17/11/2024

Flet Dr. Enriko Ceko: Përse Shqipëria renditet në vendin 83 midis 137 vendeve për lumturinë?

0

Shqipëria është ndër të paktat vende në botë që nuk ka bërë asnjë përparim në këto 30 vite në lidhje me lumturinë!

–          Një pjesë e mirë e vendeve afrikane kanë pësuar një transformim rrënjësor, duke luftuar varfërinë. Ne qëndrojmë në vend.

–          Vendi ynë renditet në vendet 60 – 90 për inovacionin, krijueshmërinë, sofistikimin e tregut, sofistikimin e biznesit i fundit në Rajon.

–          – Shqipëria teorikisht tashmë duhet të ishte vend i zhvilluar, meqë më parë në klasifikim bënte pjesë në vendet në zhvillim, por ka ngel aty.

–          Ka disa persona dhe familje që zotërojnë pjesën më të madhe të pasurisë së krijuar këto 30 vite, ndërkohë që pjesa më e madhe e popullsisë në Shqipëri është e varfër.

Në Shqipëri ka një shumicë qytetarësh që jetojnë me më pak se 100 lekë/ditë, ka një shumicë qytetarësh që jetojnë me 300 – 500 lekë në ditë dhe një shumicë qytetarësh që jetojnë me rreth 700 lekë në ditë dhe pjesa tjetër, rreth 2-3% janë ata që me shpoti u themi “oligarkë”.

– Vendet afrikane e kanë kaluar prej vitesh këtë gjendje dhe synojnë që në vitin 2030 në Afrikë të mos ketë më asnjë qytetar që të jetojë me më pak se 10 dollarë në ditë.

– Kina, me më shumë se 1.4 miliardë banorë ka deklaruar se ka shpartalluar varfërinë dhe në vend nuk ka asnjë qytetar që jeton në varfëri.

Intervistori: Albert Z. ZHOLI

Në lidhje me indeksin e lumturisë kanë kaluar më shumë se dhjetë vite nga botimi i raportit të parë të lumturisë, që përkon me dhjetëvjetorin e përcaktimit të Ditës së Lumturisë, nga ana e Kombeve të Bashkuara, me anë të Rezolutës 66/281, që është data 20 Mars e çdo viti. Flitet shumë për lumturinë. Flitet, por dhe abuzohet. A është populli ynë i lumtur? Në çfarë vendi renditet ai për lumturinë në botë? Pse vendi ynë është më i palumturi në Evropë? Çpo ndodh në vendin e shqiponjave për lumturinë?

Indeksi i Lumturisë.

Shqiptarët ndër më të palumturit në Evropë. Deri kur? 

Në radhë të parë duhet që t’ju falenderoj për këtë intervistë. Është hera e parë që në shtypin shqiptar një gazetar bën të tilla pyetje në lidhje me indeksin e lumturisë. Më vjen mirë gjithashtu që në mjaft raste kohët e fundit disa gazetarë më janë drejtuar me pyetje mjaft teknike për çështje që shqetësojnë ata. Unë vetë jam një prej jush. Shumë vite më parë kam punuar në Gazetën “Ekonomia” dhe më pas në Gazetën “Shekulli” si redaktor i hapësirës ekonomike, dhe në atë periudhë botuesve u është bërë presion nga figura të rëndësishme të politikës, që të më largonin nga puna, për shkak të artikujve që shkruaja, që preknin shpesh tema ekonomike, sociale, të mirëqenies, etj. Duket se gjërat kanë ndryshuar. Qytetaria në përgjithësi dhe qytetaria, profesionizmi dhe guximi i atyre që ushtrojnë tashmë gazetarinë është në nivele që as që mund të mendoheshin përpara 25 – 30 vitesh, edhe pse ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim.

Kur është publikuar për herë të parë Indeksi i Lumturisë?

Në lidhje me indeksin e lumturisë kanë kaluar më shumë se dhjetë vite nga botimi i raportit të parë të lumturisë, që përkon me dhjetëvjetorin e përcaktimit të Ditës së Lumturisë, nga ana e Kombeve të Bashkuara, me anë të Rezolutës 66/281, që është data 20 Mars e çdo viti.

Që nga ajo kohë e në vazhdim, qytetarët në mbarë botën kanë arritur të besojnë se sukseset e çdo vendi duhet që të gjykohen nga lumturia e popullit dhe nga ana tjetër tashmë ka një mënyrë për të matur lumturinë.

Ajo që ndodh zakonisht në vende autokratike ku qeveria nuk pranon problematikën dhe difektet e qeverisjes, deklarohet vetëm rritja ekonomike dhe kjo shitet si sukses i jashtëzakonshëm, në një kohë që askush nuk e di se si llogaritet rritja ekonomike në këto vende dhe askush nuk bën oponencë pasi nuk ka institucione të pavarura për këtë. Kjo ndodh edhe me Shqipërinë. Është e vërtetë se ka zhvillim, por ky zhvillim nuk është i përhapur në mënyrë të drejtë në të tërë popullsinë e Shqipërisë. Ka disa persona dhe familje që zotërojnë pjesën më të madhe të pasurisë së krijuar këto 30 vite, ndërkohë që pjesa më e madhe e popullsisë në Shqipëri është e varfër.

Si klasifikohen vendet sot për ekonominë dhe mirëqënien?

Vendet apo shtetet në botë përpara pandemisë ishin të ndarë në tre grupe, vende të varfra, vende në zhvillim dhe vende të zhvilluara. Tashmë, kemi vende në zhvillim, vende të zhvilluara dhe vende shumë të zhvilluara. Pra, termi vende të varfra nuk ekziston dhe në fund janë vendet në zhvillim. Një pjesë e mirë e vendeve afrikane kanë pësuar një transformim rrënjësor, duke luftuar varfërinë dhe duke synuar zhvillimin e qendrueshëm duke patur për bazë gjithëpërfshirjen dhe krijimin, shpërndarjen dhe rishpërndarjen e mirëqenies (pasurisë) në mënyrë të drejtë midis qytetarëve në këto vende.

Ç’ka ndodhur me Shqipërinë? 

Shqipëria është ndër të paktat vende në botë, që nuk ka bërë asnjë përparim në këto 30 vite në lidhje me fitimin e pikëve në renditjen ndërkombëtare për shumë indekse dhe në mjaft raste ka humbur edhe vendet që kishte duke u renditur më pas. Për shembull, ajo renditet në vendet 60 – 90 për inovacionin, krijueshmërinë, sofistikimin e tregut, sofistikimin e biznesit, indeksin e manaxhimit të cilësisë (standarded ISO), indeksin e pronësisë intelektuale, bërjen e biznesit, etj si këto, kur pjesa më e madhe e vendeve të Evropës Perëndimore renditen në vendet 1 – 40, ndërsa vendet e tjera të Ballkanit midis vendeve 40 – 60.

Edhe për indeksin e lumturisë, e njëjta gjë.

Shqipëria teorikisht tashmë duhet të ishte vend i zhvilluar, meqë më parë në klasifikim bënte pjesë në vendet në zhvillim, që ishin midis vendeve të varfra dhe atyre të zhvilluara, por kjo nuk ka ndodhur për shkak të përkeqësimit të gjendjes në tërësi dhe të mirëqenis së qytetarëve në veçanti. Pra, edhe pse Shqipëria renditet në vendet në zhvillim, tashmë është në fund të klasifikimit, pasi ky grup vendesh tashmë i përket vendeve, që më parë ishin të varfra.

Popullsia e një vendi përjeton nivele të larta të kënaqësisë së përgjithëshme nëse njerëzit në këtë shoqëri janë pro-sociale, të shëndetshme dhe të begatë. Ajo që prej shekujsh Aristoteli e quajti “eudaimonia” dhe siç e spjegova edhe më lart, kur vlerësojmë një shoqëri, një situatë ose një politikë, nuk duhet të shikojmë vetëm mesataren e një shifre, siç është rritja ekonomike dhe të ardhurat për frymë. Ne duhet të shikojmë veçanërisht nivelin e varfërisë, mjerimit. Fakti se në Shqipëri ka një shumicë qytetarësh që jetojnë me më pak se 100 lekë/ditë, ka një shumicë qytetarësh që jetojnë me 300 – 500 lekë në ditë dhe një shumicë qytetarësh, që jetojnë me rreth 700 lekë në ditë dhe pjesa tjetër, rreth 2-3% janë ata që me shpoti u themi “oligarkë” (sipas organizmave financiare ndërkombëtare). Është dëshpërues, dhe bëhet edhe më shumë dëshpërues kur vendet afrikane e kanë kaluar prej vitesh këtë gjendje dhe synojnë që në vitin 2030 në Afrikë të mos ketë më asnjë qytetar që të jetojë me më pak se 10 dollarë në ditë.

Kina, me më shumë se 1.4 miliardë banorë ka deklaruar se ka shpartalluar varfërinë dhe në vend nuk ka asnjë qytetar që jeton në varfëri. Në këtë vend, të ardhurat janë rritur dhe pritet që shpejt Kina të renditet në vendet e zhvilluara, duke forcuar ekonominë dhe hapur tregjet. Në Kongresin e fundit të Partisë Komuniste Kineze, Presidenti Xi Jinping deklaroi se vendi do drejtohet nga parimet e manaxhimit shkencor, një ndryshim rrënjësor nga Mao Ce Dun, që deklaronte se vendi do udhëhiqej nga parimet e Marksit dhe Leninit. Po kështu edhe India, Brazili, Vendet Arabe, etj.

Pra, duhet që lumturia e qytetarëve të pranohet si synim madhor nga ana e qeverisë, në mënyrë që praktikat institucionale të ndryshojnë dhe orientimi i buxhetit të shtetit të jetë drejt mirëqenies kolektive dhe jo drejt mirëqenies së atyre që përfitojnë nga tenderat, koncesionet, partneritetet publike private, dhe nga korrupsioni në administratën publike. Në ato vende ku lumturia është synimi madhor i qeverisë, prioritet merr shëndeti, dhe veçanërisht shëndeti mendor, që lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me cilësinë e punës, jetës individuale dhe familjare dhe me mirëqenien e komunitetit.

Në këtë aspekt, efektiviteti i qeverisë dhe qeverisjes ka një të madhe ndikim në lumturinë njerëzore të njerëzve. Kapaciteti i një shteti mund të matet mirë nga kapaciteti i tij fiskal (aftësia për të mbledhur para), kapaciteti kolektiv (aftësia për të ofruar shërbime), zotësia juridike (sundimi i ligjit), shmangia e konflikteve dhe shmangia e represionit. Ky është Shqipëria me këto pesë parametra? Nuk ka nevojë për përgjigje, pasi kjo dihet.

Përse Shqipëria renditet në vendin 83 midis 137 vendeve?

Ju më pyesni se Shqipëria renditet në vendin 83 nga 137 shtetet në indeksin e lumturisë për vitin 2022, duke qenë kështu vendi i fundit në Evropë, pra vendi më i palumtur? Pse vjen kjo kur vendi ynë ka thesare mbi dhe nën tokë?

Për të shpjeguar ndryshimet në mirëqenien në mbarë botën, si brenda dhe midis vendeve, faktorët kryesorë përfshijnë:

  • shëndetin fizik dhe mendor,
  • marrëdhëniet njerëzore (në familje, në punë dhe në komunitet),
  • të ardhurat dhe punësimi,
  • virtytet e karakterit, duke përfshirë prosocialitetin dhe besimin,
  • mbështetje sociale,
  • liria personale,
  • mungesa e korrupsionit dhe
  • qeverisje efektive.

Qeniet njerëzore nuk dalin në botë të formuara plotësisht, si kërpudhat pas shiut, siç sugjeronte dikur Hobbes. Karakteret, zakonet dhe vlerat e tyre formohen nga institucionet shoqërore ku jetojnë dhe normat, që lindin prej tyre. Për shembull, vendet nordike kanë mirëqenien më të lartë, megjithëse nuk janë më të pasura se shumë vende të tjera. Por ata kanë nivele më të larta besimi dhe respekti e mbështetjeje të ndërsjellë. Revolucioni i mirëqenies do të varet nga performanca e institucioneve sociale në çdo vend. Objektivi i çdo institucioni duhet të jetë të kontribuojë sa mundet për mirëqenien njerëzore. Nga njohuritë tona ekzistuese, ne tashmë mund të shohim shumë nga gjërat kryesore që institucionet duhet të bëjnë. Le t’i marrim këto institucione me radhë. Treguesit në të cilët bazohet indeksi marrin për bazë të ardhurat për kokë banori, pritshmërinë për një jetë të shëndetshme, mbështetjen nga miqtë dhe të afërmit, të dhënat për bamirësi, liria për të bërë zgjedhje në jetë dhe nivelet e perceptuara të korrupsionit. Por të tëra këto lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me mënyrën se si manaxhohen burimet njerëzore, financiare dhe natyrore.

Ju me të drejtë evidentoni se “përse vjen kjo kur vendi ynë ka thesare mbi dhe nën tokë?

Pikërisht nga mënyra se si krijohet, shpërndahet dhe rishpërndahet mirëqenia. Në Shqipëri krijohet vlerë, por pjesa më e madhe e vlerës nuk shkon te krijuesit, por te përdoruesit, të cilët janë shumë të pakët krahasuar me krijuesit e kësaj vlere dhe si rezultat pjesa që marrin këta përdorues të vlerës është shumë më shumë e madhe se sa vlera që marrin krijuesit e saj. Manaxhimi i burimeve, specifikisht i atyre natyrore, për të cilat ju më drejtoni pyetjen, le shumë për të dëshëruar, për të mos thënë që është keqmenaxhim dhe në disa raste edhe me qëllim.

Si është realiteti shqiptar në këtë drejtim? Në grafikun e ndryshimit për periudhën nga 2008–2010 në 2015–2017, Shqipëria renditet ndër 9 vendet në botë që kanë shënuar përkeqësimin më të madh (-0791 pikë), së bashku me vende si Madagaskar, Botsëana, Turkmenistan, Ukrainë, Yemen, Syria, Malawi, Venezuela, etj. Kjo vjen kur kryeministri thotë se ne po luftojmë korrupsionin? 

Me shifrat e përmendura nga ana juaj bëhet fjalë për periudhën 2008 – 2010, krahasuar me periudhën 2015 – 2017, por e njëjta gjendje është edhe nëse bëjmë krahasimin me periudhën 2021 – 2023. Kryesisht Shqipëria ka humbur pikë në ritmet e rritjes së të ardhurave për frymë dhe në perceptimin se sa qytetarë mendojnë pozitivisht dhe sa negativisht në lidhje me qeverisjen dhe se çfarë mendojnë ata për korrupsionin. Një numër më i madh qytetarësh mendojnë negativisht dhe një numër më i vogël qytetarësh mendojnë pozitivisht në lidhje me punën e qeverisë dhe për korrupsionin. Shqyrtimi i pëlqimeve në Instagram dhe facebook mund të jetë kënaqësia më e madhe e një drejtuesi shteti, kur ai shikon se sa fjalë të mira thuhen në rrjete sociale për qeverisjen, por e vërteta qëndron ndryshe, kur mëson se pëlqimet për punën e qeverisë në rrjetet sociale janë të ngjashme në numër dhe me të njëjtin konotacion si pëlqimet që u bëhen fotove nudo të prostitutave.

Cila është e vërteta? – Kryeministri Rama ka deklaruar: “Nga prilli, paga minimale 40 mijë. Nisim takimet me sipërmarrjet private për rritjen e mëtejshme të rrogave të punonjësve. Kjo mënyrë rritje rrogash do ta ulë apo do ta shtojë papunësinë? 

Pagat në tërësi nuk shtohen me urdhër qveritar. Pagat e sektorit publik janë gjithmonë objekt i një ligji apo vendimi qeveritar. Pagat në sektorin privat i përcakton kërkesa dhe oferta për produkte dhe shërbime në tërësi dhe kërkesa dhe oferta pë punë në veçanti, dhe meqë në Shqipëri në këto 30 vite koncepti i kërkesës dhe ofertës nuk ka funksionuar, atëhere edhe në aspektin e pagave ndërhyn me arrogancë politika. Kjo sepse në tregun e punës në Shqipëri puna fitohet me mënyra të tjera përveç aftësive, njohurive dhe kompetencave individuale, që përbëjnë themelin e karakteristikave, që kërkohen në tregun e punës ndërkombëtarisht.

Mendoj se çështja e pagave në një vend nuk i duhet lënë në dorë sektorit publik që të jetë parësor dhe përcaktues, por sektorit privat, dhe, meqë ekonomia shqiptare, nuk është ekonomi tregu, atëhere sektori i ashtuquajtur “privat” në Shqipëri nuk ka lidhje me parimet e Adam Smithit, John Keynesit dhe Milton Fredmanit, që kur shqyrtonin aspektet e punësimit dhe rritjes ekonomike, në studimet e kërkimet e tyre kishin parasysh sektorin privat, kërkesën dhe ofertën.

Por, edhe pse është çështja e 40.000 lekëshit, është e rëndësishme nuk është maja e ajsbergut. Maja ishte dje, kur u deklarua se në vitet që vijnë paga mesatare do bëhet rreth 900 Euro. Mbaj mend, se kur Edi Rama zhvilloi fushatën elektorale të përpara dhjetë viteve, deklaroi se me të në qeverisje, ata që merren me biznes do kenë një pagë shumë të mirë. Pra, që në atë fjali u duk se si do sillej Edi Rama me bizneset. Nuk është faji i tij. Unë e di kush është Edi Rama. Edhe ai e di se kush jam unë. Po kështu, të tërë tashmë e dinë se kush është Edi Rama! Po pyetja është. A e dimë ne qytetarët e këtij vendi se cilët janë njerëzit më të mirë të mundshëm që mund të na qeverisin? Unë them JO. Dhe këtu qendron detyra e vështirë e medias. Është pikërisht media e cila duhet që të sjellë në sytë e publikut VIP-at e vërtetë të Shqipërisë; ata që punojnë dhe kontribuojnë në shoqëri dhe për Shqipërinë, dhe jo pseudo VIP-at që shiten si modele sociale dhe kulture në disa spektakle dhe emisione anti-vlerë dhe që shërbejnë si model për të rinjtë.

A do rritet mirëqënia në këtë mënyrë? 

Mirëqenia e përgjithshme, që të rritet, kërkon po aq, dhe ndoshta edhe më shumë përkushtim se sa përkushtimi për rritjen e mirëqenies individuale. Kryeministri i një vendi është kryemanaxheri i mirëqenies së popullit të vet. Dhe kur vartësit e këtij kryeministri abuzojnë me përmasa të pallogaritshme me pushtetin dhe me fuqinë që i jep ai atyre ky pushtet, dhe kur kryeministri deklaron se do u japë fitim bizneseve aq sa një rrogë e mirë, atëhere Kryeministrit nuk i mbetet asgjë veçse të ikë, të largohet sa më shpejt, pasi minimalisht nuk justifikoi besimin, që i kam dhënë unë dhe ti dhe të tjerët për të na drejtuar. Mirëqenia rritet kur Shqipërinë dhe shqiptarët t’i drejtojnë njerëz me aftësi, njohuri dhe kompetenca në qeverisje, ekonomi dhe zhvillim. Kjo do ndodhë kur shqiptarët që kuptojnë se çfarë janë aftësitë, njohuritë dhe kompetencat. Është si puna e asaj barcaletës me bathët. E pyetën priftin: “Kur janë Pashkët”. Ai u përgjigj: “Siç tregojnë bathët janë larg Pashkët”. Prifti nuk dinte të numëronte dhe mbante bathë në xhep për të llogaritur ditët kur vinin Pashkët. Çdo ditë hiqte nga një kokërr nga xhepi, derisa të vinin pashkët. Një nga familjarët e tij, meqë e pa se prifti mbante bathë në xhep, mendoi se i pëlqenin dhe ja mbushi xhepin me bathë. Përfundimin e merrni me mend vetë. Kur “prifti” ynë nuk ka arsim ekonomik apo të ngjashëm me të, atëhere si do vijë mirëqenia?

Sa mund të rritej mirëqënia e çdo shqiptari nëse nuk do të kishte korrupsion në këto përmasa? 

Mendoj se nëse punët do kishin shkuar mirë në këto 30 vite, tashmë duhet të kishim rreth 18.000 euro për frymë në vit, paga minimale duhet të ishte vetëm pesë herë më e vogël se paga maksimale, pasuria e çdo shqiptari në vlerë monetare në llogari bankare duhet të ishte rreth 75.000 euro për person dhe pasuria në formën e pronës së paluajtëshme, shprehur në vlerë monetare duhet të ishte diku rreth 500.000 euro për person. Këtu janë tashmë disa vende që në vitin 1990 ishin po ashtu si Shqipëria.

Ne folëm vetëm për paratë, por mirëqenia në indeksin e lumturisë shikohet edhe te jetëgjatësia, produktiviteti, pro-socialiteti, situate e konflikteve sociale dhe sjellja e popullsisë në periudhën e zgjedhjeve. Studimet e fundit tregojnë se mirëqenia më e lartë rrit përqindjen e votave në favor të qeverisë. Mirëqenia është më e rëndësishme se ekonomia në shpjegimin e rezultateve të zgjedhjeve. Pasi është pikërisht mirëqenia dhe jo thjesht gjendja ekonomike ajo që pakëson, apo shton mbështetjen ndaj qeverisë. Është e qartë se mirëqenia do të jetë në qendër të debatit politik në zgjedhjet e vitit 2025 dhe unë ju ftoj si media dhe si gazetarë kudo që jeni e kontribuoni që fushatën elektorale të vitit 2025 ta kthejmë në një revolucion të thellë për të shkallmuar terrin informativ në lidhje me politikën dhe të mbështesim ata që mund dhe duhet të na drejtojnë më mirë se klasa aktuale politike, e cila e ka mbyllur prej kohësh ciklin e saj. Po, për këtë duhet shumë më tepër punë, por mendoj se ne mund dhe duhet t’ia dalim, pasi ne kemi një detyrim përballë vendit dhe kombit, që të zhvillojmë mendimin politik, ekonomik dhe social, të bëjmë sa më shumë transparencë dhe të luftojmë sa të mundim arrogancën, mendjemadhësinë, injorancën dhe korrupsionin. Atje ku ka arrogancë në pushtet dhe mendjemadhësi në opozitë ka injorancë dhe korrupsion. E tërë historia botërore ka treguar se udhëheqja arrogante kombinuar me mendjemadhësinë e opozitës, vjen për shkak të injorancës së masave, që sjellin në pushtet këtë klasë politike me këto karakteristika. Të treja këto sjellin korrupsionin.

Duket se edhe shqiptarët kanë filluar që të gjykojnë gjendjen e mirëqenies së tyre nga niveli dhe shpërndarja e mirëqenies, si midis tyre ashtu edhe ndër breza. Në të ardhmen, organizmat ndërkombëtare do e venë edhe më shumë theksin te mirëqenia, jo vetëm në aspektin operacional, por edhe në aspektin etik. Roli i mirëqenies në zhvillimin e qëndrueshëm është i dukshëm, por mirëqenia duhet të luajë një rol edhe shumë më qendror në aspektet kombëtare, rajonale, globale transnacionale.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok