Flet “Nderi i Kombit” dhe “Artistja e Popullit” Margarita Xhepa : Vitet ikin rolet mbeten

-Ëndrra në monizëm ishte të luaja role nga antikiteti

– Në demokraci kam luajtur në dramën “Trojanët”, që e humbën mbretëreshën e Trojës, rol që e kisha ëndërr.

– Lum ai që ka lënë vepra të mëdha dhe të pavdekshme pas!

-Këtu luajta rolin e Ekubës, rol që vinte tamam në moshën time.

Nga Albert Z. ZHOLI

“Nderi i Kombit” dhe “Artistja e Popullit”

Margarita Xhepa mbushi 88-vjeç. Koha ecën, por për të mosha është thjesht një shifër pasi ajo gjithmonë është në lëvizje, aktivitete, në promovime, spektakle, etj.. (2 prill 1934) është një aktore shqiptare. Një nga Zonjat e Mëdha të teatrit dhe filmit shqiptar, që ka skalitur memorien e publikut shqiptar me role brilante, që prej fillimit të saj, në vitet 60 dhe deri më tani. Në maj të vitit 2004, u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar për të shkëlqyer në dramën “Streha e të harruarve”: një tjetër sukses në karrierën e saj 62-vjeçare. Nga viti 1950 u aktivizua si artiste në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) dhe njëkohësisht studioi në Liceun Artistik, dega e dramës. Ka krijuar mbi 150 role në teatër, midis të cilëve mund të përmendim: Majlindën tek filmi “Majlinda” (Xh. Broja), Dafina tek Lumi i vdekur (dramatizim nga K. Velça i romanit me të njëjtin titull të Jakov Xoxës), Filja tek Cuca e maleve (Loni Papa), Zonja Mëmë tek Kush e solli Doruntinën (dramatizim nga Edmond Budina e Pirro Mani i romanit me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë), Nëna tek Përballë vetes (Ruzhdi Pulaha) etj. Ka qenë njësoj e suksesshme në rolet e dramaturgjisë botërore, si Ofelia tek Hamleti, vajza e dytë tek Mbreti Lir, dado tek Romeo e Xhulieta, Mbretëresha Margaret tek Rikardi III, të Shekspirit. Me rastin e ditëlindjes “Artisti i Popullit” Robert Ndrenika në facebook ka shkruar:

–          Mbushët 88-vjeç por tregoni shumë e re. Ku e festoi Margarita ditëlindjen?

–          Asnjëherë s’kam dashur që të bëj diçka të veçantë në ditëlindje, por familja dhe mikeshat nuk të lënë. Paradite “Shoqata “Jehona Shqiptare” e drejtuar nga Mira Korançe organizoi një drekë miqësore me disa nga gratë e shoqatës ku u ndjemë mirë. Diçka simbolike por që lë gjurmë. Më pëlqejnë gjërat e thjeshta shpirtërore pasi ka mirësinë përbrenda. Ndërsa në mbrëmje sigurisht një darkë të thjeshtë familjare.

Mbi 60 vjet në skenë, por fëmijëria mbetet fënijëri. Netëve vonë si i kujton vitet e fëmijërisë dhe a ëndërroje të bëheshe aktore??

Gjithmonë e kujtoj fëmijërinë time. Nëse nuk kujton nga vjen asnjëherë nuk ecën para. Duhet ta them se ishte një fëmijëri e vështirë, por e bukur. E vështirë pasi ishim një familje e varfër, një familje tradicionale. Ishin vitet e para të çlirimit dhe varfëria ishte në çdo familje. Nuk ngopnim barkun me bukë por kishim një dëshirë të madhe për dije, për arsim. Prindërit nuk na pengonin në rrugën tonë dhe pse nuk kishin mundësi financiare të na plotësonin dëshirat. Por ne kishim një harmoni të madhe në familje që nuk e ndienim shumë varfërinë. Kishim një dashuri për njeri tjetrin që ndanim dhe kafshatën e gojës. Nuk i mendonim kërkesat e fëmijëve të sotëm, nuk kishim kërkesa, por kishim etje për dituri, ky ishte ndryshimi. Prindërit në atë kohë ishin shumë fanatik. Por unë kam pasur fat. Mund të them se kisha dëshirë të bëhesha aktore, por dhe strukesha brenda dëshirës. Ishin vitet e para pas çlirimit dhe emancipimi nuk ishte si sot. Në atë kohë e vështirë që femra të largohej nga familja apo të realizonte dëshira jashtë dëshirave familjare, por ishte mirësia e prindërve të mi që nuk më penguan. Kur unë bëra kërkesën time ata e përkrahën. U jam mirënjohëse gjithë jetën. Në atë kohë rrallë ndodhte që prindërit të përkrahnin çdo dëshirë të fëmijëve. Nuk ishte kjo liri, ky emancipim, ky nivel jetësor. Por unë kisha ëndrra, dëshira, kisha synime dhe prindërit nuk me ndalën.

Sigurisht sistemi monist i dha rëndësi cultures, por dhe kishte disa korrniza. Ndoshat nga ai system kishit dhe pengje. Por a i keni realizuar tanimë?

Dua të theksoj se çdo system ka anët pozitive dhe negative. Në atë system kishte shumë demagogji, kishte edhe korrniza të ngushta, por arti vlerësohej. Artisti vlerësohej. Ndaj them kisha pengje dhe pse dyert i kisha të hapura kudo. Në atë sistem kisha peng dhe ëndërr antikitetin. Doja të luaja role të asaj periudhe të ndritur. Në demokraci kam luajtur një rol tepër interesant, Elektrën e Sofokliut, të cilin e vuri në skenë regjisori i madh grek, Dhimitër Mavriqo. Por jam ftuar edhe nga një tjetër regjisor i madh grek Sotiris Akzaqis. Më thirri për të luajtur një dramë. Një dramë që, me të vërtetë, nuk e prisja kurrë që ta sillte në skenë një regjisor grek. Është pikërisht drama “Kush e thirri Doruntinën”, ajo që më befasoi pasi e vendosi në skenë ky regjisor i talentuar. Regjisori Sotiris Akzaqis po sillte një frymë të re në skenën teatrale. Ai kishte lexuar të përkthyer në greqisht “Kush e solli Doruntinën”, të shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, legjendë e shkruar në të gjitha vendet e Ballkanit, sipas mënyrës së tyre. Kanë afërsisht të njëjtën fabulë, personazhe, por në këndvështrime të ndryshme. Secili shkrimtar e ka përcjellë sipas karakteristikave, gojëdhënave, veçorive të vendit të vet, por me emra të ndryshëm personazhesh. Ndoshta, regjisori grek i kishte lexuar të gjitha variantet dhe si më të mundshmin më të realizueshmin, më të arrirë artistikisht, ka marrë variantin e shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare. Por, mbi të gjitha, me regjisorin tjetër grek, Vangjelis Theodhoropulos, kam luajtur në dramën “Trojanët” që e humbën mbretëreshën e Trojës, rol që e kisha ëndërr. Këtu luajta rolin e Ekubës, rol që vinte tamam në moshën time. Roli ishte brenda dramaticitetit dhe potencës time dhe duke thënë me modesti, në Greqi, për këtë rol kam marrë vlerësime që nuk i prisja kurrë. Kritikët grekë theksuan në dy gazeta: “Margarita Xhepa nga Tirana, na solli Katina Paksinu”. Katina është një ndër aktoret më të mëdha greke – së bashku me Milena Mërkuri dhe Irene Papas – që ka luajtur më bukur nga të gjitha rolin e Ekubës, mbretëreshës së Trojës. Madje, një kritik shkruante “Zëri i Margarita Xhepës shkërmoqi teatrin e Melina Mërkurit”. Më këtë vlerësim ndihem mirë, pasi Katina ka luajtur rolin më të bukur të Ekubës në Greqi. Por ajo ka mbi 25 vjet që ka vdekur dhe grekët thanë, na kujtove Katina Paksinu. Me këtë pjesë të sjellë nga antikiteti, që m’u besua nga Vangjeli Theodhoropulos, plotësova një ëndërr timen. Ishte rol i jashtëzakonshëm, i cili mbante brenda vetes gjithë dhimbjen e Trojës. Atë mund ta vlerësoj edhe si një nga rolet më angazhues. U përfshiva kaq shumë në të, sa mbaj mend se edhe gjumin e braktisa. Për këtë rol, nga revista “Kult”, mora çmimin e atij viti. Nga kryetari i bashkisë, mora çmimin për rolin më të mirë të vitit.

Si i kujton miqtë e t’u, që tanimë i takojnë përjetësisë?

Ah, sa shumë kanë ikur! Sa më mungojnë! Kanë ikur yjet e artit, por më e keqe është se kanë ikur në moshë të re, kur kishin për t’i dhënë ende, artit shqiptar. Këto vdekje kanë lënë shumë gjurmë tek unë. Kanë ikur disa pa i mbushur të 60-at. Askush nuk e beson, askush nuk e merr me mend. Sa dhimbje e madhe! Ata ikën në kulmin e artit, në kulmin e pjekurisë artistike. Mund të përmend Bujar Lakon e madh, me të luajta “Kush e solli Doruntinën”. Ishte një kujtim i bukur, me atë aktor të madh, të mrekullueshëm! Po ashtu, mund të përmend Fatos Selën, Agim Qirjaqin, Fadil Kujofska, Roland Trebicka, Edi Luarasi, Lazër Filipi, etj… Por kanë ikur dhe shumë artistë të tjerë: shumë. Iku dhe gazetarja Zenepe Luka. Kam luajtur me të gjithë këta yje dhe kam mbresa të veçanta. Ata mbeten në kujtesën e popullit për thjeshtësinë, për bukurinë që sollën në skenat dhe në sheshet e xhirimit. Ishin aktorë të mëdhenj dhe njerëz të mirë. Me vdekjen e tyre, arti shqiptar ka humbur shumë! Por i kujtoj.

Arti, si vlerësohej në sistemin komunist? Po sot?

Të jem korrekte, e them se në atë sistem arti vlerësohej, ndaj dolën dhe artistë të mëdhenj. Por çka është më e veçantë, në atë periudhë, artin, artistët i vlerësonte populli më shumë. Atë respekt që të jep populli, nuk ka top që e luan. Artistin kur del në rrugë dhe e takojnë, i flasin qindra njerëz; është nota dhe vlerësimi më i mirë që mund t’i bëhet. More apo jo trofe, more apo jo kupë, nëse ti merr vlerësimet e njerëzve kudo që shkon, atëherë je e vlerësuar. Vula e popullit është e madhe, e rëndë, peshon. Populli nuk e ideologjizon artin, as artistin, ai vlerëson vetëm artin. Artisti më shumë jeton me rolin, me personazhin dhe duhet ta çojë atë të gjallë tek spektatori. Pasioni, përgjegjësia, vërtetësia, e bëjnë aktorin të pavdekshëm në sytë e spektatorit, të njerëzve. N.q.s. ke lënë gjurmë në këto role, në këto karaktere, atëherë mbetesh i pavdekshëm, pasi jeta në të vërtetë është e shkurtër. Në jetë mbetet vepra, ajo mbetet gjallë. Lum ai që ka lënë vepra të mëdha dhe të pavdekshme pas!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *