13/10/2024

ËNDRRA MEGALLOMANE PËR SERBINË E MADHE

0
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
     Ëndrra megallomane për Serbinë e Madhe, ka qenë dhe mbetet agjendë e të gjitha qeverive tej shekullore serbe. Ngritje-zbritjet e Serbisë, qoftë atëherë kur ishte mbretëri në vete, pastaj me bashkimin e mbretërive serbo-kroate-sllovene, në vitet `20-a, të shekullit XX-të, ruajti dominimin serbomadh, duke pasur brenda saj Provincën hungareze të Vojvodinës dhe Krahinën shqiptare të Kosovës.
     Në vitet `40-a të shekullit të shkuar, me mbështetjen e Rusisë Sovjetike, Serbia ruajti primatin në Jugosllavinë e re social-komuniste. Edhe atëherë ajo punonte për Serbinë e Madhe, por e kamuflonte me slloganin e “bashkim-vëllazërimit” fallco jugosllav. Përgjatë gjysmë-shekulli, Kosova, edhe pse pjesë e këtij bashkimi “vëllazëror”, populli i saj përjetoi kalvarin komunist, përndjekjen sistematike komuniste politike, me diferencime, burgjet, torturat, vrasjet individuale e grupore.
     Ndjenja e megallomanisë, gjithnjë aktive, për Serbinë e Madhe, rriti oreksin dhe shtoi zullumin, mbi popullin e Kosovës. Dhe, siç thotë urtësia “zullumi këputet prej së trashi”. Dhe, ashtu ndodhi. Bombardimi i NATO-s, edhe pse i vonuar, ishte meritor.
     Nga pësimi i Millosheviqit, pasuesit e tij, njëri pas tjetrit, nuk mësuan asgjë! Së bashku me Kishën Ortodokëse Serbe, me bekimin e Rusisë, u përqendruan sërishmi në krijimin e Serbisë së Madhe. Provuan me pakicën serbe në Kroaci, e pësuan keqas, duke e humbur luftën dhe krejt Krainën me shumësi popullatë serbe. Por, fituan në Bosnje, duke krijuar “Republika Srpska”, brenda saj. U nda Mali i Zi nga Serbia, por kjo e fundit nuk hoqi dorë nga destabilizimi, duke përgaditur deri atentatin kundër Presidentit Gjukanoviq, në koordinim me Rusinë.
    Intrigimet politike të Serbisë, u përqendruan në Kosovë, duke përfituar nga Plani skandaloz i Ahtisarit finlandez. Serbia favorizoi ngritjen artificiale në pozita të disa “biçim komandantësh” shqiptarë, të cilët i lejoi, qëllimshëm, të zhytën në krime kundër vet shqiptarëve, duke krijuar burgje rurale, për maltretimin, deri në vrasjen e kundërshtarëve politikë, për të ardhur në pushtet. Serbia i krijoi dosjet për ata dhe i përdori dje, por vazhdon t`i përdorë edhe sot, duke i shantazhuar me dosje, për krimet faktike.
         Serbia shelege e Rusisë 
      dhe sfiduese e Perëndimit 
     Gjeopolitika dhe gjeostrategjia po e favorizon Aleksander Vuqiçin, po luan me dy karta njëherësh. Lidhjet shpirtërore e konspiracionet komplotiste, vazhdon t`i ruaj me Rusinë, por, duke përdorur, “sa për sy faqe”, edhe kartën që synon familjen natyrale në BE, duke zhvatur nga ajo investime, por, edhe favorizime të bollshme politike, në raport me Kosovën.
     Edhe pse serbët në Kosovë, në veçanti, ata në Veriun e Kosovës, gëzojnë statusin më të privilegjuar, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë e mëtej në botë, kërkojnë më shumë, në rastin konkret, “Zajednicën”, me të drejta ekzekutive, thënë troç”, një “Republika Srpska”, si ajo në Bosnje, e cila e ka kolapsuar sot shtetin boshnjak, Bosnjen dhe Hercegovinën.
     “Kryeministrit Kurti i janë ofruar variante të tmerrshme për Asociacionin”, – reagon me zemratë dhe indinjueshëm, Presidentja Vjosë Osmani. Veç argatëve të Serbisë, Lajçak dhe Borrell, në cilësinë ndërmjetësuese, lexoni edhe dilemën, pro serbe, që shfaqë ambasadori amerikan Kristopher Hill, në Beograd:
     “…Por mendoj se duhet të përpiqemi të ecim shpejt, për të garantuar që të respektohen interesat e komunitetit serb në Kosovë”. Dhe, vazhdon: “Asociacioni është pjesë e dialogut të Brukselit, që nga viti 2013 dhe duhet të formohet, në mënyrë që komuniteti serb, kryesisht, në Mitrovicën e Veriut, të shohë se si do të jetë e ardhmja e tij?!” Pra, Hill mendon si Vuqiç, përmend vetëm nënshkrimin e vitit 2013, në Bruksel, që nënkupton Asociacion me të drejta ekzekutive dhe komunitetin serb në veriun e Mitrovicës, si trajtim të veçantë.
     Presidenti Vuçiq sfidon BE-në dhe SHBA-në, shpallë hero policin kriminel, i cili urdhëroi demolimin e qendrës zgjedhore në Mitrovicën e Veriut. Sjelljet e sotme të Serbisë, në raport me Kosovën, na kthejnë në gjeopolitikat e viteve `10-a, të shekullit të kaluar, për të ardhur në Konferencën e Londrës, me pazaret e pista të Rusisë Cariste me Evropën, tokat shqiptare u përdorën për kusuritje, gjithnjë në favor të Serbisë.
        “Lista Serbe” xhoker i Vuçiqit, 
           për destabilizimin e Kosovës
    Loja e Vuçiqit, e koordinuar me bandën e “Listës Serbe”, shfrytëzon, suksesshëm, shtimin e kërkesave për përfitime, sa më shumë, në Veriun e Kosovës. Fillimisht, donin zëvendësimin e Albinit, “sepse me Hashimin dhe Ramushin merreshim vesh!” Kjo nuk mund të bëhej, ngaqe Thaçi është në telashe me disa akuza krimesh në Hagë, ndërsa Haradinaj përflitet se është partner në kontrabandën me kriminelët serbë në Veri, tashmë, të shpallur “non grata” nga SHBA.
     Banditërit e “Listës Serbe”, pasi hasën në refuzimin e Kurtit, se “nuk ka priorite, por, ka radhë në dialogimin e marrëveshjeve të pa zbatuara, nga Serbia, dalin me kërkesën e re: “Pa largimin e Forcave Speciale të Policisë nga Veriu i Kosovës, nuk marrim pjesë në zgjedhje”, duke “harruar” Asociacionin. Ata e dijnë rastin paraprijës, kur Hashim Thaçi, në marrëveshje me Komandantin e KFOR-it, pranoi që Forcat e Sigurisë të Kosovës, të mos kalojnë në Veri, pa lejen e KFOR-it! Ky vendim kriminal, edhe sot është valid!
      Dhe, kjo jo vetëm që nuk duhet të ndodhë, por kryeministri Kurti duhet të ngulmojë në dialog, që FSK-ja të vendoset përgjatë kufirit me Serbinë, aktualisht, nën komandën e KFOR-it, në mënyrë që kurrë të mos ndodhë barrikadimi i rrugëve dhe makro-kontrabanda serbo-shqiptare, siç ka ekzistuar, për dy dekada radhazi, e maskuar, kinse, “edhe në Veri ka pasur ligje e rregulla!” Broçkulla!
          Opozita aleate e Serbisë në 
              trysninë ndaj pozitës
     Me gjithë refuzimet, kundërshtitë e hapura të Vuçiqit, për të nënshkruar marrëveshjet e arritura, së fundi, në Ohër, ende nuk shohim ndonjë presion serioz ndaj tij, për ta obliguar atë. Polarizimet pozitë-opozitë në Kosovë, veçsa kanë trimëruar Vuçiqin, në qendrimet e tij destruktive. Opozita premtoi unitet dhe unifikim veprimesh në dialog. Por, realisht, veproi ndryshe. Nuk paragjykojmë vizitat e Lumirit dhe të Memlit në Amerikën mike, por Haradinaj dhe Hoti, me deklarimet e tyre publike, nga SHBA, e bënë pranimin e Asociacionit, ende pa u shtruar në tavolinën të dialogut! Pabesisht e turpërisht, “thyen bllokadën” mbrojtëse të Kurtit, kundër Asociacionit!
     Opozita shqiptare e Kosovës, duhet të mësojë nga përfaqësuesit e minoritetit: turk, boshnjakë e goranë, romë me degëzimet e tyre, si dhe shumica e opozitës serbe brenda Kosovës, për qasjen reale, objektive dhe fort të argumentuar, se një Asociacion monoetnik serb, diskriminon minoritetet tjera në Kosovë. Ata janë unik, në mendimin se minoritetet gëzojnë të drejta të plota, si askund tjetër në botë.  Bilëz, deputeti turk, në Parlamentin e Kosovës, deklaron se ne gëzojmë më shumë të drejta, se sa vetë turqit në Turqi. Por, ndryshe mendojnë Baton Haxhiu dhe Dardan Molliqaj, me horrat e tyre, “se po u shkelën të drejtat pakicës serbe!”
     Ethet e pushtetit, po dominojnë mbi interesat e shtetit. Në vend të unitetit, për të përballuar dialogun, disa po mendojnë për aleancat zgjedhore. PAN-istët janë në ofenzivë. Me pushtet duan ta mbulojnë gjëmën që ia kanë bërë Kosovës. Barrikadimi i tyre kundër -Vettingut -; kundër Byrosë të Verifikimit dhe të Konfiskimit të pasurive makro-hajnore të tyre; mbrojtja e krimit dhe të kriminelëve në organet e drejtësisë, siç është edhe vendim i turpshëm i fundit, e të ashtuquajturës Gjykatë Kushtetuese, rrast e kapur, pikërisht, nga PAN-i!
     Sërishmi janë aktivizuar lugetërit, për ndarjen e Kosovës. Prinë kallauzi monstrum, Baton Haxhiu, i pasuar nga eksponentët e PDK-së, të prirë nga Vlora Çitaku, Ramë Buja, Enver Hoxhaj, Abelard Tahiri dhe disa anëtarë të tjerë të zëshëm të kryesisë; Valon Murati, në emër të njëfarë “Lëvizje për Bashkim”; disfatisti Dukagjin Gorani, i cili, thotë se “komunat e Veriut mund të ndahen kur të duan”, edhe pse një gjë e tillë nuk mund të ndodhë pa luftë. Tellalli i PAN-it, Molliqaj me pacollër të tjerë, këtë “pazar” e bëjnë në debatet e televizioneve paçavure të PAN-it!
     Këta, me bashkëmendimtarët llumhane të tyre, joshin Vuçiqin me miqtë e tij, ndërmjetësuesit famozë, fort të gajluar, “për t`i dhënë diçka Serbisë”, për të marrë njohjen e saj! Të gjithë këta shqip-folës, një shtet ligjor, do t`i zinxhiroste, si qentë, për tradhtinë e tyre, që vazhdojnë t`i bëjnë Atdheut-Kosovë.
               Ngulmimi i BE dhe SHBA për 
          Asociacionin monoetnik, skandaloz
     Kosova, në përgjithësi, dhe kryeministri Kurti, në veçanti, ndodhet në një situatë të ndërlikuar, deri në kërcënimin e padrejtë: “Merre ose lëre!” Ndërkohë, nëse do të kishim një gjykim të drejtë, të paanshëm, në  raportin persekutor-viktimë, çështja do të thjeshtëzohej në përmasën e normales. Çfarë kërkon Serbia nga një Kosovë e stër-përgjakur, por, më në fund, me pavarësi të njohur ndërkombëtarisht?! Dhe, me një trajtim model, për të mirë, botëror, të minoriteteve, përfshi edhe atë serb. Tashmë, edhe qëllimet e Serbisë fashizoide, janë, qartësisht, të lexueshme.
     Ftesa e ambasadorit amerikan në Kosovë, Hovenier, të ofruar Kurtit, se “ne do të punojmë së bashku, për Asociacionin, duke respektuar sovranitetin, tërësinë territoriale, Kushtetutën e Kosovës”, duhet parë si ofertë serioze. Andaj, duhet bashkëpunuar me palën amerikane. Vështirë të besohet se SHBA, pranon një Asociacion sot, që nesër mund të rezultonte me një “Republika Srpska”, me një kufi me Serbinë, përkatësisht, Rusinë, në lumin Ibër, në mes të qytetit, në vend që ky kufi të mbetet prapa kodrave, atje, ku, realisht, është tani.
     Trajtimi demokratik, në respektimin e të drejtave të minoriteteve, në Kosovë, është unik, jo vetëm në Ballkan, por, edhe mëtej në Evropë dhe botë. Po deshën lë të organizohen komunat me shumicë minoritare, si Mamusha, Dragashi,10 komunat tjera me shumicë serbe, në një Asociacion, me shumësi minoritare, me status të njëjtë, me Asociacionin që kanë komunat në Kosovë, të monitorohen edhe nga BE-ja, SHBA-ja, për trajtimin e minoriteteve. Kosova është e hapur, e sinqertë me bashkatdhetarët minoritarë, sepse ka provuar padrejtësinë dhe shtypjen sistematike, si pakicë brenda Jugosllavisë, deri në vrasje, nga serbo-sllavët, në dekada e tej shekullit. Prandaj, ne që kemi aspiruar lirinë e munguar, duhet të jemi dhe, pa mëdyshje, jemi ndryshe nga ata, që na kanë mohuar neve edhe liritë elementare.
          Komandantët kriminelë në pushtet, 
          të shanazhuar me dosje të krimeve
     Lobimi i organizuar, i orkestruar serb në SHBA, vazhdon të jetë shumë aktiv dhe me mjaft ndikim në disa qarqe amerikane, kur vihen në peshore raportet serbo-shqiptare. Ata kanë trashëguar një propagandë të viktimizimit. Dhe, këtë po e përdorin edhe sot, madje me shumë efikasitet. Në këtë aspekt, pavetëdijshëm, ndihmohen edhe nga vetëlavdërimet që bëjnë shqiptarët, për luftën e pabërë. Në përkujtimin e viktimave në Likoshan e Qirez, në masakrën e soldateskës serbe, të 28 shkurtit 1998, thuhet se “ishte hakmarrje ndaj goditjeve që u jipte UÇK-ja forcave policore dhe ushtarake serbe”?! (Edhe pse në atë kohë “UÇK-e” ishte inekzistente!) Pikërisht, kështu thotë edhe propaganda gebelsiane serbe, për të përligjur masakrat e saj!
     Lobimi shqiptar, për dialog, është shpërqendruar në një lobim tjetër, që bie ndesh me parimet amerikane, siç është zhurma kundër Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë. Kjo Gjykatë është ide dhe realizim amerikan, sepse krimet e soldateskës të Millosheviqit, i vazhduan disa komandantë, nën siglën e UÇK-së. Provë se kush është pro dhe kush kundër Amerikës, është qendrimi ndaj përkushtimit për drejtësinë.
     Sjellja e Kosovës, përballë lojës së dyfishtë të Serbisë, duhet të ndryshojë tërësisht. Qeveritë e shkuara ishin të kriminalizuara, të zhytura në krimin vrastar dhe korrupsionin industrial, pra, vjedhje zyrtare dhe haraç të përgjakshëm. Përgjatë të gjithë dialogut, negociatorët kanë bërë kompromise të dhimbshme e kriminale. Pas çdo marrëveshje, Serbia shënonte një fitore domëthënëse, ndërsa Kosova pësonte një humbje, një gjëmë shtesë, një gjëmë të radhës.
         Arsyeja e vetme ishte se shefi i negociatorëve, 
       Hashim Thaçi ishte i shantazhuari i katërfishtë:
1) Me dosjet e  monitoruesëve ndërkombëtarë në Kosovë;
2) dosjet nga Serbia;
3) dosjet-memorie të familjarëve të viktimave;
4) dosjet faktike të bandave ekzekutuese, të kundërshtarëve politikë, me porosi të komandantëve të               bandave.
     Ndërkohë, dialoguesit aktualë dhe shefi i tyre, Albin Kurti, nuk janë të shantazhuar, madje nga askush. Ishin unik në kundërshtinë e të gjitha marrëveshjeve, vendimeve dhe veprimeve fatale për Kosovën. Justifikimet e gërditshme se pavarësinë e solli Plani i Ahtisarit, janë mjegullnajë. Sepse ajo do të vinte edhe pa atë. “Xhevahirët” e Ahtisarit, vazhdojnë ta ngulfatin edhe sot popullin e Kosovës: 27 komuna për 96 % të popullsisë të Kosovës dhe vetëm për 4 % serbë, plot 10 komuna! Një krim i llojit të vet! Dhe, kjo është “dhuratë”, pikërisht, e presidentit Ahtisari, që përbën një diskriminim pozitiv, në raport me monoritetet tjera, jo serbe në Kosovë.
     Edhe pse Ahtisari dhunshëm e shpalli Kosovën “multietnike”, për t`i kalaveshur serbët me privilegje shtesë, vendosi Asociacion “monoetnik”, për komunat me shumicë serbe. Ai prrallisë për jetë të përbashkët me serbët në Kosovë, por vepron për ndarjen e tyre, në perspektivë, duke marrë edhe territor me vete!
Këtë hipokrizi e cinizëm, njëherësh, nuk duhej pranuar me asnjë çmim. Ashtu siç nuk duhet pranuar, sot, çfarëdo Asociacioni, që do të rrezikonte ngulfatje të shtetit, apo tragjikën e prekjes të territorit.
     Pranimi i planit-kornizë franko-gjerman, nga kryeministri Kurti, pavarësisht kompromiseve të paralajmëruara, si të vështira, kërkon përkushtim e qendresë, përgjatë dialogimit zbatues, për të mos lejuar dhe as pranuar shkeljen e parimeve, që cënojnë Kushtetutën e vendit, qoftë edhe për të lënë hapësirë, se kjo mund të ndodhë dikur, në të ardhmen e afërt apo të largët.
     Pozita e sotme është krenare, për opozitarizmin e egër të djeshëm, duke u identifikuar si e vetme në mbrojtje të Republikës. Urojmë të mos sjell gjëmë-shtesë nga Brukseli, Ohri apo nga ndonjë qendër tjetër, në Kosovë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok