdoret për punimet bujqësore. Në vënd që nafta të subvencionohej direkt për fermerin dhe sipërfaqen e mbjellë, janë sajuar vyçkla, letra dhe burokraci idjote, në mënyrë të atillë që fermeri të humbasë kohë e të mos e marrë kurrë atë që i takon. Për më keq, njëlloj sikurse edhe me subvencionet dhe rimburësimet për njësi të prodhimit, janë shpikur mënyra korruptive për të vendosur me patjetër ndërmjetësinë apo parazitin e pangopur që qëndron midis buxhetit të shtetit dhe fermerit të keq arsimuar e totalisht të patrajnuar për mbi 30 vite me radhë. Për të mos u zgjatur, tashmë nuk ka njeri në Myzeqe dhe gjithë Shqipërinë që nuk e di që rimburësimi dhe subvencioni për naftën dhe për prodhimin e shitur, akoma nuk ka shkuar e nuk po shkon tek fermeri e as tek ai që djersinë për prodhimin, për kombin e për shoqërinë. Kjo ndodh për shkakun se midis fermerit dhe buxhetit, janë instaluar rriqnat dhe thithëlopat e parties, siç i quante dikur Fan Noli dhe Faik Konica. Janë instaluar ata që jetojnë e bredhin në një bllok, janë ata që mbajnë një bllok e një vulë nën sqetull e që gllabërojnë pjesën më të madhe të subvencioneve, rimburësimeve dhe investimeve, e që realisht nuk duhen për asgjë. Edhe ky shqetësim buron nga mosveprimi i ligjit dhe mungesa tipke e reagimit në sistemet e korrupsionit dhe diktaturave sofistike e kakistokratike. Bujqësia është shkencë, teknologji dhe ligjshmëri, kjo fushë nuk e duron më tutje demagogjinë e as fiktivitetin.

-Shumë prodhime bujqësore nga fermerët në mënyrë demonstrative hidhen në rrugë për arsye të mos shitjes në treg për shkak të uljes së çmimit, kush është arsyeja?

Prodhimi i hedhur është punë dhe të ardhura financiare të humbura vetëm për shkak të mosfunksionimit normal të ligjeve dhe të strukturave shtetërore. Mollët e Korçës, Dibrës, etj, prej kohësh po kalbën dhe hidhen në kanal. E gjithë kjo ka ndodhur e po ndodh për shkak se frigoriferët e ruajtjes nuk u ndërtuan kurrë në kapacitetet dhe as sipas teknologjive të duhura. Nga ky këndvështrim, investimet dhe projektet duket që janë shpërdoruar e vjedhur, sepse ato nuk ndikuan aspak në zgjidhjen e problemeve. Bujqësia nuk ka nevojë për ngrehina dhe hekurishte sa për të bërë zyrtarët një kronikë televizive dhe disa fotografi. Bujqësia jonë ka nevojë për teknologji dhe projekte të mirëfillta shkencore e bashkëkohore. Përveç kostove dhe mungesës totale të subvencioneve, fermerët dhe prodhuesit shqiptarë, janë përballur dhe po përballen akoma më shumë me konkurencën e pamoralshme nga importet dhe me heshtjen vrastare të doganave dhe institucioneve të bujqësisë dhe sigurisë tonë ushqimore. Këto ditë në Myzeqe po zhvillohet një dramë e pashoqe, ku domatja e kuqe që del me një kosto minimale prej 30-40 lekë/kg, po hidhet në kanal për shkak se tregu është mbushur me domaten e sjellë nga importi e që po shitet me çmim shumice 35 lekë/kg. Në këto kushte, fermerët e Myzeqesë po arrijnë që të shesin vetëm lakër e karrota. Pa përmendur këtu domatet dhe perimet e tjera të bllokuara në vëndet ku ato janë eksportuar e bllokuar në doganat, e ku thuhet se analizat e pritësit po i hedhin poshtë analizat e bëra në laboratorët e Shqipërisë. Në këto kushte, janë organet shtetërore që duhet të ndërhyjnë e të zgjidhin problemin me laboratorin, që mashtron ose me fermerin dhe specialistët, që abuzojnë me teknologjinë e që po shkatërrojnë imazhin e prodhimeve shqiptare. Shteti duhet të ndërtojë strategji dhe mekanizma për të stopuar braktisjen e potencialeve prodhuese dhe vendeve të punës në një situatë të tillë të konkurencës së pandershme dhe braktisjes totale të fermerit nga shkenca, subvencionet dhe baza laboratorike. Shteti duhet të ndërtojë mekanizma, që mollët të mos hidhen në kanal e as të mos blihen nga matrapazët me çmimin 20 lekë/kg, kur çmimi aktual i shitjes së tyre në Tiranë është 100-120 lek/kg. Kemi të bëjmë me matrapazë e gjakpirësa që duan të fitojnë jo 20 apo 30%, por  500-600 %, një dukuri që buron vetëm nga ligësia, paaftësia, mungesa e ligjit dhe korrupsioni në hallkat e filierës së mollëve, perimeve, vreshtave etj. Ditën që të mund të funksionojë shteti me dije, me moral e me ligje, fiks në atë ditë do të mund të marrim frymë lirisht nga kjo kategori hallkash e personazhesh pa shpirt e pa moral. Ilaçi i vetëm për këtë kategori rriqnash e akrepash është demokracia dhe shteti ligjor, janë institucionet e ndërtuara me intelektualë e specialistë të ditur, me shqiptarë që mbajnë përgjegjësi për atë që bëjnë.

– Muajt e fundit si është raporti import-eksport i prodhimeve bujqësore në Shqipëri?

Mendoj se ka rënie të madhe të konsumit dhe të qarkullimit të mallrave dhe vlerave monetare. Ka rritje të importeve për shkak të braktisjes së potencialeve tona prodhuese dhe të largimit të prodhuesve dhe agropërpunuesve potencialë. Nuk ka dyshim që importet janë rritur më shumë se eksportet, që ndodhen në një konkurencë dhe pikë kritike. Në Myzeqe e kudo tjetër, po lind edhe një fenomen tjetër, që ka të bëjë me faktin se prodhuesit e serave, vreshtave, etj, kanë marrë mallëra (si fara, fidana, plehëra dhe pesticide) veresi – borxh. Por për shkak të mos shitjes së prodhimit, prodhuesit kanë mbetur borxh e në një situatë konfliktualiteti me fitofarmacitë. I gjithë ky stres dhe hall e ka bazën tek sistemi i korrupsionit dhe mos ndërhyrja e shtetit për të subvencionuar e mbajtur gjallë këto aktivitete prodhuese me rëndësi kombëtare. Jo vetëm paraja e fituar nga emigrantët, por edhe ajo e fituar nga aktiviteti i brendshëm po largohet e qarkullon jashtë Shqipërisë, duke shkaktuar një varfëri të madhe dhe paga shumë të ulëta. Vetëm për importin e perimeve, drithërave, produkteve blegtorale, etj, Shqipëria humbet jo më pak se 900 mijë euro/vit. E si për ironi të fatit, ka zëra e njerëz që mendojnë se gjithë ky çrregullim mund të kompensohet nga kultivimi i bimëve narkotike. E vërteta është se nga bimët narkotike nuk mund të ketë kurrë një zhvillim të qëndrueshëm, përkundrazi do të futemi në rrugën e një zhvillimi kaotik. Shqipëria ka nevojë për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe prodhimit bujqësorë, në kushtet aktuale duhet stopuar falimentimi i fermave dhe shkatërrimi i imazhit të prodhimeve tona në tregje, në mënyrë që Shqipëria të rikthehet, të paktën në nivelet e eksporteve të vitit 2020.

-Pse vendet fqinje kanë organizim më të mirë, prodhim më cilësor dhe çmim më të ulët në prodhimet bujqësore?

Në vëndet e rajonit janë bërë ligje, strategji dhe financime për fermerët dhe rritjen e prodhimit bujqësor, ndërsa në Shqipëri janë bërë ligje, strategji dhe investime për politikanët e korruptuar dhe gllabërimin e tokave me rentë diferenciale të lartë në fushë e në bregdet. Në vendet e rajonit dhe kudo në botë, bujqësia zhvillohet mbi baza shkencore e ligjore. Ndërsa në Shqipëri, bujqësia është shkëputur nga ligjet bashkëkohore: është shkëputur plotësisht nga teknologjitë bashkëkohore që sigurojnë cilësinë dhe konkurueshmërinë, është lënë pa sy dhe pa shpirt. Çdo specialistë apo staf i kualifikuar pedagogjik, që guxon të flasë e të ngrejë zërin për këtë katastrofë, goditet në mënyrën më të pandershme dhe përjashtohet menjëherë nga debati, nga oponenca dhe nga strukturat e vendimmarrjes. Në vëndet e rajonit flasin dhe drejtojnë shkencëtarët, ndërsa në Shqipëri flasin dhe përfitojnë militantët pa njohuri e pa përvojë nga bujqësia, teknologjia dhe ligjshmëria.

-Si do t’i cilësosh politikat bujqësore të qevrisë Rama-3?

Për mendimin tim janë tepër të gabuara, për më tepër në një situate, që nuk duhet të ishin të tilla e kaq me pasoja. Bujqësia kërkon një plan masash e ndërhyrjesh emergjente, për të shpëtuar tregjet dhe burimet e brendshme të prodhimit. Bujqësia kërkon ligje bashkëkohore dhe institucione shkencore të ndërtuara me meritokraci e jo mbi baza politike. Aty ku militanti bën punën e profesorit dhe shkencëtarit, aty nuk mund të burojë asgjë e mirë. Qeverisja me servila, me tarafe, me gojëkyçur e me njerëz të paditur prodhon dështim dhe kriza të llahtarshme. Uroj që të ketë më shumë ndjesi dhe urtësi për të dëgjuar sa më shpejt zërin e arsyes dhe rënkimet e fermerëve dhe agropërpunuesve të Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok