03/10/2024

Flet kënëgtarja e mirënjohur çame Enkelejda Alushi Arifi

0

“Çamëri nuse me halle” është një revoltë dhe protestë brenda vetes dhe jashtë për krahinën tonë.

-Çamëria është një nuse që s’po e gëzon nusërinë.

Gjithmonë pengu im të vizitoj çdo cep të Çamërisë

Bisedoi : Albert Z. Zholi

Enkelejda mund të quhet pa frikë ambasadorja më e mirë e çështjes çame. Në repertorin e saj këngët më të shumta janë për këtë trevë dhe për këtë vend përrallor bamorët e së cilës gjenocidi grek i largoi nga vatrat e tyre pa asnjë arsye. Kënga e fundit e saj titullohet “Çamëri nuse me halle” që ajo e ka kënduar me ndjeshmëri dhe pathos. Njëkohësisht një këngë hit mbetet kënga “Vaj e mall për Çamërinë”. Një këngë që të ngjall emocion, të shtang, të mallon, të rrënqeth, të bën të kërkosh të pamundurën. Kënga e saj është një Apel për gjithë politikën shqiptare, për organizmat ndërkombëtarë: Ktheni sytë nga Çamëria, nga kjo trevë perlë e bukurisë shqiptare. Ktheni vëmendjen dhe sytë, nga kjo tokë shqiptare e lënë në harresë, ku vëllai është ndarë nga vëllai, nëna nga fëmija, gjyshi nga nipi, motra nga vëllai në mënyrën më të padrejtë.

Ju tani keni realizuar shumë këngë për Çamërinë, por mua më ka pëlqyer më shumë kënga “Çamëri nuse me halle”. Çfarë doni të shprehni me këtë këngë? Po realizoni edhe një këngë tjetër për Çamërinë?

Para disa kohësh ne realizuam këngën e dytë, e cila titullohet: “Çamëri nuse me halle”. Kjo këngë erdhi si një përbashkim i të gjitha këngëve që unë dhe xhaxhai im kemi kënduar për trevën e prejardhjes sonë. Është një pogonishte tipike çame dhe është më ndryshe nga e para, pasi ka pak revoltë dhe protestë brenda saj. Ndërsa kënga e parë sensibilizon masën, kjo e tanishmja i gjallëron dhe i organizon pak më shumë ata. Besoj se kemi bërë një këngë të mirë dhe mendoj se për vetë popullaritetin ja kemi arritur qëllimit. Kjo këngë ka shumë dhimbje, mall, imagjinatë, ëndrra, dëshira dhe kujtime bashkë. Ka një metaforë Brenda, por dhe një revoltë, pasi Çamërinë nuse ne nuk po e shijojmë, nuk po e gëzojmë, nuk po e sodisim cep më cep për shumë e shumë arsye absurde. Kjo nuse e bukur ka shumë vite, që vajton. Kjo nuse prêt dhëndërrin , pra bijtë e saj të kthehen. Një nuse që prêt me sytë nga deti për dekada me radhë dhe loti i është ngrirë në qerpik. Një nuse që s’po e gëzon nusërinë.

Sigurisht që kaq këngë kaq mall, tregon dhe prejardhjen tuaj nga kjo trevë përrallore shqiptare. Ju jeni me origjinë nga Çamëria. Çfarë ju kanë treguar prindërit, kur janë larguar nga Çamëria dhe si janë vendosur në Rrogozhinë?

Çfarë nuk më kanë treguar. Çdo mbrëmje prindërit, të afërmit na flisnin dhe na flasin vetëm për Çamërinë. Aq gjëra tregojnë sa jam habitur. Shumë herë pyesja veten kaq e bukur është Çamëria? Çdo fjalë të prindërve dhe të afërmve të mi e di përmendësh. Aq sa di për Çamërinë nuk di për asnjë krahinë tjetër. Unë di që gjyshërit e mi janë larguar nga Çamëria kur ka ndodhur eksodi. Kanë qenë vitet ‘43-‘44. Ata janë vendosur në hyrje të Rogozhinës, ku banonin 80% vetëm me banorë çam, dhe ajo lagje quhet lagja “Miqësia”. Ka qenë një lagje tipike çame, ku kemi ruajtur të gjitha adetet tona, traditat, zakonet, këngët, vallet. Në ato vite unë di që burrat e fisit të babait tim kanë ardhur më përpara në Shqipëri, sepse i merrnin ushtar me zor, ata nuk donin të ishin në shërbimin ushtarak të Greqisë. Gjyshi im ka qenë nga një fshat afër Filatit edhe gjyshja që është ende gjallë është edhe ajo nga një fshat afër Filatit, që quhet Vorsela. Këto dy fshatra i ndante vetëm një lum. Ka shumë histori që më kanë thënë, por ajo që mua më ka ngelur në kokë është kur gjyshja ime ishte e vogël dhe tregonte se kur shkonim në shkollë na mësonin me zor greqisht. Ne,- tregonte ajo, në shtëpi flisnim shqipe të pastër, por në shkollë mësuesit kanë qenë aq të rreptë sa na mësonin me zor greqishten. Mësuesit po të dinin se nxënësit mësonin gjuhë tjetër përveç greqishtes i dënonin shumë rreptë. Gjyshja ime ka pasur flokë të gjatë dhe i ka pasur me tre gërsheta të gjata. Mësuesja i thotë se duhet t’i presësh leshërat. Nëna e saj nuk ia ka prerë dhe kur shkoi në shkollë mësuesja ia preu të tria gërshetat. Kur ia kanë prerë flokët në shkollë ajo ka ikur nga shkolla dhe ka shkuar në shtëpi duke qarë. Grekët kanë dashur jo vetëm të zhduknin gjuhën, por edhe zakonet dhe traditat. Këtë histori gjyshja ime ma ka treguar kur lidhte gërshetat e mia kur unë kam qenë e vogël. Gjyshi im Ramiu që tani ka disa vjet që ka vdekur ka kënduar shumë bukur. Këndonte për Çamërinë. Këtë ndoshta e kemi trashëguar unë dhe xhaxhai im. Gjyshi im për një kohë të gjatë ka lënduar në shtrat, ku humbi të dëgjuarit dhe të parit, por ai vazhdimisht këndonte. Ai këndonte ato këngë çame aq të bukura, ku mund të veçoj një këngë ku tregonte për Çamërinë kur një pjesë shkoi në Turqi, një pjesë në Shqipëri dhe një pjesë tjetër humbën fare dhe nuk i dihet më filli i tyre. Unë fjalët e këngës nuk i kujtoj dot se kam qenë shumë e vogël, por kujtoj lotët, që i dilnin dhe zërin, që i dridhej gjyshit tim.

Këngën “Vaj dhe dhe mall për Çamërinë” kë ka kompozitor, autor teksti dhe kush ju ka ftuar për ta kënduar këtë këngë?

Unë dhe xhaxhai im kemi bërë disa këngë, secili për hesap të vet. Një ditë kur po pinim një kafe në Durrës tek Vollga na lindi ideja të bënim një këngë bashkë. Diskutuam se Edi Balili bën shumë këngë të bukura, por jo të jugut të trevës sonë, por të Shqipërisë së mesme. Vendosëm të kontaktonim me Edin. I themi se duam të bëjmë diçka të bukur bashkë, por e duam të trevës sonë. Ai na tha se unë kam shumë përvojë për këngët e jugut, por na tha ta diskutojmë. Meqenëse çështja Çame është problem i ditës menduam të bënim ndonjë baladë të mallëngjyer apo të gëzuar. Vendosëm të bënim një baladë për të sensibilizuar të gjithë masën, ku njerëzit të ndjejnë atë dramën e madhe të ndarjes çame. Në atë kohë janë ndarë familje të tëra nga njëri-tjetri. Duke qenë se, ne jemi xhaxha dhe mbesë vendosëm që në këngë të luanim rolin motër e vëlla. Mendimi i kësaj drame familjare ishte e Jorgo Papingjit. Ka qenë një periudhë e gjatë 6-7 muaj që ne rrinin në kontakt të katër me telefon. Mbas shumë bisedimeve na vjen Jorgo me temën e trajtuar dhe me tekstin e shkruar që më pas Edi hodhi notat e para në pentagram.

Kur filloi të realizohej për herë të parë kjo këngë?

Ka qenë fundi i nëntorit dhe fillimi i dhjetorit të vitit 2006, ku klipi nuk ishte bërë akoma. Kënga është anonçuar në Radio Televizionionin e Kosovës në programin e Vitit të Ri. Kur ne sollëm diskun për ta dëgjuar të inçizuar (në sallën e RTK), të gjithë artistët, që rrinin për të inçizuar pjesët e veta, atë natë u shtangën. Pas dëgjimit të parë, të pranishmit kishin shumë dëshirë që ta dëgjonin sërishmi. Kënga u përsërit 2-3 herë, ku për pjesmarrësit e atij niveli nuk ishte e zakonshme. Kur flitet që u prekën artistët çfarë mund të thuash për dëgjuesin e thjeshtë kur nga ana artistike do të ishin shumë të virgjër? Dhe e dyta ishte në Radion 21, ku shumë artistë na uruan dhe na jepnin komplimente. Kjo ishte një këngë çame dhe ne ishim të sigurtë që komuniteti çam këtë këngë do ta përpinte menjëherë, por nuk ishim të sigurtë se si do ta priste këtë këngë Shqipëria e Mesme dhe aq më tepër Kosova.

Vaj e mall për Çamërinë

Gjyshi im  më kish’ thënë/ Se  kur  jemi ndarë/ Atje ke vëllanë/ Që kurrë nuk e  ke parë/ Shumë kohë u mendova/ Ç’ka  u bë sahati/ Vajta të takoja/ Vëllanë nga Filati/ O moj nuse e bukur/ Ç’të solli kësaj ane /Kështu në të dukur,/ Më dukesh si çame/ Kur të shoh kështu moj xhane/ Me jelek e çitjane/ Borzilok e manxurane/ Çame  e kaluar çame.

Si u ndjetë në atë moment në ambjentet e RTV-së?

U ndjeva shumë mirë. Që kur bëhej realizimi ne e pamë nga ana teknike, zëri etj. Ishte një këngë që dallonte totalisht nga të tjerët. Ishte një mbresë shumë e madhe kur shikoje reagimin e të tjerëve. Reagimet ishin nga më të ndryshmet dhe reagimet na bënin që të ndjeheshim mirë.

Me kë e keni realizuar këtë këngë?

Është i njëjti autor, i njëjti staf.

A ke ndonjë peng në jetë?

Kam, por  nuk mund të them se është peng. Kjo është një ëndërr që pres të realizohet. Dua të shkoj në vendlindjen e gjyshërve të mi. Sepse edhe prindërit e mi  akoma nuk kanë arritur  të shikojnë vendlindjen e prindërve të tyre. Shpresoj që do të jetë një ëndërr që do të realizohet shpejt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok