30/12/2024

Flet Dr. Vladimir Mici – Fakti që leku forcohet në raport me to, është futja e monedhës euro dhe dollar më shumë se sa nevojat tona

0
Vladimir-Mici

Flet Dr. Vladimir Mici: Fakti që leku forcohet në raport me to, është futja e monedhës euro dhe dollar më shumë se sa nevojat tona

– Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe se sa rritja e pagave nga inflacioni.

– Çdo emetim shtesë parash është i barabartë me shtesë inflacioni.

-Roli i Bankës qëndrore është të ruajë stabilitetin e çmimeve nëpërmjet inflacionit të shënjestruar.

– Deri në mesin e vitit 2024 Banka qëndrore parashikon stabilizimin e inflacionit në shifrat poshtë 4%. aktualisht ai është mbi këto shifra.

– Një para e mbajtur në dorë sot, pas një viti vlen më pak për shkak të inflacionit.

– Nqs ke blerë një shtëpi para dy vitesh, e cila ka kushtuar 5 milion lekë sot po e njëjta shtëpi kushton 6 milion lekë.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Inflacioni dhe rritja e çmimeve janë problem që ndikojnë tek populli. Inflacioni – përqindja me të cilën rriten çmimet e mallrave dhe shërbimeve. Po kështu, ajo gjithashtu punon si një përqindje me të cilën paratë “fiat” humbasin vlerën e tyre. Për shembull, në vitet 1970 një filxhan kafe ishte 20 cent, sot – është 1.50 euro. Për të njëjtën shumë parash tani mund të blini më pak mallra sesa mund të kishit blerë 50 vjet më parë, sepse kur çmimet rriten – dhe të gjithë e vërejmë këtë ndryshim – fuqia blerëse e parave zvogëlohet. Inflacioni matet në indeksin e çmimeve të konsumit. Kjo tregon se sa para do të shpenzonte dikush këtë vit për të blerë të njëjtat produkte dhe shërbime si vitin e kaluar. Një treg i pjekur regjistron një inflacion vjetor normal prej 1-3 përqind. Inflacioni i tregjeve në zhvillim mund të jetë pak më i lartë dhe të arrijë 2-8 përqind. Për shkak të këtij inflacioni të parashikuar dhe të kontrolluar, pagat tona, si dhe mirëqenia dhe përfitimet e tjera, rriten çdo vit. Ndodh, sepse çdo vit për të njëjtën shumë parash njerëzit mund të blejnë pak më pak mallra.

Për këto probleme jep përgjigje dr. Vladimir Mici

Mendoni se Banka e Shqipërise ka emetuar ne mënyrë të pakontrolluar monedhë lek për të thithur nga qarkullimi monedha të huaja, kryesisht euro dhe dollarë duke ulur në mënyrë artificiale kursin e këmbimit me këto dy monedha?

Mendoj se kjo nuk shkon në logjikën ekonomike. Arsyeja është mjaft e thjeshtë. Nqs do të kishim  më shumë  euro dhe dollarë në treg sesa janë nevojat tona për to çmimi i tyre (kursi i këmbimit) do të binte. Nëse sasia e parave në treg ( dmth lekut do të ishte hedhur për këtë qëllim) duke injoruar faktorë do të zhvlerësohej në raport me valutat e huaja. Fakti që leku forcohet në raport me to është futja e monedhës euro dhe dollarit më shumë sesa nevojat tona. Nëse kjo tendencë vijon atëhere ne presim zhvlerësim të mëtejshëm të dy valutave ndaj lekut. Por a mund  të emetojë Banka qëndrore para? Jo Banka qëndrore nuk emeton para, pa kërkesën dhe miratimin e qeverisë! Arsyeja është e thjeshtë. Banka Qendrore merr atributin e agjentit të qeverisë dhe qeveria siguron nëpërmjet emetimit të parasë burimin e tretë, ku burimi i parë mbeten tatimet, burimi i dytë është huazimi nga publiku përmes obligacioneve dhe bonove dhe mënyra e fundit është emetimi i parasë. Ky emetim quhet seinjorazh. Pasojat e këtij emetimi i paguajnë individët. Në gjuhën ekonomike ajo quhet taksë inflacioni e vendosur nga qeveria.

A ka përgjegjës rritja e inflacionit? Po përdor shprehjen e Fridmanit. Inflacioni është dhe mbetet vetëm problem i politikës monetare. Sipas teorisë sasiore çdo emetim shtesë parash është i barabartë me shtesë inflacioni. Roli i Bankës qëndrore është të ruajë stabilitetin e çmimeve nëpërmjet inflacionit të shënjestruar. Deri në mesin e vitit 2024 Banka Qëndrore parashikon stabilizimin e inflacionit në shifrat poshtë 4%. Aktualisht ai është mbi këto shifra. Problemi, që lind me qytetarët se ajo nuk kompensohet në mënyrën e duhur; pra e thënë pak më saktë rritja e çmimeve nga inflacioni  është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse dhe papunësi për shkak të rënies së kërkesës së brëndshme për mallra dhe shërbime. Rritja e inflacionit mbi nivelin e kërkuar është tashmë e qartë, sepse ka filluar si strategji që me pandeminë dhe shifrat e fryra të realizimeve të GDP, apo indeksit të çmimeve të ulura artificialisht, përmes strukturës së shportës së mallrave të inflacionit, strukturës së pambështetur të konsumit midis grup moshave dhe gjinive dhe sistemit të pagave joadekuat. Realisht ka ulur pagën reale. Efektet e inflacionit ndihen: Mbi koston e parasë. Një para e mbajtur në dorë sot pas një viti vlen më pak për shkak të inflacionit. Kostoja e dytë ndodh me firmat, që detyrohen më shpesh të ndryshojnë çmimet, për pasojë ato kanë kosto shtesë që lidhen me marketingun e tyre. Kostoja e tretë lidhet me kontratat e bëra, për të cilat firma nuk mund të ndryshojë çmimet. Kostoja e katërt lidhet me efektet tatimore. Psh nqs ke blerë një shtëpi para dy vitesh, e cila ka kushtuar 5 milion lekë sot, po e njëjta shtëpi kushton 6 milion lekë nga inflacioni. Në momentin që e shet 6 milion duhet të paguash taksë mbi taksën e inflacionit 15%.

Dhe e fundit. Mospasja e një niveli çmimesh stabël apo të qëndrueshme, por sot ke çmime të tjera dhe nesër të tjera  me diferenca të ndjeshme kjo sjell pasiguri jetese dhe komplikon shumë planifikimin financiar të çdo familje sidomos ato që janë edhe me kredi apo borxhe. Në këto raste vendimi më i mirë do të ishte kursimi dhe kufizimi në maksimal i konsumit duke ulur konsumin si shoqëri dhe për pasojë produktin e përgjithshëm bruto dhe në një spirale aftësinë e ekonomisë për të gjeneruar në potencialin e vet. Më të prekur nga inflacioni janë punonjësit me paga fikse dhe pensionet, sepse edhe në rastin më të mirë indeksimi i tyre ndodh një herë në vit, por gjatë vitit këto efekte rëndojnë mbi kurrizin e tyre dhe barra e borxheve tashmë e ka lënë gjurmën e vet.

A i hedh në mënyrë të kontrolluar paratë në treg Banka e Shqipërisë? Sigurisht që sasia e parave ( letër) në treg në formën lek dihet në çdo moment nga ana e Bankës së Shqipërisë. Ajo gjatë funksionimit të saj konsumohet apo humbet karakteristikat që ka që të shërbejë si një mjet i gjithë pranuar i detyruar për t’u përdorur, që do të thotë ajo mund të griset, vjetërohet, të humbë apo edhe prishet nga faktorë të jashtëm ku humbasin disa cilësi që ajo ka si letër. Kjo sasi, realisht llogaritet me përqindje vjetore dhe normalisht duhet të zëvëndësoj atë në qarkullim. Një arsye e dytë pse shtohet është edhe fakti se rritja e çmimeve kërkon një sasi më të madhe në treg për të këmbyer të njëjtat mallra, apo shërbime. Një faktor i tretë, që ndikon është sasia që familjet, apo individët mbajnë, pa i dorëzuar, sepse nuk u leverdis interesi, apo përfitimi që ato marrin apo kultura e këtyre familjeve apo aktorëve. Në faktorët që minimizojnë sasinë e parave në treg (bankënotave) janë normat e interest, apo siç njihet rëndom nga financierët kostoja e parasë. Nëse interesat janë të ulta njerëzit nuk kanë interes për t’i investuar ato. Një faktor tjetër për të minimizuar paratë janë investimet në active (letra me vlerë apo pasuri të palujtshme). Fakti që qeveria futet në tregun e parasë për të riblerë obligacionet e saj në euro, tregon se ajo edhe mallin e ri ( sepse edhe euro apo dollari janë mall si të tjerët) e ka bërë duke përfituar nga kurset e këmbimit. Një pjesë të mirë e ka bërë edhe me emetimet, apo prerjen e monedhës së re. Ky nuk është sekret. Ajo që është sekret është vetëm koha dhe sasia kur qeveria injekton këtë sasi. Për të rregulluar sasinë e parasë në treg qeveria përmes Bankës së Shqipërisë kryhen blerjen e parasë nëpërmjet emetimit të bonove të thesarit dhe obligacioneve. Ndërsa  hedhja e saj përmes shpenzimeve të saj buxhetore, që marrin formën e pagave, investimeve dhe transfertave të parave shton sasinë e parave fizike në treg. Sasia e parave në treg kur është e tepërt shprehet me inflacion të rritur dhe banka qëndrore ndërhyn për të ulur këtë sasi duke emetuar bono thesari apo obligacione thesari. Në këtë rast ajo synon që ky inflacion të jetë në kufijtë e projektuar, por jo çdo gjë varet nga ky transaksion. Mungesa e prodhimit dhe shërbimeve herët apo vonë do t’i japin prirjet dhe ekonomia nuk mund të kthehet në binarët normalë të saj.

A janë në dëm të sigurisë kombëtare? Sigurisht një inflation dy shifror apo më shumë është një rrezik i lartë i stabilitetit makroekonomik, sepse pasuria kombëtare zvogëlohet me ritme të jashtëzakonshme. Qeveria në fund do të ndërhyjë duke ulur shpenzimet qeveritare dhe duke shtuar barrën e taksave. Pra pavarësisht se inflacioni është problem monetar ai përfundon si problem fiskal. Por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të kemi fare inflacion, apo të kemi të kundërtin e tij deflacion. Deflacioni është e kundërta e inflacionit, apo inflacioni negativ. Dhe ai ka pasoja më të këqia se inflacioni. Prandaj pak inflacion është një gjë e mirë. Në një ekonomi ku kemi inflacion 3% dhe rritje pagash ta zemë 5% themi që kemi rritje pagash reale. Përgjithësisht pagat nuk njohin zbritje, përgjithësisht ato rriten. Nuk do të ishte komode që për të pasur inflacion zero të ulim pagën apo mos të rrisim pagën. Normalisht rritja e pagave është një shtysë për të prodhuar më shumë, pavarësisht nga inflacioni. Pra një ulje page reale bëhet kur nuk mund të ulësh pagën nominale, por rrit inflacionin.

A ka një komision shtetëror për prerjen e parave? Cilët janë ata në këtë komision? Guvernatori i Shqipërisë propozohet nga Kuvendi dhe miratohet, apo emërohet me dekret nga Presidenti me mandat 7 vjeçar. Ai Drejton Bankën Qëndrore dhe politikën monetare. Këshilli mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë i emëruar nga kuvendi i Shqipërisë përcakton edhe politikat monetare pra edhe sasinë dhe llojet e prerjeve, që duhet të bëhen. Banka e  Shqipërisë bashkëpunon me organet legjislative dhe ekzekutive të  Republikës së Shqipërisë për të përmbushur objektivat e saj dhe, në bazë të ligjit, kur e konsideron të nevojshme, ndërmerr veprime për të nxitur këtë bashkëpunim në kryerjen e funksioneve të saj. Pra Banka Qendrore përcakton ofertën monetare, prerjet në qarkullim të bankënotave, neni 33-40 i ligjit mban Bankën e Shqipërisë

Banka e Shqipërisë përgatit analiza periodike ekonomike e monetare, Banka e Shqipërisë jep informacionin e kërkuar nga ministritë dhe organet e tjera qendrore të Qeverisë në lidhje me çështjet monetare e financiare dhe, anasjelltas, këto organe japin informacionin e kërkuar nga Banka e Shqipërisë në lidhje me çështjet makroekonomike, monetare dhe financiare.

Banka e Shqipërisë përcakton llojin, mënyrën e dhënies, personat e ngarkuar për dhënien e informacionit të  kërkuar, si dhe sekretin zyrtar, që zbatohet për dhënien e këtij informacioni.

Sa para hidhen në treg në raport me zhvillimin e vendit?

Për të matur sasinë e parasë në treg mënyra më e thjeshtë është teoria sasiore e parasë. Sipas kësaj teorie sasia e parasë në treg përcaktohet nga vëllimi i përgjithshëm i transaksioneve në mallra e shërbime të vlerësuara me çmimet e tyre në vit pjestuar me numrin e herëve që një njësi paraje qarkullon në vit. Sa më i madh ky herës aq më e vogël është sasia e parasë në treg dhe anasjelltas sa më i vogël ky tregues aq më e madhe është kjo sasi. Por aktualisht një pjesë e transaksioneve kryhen në mënyrë elektronike, apo me llogari bankare, duke eleminuar paranë cash, dhe kjo përqindje vjen duke u shtuar në raport me paranë cash kështu që banka e Shqipërisë llogarit edhe këtë sasi në pjesën e saj. Kështu që lind treguesi i bazës monetare. Baza monetare është sasia e përgjithshme e njësive të parasë, që mbahet nga publiku dhe rezervat që kanë bankat. Me këtë tregues lidhet raporti rezervë/depositë dhe raporti para depozitë. Oferta monetare = paraja cash + depozita, ndërsa baza monetare është paraja cash + rezerva nga bankat. Kështu që nqs raporti cash depozitë është 1 dhe raporti reservë depositë është 0.9 dhe baza monetare 200 miliardë lekë oferta e parasë = 2B/1.1=

363,6 miliardë lekë. Pra egziston një kontroll i thjeshtë për të përcaktuar tepricën, apo mungesën në treg të parasë. Por a ka vështirësi? Po, sepse në tregun shqiptar kryhen transaksione të gjëra në euro dhe monedha të tjera duke zvogëluar mjaft sferën dhe rolin e Bankës qëndrore në politikën monetare dhe të na japë përshtypjen e një teprie monedhe në lekë

Si realizohet prerja dhe transporti i parave?

Sigurisht që prerja dhe transporti i parave janë të rregulluara me ligj. Prodhimi i tyre ka një kosto të caktuar dhe lidhet me cilësinë e letrës dhe elementët e sigurisë që përmban bankënota. Ajo lidhet edhe  me vetë letrën që do të ripërdoret mjaft herë dhe që në fund të fundit ajo duhet të jetë e qëndrueshme ndaj lagështisë, mykut, palosjes e të tjera karakteristika që lidhen me përdorimin e saj nga një masë e madhe dhe pa asnjë kusht ruajtje. Prodhimi i monedhave kryesisht që kanë edhe vlera më të larta i nënshtrohen rregullave strikte dhe prodhohen nga njësi ndërkombëtare të specializuara e çertifikuara për prodhimin e bankënotave. Projektimi, vizatimi dhe elementët e sigurisë janë të miratuara nga banka e Shqipërisë. Po kështu edhe, boca , zëmrat dhe  modelet e prerjeve janë pjesë e inventarit të Bankës së Shqipërisë. Transporti i parave nga jashtë brënda dhe për brënda është i rregulluar me ligj dhe sipas direktivave ndërkombëtare. Ky është një sektor i mirërregulluar me ligj. Por kjo nuk mund të ndalojë vjedhjen, por thjesht përpiqet që me ligj të kufizojë mundësitë e vjedhjes dhe abuzimit me to.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok